← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

4. Nisa · Ajeti 64 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:57–4:70

Amanet është çdo gjë që i besohet njeriut, qoftë pasuri, pozitë, fjalë ose diçka tjetër. Ruajtja e amanetit është obligim për të gjithë njerëzit, qoftë amanet mes Zotit dhe njeriut, qoftë mes njerëzve.

Shkas i zbritjes së këtij ajeti ishte çelësi i Qabes, të cilin e merr Pejgamberi me rastin e çlirimit të Mekës, Qabes, nga dora e Osman Bin Talha-as që me kohë e mbante familja e tyre. Osmani qe prekur shumë, pse çelësi doli prej dorës së tyre, por nuk foli asgjë. Zoti e urdhëroi t'ia kthejë çelësin dhe Pejgamberi ia ktheu, e thuhet se edhe sot e kësaj dite çelësin e Qabes e mban ajo familje.

Ajeti në fjalë ka një qëllim të përgjithshëm, e jo vetëm rastin e posaçëm të çelësit të Qabes. Pejgamberi ka thënë: "Ai që nuk e ruan amanetin, në të ka shenja të nifakut" - tradhtisë.

Ajeti pas tij, e sipas juristëve islamë sugjeron për burimet e sheriatit islam e që janë: Kur'ani, Syneti e pas tij edhe Ixhmai e Kijasi.

Çdo çështje dhe çdo mosmarrëveshje duhet zgjidhur sipas udhëzimeve të Pejgamberit, i cili për zgjidhjen e çështjeve gjithnjë është mbështetur në fakte të Kur'anit. Munafikët ndonëse publikisht thonin se i kanë besuar Kur'anit, nuk dëshironin që mes çështjeve të tyre të gjykojë Pejgamberi sipas Kur'anit, por shkonin te njerëzit e djallëzuar dhe pastaj përpiqeshin ta bindnin Pejgamberin se nuk kishin ndonjë qëllim të keq. Në ajetet që u lexuan, Zoti i gjithëdijshëm i tregoi Muhammedit dhe myslimanëve për qëllimet e tyre dhe për atë çka i pret në botën tjetër. Një njeri e pyet Pejgamberin: "Kur është kijameti?" Pejgamberi i thotë: "Çka ke përgatitur për të" Ai tha: "Asgjë, pos që e dua Zotin dhe të dërguarin e Tij" Pejgamberi tha: "Ti do të jeshë me atë që e dot" Enesi, sahab i Pejgamberit thotë: "Nuk kemi përjetuar gëzim më të madh se nga fjala e Pejgamberit: "Do të jeshë bashkë me atë që e dot"

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:64–4:65

- Ne i kemi dërguar profetët që njerëzit, me lejen e Allahut, t’u binden atyre. - Çdo popull e ka detyrë nga Zoti që t’i bindet e të pasojë profetin e dërguar ndër ta. Vëreni me kujdes kur Allahu thotë: “... me lejen e Allahut...”! Muxhahidi, duke shpjeguar këtë detaj, thotë: “Pra, askush nuk mund të bindet e pasojë udhëzimin ndryshe, por veçse me lejen e vullnetin e Zotit. Askush nuk mund të jetë nga të bindurit, përveç atyre që Allahu ua ka prirë mbarë e i ka dhënë sukses për këtë. Kjo i ngjan ajetit tjetër: “Allahu e përmbushi premtimin e Vet ndaj jush, kur ju, me vullnetin e Tij, po i shfarosnit ata (në fillim të betejës) .” [Al Imran 152]. Pra, Ai, - me kaderin, dëshirën e vullnetin e Tij, - vendosi që ju të kishit epërsi e të triumfonit mbi ta. - E sikur ata (hipokritët), pas padrejtësive që i bënë vetes së tyre, të vinin tek ti (o Muhamed) e t’i kërkonin falje Allahut, dhe i Dërguari të kërkonte falje (tek Allahu) për ta, ata do ta njihnin Allahun si Pranues të pendimit dhe Mëshirëplotë. - Këtu udhëzohen gjynahqarët që, kur të bënin gjynahe dhe të thyenin ndonjë urdhër të Tij, të shkonin tek P rofeti dhe t’i kërkonin falje Allahut, në prani të tij, madje edhe të kërkonin që P rofeti ﷺ të lutej e të kërkonte falje për ta. Nëse ata do të vepronin kështu, Allahu do t'ua pranonte pendimin, do t’i mëshironte e do t'ua falte gjynahet. Prandaj i Lartësuari thotë në fund të ajetit: “...ata do ta njihnin Allahun si Pranues të pendimit dhe Mëshirëplotë.” - Për Zotin tënd, jo. Ata nuk janë besimtarë, përderisa nuk të zgjedhin ty për të gjykuar në konfliktet mes tyre, dhe pastaj të mos ndiejnë kurrfarë pakënaqësie nga gjykimi yt, por të të binden sinqerisht. - Allahu i Madhëruar betohet në Veten e Tij të dëlirë e të pastër nga çdo e metë e mangësi, se askush nuk ka besuar (plotësisht), derisa të pasojë gjykimin e Profetit në të gjitha çështjet e veta. Nuk ka dyshim se gjykimi i Profetit është e vërteta e sigurt, para së cilës duhet të nënshtrohesh e ta pasosh, qoftë në çështjet e dukshme e të shfaquara, qoftë në ato të fshehta e të brendshme. Bindja e nënshtrimi duhet të jenë të plotë, prandaj i Madhëruari thotë: “...dhe pastaj të mos ndiejnë kurrfarë pakënaqësie nga gjykimi yt, por të të binden sinqerisht.” Pra, ata duhet të kërkojnë gjykimin tënd dhe duhet të binden e ta pranojnë këtë gjykim në zemrën e shpirtin e tyre. Kjo do të thotë që të mos ndiejnë aspak ngushtim e pakënaqësi nga ky gjykim, por ta pranojnë e të nënshtrohen ta zbatojnë atë, qoftë në çështjet e dukshme e të shfaquara, qoftë në ato të fshehta e të brendshme. Ata duhet të dorëzohen plotësisht, pa asnjë ngurrim. Sipas një hadithi, Profeti ﷺ ka thënë: 774. “Betohem për Atë, në Dorë të të Cilit është shpirti im, askush prej jush nuk ka besuar (plotësisht) derisa dëshirat tuaja të ndjekin udhëzimin që kam sjellë unë (nga Zoti).” Ndër sa Buhariu sjell hadithin se Ur etu ka thënë: 775. “Njëherë, Zubejri pati një mosmarrëveshje me një burrë rreth vijës vaditëse të ujit. Profeti i tha: “Vadite tokën tënde, o Zubejr, dhe pastaj lëshoje ujin për tek komshiu yt!” Ensariu tha: “Ia dhe atij të drejtën, sepse është djali i hallës tënde?!” Fytyra e Profetit ndryshoi ngjyrë, por pastaj tha: “Vadite tokën tënde, o Zubejr! Ndaloje ujin derisa të mbushen mirë me ujë rrënjët (e hurmave të tua), e pastaj lëshoje tek

komshiu yt!” Kështu, Profeti ia dha Zubejrit hakun e tij me gjykimin që bëri, pas kundërshtimit të ensarit, por sidoqoftë, ai u la hapësirë të mjaftueshme e të pranueshme të dyja palëve për të marrë hakun secila. Zubejri ka thënë: “Besoj se ky ajet ka zbritur e flet pikërisht për këtë rast.” Këtë e ka sjellë edhe Ahmedi, por me sened munkati' (të shkëputur), ku mungon transmetuesi mes Ur uetit dhe të atit, Zubejrit. Dihet mirë se Ur ueti nuk ka dëgjuar asnjë hadith nga i ati, por nga ana tjetër është e padiskutueshme fakti që Urueti ka dëgjuar nga i vëllai, Abdullah Ibn Zubejri, nga dhe e solli hadithin në fjalë. Po kështu e ka sjellë edhe Nesaiu. Ndërsa Ibn Ebu Hatimi e ka dëgjuar nga Seid I bn Musejjibi, i cili ka thënë: 776. “Ky ajet ka zbritur e flet për Zubejr Ibn Auâmi dhe Hatib Ibn Ebu Belteate.” Ky është një hadith mursel, por prej tij përfitojmë një detaj rreth emrit të ensarit, me të cilin u konfliktua Zubejri. Është përmendur edhe një shkak tjetër për zbritjen e këtij ajeti. Kështu, Hafidh Ebu Is'hak Ibrahim Ibn Abdurrahman sjell hadithin nga Damrate, i cili ka thënë: 777. “Dy burra që kishin një konflikt me njëri -tjetrin, kërkuan që t’i gjykonte Profeti i Allahut. Kur ai gjykoi mes tyre dhe i dha hakun atij që i takonte, pala humbëse në këtë çështje tha: “Unë nuk jam dakord me këtë gjykim.” Kundërshtari i tij i tha: “Atëherë, çfarë kërkon?” - “Le të shkojmë tek Ebu Bekër el Siddiku!” - tha ai. Shkuan tek ai dhe pala fituese e njoftoi se Profeti gjykoi në anën e tij. Ebu Bekri tha: “Ju duhet të zbatoni atë që gjykoi e vendosi Profeti për ju!” . Por kundërshtari përsëri refuzoi të pranonte këtë gjykim dhe sugjeroi të shkonin tek Umer Ibn Hatabi. Pala fituese e njoftoi edhe atë se Profeti kishte gjykuar në anën e tij. Umeri pyeti palën tjetër dhe i tha: “Vërtet është kështu?” - “Po” - tha ai. Atëherë, Umeri hyri në shtëpi dhe doli me një shpatë të zhveshur nga milli dhe e vrau atë që nuk pranonte gjykimin e Profetit . Atëherë Allahu i Madhëruar shpalli: “Për Zotin tënd, jo. Ata nuk janë besimtarë, përderisa nuk të zgjedhin ty për të gjykuar në konfliktet mes tyre...” deri në fund.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:64–4:65

- “Ne i kemi dërguar profetët që njerëzit, me lejen e Allahut, t’u binden atyre. ” – Ky kumt i Allahut të Lartësuar përmban në vetvete edhe porosinë për bindje ndaj Profetit të Zotit dhe pranim e zbatim të mësimeve të tij. Qëllimi i dërgimit të një profeti është që njerëzit t’i binden duke zbatuar porositë e Zotit. Njerëzit duhet të zbatojnë çdo urdhër të tijin, t’i largohen çdo ndalese të deklaruar nga ai, të jenë respektues dhe ta ndihmojnë rrugën e tij. Ky ajet tregon se profetët kanë qenë të ruajtur, prandaj kurrë nuk mund të gabonin në lidhje me Shpalljen hyjnore dhe përcjelljen e plotë dhe të saktë të saj, Ata kurrë nuk mund të gabonin me urdhrat dhe ndalesat e përcjella, sepse Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që t’u bindemi atyre. Nëse ata nuk do të ishin të ruajtur nga këto gabime dhe nëse do të kishte mundësi që ata të urdhëronin diçka të gabuar, atëherë Allahu i Lartësuar nuk do të na urdhëronte për t’iu bindur atyre. Për sa i përket shprehjes: “me lejen e Allahut”, ajo dëshmon se çdo gjë ndodh me gjykimin dhe caktimin e Allahut. Ata që iu bindën profetëve, iu bindën sepse kështu qe gjykimi dhe caktimi i Allahut. Ky ajet është gjithashtu një nxitje për të kërkuar gjithmonë ndihmën e Allahut, që të na bëjë të bindur ndaj Profetit dhe pasues të rrugës së tij. Vetëm nëse Allahu të ndihmon, mund t’i bindesh Profetit dhe të pasosh rrugën e drejtë. Pastaj Allahu i Lartësuar flet për bujarinë, mirësinë dhe mëshirën e Tij të madhe ndaj atyre që kanë bërë gjynahe, nëse ata pendohen dhe nëse i kërkojnë falje Atij. Ai thotë: - “E sikur ata (hipokritët), pas padrejtësive që i bënë vetes së tyre, të vinin tek ti (o Muhamed) e t’i kërkonin falje Allahut, dhe i Dërguari të kërkonte falje (tek Allahu) për ta, ata do ta njihnin Allahun si Pranues të pendimit dhe Mëshirëplotë.” - Pra, nëse ata i pranojnë

gjynahet e tyre dhe u vjen keq për to, dhe pastaj i kërkojnë falje Allahut të Lartësuar, Ai do t’ua pranojë pendimin, duke ua falur dhe mbuluar gabimet. Kështu, Ai i mëshiron fillimisht me suksesin që u jep për t’u penduar dhe, së dyti, duke ua pranuar pendimin dhe duke iu dhuruar shpërblim. Ndërsa për sa i përket vajtjes te Profeti (a.s.), që ai t’i kërkojë falje Allahut të Lartësuar për gjynahet e tua, kjo ishte e lejueshme atëherë kur ai ishte në këtë dynja. Këtë e tregon qartë konteksti i ajetit. Pra, të shkosh e t’i kërkosh Profetit (a.s.) që ai t’i lutet Allahut për faljen e gjynaheve të tua është një veprim që mund të mendohej veçse gjatë kohës kur Profeti (a.s.) ishte gjallë, sepse tani që ai nuk është më në këtë botë nuk lejohet të kërkosh asgjë prej tij. Madje, ky veprim është një formë shirk-u, pasi ti i je lutur dikujt tjetër veç Allahut. - “Për Zotin tënd, jo. Ata nuk janë besimtarë, përderisa nuk të zgjedhin ty për të gjykuar në konfliktet mes tyre,...” - Allahu i Lartësuar betohet në Veten e Vet, se njerëzit nuk do të jenë kurrë besimtarë derisa për çdo çështje të tyre të gjykojnë me ligjin e Tij, të sjellë prej Profetit (a.s.). Pra, për çdo rast kundërshtish, është detyrë që ne t’i kthehemi Librit të Zotit dhe Traditës së Profetit (a.s.). - “...dhe pastaj të mos ndiejnë kurrfarë pakënaqësie nga gjykimi yt, por të të binden sinqerisht.” – Pra, përveç që duhet të mbështetemi në gjykimin e Zotit dhe të Profetit (a.s.), ne nuk duhet që të ndiejmë pakënaqësi më mbrapa. Me fjalë të tjera, jo vetëm që duhet të gjykojmë me ligjin e Zotit, por edhe duhet të kënaqemi plotësisht me të. Në fakt, këtu kemi të bëjmë me tri grada të besimit: 1. Kur gjykojmë me ligjin e Zotit, jemi në gradën e islamit. 2. Kur nuk ndiejmë pakënaqësi pas këtij gjykimi, tregon se jemi në gradë të imanit. 3. Gjetja e qetësisë, prehjes dhe kënaqësisë me ligjin e Zotit dhe zbatimi haptaz i tij tregon se jemi në gradën e ihsanit. Kush i arrin të tria gradat, e ka besimin të plotë. Kush e braktis gjykimin e Zotit dhe nuk e pranon atë, ai është qafir. Ndërsa kush nuk e zbaton atë, por e pranon si ligj të Zotit dhe e njeh detyrimin për zbatimin e tij, ai është gjynahqar.

← Nisa 4:64