← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

4. Nisa · Ajeti 7 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:7–4:12

Në këto ajete vërtetohet parimisht e drejta në trashëgim për meshkuj dhe për femra, edhepse trashëgimi në sasi ndryshon. Me këtë hudhet poshtë rregulli i injorantëve arabë, sipas të cilit femrat dhe fëmijët nuk kishin të drejtë në trashëgim.

Jetimëve, të varfërve dhe akrabasë së largët duhet dhënë diçka nga pasuria e të vdekurit, edhe pse janë të largët dhe nuk përfshihen në rregullat e trashëgimisë, pse njeriu duhet menduar për ta sikur të ishin fëmijë të vet e të ishin të nevojshëm.

E i Pejgamberi ka thënë:,,Njerëzit që pa të drejtë kanë ngrënë pasurinë e jetimëve, do të ringjallen në ditën e kijametit, duke ju qitur shkëndija zjarri nga gojët e tyre".

Pjesa e përcaktuar në të drejtë trashëgimi, realizohet pas shpenzimeve për varrim, pas zbatimit të testamentit dhe pas larjes së borxhit nga pasuria e të vdekurit.

Në kohën para Islamit trashëgimi, përveç fisnisë, bëhej edhe sipas besëlidhjes që kishin lidhur dy njerëz për të trashëguar njëri-tjetrin. Edhe në Medinë deshën të trashëgohen, në ditët e para, të vëllazëruarit vendës e muhaxhirët. Kur'ani anuloi ato rregulla dhe trashëgimin e caktoi në bazë të gjakut, të miqësisë, të gjirit dhe mes robit të liruar e zotëriut.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:7–4:10

- Meshkujve u takon pjesë nga pasuria që kanë lënë prindërit dhe të afërmit e tyre. Edhe femrave u takon pjesë nga ajo që kanë lënë prindërit dhe të afërmit, qoftë pak apo shumë. Këto janë pjesë të përcaktuara (nga Zoti) . - Seid Ibn Xhubejri dhe Katadja tregojnë se: idhujtarët u jepnin pjesë trashëgimie veçse burrave dhe asgjë grave e fëmijëve. Atëherë, Allahu i Madhëruar zbriti: “Meshkujve u takon pjesë nga pasuria që kanë lënë prindërit dhe të afërmit e tyre. Edhe femrave u takon pjesë nga ajo që kanë lënë prindërit dhe të afërmit, qoftë pak apo shumë. Këto janë pjesë të përcaktuara (nga Zoti) .” Domethënë, përpara ligjit të Zotit, të gjithë janë të barabartë, ndaj, si të tillë, të gjithë meritojnë pjesë trashëgimie, edhe pse mund të jenë të ndryshëm në sasinë që Allahu ka përcaktuar për gjithësecilin, sipas urtësisë e mirësisë së Tij, por edhe sipas lidhjes farefisnore ( neseb) me të vdekurin, lidhjes bashkëshortore (zeuxhije) me të dhe lidhjes el uilaje , që është e ngjashme me lidhjen farefisnore (neseb). Ibn Merdevejhi sjell hadithin nga Xhabiri, i cili tregon: “Ummu Kehhete shkoi tek Profeti i Allahut dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam dy vajza, babai i të cilave vdiq e nuk u la asgjë atyre...” Atëherë, Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: “Meshkujve u takon pjesë nga pasuria që kanë lënë prindërit dhe të afërmit e tyre....”. Këtë hadith do ta shtjellojmë më hollësisht, kur të flasim rreth dy ajeteve të trashëgimisë. Atje do ta sjellim me një tjetër kontekst e formulim. - Nëse gjatë ndarjes së trashëgimisë janë të pranishëm farefisi i largët, jetimët dhe të varfrit, u dhuroni edhe atyre diçka e u thoni fjalë të mira! - Qëllimi këtu është për ata që nuk janë pjesëtarë në trashëgimi. Pra, nëse gjatë ndarjes së trashëgimisë janë të pranishëm edhe këto kategori nevojtarësh, që nuk kanë pjesë në trashëgimi, le t'u jepet diçka e vogël prej pasurisë edhe atyre. Po kështu veproni edhe me jetimët e të varfërit, që mund të jenë të pranishëm gjatë ndarjes së trashëgimisë. Në fillimet e Islamit, kjo ishte e detyrueshme, sipas disave. Të tjerë thonë se ishte e pëlqyeshme, por jo e detyrueshme. Por, a është anuluar kjo dispozitë? Për këtë janë dhënë dy mendime të ndryshme. Kështu, Buhariu citon Ibn Abasin, që ka thënë në lidhje me këtë ajet: “Ai është ajet muhkem dhe nuk është aspak i anuluar. Ai është ajet me të cilin vazhdohet të punohet.” Ndërsa Muxhahidi ka thënë: “Kjo është një detyrë që rëndon mbi trashëgimtarët, të cilët mund t’u japin nga trashëgimia këtyre kategorive, aq sa ata e shohin të udhës.” Po i njëjti mendim vjen edhe nga Ibn Mesudi, Ebu Musa, Abdurahman Ibn Ebu Bekri dhe një grup tabiinësh. Ibn Ebu Hatimi citon Ibn Abasin duke thënë se: “...Ky është një ajet që flet rreth vasijetit që i vdekuri ka lënë për këto kategori nevojtarësh.” Sufjan Theuriu citon përsëri Ibn Abasin, që ka thënë për këtë ajet se: dispozita e tij është e anuluar. Po nga Ibn Abasi është përcjellë se ka thënë që: ajo është anuluar nga ajeti që vjen më pas, pra: “Allahu ju urdhëron kështu për fëmijët tuaj:...”. Aufi përmend se Ibn Abasi ka thënë: “Kështu veprohej përpara se të shpalleshin dispozitat për trashëgiminë. Por pasi Allahu i Madhëruar shpalli këto dispozita, atëherë iu dha çdokujt pjesa që i takon me ligj.” Ky është edhe mendimi i shumicës së dijetarëve të fikhut, i katër imamëve të medhhebeve dhe i pasuesve të tyre. Kuptimi i ajetit: Nëse këto kategori nevojtarësh e të afërmish, që nuk kanë pjesë në trashëgimi, janë të pranishëm gjatë ndarjes së një pasurie të madhe, pa dyshim zemrat e tyre do të dëshironin diçka prej saj. Kur ata shohin që dikush merr kaq, e ai tjetri aq pasuri, dhe nga ana tjetër shohin veten e tyre në varfëri, patjetër që do të kenë shumë dëshirë për të marrë edhe ata diçka. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar, që është i Dashur e Mëshirëplotë, urdhëroi

që edhe atyre t'u jepet diçka, në shenjë bamirësie e si sadaka, për të zbutur sado pak varfërinë e tyre. Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë: “Është Ai që krijoi kopshte me pjergulla e pa pjergulla, hurma dhe drithëra të ndryshme, ullinj dhe shegë, të ngjashme e jo të ngjashme. Hani nga frutat e tyre kur të piqen, ndërsa ditën e vjeljes së frutave, jepni pjesën që është e detyrueshme! Por mos shpërdoroni, se Ai nuk i do shpërdoruesit!” [En'am 141]. Madje, Ai i ka qortuar ata që e fshehin pasurinë, me qëllimin që të mos u kërkojnë ata që janë të varfër e nevojtarë. Kështu, Ai na tregon për “pronarët e kopshtit”: “Ata thirrën njëri-tjetrin në mëngjes: “Ngrihuni e shkoni herët te prodhimet tuaja, nëse doni t’i vilni!” Ata u nisën, duke pëshpëritur mes njëri-tjetrit: “Sot, nuk do të lejojmë asnjë të varfër të afrohet atje.” U nisën herët dhe plot gëzim për planet e tyre, të sigurt për prodhimin e madh që i priste. Por, kur vajtën dhe panë vendin, thanë: “Oh, paskemi gabuar drejtim!”. “Jo, kemi humbur atë që kishim. ” [Kalem 21 – 27]. Kjo do të thotë që, çdokush që cenon dhe e neglizhon të drejtën e Allahut mbi diçka, Allahu ka për ta ndëshkuar në gjënë më të vyer dhe më të dashur që zotëron. Një hadith thotë: 642 “Nëse pasuria përzihet me (një pasuri që duhet dhënë) sadaka, ajo ka për t'u shkatërruar.” Në vijim, Allahu i Madhëruar thotë: - Le të jenë të kujdesshëm ata (që lënë testament), ashtu sikur do të vepronin po të linin pas pasardhës të paaftë, për të cilët do të druheshin. Le t’i frikësohen Allahut dhe le të thonë fjalë të drejta.” Ali Ibn Ebu Talha tregon se Ibn Abasi ka thënë: “Kjo pjesë flet për një njeri që i afrohet vdekja dhe fillon të lërë vasijet e porosi për ndarje pasurie, të cilat dëmtojnë trashëgimtarët e ligjshëm. Allahu i Madhëruar i urdhëron ata që e dëgjojnë këtë lloj vasijeti dëmtues, që t’i druhen Atij dhe ta këshillojnë e drejtojnë këtë njeri tek e drejta dhe e mira, në mënyrë që ai t’i shohë trashëgimtarët e tij me dashamirësi, ashtu siç do të vepronte po të ishin njerëz të dobët e të paaftë, për të cilët duhet të kujdesesh mirë. Në dy Sahih-ët shënohet se: 643. “Kur Profeti i Allahut shkoi për vizitë te Sad Ibn Ebu Uekkasi, ai i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë kam pasuri të madhe dhe nuk kam asnjë trashëgimtar me pjesë të përcaktuar, përveç një vajze. A të lë testament, sipas vullnetit tim, dy të tretat e pasurisë time?” Profeti ﷺ tha: “Jo!” - “Po gjysmën? - “Jo!” - “Po një të tretën?” - Profeti ﷺ tha: “Mirë, lër një të tretën, por edhe një e treta është shumë. Që t'i lësh trashëgimtarët e tu të pasur është më mirë sesa t'i lësh të varfër e t’u lypin njerëzve.”. Disa janë të mendimit se ajeti këshillon që të kemi frikë Allahun në lidhje me mënyrën se si e trajtojmë pasurinë e jetimëve, siç këshillon ajeti tjetër, që thotë: “Mos e hani pasurinë e tyre duke e shpërdoruar dhe duke u ngutur (të përfitoni) para se të rriten!”. Edhe ky është një shpjegim i mirë dhe i drejtë, i përforcuar me pjesën që vjen më pas, ku kërcënohen ata që hanë pasurinë e jetimëve padrejtësisht. Pra, ashtu sikur druheni për fëmijët tuaj dhe dëshironi që ata të trajtohen me mëshirë e bamirësi nga të tjerët pas vdekjes suaj, po kështu trajtojini edhe fëmijët e të tjerëve në detyrimet që keni ndaj tyre. Më pas, Allahu i Madhëruar bën të ditur se ai që ha pasurinë e jetimit padrejtësisht, ai e mbush barkun e vet me zjarr: - Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë hanë atë që ua mbush barkun me Zjarr. Ata do të hidhen në Zjarrin e ndezur fort. - Kështu do të veprohet me këta të cilët hanë pasurinë e jetimëve padrejtësisht. Ditën e Gjykimit, ata do të kenë në bark një zjarr që vlon. Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Profeti se, ndër shtatë gjynahet më të mëdha e shkatërruese ( el m ûbikât) është edhe “...ngrënia e pasurisë së jetimit.” Ibn Merdeuejhi sjell hadithin nga Ebu Hurejra se Profeti i Allahut ka thënë: 644 “Ditën e Kijametit, disa njerëz do të ngrihen nga varri me gojën, nga e cila del zjarr i

furishëm.” E pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Po kush janë ata?!” Ai tha: “A nuk e ke parë se si Allahu thotë: “Ata që e hanë padrejtësisht pasurinë e jetimëve, në të vërtetë hanë atë që ua mbush barkun me Zjarr”?”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:7

Në kohën e injorancës paraislamike, arabët, për shkak të paditurisë dhe ashpërsisë së tyre, nuk u bënin pjesë në trashëgimi të dobtëve, siç janë gratë dhe fëmijët. Trashëgiminë ata e ndanin vetëm mes burrave të fortë, sepse - sikurse justifikoheshin - vetëm ata ishin krah për luftë, grabitje e plaçkitje. Për këtë arsye, Zoti i Gjithëmëshirshëm dhe i Urtë caktoi këto dispozita për robërit e Tij, që të vendosej barazpeshë mes të drejtave të burrave dhe grave , të të fortëve dhe të dobtëve. Fillimisht, Zoti i Gjithëmëshirshëm u bëri një parapërgatitje të përgjithshme shpirtrave, që ata të ishin gati të pranonin dispozitat e Tij. Më pas, Ai solli urdhrat e detajuar, të cilët do të gjenin terren të përshtatshëm në shpirtrat e përmalluar për t’i zbatuar ato urdhra dhe për të flakur tutje zakonet e ulta të injorancës. - “Meshkujve u takon pjesë nga pasuria që kanë lënë prindërit dhe të afërmit e tyre. Edhe femrave u takon pjesë nga ajo që kanë lënë prindërit dhe të afërmit, qoftë pak apo shumë. ” - Si burrave, edhe grave u takon me ligj pjesa e përcaktuar nga trashëgimia që lënë pas prindërit ose të afërmit. Në ajet vjen, fjala e përgjithshme “të afërmit” vjen pas kategorisë së veçantë,

që janë prindërit, për të treguar rëndësinë e këtyre të fundit. Dikush mund të pyesë: Pjesa për secilin grup, a përcaktohet sipas traditës së popullit, apo është e përcaktuar nga ligji i Zotit? Përgjigjja vjen nga i Lartësuari, që thotë: - “Këto janë pjesë të përcaktuara (nga Zoti).” – Pra, këto janë pjesë të përcaktuara dhe të detyrueshme nga ligji i Zotit. Është Allahu i Gjithëdi tur e i Urtë Ai që i ka përcaktuar pjesët, të cilat do të shtjellohen më poshtë, inshallah. Dikush mund të pretendojë e të thotë se gratë dhe fëmijët mund të përfitojnë vetëm në raste kur pasuria që ndahet është e madhe, por edhe ky pretendim merr përgjigje nga i Gjithëdituri, kur thotë: “...qoftë pak apo shumë.”. Pra, grave u takon pjesë nga trashëgimia, qoftë ajo trashëgimi e madhe apo e vogël. I Lartësuar dhe i Lavdëruar qoftë Allahu!

← Nisa 4:7