4. Nisa · Ajeti 70

سورة النساء
Përkthimi Sherif Ahmeti
70

ذَٰلِكَ ٱلۡفَضۡلُ مِنَ ٱللَّهِۚ وَكَفَىٰ بِٱللَّهِ عَلِيمٗا

Ky shpërblim i madh është prej All-llahut. Mjafton që All-llahu di më së miri.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Amanet është çdo gjë që i besohet njeriut, qoftë pasuri, pozitë, fjalë ose diçka tjetër. Ruajtja e amanetit është obligim për të gjithë njerëzit, qoftë amanet mes Zotit dhe njeriut, qoftë mes njerëzve. Shkak i zbritjes se këtij ajeti ishte çelësi i Qabes, të cilin e mori Pejgamberi a.s. me rastin e çlirimit të Mekës, Qabes, nga dora e Osman Bin Talhas, që me kohë e mbante familja e tyre. Osmani u prek shumë, pse çelësi doli prej dorës së tyre, por nuk foli asgjë. Zoti e urdhëroi t’ia kthejë çelësin dhe Pejgamberi a.s. ia ktheu, e thuhet se edhe sot e kësaj dite çelësin e Qabes e mban ajo familje. Ajeti në fjalë ka një qëllim të përgjithshëm, e jo vetëm rastin e posaçëm të çelësit të Qabes. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ai që nuk e ruan amanetin, në të ka shenja të nifakut” - tradhtisë. Ajeti pas tij, sipas juristëve islamë sugjeron për burimet e sheriatit islam e që janë: Kurani, Syneti e pas tij edhe Ixhmai e Kijasi. Çdo çështje dhe çdo mosmarrëveshje duhet zgjidhur sipas udhëzimeve të Pejgamberit a.s., i cili për zgjidhjen e çështjeve gjithnjë është mbështetur në faktet e Kuranit. Munafikët ndonëse publikisht thonin se i kanë besuar Kuranit, nuk dëshironin që mes çështjeve të tyre të gjykojë Pejgamberi a.s. sipas Kuranit, por shkonin te njerëzit e djallëzuar dhe pastaj përpiqeshin ta bindnin Pejgamberin a.s., se nuk kishin ndonjë qëllim të keq. Në ajetet që u lexuan Zoti i Gjithëdijshëm i tregoi Muhamedit a.s. dhe muslimanëve për qëllimet e tyre dhe për atë çka i pret në botën tjetër. Një njeri e pyet Pejgamberin a.s.: “Kur është Kijameti?” Pejgamberi a.s. i thotë: “Çfarë ke përgatitur për të?” Ai tha: “Asgjë, pos që e dua Zotin dhe të Dërguarin e Tij!" Pejgamberi a.s. tha: “Ti do të jesh me atë që do!” Enesi, sahab i Pejgamberit a.s. thotë: “Nuk kemi përjetuar gëzim më të madh, se nga fjala e Pejgamberit a.s.: “Do të jesh bashkë me atë që do!”