← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

40. Gafir · Ajeti 34 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 40:34–40:46

Populli kibt nuk u kishte besuar as pejgamberëve të mëparshëm, ata ishin të mashtruar gjithnjë prej sunduesve, faraonëve të tyre, e nuk besonin në pejgamber. Mirëpo, fjalët e atij besimtari kishin lënë përshtypje në masë, andaj faraoni urdhëroi t'i ndërtohet një ndërtesë e lartë, kinse do të arrijë në rrugët e qiejve e ta shohë se a ka zot tjetër pos atij dhe ashtu ta hutojë popullin. Besimtari i vazhdoi këshillat për t'i bindur se janë në rrugë të gabuar dhe se do t'i gjejë më e zeza, nëse nuk ndjekin rrugën e besimit, e më në fund, pas të gjitha këshillave, iu mbështet Allahut që ta ndihmojë dhe Ai e shpëtoi, e faraonin dhe ithtarët e tij i përfshiu dënimi më i rëndë.

Sipas ajetit 46 në të cilin përmendet se zjarri do t'i djegë në mëngjes e mbrëmje, kuptohet se fjala është për dënimin në varreza, pse në botën pas kësaj, nuk ka mëngjes a mbrëmje dhe pse në vazhdim të ajetit thuhet se në ditën e kijametit, në botën tjetër, urdhërohen engjëjt që faraonin dhe ithtarët e tij t'i fusin në një dënim edhe më të rëndë, e nga kjo kuptohet se ata ishin në një dënim, atëherë futen në një tjetër edhe më të rëndë. Pra ishin në varreza të ndëshkuar, e me këtë vërtetohet se jeta në varreza ka shpërblim ose ndëshkim.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 40:30–40:35

Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na tregon për një besimtar nga familja e Faraonit, për ftesën që ai i drejtoi popullit të vet, si dhe paralajmërimin për ndëshkimin e Zotit, në dynja dhe në ahiret. I Lartësuari thotë: - “Ndërkaq, ai që kishte besuar, tha: “O populli im! Unë kam frikë se do t’ju godasë ndonjë dënim, ashtu si popujt e mëparshëm ...” - Besimtari i drejtohet palës së Faraonit dhe u thotë: “O populli im! Unë kam frikë se do t’ju godasë ndonjë dënim, ashtu si popujt e mëparshëm.” Pra, si ata popuj të kohëve të hershme, të cilët refuzuan profetët e tyre dhe i quajtën trillues e mashtrues. - “... diçka si dënimi i popullit të Nuhut, i Adit, i Themudit dhe i brezave që erdhën pas tyre.” - Unë kam frikë për ju një përfundim të hidhur dhe të dhimbshëm, të ngjashëm me atë që përjetuan të gjithë ata popuj. Kujtoni se si goditi ashpër mbi ta zemërimi dhe ndëshkimi i Allahut dhe asgjë nuk e ktheu atë pas , apo ta shmangte prej tyre. - “Allahu kurrë nuk dëshiron padrejtësi për robërit e Tij.” - Allahu i Lartësuar nuk u bëri asnjë padrejtësi atyre popujve, por i ndëshkoi ata siç e meritonin, për shkak të refuzimit që ata i b ënë profetëve të tyre, - paqja e Zotit qoftë me të gjithë ata! - “O populli im! Unë kam frikë për ju Ditën e Thirrjeve ...” - Ky është një nga emrat e Ditës së Kijametit: ‘Et-Tenad’, pra, Dita e Thirrjeve. Çfarë janë keto thirrje. Kush do të thërrasë dhe kë do të thërrasë? Njerëzit do të vrapojnë për të gjetur shpëtim dhe do t’i thërrasin njëri -tjetrit, nga tmerri i madh që do të përjetojnë në atë ditë. Banorët e Xhenetit do t’i thërrasin njëri - tjetrit. Po kështu edhe banorët e Zjarrit do t’i thërrasin, qortojnë e mallkojnë njëri - tjetrin. Ajo është një ditë që do të ketë thirrje të shumta. 20 E para thirrje është ajo që Allahu i Lartësuar i drejton Ademit (a.s.). Ebu Said Hudriu tregon se Profeti ka rrëfyer: “Allahu i Madhëruar do të thotë (Ditën e Kijametit): “O Adem!” Ademi do të përgjigjet: “ Lebbejke ue Sea’dejke (Ja ku jam, të përgjigjem!) E gjithë mirësia është në dorën Tënde!)” Allahu do t’i thotë: ‘Nxirri mënjanë njerëzit që do të hyjnë në Zjarr!” Ademi do t’i thotë: ‘O Allah, sa do të jenë njerëzit e Zjarrit?’ Allahu do t’i thotë: ‘Në çdo një mijë vetë, nxirr 999 për t’i futur në Zjarr, e një për në Xhenet!’ Ajo

është dita kur edhe fëmija do të thinjet dhe çdo shtatzënë do ta nxjerrë para kohe barrën e vet. Ju do t’i shihni njerëzit që duken si turmë të dehurish, ndonëse nuk janë të dehur. Dënimi i Allahut do të jetë shumë i ashpër.” Shokët e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, kush do të jetë ai ‘njëri’ prej nesh (që do të shpëtojë nga Zjarri)?” Ai ﷺ tha: “Gëzohuni për sihariqin, pasi një do të jetë prej jush dhe një mijë do të jenë nga jexhuxhët dhe mexhuxhët.” Pastaj Profeti ﷺ tha: “(Betohem) për Atë, në duart e të Cilit është jeta ime! Shpresoj shumë që ju të jeni çereku i banorëve të Xhenetit!” Pastaj shtoi: “Shpresoj shumë që ju të jeni një e treta e banorëve të Xhenetit!” Ne thirrëm ‘ Allahu Ekber!’ Ai vazhdoi: “Shpresoj shumë që ju të jeni gjysma e banorëve të Xhenetit.” Ne thirrëm: “Allahu Ekber” Pastaj Profeti ﷺ tha: “Ju (muslimanët) jeni si një qime e zezë në lëkurën e një kau të bardhë ose si një qime e bardhë në lëkurën e një kau të zi.” Gjithashtu, Allahu i Lartësuar i drejto - het gjithë krijesave kur çështja të ketë marë fund. “Në dy Sahih-ët është hadithi: “Ditën e Kijametit, Vdekja do të sillet në formën e një dashi me brirë dhe do të theret mes Xhenetit dhe Zjarrit. Pastaj do të thuhet: “O banorë të Xhenetit! Tashmë do të ketë përjetësi dhe nuk do të ketë më vdekje! O banorë të Zjarrit! Tashmë do të ketë përjetësi dhe nuk do të ketë më vdekje!” ” [Buhari e Muslimi]. Atë ditë do të thërrasë një thirrës që, çdokush të shkojë pas asaj që ka adhuruar në jetën e dynjasë, sikurse vjen në hadith. Të shumta do të jenë edhe thirrjet e njerëzve mes njëri -tjetrit. Banorët e Xhenetit do t’u thërrasin banorëve të Zjarrit, siç thotë i Lartësuari: “Banorët e Xhenetit do t'u thërrasin banorëve të Zjarrit e do t'u thonë: “Ne e gjetëm të vërtetë atë që na kishte premtuar Zoti ynë. Po ju, a e gjetët të vërtetë atë që ju kishte premtuar Zoti juaj?” Ata do të thonë: “Po”. Atëherë, një thirrës do të shpallë mes tyre: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi zullumqarët!"” [Earaf 44]; Banorët e Zjarrit u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Banorët e Zjarrit do t'u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Na jepni ndopak ujë ose diçka nga ato që ju ka dhënë Allahu!” Ata do të përgjigjen: “Allahu i ka ndaluar këto gjëra për jobesimtarët!”” [Earaf 50] ; Banorët e Earafit do t’u flasin banorëve të Zjarrit dhe banorëve të Xhenetit: “Mes tyre (dy grupeve) do të jetë një mur ndarës, mbi të cilin do të qëndrojnë burra që e njohin secilin grup sipas shenjave të tyre. Ata do t'u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Selami qoftë mbi ju!”. Ata nuk do të kenë hyrë në të, por do të shpresojnë. Kur shikimi i tyre do të shkojë nga ata të Xhehenemit, do të thonë: “Zoti ynë, mos na bashko me keqbërësit!” Këta të murit do t'u thërrasin pastaj disa burrave të tjerë, që do t'i njohin nga shenjat e tyre, dhe t'u thonë: “Sa ju vlejti ajo që grumbullonit dhe mendjema - dhësia që tregonit? Ja. A nuk janë këta njerëzit për të cilët ju betoheshit se mëshira e Allahut nuk kishte për t’i përfshirë kurrë?”. Hyni në Xhenet, se për ju nuk do të ketë as frikë e as brenga!” [Earaf 46 - 49]. Banorët e Zjarrit do t’i thërrasin rojes së Xhehenemit,: “Ata do të thërrasin: “O Ma - lik! Le të na e marrë shpirtin Zoti yt!”. Ai u thotë: “Aty do të jeni përgjithmonë. ” [Zuhruf 77]. Banorët e Zjarrit do t’i thërrasin vetë Zotit e kërkojnë mëshirë e shpëtim: “Ata do të thonë: “O Zoti ynë! Ne na mundën të këqijat, prandaj u bëmë njerëz të humbur. O Zoti ynë! Na nxirr prej këtu! E, nëse gabojmë përsëri, atëherë, vërtet jemi të padrejtë.”” [Muminun 106, 107]. Idhujtarët do t’u thërrasin e luten idhujve të tyre, por nuk do të gjejnë shpëtim: “Ata, të cilët e merituan dënimin, do të thonë (për ata që i çuan në humbje): “O Zoti ynë! Këta janë ata që ne i devijuam (nga e vërteta). Ne i devi - juam ata siç devijuam edhe veten tonë. Ne tashmë distancohemi para Teje (e dëshmojmë) se ata nuk na adhuronin ne.” Atyre do t'u thuhet: “Lutjuni zotave tuaj!”. Ata do t'u luten atyre, por ata nuk do t'u përgjigjen dhe do të shohin Dënimin. Ah, sa do të dëshi - rojnë të kishin qenë në Rrugën e Drejtë! Atë Ditë, Ai (Allahu) do t’u thërrasë atyre e do t’u thotë: “Ç'përgjigje u keni dhënë të

dërguarve të Mi?” ” [Kasas 63 - 65]. Në vijim Allahu i Lartësuar thotë: - “... ditën kur, nga frika, do të sprapseni për të gjetur shpëtim ...” - Domethënë, do të ikin duke vrapuar e plot frikë, por - sikurse thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Atë ditë, njeriu do të thotë: “Ku të fshihem (që të shpëtoj)?” Jo, nuk ka se ku të fshihet. Atë ditë, vetëm te Zoti yt është kthimi.” [Kijame 10 - 12]. - ... por nuk do të gjeni asnjë, që t’ju mbrojë prej Allahut.” - Atë ditë, ju do të vraponi, por nuk do të ketë asnjë që t’ju mbrojë prej ndëshkimit dhe zemërimit të Allahut. - “Askush nuk mund ta udhëzojë atë që Allahu e lë në humbje.” - Nuk ka udhëzues për atë që e ka humbur Allahu i Madhëruar. - “Më parë ju erdhi Jusufi me argumente të qarta ..” - Allahu i Madhëruar dërgoi Jusufin ndër banorët e Egjiptit, përpara Musait (paqja e Zotit qoftë mbi ata të dy!), dhe ata nuk iu bindën Jusufit, përveç marrëveshjes për të drejtuar në çështjet e kësaj bote. - “... por ju nuk reshtët së dyshuari për mesazhin që ju solli ai. Në fund, kur vdiq ai, ju thatë: “Allahu nuk do të dërgojë asnjë profet pas tij.” - Ata e humbën shpresën dhe, duke shprehur këtë, thanë që Zoti nuk do të dërgojë më ndonjë profet dhe lajmëtar pas Jusufit. Kjo ndodhi për shkak të mosbesimit dhe refuzimit të të vërtetës dhe profetëve, që Zoti dërgoi ndër ta. - “Kështu, Allahu e lë në humbje këdo që e tepron dhe jeton me dyshime.” - Pra, ata të cilët janë të ngjashëm me ju. Ju jeni si ata që Allahu i lë në humbje, si ndëshkim i merituar për teprimin me vepra të liga dhe dyshimet rreth të vërtetës, që kanë pushtuar zemrat e tyre. - “Ata që polemizojnë rreth argumenteve të Allahut, pa pasur asnjë fakt ...” – Domethënë, ata të cilët përpiqen të hedhin poshtë të vërtetën, përmes kotësirave, pa asnjë argument dhe fakt, Allahu Krenar, Ngadhënjimtar dhe i Lartësuar i urren shumë ata: - “... janë shumë të urryer për Allahun dhe për besimtarët.” - Kështu, përveç zemërimit dhe urrejtjes së Allahut, këta meritojnë edhe zemërimin dhe urrejtjen e besimtarëve, të cilët urrejnë atë që e urren Zoti. Besimtarët i urrejnë të gjithë ata që kanë të tilla cilësi dhe Allahu i Madhëruar ka për t’i vulosur zemrat e mohuesve dhe refuzuesve të të vërtetës, si ndëshkim i merituar për ta. Kështu, ata zemër -vulosur nuk njohin dhe as munden të dallojnë të mirën; ata nuk e urrejnë dhe, rrjedhimisht, t’i largohen të keqes dhe ligësisë, prandaj i Lartësuari thotë: - “Kështu e vulos Allahu çdo zemër mendjemadhi e krimineli.” - Atë që është mendjemadh, kryeneç, që refuzon të pasojë të vërtetën dhe është ‘ xhebar’. Katadja shpjegon se “ xhebar” quhet krimineli, që vret padrejtësisht. Allahu i Lartësuar është më i ditur.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 40:34

- “Më parë ju erdhi Jusufi me argumente të qarta, por ju nuk rreshtët së dyshuari për mesazhin që ju solli ai. - Kuptimi: Para ardhjes së Musait (a.s), juve ju erdhi Jusufi, biri i Jakubit (a.s.), me argumente e shenja të qarta, që tregonin vërtetësinë e besnikërinë e tij si profet i Zotit. Ai ju urdhëroi për adhurimin e Zotit si Një të vetëm dhe të pashoq. Por ju, gjatë kohës kur Jusufi ishte gjallë, kishit dyshime rreth mesazhit të tij, ndërsa kur ai vdiq, dyshimi dhe mosbesimi juaj u shtuan edhe më shumë, e ju u zhytët më thellë në idhujtarinë tuaj. - “Më në fund, kur vdiq ai, ju thatë: “Asnjë Profet nuk do të dërgojë Allahu pas tij.” - Ky ishte mendimi juaj i gabuar, i cili ishte njëkohësisht fyerje dhe shpifje ndaj madhështisë së Zotit të Plotpushtetshëm. Kjo është një shpifje e shëmtuar, sepse Allahu i Urtë dhe i Pastër nga çdo e metë, nuk do t’i linte kurrë robtë të çoroditur dhe të shpërfillur, pa u vendosur urdhra, ndalesa e kufij, që t’u përmbaheshin. Ai nuk do t’i linte pa u dërguar profetë, që do t’u tregonin krijesave rrugën ku duhet të ecnin dhe mënyrën si duhet të jetonin. Pretendimi se Zoti nuk ka dërguar profetë është i gabuar, i padrejtë dhe një devijim total nga e vërteta. - “Kështu, Allahu e lë në humbje këdo që e tepron dhe jeton me dyshime. ” - Ky është përshkrimi real i tyre. Cilësia që ata padrejtësisht i mvishnin Musait ishte në të vërtetë cilësi dalluese e tyre. Ishin pikërisht ata tejkalues të kufirit, mashtrues dhe refuzues të së vërtetës. Ishin ata që i shkelnin kufijtë e Zotit, duke braktisur të vërtetën dhe trumbetuar të kotën. Pikërisht ata shpifën ndaj Allahut dhe mohuan profetët e Tij. Kësisoj, ata që kanë si cilësi të tyre teprimin dhe gënjeshtrën nuk udhëzohen nga Allahu i Madhëruar, sepse këta lloj njerëzish e refuzojnë të vërtetën edhe pasi ajo iu bëhet e qartë. Ndëshkimi i merituar i këtyre është që Allahu të mos i udhëzojë, por t’i privojë nga rruga e drejtë. Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë: “Ne do t'ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë, dhe do t'i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre. Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën) .” [En’am, 110 - 111]. Ose: “ Por kur ata devijuan, edhe Allahu ua devijoi zemrat. Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë një popull që kalon kufijtë. " [Saf, ajeti 5]. Ndërsa në suren Bekare, ajeti 258, thotë: “...Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit e padrejtë.” Pastaj Allahu i Madhëruar përmend disa cilësi të këtyre gënjeshtarëve, që tejkalojnë kufijtë e Zotit.

← Gafir 40:34