← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

40. Gafir · Ajeti 15 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 40:13–40:22

Allahu, nga mëshira e vet, u ka mundësuar njerëzve t'i shohin dhe t'i zbulojnë faktet, të I cilat argumentojnë për fuqinë e Tij të pakufishme, por çdo sy dhe çdo mendje nuk është në gjendje t'i shohë e as t'i kuptojë ato, andaj besimtarët, të cilët ia njohin cilësitë e Zotit, le ta adhurojnë Atë sinqerisht edhe pse të tjerëve u vjen keq për atë adhurim. Zoti, që është sunduesi më i lartë, i zoti i Arshit, ia jep shpalljen atij që do, e urdhëron që I t'u tërheqë vërejtjen për ditën e kijametit, për ditën që i tërë sundimi është në duart e Tij, e mëkatarëve do t'u vijë shpirti në fyt nga frika e dëshprimi, pse Zotit nuk mund t'i fshihet asgjë dhe para drejtësisë së Tij çdokush do të jetë i gjunjëzuar. - Arshi i Zotit përmendet në shumë vende në Kur'an, ai ësht fron i Zotit, por si dhe çfarë është ai, ne nuk jemi në gjendje ta përshkruajmë, nuk jemi në gjendje t'i përshkruajmë fronet e sunduesve të botës, e po jemi për atë të Zotit?! E, besojmë ashtu si thuhet në Kur'an, ngase mendja e njeriut I nuk është në gjendje të depërtojë deri në një aso fshehtësie, andaj, çdo shpjegim rreth Arshit i të Zotit, i cili nuk është i mbështetur në ndonjë thënie të Pejgamberit, është vetëm hamendje.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 40:15–40:17

- “Ai është Zotëruesi i pozitës më të lartë dhe Zoti i Fronit.” - Allahu i Lartësuar na tregon rreth madhështisë së Tij. Ai është Ngadhënjimtari e Krenari, që nënshtron gjithçka. Ai flet për lartësinë e Fronit madhështor, i cili qëndron si kupolë mbi të gjitha krijesat e Tij. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Ai dënim vjen nga Allahu, Pronari i rrugëve të larta. Atje ngjiten melekët dhe Shpirti në një ditë, e cila zgjat pesëdhjetë mijë vjet.” [Mearixh 3, 4]. Kjo është largësia nga Froni deri në qiellin e shtatë, sipas fjalëve të disa selefëve, por edhe dijetarëve të mëvonshëm, mendim i cili është më i sakti, në dashtë Zoti. Sidoqoftë, shtjellimi me hollësi i kësaj çështjeje do të bëhet më pas, në dashtë Allahu i Lartësuar. Shumë kanë thënë se Arshi është prej një rubini të kuq 18 dhe se lartësia e tij nga qielli i shtatë është shumë e madhe. Në vijim, i Lartësuari thotë: - “Ai, me Urdhrin e Tij, ia jep shpalljen atij që Ai do nga robërit e Vet ...” - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar, kur thotë: “Me urdhrin e Tij, Ai i zbret melekët me shpallje atje ku Ai dëshiron nga robërit e vet: “T’u tërhiqni vërejtjen se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Meje, pra, të më ruheni.” [Nahl 2]. Ose: “Pa dyshim, ky (Kurani) është shpallje e Zotit të botëve. Atë e solli Shpirti Besnik (Xhibrili) në zemrën tënde (o Muhamed) , për t’u bërë paralajmërues ...” [Shuara 192 - 194]. - “... për t’i paralajmëruar për Ditën e Takimit.” - Që të paralajmërojë njerëzit për Ditën e Kijametit, që të punojnë në mënyrë të atillë, që të ruhen e shpëtojnë nga tmerri i saj. Atë ditë, çdokush do të përballet me punën e vet, të mirë apo të keqe. - “Për ditën kur ata do të dalin në shesh e kur Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë e tyre.” - Domethënë, ata do të jenë tërësisht të shfaqur e të zbuluar. Asgjë nuk do t’i mbulojë ata. Të gjithë janë njëlloj, të zbuluar, përballë diturisë absolute të Allahut të Madhëruar. - “Kush sundon sot? - Allahu, i Vetmi, Ngadhnjimtari ...” - Më herët kemi sjellë hadithin e Ibn Umerit, ku thuhet: “Ditën e Kijametit, Allahu i Madhëruar i palos qiejt, pastaj i merr me Dorën e djathtë të Tij dhe thotë: “Unë jam Mbreti! Ku janë tiranët? Ku janë mendjemëdhenjtë?” Po kështu, në hadithin e Surit, përmendet ndër të tjera se: “... I fundit që do të vdesë është Meleku i Vdekjes dhe do të mbetet vetëm Allahu i Madhëruar, që është Hajju el Kajjum , Ai i Cili ishte në fillim përjetësisht dhe Ai do të mbetet i fundit. Atë ditë, i Madhëruari do të thotë tri herë: “I kujt është sundimi sot?”. Pastaj i Madhëruari do të përgjigjet Vetë: “I Allahut, të Vetmit, Ngadhnjimtarit. Unë jam Një dhe i vetëm dhe kam nënshtruar gjithçka. Unë kam gjykuar që të zhduket çdo gjë.” Allahu është i Vetmi, i Madhë - ruari i pashoq, i Cili ka nënshtruar gjithçka dhe çdo gjë është nën pushtetin e Tij. - “Atë ditë, secili shpërblehet për atë që ka vepruar.” - Allahu i Lartësuar na tregon për drejtësinë e Tij të plotë e të pacenueshme në gjykimin që Ai do t’u bëjë krijesave të Tij. Kështu, Ai na njofton se nuk bën padrejtësi as sa një thërrmijë e vogël, qoftë në lidhje me punët e mira dhe

shpërblimin për to, qoftë në lidhje me punët e këqija dhe ndëshkimin e merituar për to. Madje, për çdo të mirë, Ai shpërblen me 10fishin e saj, ndërsa një të keqe e llogarit si një të vetme. - “Atë ditë nuk ka padrejtësi.” - Në një hadith të saktë, që e sjell Imam Muslimi përmes Ebu Dherit, thuhet se Profeti i Allahut ka thënë: 2300. “Allahu i Lartësuar thotë: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë mes jush të ndaluar, prandaj mos bëni padrejtësi! O robërit e Mi! Jam Unë Ai që i ruan dhe i llogarit veprat tuaja! Çdokush që gjen mirësi, le të lavdërojë Allahun dhe çdokush që gjen diçka tjetër, të qortojë veçse vetveten.”. - “Me të vërtetë, Allahu është Llogaritës i shpejtë.” - Ai do t’i llogarisë krijesat të gjitha pa përjashtim dhe llogaritja e gjithë krijesave për Të është si llogaria e një njeriu të vetëm, sikurse ka thënë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Krijimi dhe ringjallja juaj është njëlloj si krijimi dhe ringjallja e një një njeriu të vetëm. Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.” [Lukman 28]. Ose: “Puna Jonë është e shpejtë, sa hap e mbyll sytë.” [Kamer 50].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 40:13–40:17

Allahu i Madhëruar u kujton adhuruesve të Tij mirësitë e begatitë e mëdha, të cilat ua ka dhuruar atyre. Pa dyshim që mirësia më e madhe është qartësimi i të vërtetës dhe dallimi i saj nga e kota dhe humbja. Për të dalluar plotësisht këtë të vërtetë, Ai u sjell atyre shenja e argumente të shumta, që lexohen në gjithësi, në veten tyre dhe në Shpalljen e Tij. Kush i vështron dhe mediton mbi këto argumente nuk ka më asnjë dyshim në njohuritë e përftuara rreth të vërtetës. Kjo është mirësia më e madhe për robtë, sepse nuk i lë ata të çoroditur dhe të hutuar. Allahu i Madhëruar ka sjellë një larmi argumentesh e shenjash, në mënyrë që çdokush të jetojë i qartë për mënyrën si jeton dhe të vdesë i qartë në atë që beson. Sa më e rëndësishme të jetë një çështje, aq më të mëdha, të shumta dhe të kuptueshme janë argumentet që Ai ka sjellë për të. Shih, për shembull, çështjen e teuhid-it në adhurim e në çdo aspekt tjetër. Duke qenë se ajo është ndër çështjet më të rëndësishme, madje më e rëndësishmja dhe më e madhja, edhe argumentet e sjella për të janë më të shumtat e më të shumëllojshmet, qofshin ato argumente logjike apo tekstuale fetare. Edhe në këtë sure, i Madhëruari përmend disa nga këto argumente e shenja: - “Është Ai që ju tregon shenjat e Tij...” - Pas këtij njoftimi, Allahu i Madhëruar vijon të tregojë një nga shenjat e mëdha të Tij: - “...dhe ju zbret riskun prej qiellit,...” – Kuptimi: Ai ju lëshon ujë nga qielli, me anë të të cilit siguroni jetën tuaj dhe të kafshëve tuaja. Kjo tregon se të gjitha mirësitë janë prej Allahut, si mirësitë e dynjasë, ashtu edhe ato të fesë e të besimit. Në mirësitë e fesë hyjnë njohuritë fetare, argumentet rreth besimit, veprat përkatëse, si dhe suksesi që Allahu u jep robve për t’i realizuar të gjitha

këto. Të dhuruara prej Tij janë, po ashtu, të gjitha mirësitë e dynjasë, që kryesisht e kanë origjinën nga uji, të cilin Allahu e zbret nga qielli për të gjallëruar tokën dhe njerëzit. Të gjitha këto tregojnë se Ai është i vetmi që meriton adhurimin dhe i vetmi të Cilit duhet t’i përkushtohesh tërësisht e me sinqeritet. Ashtu sikurse Ai është i vetmi që jep mirësi e përkujdeset për krijesat e Tij, Ai duhet të jetë i vetmi i Adhuruar. - “...por askush nuk e kujton këtë, përveç atyre që kthehen tek Ai të penduar.” - Nga shenjat dhe argumentet që Zoti sjell përfiton veçse kjo kategori njerëzish: ata të cilët kthehen te Zoti të penduar e të përkushtuar ndaj Tij, me dashuri, drojë, bindje dhe përulje. Këta përfitojnë nga shenjat dhe argumentet e Zotit, të cilat janë për ta mëshirë dhe ndihmë për të parë më qartë rrugën e Zotit. Duke qenë se shenjat dhe argumentet e Allahut të bëjnë që ta përkujtosh Atë me madhështinë e Tij dhe meqenëse përkujtimi sjell sinqeritetin ndaj Tij, i Madhëruari vijon të nxisë për diçka që duhet të vijë natyrshëm te njerëzit që meditojnë mbi shenjat e Tij: - “Atëherë, drejtojuni Allahut me lutje të sinqertë e me përkushtim (në fenë e drejtë islame),...” - Ky është një urdhër për të dyja llojet e lutjes, për lutjen e kërkesës dhe lutjen e adhurimit. 5 Të jesh i sinqertë me Zotin do të thotë që të gjitha adhurimet, të detyrueshme apo të pëlqyeshme, që kanë lidhje në plotësimin e hakut të Zotit apo hakut të krijesave, t’ia përkushtosh vetëm Atij. Pra, vetëm Allahut t’ia përkushtosh të gjitha adhurimet e veprat me të cilat synoni afrimin tek Ai. - “...edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët!” – Kuptimi: Mos u kushtoni rëndësi jobesimtarëve. Pakënaqësia dhe urrejtja e qafirëve të mos bëhet shkak që ju të lini fenë tuaj. Gjithashtu, për plotësimin e detyrimeve ndaj Zotit tuaj, mos iu frikësoni asnjë kërcënimi. Qafirët e urrejnë sinqeritetin dhe përkushtimin vetëm ndaj Allahut, sikurse thotë i Madhëruari në ajetin tjetër: “Kur përmendet Allahu, Ai që është Një dhe i Vetëm, zemrat e atyre që nuk besojnë në Jetën Tjetër mbushen me neveri (e pakënaqësi). Por, kur përmenden të tjerë, përveç Tij, ja, ata mbushen me gëzim. ”. [Zumer 45]. Pastaj i Madhëruari përmend disa nga cilësitë e Tij të bukura, madhështore e absolute, të cilat e bëjnë të detyrueshme sinqeritetin në adhurimin ndaj Tij si Një të vetëm: - “Ai është Zotëruesi i pozitës më të lartë dhe Zoti i Fronit (Arshit).” - Ai është më i Lartësuari, i Cili qëndron mbi Fron, të cilin e ka veçuar për Veten. Allahu është El Alijju - i Larti, El ea’lâ - më i Lartësuari, i ndarë qartë nga krijesat e Tij. I Lartë është Ai, të larta janë cilësitë e Tij, e Lartësuar është Qenia e Tij. Tek Ai mund të afrohesh veçse nëpërmjet veprave të pastra e pastruese, pra, me veprat e mira të kryera me sinqeritet. Vetëm veprat e mira e afrojnë dhe e lartësojnë robin mbi të gjitha krijesat e tjera. Pastaj i Madhëruari u përkujton robve mirësinë e Tij me Shpalljen që u dhuroi: - “Ai, me Urdhrin e Vet, ia jep shpalljen atij që Ai do nga robtë e Vet,...” - Ai dhuroi Shpalljen, e cila është për zemrat si shpirti për trupin. Ashtu sikurse trupi nuk jeton dot pa shpirtin, ashtu edhe zemrat e robve nuk kanë jetë pa shpirtin e Shpalljes e nuk mund të rregullohen. Ai e ka dhënë Shpalljen për të qenë e dobishme dhe mirësi për robtë. Këtë Shpallje i Urti ia jep atij që dëshiron prej robve të Tij, pra, profetëve, të cilët Zoti i zgjodhi dhe i dalloi mbi të tjerë, duke i ngarkuar me detyrën e ftesës së njerëzve në rrugën e Tij. Qëllimi i dërgimit të profetëve është arritja e lumturisë së robve në fenë, dynjanë dhe ahiretin e tyre, siç thotë i Madhëruari më tej: - “...për t’i paralajmëruar (njerëzinë) për Ditën e Takimit.” – Domethënë, që profetët të paralajmërojnë e qortojnë botën për t’u përgatitur për Ditën e Takimit. Allahu i Madhëruar i frikëson robtë me kujtimin e kësaj dite, duke i nxitur ata që të përgatiten me vepra të cilat të shpëtojnë nga telashet e asaj dite. I Madhëruari e quan atë

ditë “Dita e Takimit”, sepse ajo është dita e takimit mes Krijuesit dhe krijesave, e takimit mes krijesave me njëra -tjetrën, e takimit të njerëzve me veprat e tyre dhe me shpërblimin që do marrin për to. - “...për Ditën kur ata do të dalin në shesh...” - Ata do të jenë të dukshëm mbi tokë. Të gjithë të tubuar në një vend të sheshtë, ku nuk ka as gropa, as male. Ata do thirren nga zëri i Ftuesit dhe të gjithë do të dalin sheshazi atje. - “...e kur Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë e tyre.” - Atij nuk mund t’i fshihen as robtë, as punët e tyre dhe as ndëshkimi që ata meritojnë. - “I kujt është Sundimi Sot?, - (Do të thotë Zoti në ditën e gjykimit) . I Allahut, të Vetmit, Ngadhnjimtarit, - (Do të përgjigjet po Vetë Zoti) .” – E cili, përveç Allahut, është sunduesi i kësaj dite të madhe, kur do të tubohen të parët dhe të fundit, banorët e qiellit dhe të tokës? Atë ditë, asnjë krijesë nuk do të ketë asnjë lloj pushteti e sundimi mbi asgjë. Atë ditë, asgjë nuk i vlen askujt, veç punëve të mira. Përfundimi i secilit do të jetë në varësi të veprave që ka bërë. Atë ditë, i gjithë pushteti, sundimi e mbretërimi i takon vetëm Allahut, të Vetmit, Gjithësunduesit. Ai është Unik, i Pashembullt dhe i Pakrahasueshëm, për sa i përket Qenies së Tij, emrave dhe cilësive të Tij, si edhe veprave të Tij. Allahu nuk ka shok të barabartë apo të ngjashëm në asnjë nga këto aspekte. Ai është El Kahhar - Nënshtruesi i të gjitha krijesave, të Cilit i janë dorëzuar e nënshtruar të gjitha krijesat, sidomos në atë ditë, kur fytyrat e të gjithëve do të jenë të përulura dhe të frikësuara para Atij që është El Hajju, El Kajum - i Gjallë e i Përjetshëm. Atë ditë, gjithashtu, askush nuk do të flasë pa lejen e të Madhërishmit. - “Atë Ditë gjithkush do të shpërblehet për atë që ka bërë.” - Gjithësecili do të shpërblehet për atë që ka bërë në dynja, me të mirë ose me të keq, për punët e mëdha e të shumta dhe për punët e vogla e të pakta. Atë ditë, askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi me shtim të këqijash apo me pakësim shpërblimi. - “Atë Ditë nuk do të ketë padrejtësi. Me të vërtetë Allahu është Llogaritës i shpejtë.” – Pra, të mos ju duket larg ajo ditë. Çdo gjë që ka për të ardhur është afër. Allahu është Llogaritës i shpejtë i veprave të robve të Tij në Ditën e Gjykimit, sepse Ai është Gjithëpërfshirës me dijen e Tij dhe i Plotë në pushtetin e Tij.

← Gafir 40:15