← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

40. Gafir · Ajeti 28 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 40:23–40:33

"Në këtë tregim rreth Musait dhe faraonit, pos që përshkruhet përfundimi me shkatërrim i horrave, përshkruhet edhe heroizmi i një besimtari kundër mizorëve.

Në të vërtetë, faraoni pasi një herë e pat ndërprerë mbytjen e meshkujve të beni israilëve, e filloi sërish atëherë kur nuk pati mundësi t'u kundërvihet mrekullive të Musait. Faraoni e dinte se Musai ishte pejgamber dhe se faktet që i sillte ai nuk ishin magji, por realitet, mirëpo i frikësohej pozitës së vet, andaj shprehte dëshirën kinse ai vetë do ta mbyste Musain sikur ta lejonte populli i vet, megjithse e dinte se nuk mund ta mbyste, por vetëm e pezmatonte popullin kundër Musait.

Për atë njeriun besimtar, mendohet se ishte bir i xhaxhait të faraonit, i cili kishte besuar, por besimin e mbante fshehtë, e kur dëgjoi se po përgatiten ta mbysin Musain, i këshilloi dhe ua tërhoqi vërejtjen, por duke mos dhënë shenjë se është besimtar i drejtë. Nuk dha shenjë se e njihte Musain, por tha: "Pse e mbytni një njeri, mandej kur ua tërhoqi vërejtjen, ju tha se po na gjen ndonjë e keqe, sikur edhe ai ishte me ta, megjithse ua numroi të gjitha të këqijat që mund t'i godasin, e u përkujtoi edhe ditën e kijametit dhe dënimin e zjarrit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 40:28–40:29

- “Një besimtar nga familja e Faraonit, që e fshihte besimin e vet, tha: “A doni ta vrisni një njeri vetëm pse thotë: 'Zoti im është Allahu'? ” - Mendimi më i përhapur dhe i njohur është se ky burrë besimtar ishte prej koptëve, pra, prej familjes së Faraonit dhe jo prej izraelitëve. Ibn Abasi (r.a.) ka thënë: “Nga familja e Faraonit besoi veçse ky burrë, bashkëshortja e Faraonit dhe ai person i cili përmendet në Kuran se tha: “Nga ana më e largët e qytetit erdhi me nxitim një njeri dhe tha: “O Musa! Paria është duke vendosur për vrasjen tënde. Largohu nga qyteti! Unë të këshilloj çiltërsisht dhe të dua të mirën. ” [Kasas 20]. Kështu e ka sjellë Ibn Ebu Hatimi. Në këto ajete, Allahu i Madhëruar na tregon për këtë burrë besimtar, që e fshihte imanin e tij prej popullit të vet dhe u shpërfaq veçse atë ditë, pikërisht në momentin kur Faraoni tha: “Më lini ta vras Musain dhe le ta thërrasë ai Zotin e vet!” Ky burrë u zemërua për hir të Allahut të Lartësuar dhe e shfaqi besimin haptazi, për të mbrojtur të vërtetën. Në një hadith të saktë është thënë: 2301. “Xhihadi më i dalluar dhe më i mirë është deklarimi i të vërtetës përpara një sulltani tiran dhe të padrejtë.” Vërtet nuk ka fjalë më të madhe dhe më të guximshme sesa kjo fjalë, që u tha në prani të Faraonit: “A doni ta vrisni një njeri vetëm pse thotë: “Zoti im është Allahu?!” Ky vërtet është një qëndrim i rrallë, i ngjashëm me atë që mbajti Ebu Bekër Sidiku, në ngjarjen e sjellë nga Imam Buhariu: “Ur uetu Ibn Zubejri tregon: “I thashë Abdullah Ibn Amr Ibn Asit: “Më trego më të ashprin mundim, që kurejshët i bënë Profetit të Allahut!” Ai më tha: “Një ditë, kur Profeti i Allahut po falte namaz në hapësirën pranë Qabes, vjen Ukbe Ibn Ebu Muajti, i cili e kapi për shpatulle Profetin ﷺ , dhe pasi ia mbështolli rreth qafës rrobën e tij, e shtrëngoi fort, për ta mbytur. Atëherë, drejt tij lëshohet Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili e kapi fort prej shpatullash dhe e largoi prej Profetit, duke thënë: “A doni ta vrisni një njeri vetëm pse thotë: 'Zoti im është Allahu', ndërkohë që ju ka sjellë argumente të qarta prej Zotit tuaj?” - “... ndërkohë që ju ka sjellë argumente të qarta prej Zotit tuaj? ” - Pra, si është e mundur të vrisni një burrë vetëm për faktin se ai thotë ‘Zoti im është Allahu’, ndërkohë që për këtë pohim ju ka sjellë argumente të pakundërshtueshme, njëri pas tjetrit, të cilat tregojnë për vërtetësinë e mesazhit, që ai përcjell e mbron. Më pas, duke arsyetuar me logjikën e tyre në këtë bashkëbisedim, ai thotë: - “Po të jetë gënjeshtar, mbi të do të rëndojë gjynahu për gënjeshtrën e vet. ” - Pra, nëse juve ende nuk ju është shfaqur e qartë në mendje vërtetësia e fjalëve të tij, logjika e thjeshtë e kërkon që ju ta braktisni atë, ta lini me veten e vet dhe të mos i jepni rëndësi. Nëse ai është mashtrues, le ta ndëshkojë Zoti në dynja dhe në ahiret. - “Por nëse thotë të vërtetën, juve do t’ju godasë diçka nga ajo me të cilën ai ju paralajmëron.” - Nëse është i vërtetë në fjalët që thotë dhe ju i jepni mundim atij, atëherë ka për t’ju rënë mbi krye diçka prej kërcënimeve dhe paralajmërimeve të tij, si ndëshkim në dynja dhe në ahiret. Allahu i Lartësuar na bën me dije edhe në ajete të tjera se Musai (paqja e Zotit qoftë mbi të!) i kërkoi Faraonit dhe popullit të tij që thjesht ta linin të lirë në misionin e tij: “Përpara tyre, Ne sprovuam popullin e Faraonit dhe atyre u erdhi një i dërguar i zgjedhur. (Musai u tha:) “M’i lini mua robërit e Allahut! Unë jam për ju një i dërguar besnik. Mos u tregoni arrogantë ndaj Allahut, sepse unë po vij te ju me shenja të qarta. Unë i jam mbështetur Zotit tim dhe Zotit tuaj, që ju të mos më vrisni me gurë. Nëse nuk më besoni, atëherë largohuni prej meje!”” [Duhan 17 - 21] Pra, ai kërkoi që, të paktën ta linin të qetë. Po kështu u tha Profeti i Allahu t kurejshëve, që ata thjesht ta linin të lirë në ftesën e njerëzve në rrugën e Allahut të Lartësuar dhe të mos e pengo -

nin. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju: “Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për thirrjen time, përveç dashurisë për hir të farefisnisë.”.” [Shura 23]. Ai u bëri një kërkesë të natyrshme, që ata t’i ruanin fort marrëdhëniet farefisnore. Kjo ishte e mja - ftueshme që ata të mos e mundonin dhe ta linin të lirë në misionin e tij ndër njerëz. Pikërisht me të tilla kushte e me këtë mendësi u firmos Marrëveshja e Hudejbijes, që, në fakt, rezultoi të ishte një marrëveshje jashtëzakonisht e madhe, e dobishme, e rëndësishme, madje një fitore e qartë e Islamit. Në vijim, Allahu Krenar dhe i Lartësuar thotë: - “Por të jeni të bindur se Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që i shkel kufijtë dhe është gënjeshtar. ” - Nëse ky, i cili është duke ju ftuar që të besoni dhe të adhuroni Allahu n si një të vetëm, është mashtrues dhe thotë të pavërteta rreth Zotit, gjendja e tij do të ishte e qartë për këdo, sepse do të shfaqej në fjalët e veprat e tij. Ato do të ishin në kundërshtim me të drejtën dhe mirësinë. Ndërsa tek ky burrë shohim se është në udhë të drejtë dhe fton në mbarësi dhe mirësi. Nëse do të ishte mashtrues, Allahu kurrë nuk do ta kishte udhëzuar në këtë rrugë të mrekullueshme, në të cilën ai ndodhet, nuk do ta mbështeste e forconte në misionin e tij dhe në këtë udhë të qartë, të drejtë dhe të mirë. Pastaj, ky besimtar, duke e qortuar dhe paralajmëruar popullin e tij që të kishin frikë nga kundërshtimi i të vërtetës, sepse kjo do të largonte mirësitë e Allahut dhe do të sillte ndëshkimin dhe zemërimin e Tij mbi ta, u thotë: - "O populli im, sot ju keni sundimin në tokë. - Sot ju keni pushtet dhe ju shkon fjala, sot keni famë dhe respekt ndër njerëz, prandaj pranojeni mirësinë e Allahut dhe shpreheni mirënjohjen ndaj saj. Respekto - jeni këtë mirësi që ju ka dhënë Allahu, duke qenë mirënjohës për të, si edhe duke pranuar vërtetësinë e Profetit të Tij dhe ruajuni që të mos ju godasë zemërimi dhe ndëshkimi i Zotit. - “Por kush do të na mbrojë nga dënimi i Allahut, kur Ai të godasë mbi ne? ” - Pra, nuk kanë për t’ju sjellë asnjë dobi këto ushtri të shumta, nëse Allahu vendos t’ju ndëshkojë. Pas kësaj, Faraoni duke u përpjekur të hedhë poshtë ose të zbehë në sytë e njerëzve fjalët dhe arsyetimin e sjellë nga ky burrë besimtar, i mençur dhe i udhëzuar në rrugën e drejtë, tha: - “Unë po ju tregoj veçse atë që shoh ...” - Unë nuk shoh ndonjë zgjidhje tjetër, përveç asaj që shoh në veten time si të vërtetë dhe të drejtë. Në fakt, këtu Faraoni mashtroi, sepse ai ishte tërrësisht i bindur për vërtetësinë e Musait dhe të mesazhit të tij, siç thotë Allahu i Lartësuar: “ Ai (Musai) tha: “Ti e di me siguri të plotë se ato (mrekullitë) nuk i zbriti askush tjetër përveç Zotit të qiejve e të Tokës. Ai i zbriti ato të dukshme, e unë besoj, o faraon, se ti je i shkatërruar.”.” [Isra 102]. Ose: “ Ata i mohuan ato në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi edhe pse shpirtrat e tyre ishin të bindur për to (se ishin nga Zoti) .” [Neml 14]. Më pas, Allahu i Lartësuar na tregon se Faraoni u tha: - “... dhe po ju udhëzoj veçse në rrugën e drejtë!” - Veçse në rrugën e drejtë, në udhëzimin e arsyeshëm dhe të qartë. Edhe në këtë pretendim ai ishte mashtrues dhe hileqar me popullin e vet. Në një hadith thuhet: 2302. “Çdo udhëheqës që vdes duke qenë i padrejtë me popullin e vet, nuk ka për ta ndier aromën e Xhenetit, edhe pse aroma e tij ndihet 500 vite larg.” Allahu i jep sukses për mirësi çdokujt që Ai dëshiron.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 40:28–40:33

Ky burrë besimtar me mendje të ndritur dhe besim në zemër, duke treguar shëmtinë e veprave të popullit të tij, si dhe padrejtësinë e vendimit që kishin marrë për vrasjen e Musait, thotë: - Një besimtar nga familja e Faraonit, që e fshihte besimin e vet, tha: “A doni ta vrisni një njeri vetëm pse thotë: 'Zoti im është Allahu',...” - Kuptimi: Si është e mundur t’i lejojmë vetes vrasjen e një personi të tillë? Cili është krimi i tij? Vallë, konsiderohet krim vetëm sepse ai thotë: “Zoti im është Allahu?!” Kjo është thjesht një fjalë goje e thënë nga ai. Musai (a.s.) kishte sjellë argumente dhe shenja të mrekullueshme, që dëshmonin për vërtetësinë e tij, prandaj besimtari tha: - “...ndërkohë që ju ka sjellë Argumente të Qarta prej Zotit tuaj? - Aq të qarta ishin bërë mrekullitë dhe shenjat që Musai solli, saqë ato diheshin dhe diskutoheshin nga të gjithë, të mëdhenj e të vegjël. Pra, - thoshte besimtari - mendohuni mirë në vendimin tuaj. Këto fakte nuk duhet t’ju lejojnë që ta vrisni. Nuk është kjo ajo që ai meriton. Fillimisht, arsyetoni qëndrimin tuaj mohues, e pas kësaj shikoni, a meriton vrasjen apo jo. Nëse arrini të vërtetoni saktësinë e qëndrimit tuaj dhe mohimin e ftesës së tij, ndoshta do të ishte e drejtë ta

vrisnit. Ama, nëse argumentet e tij mbeten të pacenuara, ose qëndrojnë shumë më lartë se kaq, atëherë nuk mund të lejoni vrasjen e tij, sepse është tërësisht e padrejtë. Pastaj ai u tha diçka shumë të mençur, që bind çdo njeri me logjikë. Ai bëri një supozim: - “Po të jetë gënjeshtar, mbi të do të rëndojë gjynahu për gënjeshtrën e vet. Por nëse thotë të vërtetën, juve do t’ju godasë diçka nga ajo me të cilën ai ju paralajmëron. – Pra, për Musain (a.s) ka dy mundësi: ose është mashtrues e gënjeshtar, ose është i sinqertë dhe i vërtetë në atë që thotë e pretendon. Nëse është mashtrues, atëherë mashtrimi rëndon mbi të dhe vetëm mbi të. Ju nuk dëmtoheni aspak nga mospranimi i një gënjeshtari. Por nëse ai është i vërtetë në atë që thotë, – madje ju ka sjellë edhe shenja e mrekulli nga Zoti, edhe ju ka paralajmëruar që, nëse nuk i bindeni e nuk e besoni, juve do t’ju godasë ndëshkimi nga Zoti, në dynja dhe në ahiret, – atëherë ju do të goditeni realisht nga ky ndëshkim, qoftë edhe nga një pjesë e tij, siç është ndëshkimi në dynja. Kjo tregon për mendjen e ndritur të këtij njeriu, që e përdor për të mbrojtur Musain. Ai e trajtoi situatën në një mënyrë që ata të mendoheshin dhe të kuptonin se zgjidhja ishte mes dy mundësive, të cilat e përjashtonin vrasjen si një veprim të zgjuar. Kështu, ai i bëri të mendonin dhe gjykonin se vrasja e Musait në të dyja rastet do të ishte e kotë dhe mendjelehtësi. Më pas ky burrë i zgjuar dhe besimtar, – Allahu e mëshiroftë, e faltë dhe qoftë i kënaqur prej tij! – për sa i përket mbrojtjes që i bën Musait, kalon në një nivel tjetër më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë. Ai aludon se Musai (a.s), me cilësitë e mira dhe besnikërinë që ka, është më pranë të vërtetës. Ai tha: - “Por të jeni të bindur se Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që i shkel kufijtë dhe është gënjeshtar.” - Allahu nuk i udhëzon në rrugën e drejtë ata që kanë dy cilësi. Së pari, ata janë teprues, sepse tejkalojnë kufijtë e Zotit me braktisjen e të vërtetës dhe me përqafimin e të kotës. Së dyti, ata janë mashtrues, të cilët e reklamojnë shfrenimin e tyre si diçka të këshilluar nga Zoti. Të tillë njerëz Zoti nuk i udhëzon tek e vërteta dhe, aq më pak, t’i ndihmojë me shenja e mrekulli bindëse. Ai nuk u jep atyre sukses për të ndjekur dhe vërtetuar rrugën e saktë dhe të drejtë. Kjo është logjika më e thjeshtë dhe e pastër. Tani, – u drejtohet besimtari atyre, – është radha juaj të mendoheni pak për realitetin. Ju i kuptoni mirë fjalët e Musait dhe jeni të bindur se ato janë të drejta dhe të vërteta. Zoti i dha atij argumente logjike dhe mrekulli të jashtëzakonshme, që provojnë vërtetësinë e tyre. Kësisoj, ai që ka patur një mbështetje të tillë të jashtëzakonshme nga Allahu nuk mund të jetë kurrë njeri i shfrenuar e mashtrues. Mendohuni me qetësi për këto që po ju them! Ky qëndrim i besimtarit tregonte se ai ishte burrë i mençur dhe tepër i ditur rreth Zotit. Pastaj ai kaloi në një këshillë të hapur drejtuar popullit të tij, duke i kërcënuar për ndëshkimin e rëndë dhe të frikshëm të ahiretit. Ai i këshilloi dhe paralajmëroi që të mos mashtroheshin dhe të vetëkënaqeshin nga pushteti e pasuria që u ishte dhënë në këtë dynja, e të shpërfillin ahiretin: - "O populli im, sot ju keni sundimin në tokë. Por kush do të na mbrojë nga dënimi i Allahut kur Ai të godasë mbi ne?” – Kuptimi: Këtu, në këtë botë, ju është dhënë pushtet i dukshëm. Ju sundoni mbi popullin dhe zbatoni mbi ta ligjin që ju dëshironi. Zëreni se kjo do të jetë e vazhdueshme dhe e pacenueshme, - gjë që nuk ka për të ndodhur. Atëherë, a keni menduar: kush do të na mbrojë nga dënimi i Allahut, kur ai të godasë mbi ne? Shihni me kujdes! Ai tha: “mbi ne”. Ky moment tregon se sa stil të bukur dhe tërheqës kishte ftesa e tij. Ai e quajti veten si pjesë e tyre, që kujdesej për ta si për veten e vet, me dashuri e përkushtim, që dëshironte të mirën për ta, ashtu si e dëshironte për veten e vet. Më pas, për ta ndaluar popullin që të pasonte Musain, Faraoni tha:

- “Faraoni tha: “Unë po ju tregoj veçse atë që shoh (vetë) dhe po ju udhëzoj veçse në rrugën e drejtë!” – Është e vërtetë që Faraoni e ftonte popullin e tij në rrugën që, në sytë e tij, ishte e drejtë. Por çfarë ishte kjo rrugë, që ai e mendonte si të drejtë?! Faraoni e shpërfilli të drejtën e popullit për të zgjedhur rrugën e vërtetë, sepse i detyroi ata t’i nënshtroheshin sundimit të tij dhe të bënin ashtu siç dëshironte ai. Në fakt, Faraoni nuk pretendoi se e vërteta ishte me të. Ai ishte i sigurt se e vërteta ishte me Musain, por e refuzoi atë me armiqësi dhe arrogancë. Ai gënjeu kur tha: “unë po ju udhëzoj veçse në rrugën e drejtë!”. Ky qe tjetërsim i të vërtetës. Po ashtu, nëse do t’i urdhëronte njerëzit që t’i bindeshin atij pa marrë parasysh zgjedhjen e vet personale për ta mohuar Musain, çështja do të ishte më e lehtë. Por Faraoni i urdhëroi që ta pasonin, duke deklaruar se rruga e tij ishte e vërteta, ndërsa ajo e Musait ishte e kotë dhe rruga e së keqes. Megjithatë, besimtari në oborrin e Faraonit, ashtu sikurse të gjithë ftuesit në rrugën e Zotit, nuk reshti kurrë së ftuari popullin e tij në besimin e drejtë. Atë nuk e ndali aspak as refuzimi arrogant i tyre: - “Ndërkaq, ai që kishte besuar, tha: “O populli im! Unë kam frikë se do t’ju godasë ndonjë denim, ashtu si popujt e mëparshëm.” - Kuptimi: Unë i frikësohem ndëshkimit, që goditi edhe popujt e shkuar, të cilët mblidheshin bashkë kundër profetëve të tyre, për t’i ndaluar dhe kundërshtuar ata. Pastaj sqaroi më konkretisht se për cilët popuj fliste: - Diçka si dënimi i popullit të Nuhut, të Adit, të Themudit dhe të brezave që erdhën pas tyre. Allahu kurrë nuk dëshiron padrejtësi për robtë e Tij. - Të gjithë ata kishin një të përbashkët: mohimin e Zotit dhe refuzimin e profetëve dhe të shpalljeve të Tij. Po ashtu, edhe përfundimi i tyre ishte i njëjtë për të gjithë: ndëshkim që në jetën e dynjasë, para ahiretit. Në fakt, Allahu nuk u bën kurrë padrejtësi robve dhe asnjëherë nuk e dëshiron diçka të tillë për ta. Ai kurrë nuk do t’i ndëshkonte ata, nëse nuk do të bënin ndonjë padrejtësi e gjynah. Pasi i frikësoi dhe i paralajmëroi për ndëshkimin në dynja, ai vijoi t’i paralajmëronte edhe për ndëshkimin në ahiret: - O populli im! Unë kam frikë për ju Ditën kur do ti thërrisni njëri -tjetrit, – Kjo është Dita e Kijametit, ditë kur banorët e Xhenetit do t’u thërrasin banorëve të Zjarrit e do të flasin me ta, sikurse thotë i Madhëruari: “Banorët e Xhenetit do t'u thërrasin banorëve të Zjarrit e do t'u thonë: “Ne e gjetëm të vërtetë atë që na kishte premtuar Zoti ynë. Po ju, a e gjetët të vërtetë atë që ju kishte premtuar Zoti juaj?” Ata do të thonë: “Po”. Atëherë, një thirrës do të shpallë mes tyre: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi zullumqarët!" Të cilët i penguan njerëzit nga rruga e Allahut, që kërkuan shtrembërimin e saj dhe mohuan botën tjetër.” Mes tyre (dy grupeve)do të jetë një mur ndarës, mbi të cilin do të qëndrojnë burra që e njohin secilin grup sipas shenjave të tyre. Ata do t'u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Selami qoftë mbi ju!”. Ata nuk do të kenë hyrë në të, por do të shpresojnë. Kur shikimi i tyre do të shkojë nga ata të Xhehenemit, do të thonë: “Zoti ynë, mos na bashko me keqbërësit!” Këta të murit do t'u thërrasin pastaj disa burrave të tjerë, që do t'i njohin nga shenjat e tyre, dhe t'u thonë: “Sa ju vlejti ajo që grumbullonit dhe mendjemadhësia që tregonit? Ja. A nuk janë këta njerëzit për të cilët ju betoheshit se mëshira e Allahut nuk kishte për t’i përfshirë kurrë?”. Hyni në Xhenet, se për ju nuk do të ketë as frikë e as brenga!” Banorët e Zjarrit do t'u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Na jepni ndopak ujë ose diçka nga ato që ju ka dhënë Allahu!” Ata do të përgjigjen: “Allahu i ka ndaluar këto gjëra për jobesimtarët!” Këta janë ata që fenë e tyre e merrnin si tallje e lojë dhe që u mashtruan nga jeta e dynjasë. Atë ditë Ne do t'i harrojmë ata, siç e harruan ata takimin e kësaj dite dhe për shkak se kundërshtuan Shenjat Tona!” [El ea'raf 44 – 51]. Banorët

e Zjarrit do t’i luten Malikut, melekut të Xhehenemit, që ta lusë Zotin që t’i japë fund e t’i asgjësojë ata. Por përgjigjja do t’ju vijë e dhimbshme e dëshpëruese, sikurse thotë i Madhëruari: “Ata do të thërrasin: “O Malik! Le të na e marrë shpirtin Zoti yt!”. Ai u thotë: “Aty do të jeni përgjithmonë. Ne jua sollëm të vërtetën, por shumica juaj treguan urrejtje ndaj saj.” [Zuhruf 77, 78]. Ata i luten edhe Zotit që t’i nxjerrë nga Zjarri dhe t’i kthejë në dynja, por koha e pendimit dhe e reflektimit përfundon me jetën në dynja. I Lartësuari thotë: “Ata do të thonë: “O Zoti ynë! Ne na mundën të këqijat, prandaj u bëmë njerëz të humbur. O Zoti ynë! Na nxirr prej këtu! E, nëse gabojmë përsëri, atëherë, vërtet jemi të padrejtë.” Ai do t'u thotë: “Heshtni aty e mos më flisni! Disa prej robve të Mi thanë: “O Zoti ynë, ne besojmë. Prandaj na fal dhe na mëshiro, sepse Ti je më i miri i mëshiruesve!” Por ju i tallët ata, saqë ajo tallje ju bëri të harronit Mesazhin Tim. Ju qeshnit me ta. Unë do t'i shpërblej ata sot, sepse u treguan durimtarë. Ata janë, vërtet fitimtarët.” [Muminun 106 -111]. Atë ditë, idhujtarëve dhe mohuesve do t’u thuhet: “Atyre do t'u thuhet: “Lutjuni zotave tuaj!”. Ata do t'u luten atyre, por ata nuk do t'u përgjigjen dhe do të shohin Dënimin. Ah, sa do të dëshirojnë të kishin qenë në Rrugën e Drejtë! Atë Ditë, Ai (Allahu) do t’u thërrasë atyre e do t’u thotë: “Ç'përgjigje u keni dhënë të dërguarve të Mi?” Atë ditë, ata nuk do të mund të gjejnë përgjigje dhe nuk do të mund as të pyesin njëri -tjetrin. E, për sa i përket atij që është penduar (në këtë jetë) , që ka besuar dhe ka bërë vepra të mira, ai le të shpresojë se është nga të shpëtuarit. ” [Kasas 64 – 67]. Kështu, ai burrë besimtar (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i paralajmëroi ata për ndëshkimin e kësaj dite të frikshme e të vështirë, nëse ata nuk ndaleshin nga idhujtaria e mosbindja e tyre. Atë ditë, jobesimtarët nuk do të gjejnë asnjë rrugë për shpëtim: - Ditën kur, nga frika, do të sprapseni për të gjetur shpëtim, por nuk do të gjeni asnjë që t’ju mbrojë prej Allahut. – Kuptimi: Kur të rrëmbeheni për t’u hedhur në zjarrin e Xhehenemit, do të përpiqeni të ktheheni pas e të vraponi për të shpëtuar, por atë ditë askush nuk mund t’ju shpëtojë prej ndëshkimit të Allahut. Askush, veç Zotit, nuk mund t’ju shpëtojë e t’ju ndihmojë nga ndëshkimi, sikurse thuhet në një tjetër ajet: “S’ka dyshim se Ai është i Plotfuqishëm për ta rikthyer atë në jetë, Ditën kur të zbulohen të fshehtat, kur ai nuk do të ketë as forcë e as ndihmëtarë.” [Tarik 8 - 10]. - “Askush nuk mund ta udhëzojë atë që Allahu e lë në humbje. - Nuk do të gjesh udhëzues, sepse udhëzimi është në dorën e Allahut të Lartësuar. Nëse Allahu i Madhëruar, me diturinë dhe urtësinë e Tij, e lë jashtë udhëzimit, për shkak se ai nuk e meriton udhëzimin nga ligësia që fsheh në shpirtin e tij, atë nuk mund ta udhëzojë askush.

← Gafir 40:28