← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

4. Nisa · Ajeti 47 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:44–4:56

Në këto ajete u fol për intrigat e jehudive me të cilat përpiqeshin të dobësonin misionin e Muhammedit, për ndryshimet që i bënin në Tevratë, për shprehjet fyese kundër Muhammedit dhe kundër fesë islame, kinse me to kishin për qëllim të respektonin Muhammedin dhe fenë islame.

Në mesin e këtyre ajeteve përmendet mëkati më i madh i pafalur, idhujtaria, politeizmi ngase edhe ithtarët e librit bëjnë këtë mëkat, kur thonë për Uzejrin dhe Isain se ishin bijtë e Zotit.

Jehuditë thoshin për vetvete se ishin popull i privilegjuar prej Zotit, e kjo ishte shpifje e madhe kundër Zotit, andaj edhe janë të mallkuar. la kishin zili Muhammedit dhe arabëve pse t'i shpallet dikuj tjetër dhe pse të jetë dikush tjetër pejgamber, e jo dikush nga populli beni israil. Ata e dinin se edhe Muhammedi ishte pasardhës i Ibrahimit. Zoti u pat dhënë gradën pejgamber shumë pasardhësve të tjerë të Ibrahimit, e disave si Davudit e Sulejmanit u pat dhënë edhe mbretëri të madhe. Zilia e tyre është e mallkuar.

Xhehenemlinjve do t'ju përtërihet lëkura e trupit saherë që të digjet ajo. Përtërirja e lëkurës jep të kuptohet se vetëm Zoti ka fuqi të ndëshkojë kriminelin për çdo krim. Njerëzit këtë nuk mund ta bëjnë, pse për njëqind e sa krime e dënojnë me mbytje një herët" Përmendet djegia e lëkurës ngase dhëmbja më e ndieshme është në lëkurë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:47–4:48

- O ju njerëzit e Librit! Besojeni atë (Kur'anin) që e shpallëm si vërtetues të atij që keni në duar, para se t'jua fshijmë (shqisat nga) fytyrat dhe t’jua kthejmë ato prapa koke ...” - Allahu i Madhëruar i urdhëron ithtarët e Librit që ta besojnë këtë Shpallje madhështore, që Ai i dhuroi Muhamedit. Ai është libër i madhërishëm, në të cilin gjenden lajme të vërteta dhe vërtetuese të shpalljeve të mëparshme. Ai është realizimi i përgëzimeve të shumë profetëve të shkuar. Gjithashtu, i Madhëruari i kërcënon ata që nuk e besojnë këtë Shpallje e këtë Profet të shumëpritur, duke thënë: “...para se t'jua fshijmë (shqisat nga) fytyrat dhe t’jua kthejmë ato prapa koke...” Disa e kanë shpjeguar, duke thënë: Allahu do t'ua kthejë shqisat e fytyrës prapa koke dhe ata do të fillojnë të ecin mbrapsht. Ky është një ndëshkim mëse kuptimplotë dhe i merituar për ta. I tillë është shembulli i atyre që devijuan nga e vërteta, për t’u zhytur në të kotën; atyre që e lëshuan rrugën e qartë e të ndriçuar, për t’u kthyer duke u zvarritur mbrapsht në rrugën e shkatërrimit dhe errësirës. Është thënë se Keab el Ahbari e pranoi Islamin pikërisht kur dëgjoi këtë ajet. Ibn Xheriri sjell hadithin nga Isa Ibn Mugirate, i cili tregon: “Ishim duke kujtuar së bashku me Ibrahimin se si u bë musliman Keabi. Ai rrëfente: ‘Keabi e pranoi Islamin në kohën e Umerit. Keabi ishte nisur për në Bejt el Makdes. Kur kaloi në Medinë, Umeri e takoi dhe i tha: “O Keab, pranoje Islamin e dorëzoju Zotit!” Keabi i tha: “A nuk e lexoni në Librin tuaj: “Përngjasimi i atyre, që iu besua Teurati dhe nuk e zbatuan atë, është me gomarin, që, thjesht bart libra . Sa i keq është përngjasimi i atyre që mohojnë ajetet e Allahut!” [Mumtehine 5]. E, pra, unë kam pranuar Teuratin.” Atëherë, Umeri e la të shkonte. Keabi vazhdoi udhëtimin derisa mbërriti në Hims. Atje dëgjoi një nga banorët e Himsit që, me një zë të përvuajtur e duke qarë, po thoshte: “O ju njerëzit e Librit! Besojeni atë (Kur'anin) që e shpallëm si vërtetues të atij që keni në duar, para se t'jua fshijmë (shqisat nga) fytyrat dhe t’jua kthejmë ato prapa koke, ose t’ju mallkojmë siç i mallkuam ata (shkelësit e ligjit) të së shtunës. Urdhri i Allahut është i pakthyeshëm.” Atëherë Keabi, i frikësuar se mos e kapte ky ndëshkim i përmendur në ajet, tha: “O Zot, u dorëzova në Islam!” Pastaj u kthye në Jemen, për të marrë familjen e tij dhe për të pranuar të gjithë së bashku Islamin. Kështu e ka sjellë përafërsisht edhe Ibn Ebu Hatimi nga një tjetër rrugë transmetimi.

- “...ose t’ju mallkojmë siç i mallkuam ata (shkelësit e ligjit) të së shtunës.” - Këta ishin ata që, përmes hileve, kërkonin t’i shmangeshin e bënin bisht urdhëresave të Allahut. Allahu i ndëshkoi ata duke i shndërruar në derra e në majmunë. 179 Historia e tyre do të shtjellohet gjerësisht në suren Araf, në dashtë Allahu i Madhëruar. - “Urdhri i Allahut është i pakthyeshëm.” - Nëse Ai urdhëron për diçka, ajo do të përmbushet dhe askush nuk mund ta thyejë e pengojë realizimin dhe përmbushjen e saj. - Allahu nuk fal që të adhurohet dikush a diçka tjetër veç Tij, ndërsa gjynahet e tjera ia fal kujt të dojë. - Ai nuk i fal ata që i bëjnë shirk, ndërsa gjynahet e tjera poshtë këtij, ia fal atij që Ai dëshiron. Në lidhje me këtë ajet janë sjellë hadithe të shumta. Le të sjellim disa prej tyre. Hafidh Ebu Bekër el Bezari sjell në Musned-in e tij hadithin nga Enes Ibn Maliku, se Profeti ﷺ ka thënë: 748 . “Padrejtësia është tri llojesh: padrejtësia të cilën Allahu nuk e fal kurrë; padrejtësia që Allahu e fal ; padrejtësia që Allahu nuk ka për të lënë kurrë pa e shlyer. Padrejtësia që Allahu nuk e fal është shirku: “Mos i bëj shok Allahut, sepse idhujtaria është, vërtet, padrejtësia më e madhe!”. Padrejtësia që e fal Allahu është ajo që krijesat i bëjnë vetes së tyre në lidhje me detyrimet që kanë ndaj Zotit. Ndërsa padrejtësia që Allahu kurrë nuk ka për ta lënë pa e shlyer është padrejtësia e robërve kundër njëri-tjetrit. Pra, Allahu kurrë nuk ka për ta lënë këtë padrejtësi pa e zbuluar dhe pa gjykuar me drejtësi.” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Dherri, i cili tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 749. “Çdo rob i cili thotë: Lâ il -lâhe il Allah , dhe pastaj vdes me këtë besim në zemër, ka për të hyrë në Xhenet.” Unë, - vijon Ebu Dherri - i thashë: “Edhe nëse bën zina dhe vjedh?” Profeti tha: “Edhe nëse bën zina dhe vjedh!” I thashë përsëri: “Edhe nëse bën zina dhe vjedh?” - “Edhe nëse bën zina dhe vjedh.” - tha Profeti. Ai e përsëriti tri herë këtë dhe herën e katërt tha: “Edhe nëse bën zina dhe vjedh, (ragime enfu) me gjithë refuzimin e Ebu Dherrit.” Atëherë, Ebu Dherri doli duke tërhequr izarin e tij dhe duke thënë: “...me gjithë refuzimin e Ebu Dherrit!” Dhe Ebu Dherri gjithmonë që e tregonte këtë hadith, thoshte: “...me g jithë refuzimin e Ebu Dherrit.” Buhariu dhe Muslimi e kanë përnxjerrë këtë hadith prej Husejnit, që e ka sjellë në formë të ngjashme. Hafidh Ebul Jala sjell në Musned-in e tij hadithin nga Xhabiri, se Profeti ﷺ ka thënë: 750. “Falja e Zotit gjithmonë do të jetë me robin, për sa kohë nuk e ka hequr perden ose nuk e ka kaluar kufirin!” - “O i Dërguari i Allahut, - e pyetën, - e cila është ajo perdja që hiqet ose kufiri që kalohet?” Ai tha: “Ti bësh Zotit shirk. Çdokush që vdes dhe nuk ka bërë shirk, atëherë për të është e mundur falja e Zotit të Lartësuar. Nëse dëshiron Ai, e ndëshkon dhe nëse dëshiron Ai, e fal atë.” Pastaj Profeti i Allahut lexoi: “Allahu nuk fal që të adhurohet dikush a diçka tjetër veç Tij, ndërsa gjynahet e tjera ia fal kujt të dojë...” Taberaniu sjell hadithin nga Ibn Abasi se Profeti i Allahut ka thënë: 751. “Allahu Krenar dhe i Lartësuar ka thënë: “Ai rob që e di mirë se Unë jam i plotpushtetshëm për t’i falur të gjitha gjynahet, Unë ia fal atij të gjitha dhe nuk pyes asnjë, për sa kohë ai nuk më ka bërë shok!” Gjithashtu, transmetohet nga Ibn Umeri, i cili ka thënë: “Ne nuk kërkonim falje për ata njerëz që vdisnin dhe kishin bërë gjynahe të mëdha, derisa e dëgjuam njëherë Profetin ﷺ që të lexonte këtë ajet: “Allahu nuk fal që të adhurohet dikush a diçka tjetër veç Tij, ndërsa gjynahet e tjera ia fal kujt të dojë...”. Profeti ka thënë gjithashtu: 752. “E kam shtyrë ndërmjetësimin tim për në Ditën e Kijametit pikërisht për ata nga umeti im që bëjnë gjynahe të mëdha.” Sigurisht që falja e gjynaheve është e kushtëzuar me pendim. Pra, ai që pendohet nga çdo gjynah, edhe nëse i përsërit gjynahet, Allahu i Madhëruar ka për t’ia pranuar pendimin. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën në

mëshirën e Allahut, sepse Allahu i fal të gjitha gjynahet! Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” [Zumer 53]. Domethënë, kjo është e kushtëzuar me pendim.180 Allahu i Lartësuar thotë më pas: - Kush adhuron dikë a diçka tjetër veç Allahut, ka bërë një gjynah të madh. - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar : “...idhujtaria është, vërtet padrejtësia më e madhe!” [Lukman 13]. Në dy Sahih-ët është hadithi nga Ibn Mesudi, që rrëfen: 753 . “Unë i thashë: ‘O i Dërguari i Allahut! Cili gjynah është më i madhi?’ Ai tha: ‘T’i bësh Allahut shok në adhurim, ndërkohë që Ai të ka krijuar ty...” dhe vijon hadithi i plotë. Ibn Merdeuejhi sjell hadithin nga Umran Ibn Husajni, se Profeti ﷺ ka thënë: 754. “A t’ju njoftoj se kush është gjynahu më i madh? Ai është t’i bësh Zotit shirk në adhurim.” Pastaj Prof eti lexoi: “Kush adhuron dikë a diçka tjetër veç Allahut, ka bërë një gjynah të madh.” “Më pas është padrejtësia ndaj prindërve.” Dhe pastaj lexoi ajetin: “Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu! Vetëm tek Unë është kthimi juaj. ” [Lukman 14].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:47

Allahu i Lartësuar i urdhëron ithtarët e Librit, çifutët e të krishterët, që të besojnë Profetin e fundit, Muhamedin (a.s.) dhe të pasojnë Kur’ânin që iu dha atij, i cili është vërtetues i shpalljeve hyjnore të mëparshme dhe garantues i të vërtetës që gjendet në to. Për këtë libër të mrekullueshëm kanë lajmëruar dhe dëshmuar edhe librat e mëparshëm hyjnorë. Kur’âni është vërtetuesi i shpalljeve të mëparshme, prandaj nëse ata e mohojnë dhe nuk e zbatojnë atë, atëherë ata kështu hedhin poshtë edhe librat e tyre, që pretendojnë se besojnë dhe ndjekin. Shpalljet e Zotit vërtetojnë njëra-tjetrën. Pretendimi se mund të jesh besimtar duke besuar një pjesë të tyre dhe duke mohuar një pjesë tjetër, është i pavlerë; ose duhet t’i besosh të gjitha, ose në të kundërt je mohues i të gjithave. Allahu i Lartësuar u thotë atyre: - “O ju njerëzit e Librit! Besojeni atë (Kur'anin) që e shpallëm si vërtetues të atij që keni në duar, ...” - Kjo është këshillë e mrekullueshme drejtuar ithtarëve të Librit. Ata duhet të jenë të parët që duhet të pranojnë shpalljet e Zotit, për shkak të dijes dhe mirësive me të cilat Zoti i begatoi dhe i dalloi mbi shumë të tjerë. Duke qenë se Zoti u dhuroi atyre një libër qiellor, ata duhet të jenë më të kujdesshëm dhe më të përgjegjshëm se të tjerët në përgjigjen e thirrjes së Zotit për të besuar dhe pasuar Kur’ânin dhe Profetin e fundit të Tij. Ata e dinë shumë mirë rëndësinë e një çështjeje të tillë dhe rrezikshmërinë e shpërfilljes së saj, prandaj Allahu i Lartësuar u bën një paralajmërim shumë të frikshëm. - “...para se t'ua fshijmë (shqisat nga) fytyrat dhe t’ua kthejmë ato prapa koke, ose t’ju mallkojmë siç i mallkuam ata (shkelësit e ligjit) të së shtunës.” - Ky është dënimi i meritueshëm për këtë vepër. Shkelësit e ligjit të Sabatit (judejtë) e braktisën të vërtetën dhe parapëlqyen të kotën duke e tjetërsuar realitetin. Ata e bënë të rremen të vërtetë dhe të vërtetën të rreme, prandaj dhe u “shpërblyen” me kthimin e fytyrave pas, domethënë duke ua fshirë tiparet nga fytyra dhe duke ua kthyer ato pas koke. Ky qe një ndëshkim poshtërues, por përveç tij, ishte edhe mallkimi, pra, dëbimi nga mëshira e Zotit, i Cili, disa prej tyre i dëboi nga mëshira e Tij, ndërsa të tjerë i shndërroi në majmunë dhe në derra. Ky është kërcënim për ata që nuk e besojnë Shpalljen e fundit, Kur’ânin. - “Urdhri i Allahut është i pakthyeshëm.” - Pra, kjo nuk është e vështirë për Allahun e Lartësuar, që thotë në një ajet tjetër: “Kur Ai dëshiron diçka, mjafton vetëm t’i thotë: “Bëhu!”, e ajo menjëherë bëhet.” [Jasin 82].

← Nisa 4:47