فَلَمۡ يَكُ يَنفَعُهُمۡ إِيمَٰنُهُمۡ لَمَّا رَأَوۡاْ بَأۡسَنَاۖ سُنَّتَ ٱللَّهِ ٱلَّتِي قَدۡ خَلَتۡ فِي عِبَادِهِۦۖ وَخَسِرَ هُنَالِكَ ٱلۡكَٰفِرُونَ
Por besimi i tyre, kur e vërejtën dënimin tonë, nuk u bëri dobi. Ky është ligj i All-llahut (i kahershëm) ndaj robërve të Tij dhe aty, në atë çast, pësuan disfatë jobesimtarët.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Allahu, i cili e krijoi njeriun e parë prej dheut, e pasardhësit e tij prej një pikëze uji, e përshkruan jetën e njeriut në tri etapa: “në fëmijëri, në pjekuri, e cila arrin në vitet e katërdhjeta dhe në pleqëri në të cilën nis dobësimi fizik e dikur edhe ai mendor. Atyre që nuk besuan argumentet e Allahut, refuzuan mësimet e pejgamberëve, u mbështetën në diçka tjetër e jo në Zotin, i gëzoheshin punës së keqe dhe mëkatit, do t’iu vihen pranga në qafa e me zinxhir tërhiqen për në zjarr, edhe pse në atë moment do të mohojnë çdo adhurim tjetër pos Zotit. Pejgamberit i thuhet, se ndonjë nga dënimet e Zotit të caktuara kundër armiqve mund t’i shohësh, por edhe ndodh të mos i shohësh, por të gjithë ata do të paraqiten pranë Zotit dhe Ai do të ndërmarrë masat ndëshkuese, që ata meritojnë. Për disa pejgamberë Zoti i tregoi Muhamedit a.s. se si ishte gjendja e tyre, e për disa nuk i tregoi. Nga kjo kuptohet se përpos pejgamberëve të përmendur në Kuran ka pasur edhe të tjerë, numrin e të cilëve e di vetëm Zoti. Në një hadith thuhet se ishin njëqind e njëzet e katër mijë. Kuptohet edhe ajo, se pejgamberët nuk kishin mundësi të shfaqin ndonjë mrekulli nga vetvetja, por vetëm më urdhrin dhe me lejen e Zotit. Besimi në zotin, kur njeriu i humb të gjitha shpresat për jetën, nuk vlen. Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures Gafir. Lavdëruar qoftë Allahu i Madhëruar!