← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

40. Gafir · Ajeti 13 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 40:13–40:22

Allahu, nga mëshira e vet, u ka mundësuar njerëzve t'i shohin dhe t'i zbulojnë faktet, të I cilat argumentojnë për fuqinë e Tij të pakufishme, por çdo sy dhe çdo mendje nuk është në gjendje t'i shohë e as t'i kuptojë ato, andaj besimtarët, të cilët ia njohin cilësitë e Zotit, le ta adhurojnë Atë sinqerisht edhe pse të tjerëve u vjen keq për atë adhurim. Zoti, që është sunduesi më i lartë, i zoti i Arshit, ia jep shpalljen atij që do, e urdhëron që I t'u tërheqë vërejtjen për ditën e kijametit, për ditën që i tërë sundimi është në duart e Tij, e mëkatarëve do t'u vijë shpirti në fyt nga frika e dëshprimi, pse Zotit nuk mund t'i fshihet asgjë dhe para drejtësisë së Tij çdokush do të jetë i gjunjëzuar. - Arshi i Zotit përmendet në shumë vende në Kur'an, ai ësht fron i Zotit, por si dhe çfarë është ai, ne nuk jemi në gjendje ta përshkruajmë, nuk jemi në gjendje t'i përshkruajmë fronet e sunduesve të botës, e po jemi për atë të Zotit?! E, besojmë ashtu si thuhet në Kur'an, ngase mendja e njeriut I nuk është në gjendje të depërtojë deri në një aso fshehtësie, andaj, çdo shpjegim rreth Arshit i të Zotit, i cili nuk është i mbështetur në ndonjë thënie të Pejgamberit, është vetëm hamendje.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 40:10–40:14

- “Mohuesve do t’u thuhet: “Urrejtja e Allahut ndaj jush, kur ftoheshit të beso - nit e ju refuzonit, ishte më e madhe se urrejtja juaj sot ndaj vetvetes.”. - Allahu i Lartësuar na tregon për mohuesit e besimit të drejtë. Kur të përballen me ndëshkimin, tmerrin e të cilit nuk do të mund ta durojnë, ata kanë për të urryer veten e tyre me nj ë urrejtje t ë pashembullt. Ata do të urrejnë vetveten, për shkak të veprave të këqija në jetën e kësaj dynjaje. Janë ato vepra shkak për flakjen e tyre në zjarr. Atëherë, melekët do t’i thërrasin dhe do t’u bëjnë me dije se urrejtja e Allahut të Lartësuar kundër tyre në dynja, kur ata refuzonin të vërtetën dhe besimin e pastër, ishte shumë më e madhe sesa urrejtja e tyre ndaj vetvetes, tashmë në ditën e përjetimit të ndëshkimit. - “Ata do të thonë: “O Zoti ynë! Na bëre të vdesim dy herë dhe na ngjalle dy herë.” - Kjo i ngjan ajetit tjetër, kur Allahu i Lartësuar thotë: “Si e mohoni Allahun, kur (e dini se) ju ishit të vdekur, e Ai ju dha jetën?! Pastaj, Ai ju bën të vdisni, e pastaj ju ringjall përsëri; e më pas (përfundimisht), tek Ai do të ktheheni.” [Bekare 28]. Ibn Mesudi ka thënë se kuptimi është që: Ditën e Kijametit, kur ata të qëndrojnë përpara Allahut Krenar dhe të Lartësuar, mohuesit do të kërkojnë të rikthehen në jetën e dynjasë, por atyre nuk do t’u përgjigjet kush dhe kurrsesi nuk do t’u jepet mundësia të rikthehen. Allahu i Lartësuar është i Gjithë - ditur dhe Ai e di mirë se ata, edhe nëse do të ktheheshin në jetën e kësaj dynjaje, do të bënin të njëjtat vepra, duke refuzuar të vërtetën. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Eh, sikur t’i shihje ata, kur të ndalen përpara Zjarrit! Ata do të thonë: “Ah, sikur të riktheheshim edhe një herë (në dynja)! Atëherë nuk do t'i mohonim argu - mentet e Zotit tonë, por do të bëheshim besimtarë.” Por atyre u del në shesh ajo që më parë e mbanin fshehur. Edhe sikur të ktheheshin, ata do ta kryenin sërish atë që u ishte ndaluar. Me të vërtetë, ata janë gënje - shtarë.” [Enam 27, 28]. Kur ata të hidhen në Zjarr dhe të përjetojnë dhimbjen e përvëli - mit, kur të dëgjojnë osh timën e tmerrshme të tij, kur të goditen me topuzë të hekurt dhe të vuajnë shtrëngimin e vargonjve të zjarrtë, atëherë do të kërkojnë edhe më fort të kthehen në dynja, sikurse thotë i Lartësuari në ajetet e tjera: “Atje (në Zjarr) ata do të klithin (për ndihmë): “O Zoti ynë! Na nxirr prej këtu! Ne do të bëjmë vepra të mira, jo si ato që bënim më parë.” Por, a nuk ju dhamë Ne jetë, aq sa të mund të merrte mësim cilido që dëshironte të merrte mësim dhe ju erdhi edhe paralajmëruesi i qartë? Shijojini tani frytet e veprave tuaja! Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmës.” [Fatir 37]. Ose: “O Zoti ynë! Na nxirr prej këtu! E nëse gabojmë përsëri, atëherë, vërtet jemi të padrejtë.” Ai do t'u thotë: “Heshtni aty e mos më flisni!” [Muminun 107, 108]. Ndërsa në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na tregon se ata do të thonë: “O Zoti ynë! Na bëre të vdesim dy herë dhe na ngjalle dy herë.” Vërej me kujdes këtë përpjekje të tyre në përzgjedhjen e fjalëve të lutjes, që ata i drejtojnë Zotit. Pra, sikur ata thonë: “O Zot, Ti, me pushtetin Tënd madhështor, na dhurove jetën dy herë. Fillimisht na e dhe jetën pasi ne nuk ekzistonim, më pas na bëre të vdesim dhe përsëri na ktheve në jetë. Pra, Ti ke fuqi për gjithçka. Tashmë, ne i pranojmë gjynahet dhe gabimet tona, e pranojmë faktin se ne ishim të padrejtë me vetveten në jetën e kësaj dynjaje: - “Ne i pranojmë gjynahet tona tani. Prandaj, a ka për ne ndonjë rrugëdalje?” - A do t’i përgjigjesh lutjes sonë dhe të na kthesh sërish në dynja, sepse Ti ke plotë -

sisht fuqi që të na kthesh në atë jetë dhe ne të mos bëjmë më nga ato vepra të këqija, që bëmë dikur. Më pas, nëse ne refuzojmë sërish të vërtetën dhe bëjmë vepra të këqija, atëherë ne, vërtet do t ë ishim të padrejtë e keqbërës. Por ata dëshpërohen kur përgji - gjja u vjen negative dhe mësojnë se nuk ka asnjë mundësi për të ndodhur diçka e tillë. Më pas, duke treguar shkakun e përgjigjes negative për të mos u kthyer më në dynja, Allahu i Madhëruar na tregon se ky është vendimi i drejtë për ta, sepse natyrat e tyre janë të prishura dhe, si të tilla, ata nuk e pranojnë të vërtetën, madje e urrejnë atë. Ata kurrsesi nuk mund të afrohen me të vërtetën. - “Këtë ndëshkim e merituat vetë, sepse kur ishte fjala për ta adhuruar Allahun si Një të vetëm, ju e refuzonit, ndërsa kur i bëheshin ortakë Atij, ju e pranonit. ” - Pra, sikur u thotë që: ju kështu jeni dhe kështu do të jeni sërish, edhe nëse ktheheni në dynja, sikurse thotë Krenari i Lartësuar në ajetin tjetër: “Por, edhe sikur të kthehe - shin, ata do ta kryenin sërish atë që u ishte ndaluar. Me të vërtetë, ata janë gënje - shtarë.” [Enam 28]. - “Por i tërë sundimi i përket Allahut, të Lartit, të Madhëruarit!” - Ai është Gjykatësi i Drejtë, i Cili nuk bën kurrë padrejtësi. Është pikërisht Ai që udhëzon atë që Ai dëshiron dhe lë në humbje atë që Ai dëshiron; është Ai që fut në mëshirën e Tij atë që Ai përzgjedh dhe e ndëshkon atë që Ai e gjykon me drejtësinë dhe diturinë e Tij. Nuk ka të adhuruar me meritë përveçse Allahu, që është Një dhe pa ortak. - “Është Ai që ju tregon shenjat e Tij …” - Ai ju tregon pushtetin e Tij absolut për të krijuar gjithçka, si në botën qiellore, ashtu edhe në botën tokësore, që ju të dëshmoni. Të gjitha janë shenja madhështore, të cilat tregojnë për faktin se Krijuesi i tyre është absolut, Ai është Shpikësi, që i krjoi ata pa asnjë model të mëparshëm. - “... dhe ju zbret rizkun prej qiellit ... ” - Ky është shiu, nëpërmjet të cilit mbijnë bimët dhe pemët, të cilat ju i dëshmoni me shqisat tuaja dhe përfitoni prej tyre. Ato janë aq të shumta e të larmishme në shijet, aromat, format, pamjet, ngjyrat e tyre, edhe pse vaditen nga i njëjti ujë. Është pushteti madhështor i Allahut, i Cili bëri të mundur këtë larmishmëri në krijesat e Tij, por jo të gjithë e shohin dhe e kuptojnë: - “... por askush nuk e përkujton këtë, përveç atyre që kthehen tek Ai të pe - nduar.” - Këto shenja shërbejnë si treguese të madhështisë së Krijuesit veçse për atë kategori, për të cilën Zoti thotë që: kthehen tek Ai të penduar, me zemër të hapur për të vërtetën dhe për ta pranuar atë. - “Atëherë, drejtojuni Allahut me lutje të sinqertë e me përkushtim, edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët! ” - Të jeni të sinqertë në adhurimet që ia përkushtoni Allahut të Lartësuar, duke synuar me to veçse kënaqësinë e Tij dhe duke i përmbu - shur ato plotësisht, ashtu siç urdhëron dhe porosit Ai. Kundërshtojini idhujtarët në rrugën që ata ndjekin. Ju keni rrugën tuaj, atë që vetë Zoti e ka përcaktuar për ju. Në një hadith të saktë, Abdullah Ibn Zubejri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfen se: 2298. “Profeti i Allahut thoshte vazhdimisht në fund të namazeve farze: Lâ ilâhe il-l’Allllâhu uaĥdehû lâ sherîke leh, lehul mulku ue lehul ĥamdu ue hue alâ kul -li shej’in ķadîr. Lâ ĥaule ue la ķu -uete il-lâ bil-lâh, lâ ilâhe il-l’All-llâhu ue lâ nea'budu il -lâ ij -jâhu, lehun-ni'metu ue lehul fađlu ue lehuth - thenâul ĥasen. Lâ ilâhe il -l’All-llâhu muħliŝîne lehud-dine ue leu kerihel kâfirûn. (S’ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut, Një dhe i Pashoq; Atij i takon sundimi dhe lavdërimi; Ai është i Plot - fuqishëm për çdo gjë! S’mund të bëhet asnjë ndryshim i gjendjes dhe nuk ka fuqi për ndonjë gjë veçse me vullnetin e Allahut! S’ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut dhe nuk adhurojmë asnjë tjetër veç Tij! Dhuntitë dhe mirësitë janë prej Tij dhe vetëm Atij i takon lavdërimi më i bukur! S’ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut! Adhurimin e kryejmë me sinqeritet vetëm për Të, edhe pse këtë e urrejnë

jobesimtarët!” Po ashtu, nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Profeti ﷺ ka thënë: 2299. “Lutjuni Allahut të Lartësuar dhe Bujar dhe të jeni të sigurt për përgjigjen e Tij. Dijeni se Allahu i Lartësuar nuk i përgjigjet lutjes që del nga një zemër e hutuar.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 40:13–40:17

Allahu i Madhëruar u kujton adhuruesve të Tij mirësitë e begatitë e mëdha, të cilat ua ka dhuruar atyre. Pa dyshim që mirësia më e madhe është qartësimi i të vërtetës dhe dallimi i saj nga e kota dhe humbja. Për të dalluar plotësisht këtë të vërtetë, Ai u sjell atyre shenja e argumente të shumta, që lexohen në gjithësi, në veten tyre dhe në Shpalljen e Tij. Kush i vështron dhe mediton mbi këto argumente nuk ka më asnjë dyshim në njohuritë e përftuara rreth të vërtetës. Kjo është mirësia më e madhe për robtë, sepse nuk i lë ata të çoroditur dhe të hutuar. Allahu i Madhëruar ka sjellë një larmi argumentesh e shenjash, në mënyrë që çdokush të jetojë i qartë për mënyrën si jeton dhe të vdesë i qartë në atë që beson. Sa më e rëndësishme të jetë një çështje, aq më të mëdha, të shumta dhe të kuptueshme janë argumentet që Ai ka sjellë për të. Shih, për shembull, çështjen e teuhid-it në adhurim e në çdo aspekt tjetër. Duke qenë se ajo është ndër çështjet më të rëndësishme, madje më e rëndësishmja dhe më e madhja, edhe argumentet e sjella për të janë më të shumtat e më të shumëllojshmet, qofshin ato argumente logjike apo tekstuale fetare. Edhe në këtë sure, i Madhëruari përmend disa nga këto argumente e shenja: - “Është Ai që ju tregon shenjat e Tij...” - Pas këtij njoftimi, Allahu i Madhëruar vijon të tregojë një nga shenjat e mëdha të Tij: - “...dhe ju zbret riskun prej qiellit,...” – Kuptimi: Ai ju lëshon ujë nga qielli, me anë të të cilit siguroni jetën tuaj dhe të kafshëve tuaja. Kjo tregon se të gjitha mirësitë janë prej Allahut, si mirësitë e dynjasë, ashtu edhe ato të fesë e të besimit. Në mirësitë e fesë hyjnë njohuritë fetare, argumentet rreth besimit, veprat përkatëse, si dhe suksesi që Allahu u jep robve për t’i realizuar të gjitha

këto. Të dhuruara prej Tij janë, po ashtu, të gjitha mirësitë e dynjasë, që kryesisht e kanë origjinën nga uji, të cilin Allahu e zbret nga qielli për të gjallëruar tokën dhe njerëzit. Të gjitha këto tregojnë se Ai është i vetmi që meriton adhurimin dhe i vetmi të Cilit duhet t’i përkushtohesh tërësisht e me sinqeritet. Ashtu sikurse Ai është i vetmi që jep mirësi e përkujdeset për krijesat e Tij, Ai duhet të jetë i vetmi i Adhuruar. - “...por askush nuk e kujton këtë, përveç atyre që kthehen tek Ai të penduar.” - Nga shenjat dhe argumentet që Zoti sjell përfiton veçse kjo kategori njerëzish: ata të cilët kthehen te Zoti të penduar e të përkushtuar ndaj Tij, me dashuri, drojë, bindje dhe përulje. Këta përfitojnë nga shenjat dhe argumentet e Zotit, të cilat janë për ta mëshirë dhe ndihmë për të parë më qartë rrugën e Zotit. Duke qenë se shenjat dhe argumentet e Allahut të bëjnë që ta përkujtosh Atë me madhështinë e Tij dhe meqenëse përkujtimi sjell sinqeritetin ndaj Tij, i Madhëruari vijon të nxisë për diçka që duhet të vijë natyrshëm te njerëzit që meditojnë mbi shenjat e Tij: - “Atëherë, drejtojuni Allahut me lutje të sinqertë e me përkushtim (në fenë e drejtë islame),...” - Ky është një urdhër për të dyja llojet e lutjes, për lutjen e kërkesës dhe lutjen e adhurimit. 5 Të jesh i sinqertë me Zotin do të thotë që të gjitha adhurimet, të detyrueshme apo të pëlqyeshme, që kanë lidhje në plotësimin e hakut të Zotit apo hakut të krijesave, t’ia përkushtosh vetëm Atij. Pra, vetëm Allahut t’ia përkushtosh të gjitha adhurimet e veprat me të cilat synoni afrimin tek Ai. - “...edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët!” – Kuptimi: Mos u kushtoni rëndësi jobesimtarëve. Pakënaqësia dhe urrejtja e qafirëve të mos bëhet shkak që ju të lini fenë tuaj. Gjithashtu, për plotësimin e detyrimeve ndaj Zotit tuaj, mos iu frikësoni asnjë kërcënimi. Qafirët e urrejnë sinqeritetin dhe përkushtimin vetëm ndaj Allahut, sikurse thotë i Madhëruari në ajetin tjetër: “Kur përmendet Allahu, Ai që është Një dhe i Vetëm, zemrat e atyre që nuk besojnë në Jetën Tjetër mbushen me neveri (e pakënaqësi). Por, kur përmenden të tjerë, përveç Tij, ja, ata mbushen me gëzim. ”. [Zumer 45]. Pastaj i Madhëruari përmend disa nga cilësitë e Tij të bukura, madhështore e absolute, të cilat e bëjnë të detyrueshme sinqeritetin në adhurimin ndaj Tij si Një të vetëm: - “Ai është Zotëruesi i pozitës më të lartë dhe Zoti i Fronit (Arshit).” - Ai është më i Lartësuari, i Cili qëndron mbi Fron, të cilin e ka veçuar për Veten. Allahu është El Alijju - i Larti, El ea’lâ - më i Lartësuari, i ndarë qartë nga krijesat e Tij. I Lartë është Ai, të larta janë cilësitë e Tij, e Lartësuar është Qenia e Tij. Tek Ai mund të afrohesh veçse nëpërmjet veprave të pastra e pastruese, pra, me veprat e mira të kryera me sinqeritet. Vetëm veprat e mira e afrojnë dhe e lartësojnë robin mbi të gjitha krijesat e tjera. Pastaj i Madhëruari u përkujton robve mirësinë e Tij me Shpalljen që u dhuroi: - “Ai, me Urdhrin e Vet, ia jep shpalljen atij që Ai do nga robtë e Vet,...” - Ai dhuroi Shpalljen, e cila është për zemrat si shpirti për trupin. Ashtu sikurse trupi nuk jeton dot pa shpirtin, ashtu edhe zemrat e robve nuk kanë jetë pa shpirtin e Shpalljes e nuk mund të rregullohen. Ai e ka dhënë Shpalljen për të qenë e dobishme dhe mirësi për robtë. Këtë Shpallje i Urti ia jep atij që dëshiron prej robve të Tij, pra, profetëve, të cilët Zoti i zgjodhi dhe i dalloi mbi të tjerë, duke i ngarkuar me detyrën e ftesës së njerëzve në rrugën e Tij. Qëllimi i dërgimit të profetëve është arritja e lumturisë së robve në fenë, dynjanë dhe ahiretin e tyre, siç thotë i Madhëruari më tej: - “...për t’i paralajmëruar (njerëzinë) për Ditën e Takimit.” – Domethënë, që profetët të paralajmërojnë e qortojnë botën për t’u përgatitur për Ditën e Takimit. Allahu i Madhëruar i frikëson robtë me kujtimin e kësaj dite, duke i nxitur ata që të përgatiten me vepra të cilat të shpëtojnë nga telashet e asaj dite. I Madhëruari e quan atë

ditë “Dita e Takimit”, sepse ajo është dita e takimit mes Krijuesit dhe krijesave, e takimit mes krijesave me njëra -tjetrën, e takimit të njerëzve me veprat e tyre dhe me shpërblimin që do marrin për to. - “...për Ditën kur ata do të dalin në shesh...” - Ata do të jenë të dukshëm mbi tokë. Të gjithë të tubuar në një vend të sheshtë, ku nuk ka as gropa, as male. Ata do thirren nga zëri i Ftuesit dhe të gjithë do të dalin sheshazi atje. - “...e kur Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë e tyre.” - Atij nuk mund t’i fshihen as robtë, as punët e tyre dhe as ndëshkimi që ata meritojnë. - “I kujt është Sundimi Sot?, - (Do të thotë Zoti në ditën e gjykimit) . I Allahut, të Vetmit, Ngadhnjimtarit, - (Do të përgjigjet po Vetë Zoti) .” – E cili, përveç Allahut, është sunduesi i kësaj dite të madhe, kur do të tubohen të parët dhe të fundit, banorët e qiellit dhe të tokës? Atë ditë, asnjë krijesë nuk do të ketë asnjë lloj pushteti e sundimi mbi asgjë. Atë ditë, asgjë nuk i vlen askujt, veç punëve të mira. Përfundimi i secilit do të jetë në varësi të veprave që ka bërë. Atë ditë, i gjithë pushteti, sundimi e mbretërimi i takon vetëm Allahut, të Vetmit, Gjithësunduesit. Ai është Unik, i Pashembullt dhe i Pakrahasueshëm, për sa i përket Qenies së Tij, emrave dhe cilësive të Tij, si edhe veprave të Tij. Allahu nuk ka shok të barabartë apo të ngjashëm në asnjë nga këto aspekte. Ai është El Kahhar - Nënshtruesi i të gjitha krijesave, të Cilit i janë dorëzuar e nënshtruar të gjitha krijesat, sidomos në atë ditë, kur fytyrat e të gjithëve do të jenë të përulura dhe të frikësuara para Atij që është El Hajju, El Kajum - i Gjallë e i Përjetshëm. Atë ditë, gjithashtu, askush nuk do të flasë pa lejen e të Madhërishmit. - “Atë Ditë gjithkush do të shpërblehet për atë që ka bërë.” - Gjithësecili do të shpërblehet për atë që ka bërë në dynja, me të mirë ose me të keq, për punët e mëdha e të shumta dhe për punët e vogla e të pakta. Atë ditë, askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi me shtim të këqijash apo me pakësim shpërblimi. - “Atë Ditë nuk do të ketë padrejtësi. Me të vërtetë Allahu është Llogaritës i shpejtë.” – Pra, të mos ju duket larg ajo ditë. Çdo gjë që ka për të ardhur është afër. Allahu është Llogaritës i shpejtë i veprave të robve të Tij në Ditën e Gjykimit, sepse Ai është Gjithëpërfshirës me dijen e Tij dhe i Plotë në pushtetin e Tij.

← Gafir 40:13