41. Fusilet · Ajeti 1 · Tefsir
Hyrja e sures Fusilet Sherif Ahmeti
E zbritur në Meke, pas sures Gafir, ajete 54
Sipas Fahrur Raziut e tërë kjo sure, prej fillimit e deri në mbarim, është një periudhë, fjalitë e së cilës janë të lidhura njëra me tjetrën dhe kanë si tematikë Kur'anin e shpallur prej Zotit dhe kundërthëniet e idhujtarëve, të cilët thoshin se nuk po e kuptojnë edhe pse ishte në gjuhën e tyre arabe.
Meqë Kur'ani vërteton për Pejgamberin se është njeri, por i zgjedhur prej Zotit dhe i dërguar që të thërrasë në rrugën e drejtë të Allahut, i bën një vështrim injorancës e së kundërshtarëve, të cilët nuk shikonin dhe nuk mendonin faktet ekzistuese, të cilat dokumentojnë për fuqinë dhe madhërinë e Zotit krijues, por mbeten në errësirat e mohimit.
Përshkruhen disfatat e kundërshtarëve të së vërtetës në këtë jetë dhe mjerimi që i pret në botën tjetër. Mandej, përshkruhet gjendja e besimtarëve të drejtë e bamirës si në momentin e vdekjes, në jetën e varrezave dhe në ditën e kijametit, kur do të gjejnë shpëtim të përjetshëm në xhennet.
Njerëzve, mendja e të cilëve nuk është në gjendje të pranojë gjithë atë që e thotë Kur'ani, por dëshirojnë të binden me fakte të logjikshme, Kur'ani u thotë: Do të ndihmoni njëri-tjetrin me prova të njëpasnjëshme në zhvillimin tuaj mendor dhe ashtu do të arrini të zbuloni disa sekrete të ligjeve që mbizotërojnë në gjithësi dhe të ligjeve që funksionojnë në vetë qenien tuaj derisa vetë ju, njerëzit do të dokumentoni se atë që e ka thënë Zoti në Kur'an është e vërtetë e saktë andaj çdo thënie e Kur'anit duhet pranuar bindshëm derisa atë e ka thënë Zoti, edhe pse disa çështje ekzistuese mendja ende nuk ka arritur t'i kuptojë.
Quhet: "Suretu Fussilet'' - kaptina e shkoqitjeve, sqarimeve, ngase Allahu sqaroi argumente për Njësinë e Vet, për fuqinë e Vet të pakufishme dhe solli argumente për Kur'anin se është shpallje e Zotit, e cila iu kumtua Pejgamberit të fundit, Muhammedit, birit të Abdullahut a.s.
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 41:1–41:18
Kur'ani i shpallur prej Zotit Mëshirues është begati e madhe për njerëz, është libër që shkoqit të gjitha çështjet e jetës në mënyrë shumë të qartë. Qëllimi i tij është që njerëzit t'i vërë në rrugën e drejtë, në rrugën e shpëtimit. Mirëpo, idhujtarët edhe pse Kur'ani ishte në gjuhën e tyre arabe, nuk deshën ta dëgjojnë me vëmendje, e aq më tepër thoshin se nuk po na hyn në zemër, nuk po e dëgjojmë me vesh dhe refuzuan mësimet e tij.
Përmendet krijimi i tokës brenda dy ditëve, rregullimi i begative të saj siç janë kodrat që mbajnë ekuilibrin e tokës, lumenjtë, bimët dhe i të gjitha atyre që i nevojiten jetesës së gjallesave në të për dy ditë, e edhe krijimi e regullimi i qiejve për dy ditë, ashtu që i tërë krijimi është kryer për gjashtë ditë, si përmendet edhe në ajete të tjera të Kur'anit.
Për tokën përmenden dy periudha, ajo e krijimit të materies dhe ajo e rregullimit të saj. Për qiejt përmendet thënia: Pastaj, mandej (thumme) e që mund të mendohet se qiejt u krijuan pas tokës. Kjo çështje mund të zgjidhet në dy mënyra: fjala, pastaj, mandej (thumme), nuk ka qëllim periodik kohe të mëvonshme, por ka për qëllim renditje në të përmendur që do të thotë: përmendet i një send e pastaj përmendet edhe një send që të dy janë të një kohe, vetëm se njëri përmendet pas tjetrit. Ose krijimi i materies së tokës dhe të qiellit u bë më parë, kurse rregullimi i tokës i më vonë. Ditët e përmendura sigurisht kanë të bëjnë me periudha për të cilat di vetëm Zoti.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 41:1–41:5
- “Ha, Mim. Kjo është Shpallje prej të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. ” - Kurani ka zbritur prej të Gjithëmëshirë - shmit, Mëshirëplotit. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Thuaj: “Atë (Kuranin) e solli “Ruhul Kudus” - Shpirti i Shenjtë (Xhibrili) - plot vërtetësi nga Zoti yt, për t’i përforcuar ata që besuan dhe për të qenë udhërrëfyes e përgëzim për mysli - manët.” [Nahl 102]. Ose: “Pa dyshim, ky (Kurani) është shpallje e Zotit të Botëve. Atë e solli Shpirti Besnik (Xhibrili) në
zemrën tënde, për t’u bërë paralajmërues, me një gjuhë të kulluar arabe. Pa dyshim, ai është i përmendur edhe në Librat e mëparshëm.” [Shuara 192 - 196]. - “Libër, ajetet e të cilit janë shpjeguar me hollësi ...” - Janë shtjelluar qartë kuptimet dhe ligjet e tij të drejta. - “... një Kuran në arabisht ...” - Kurani është i qartë dhe i shtjelluar. Termat e tij janë të kuptueshme dhe jo të ngatërruara apo të pakuptueshme. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “ Elif, Lam, Ra . Libër, ajetet e të cilit u zbritën plot urtësi dhe pastaj u shtjelluan nga ana e Atij që është i Urtë e i Gjithëditur.” [Hud 1]. Domethënë, Kurani është mrekulli qoftë në termat e tij, qoftë në kuptimet që përcjell. I Madhëruari thotë, gjithashtu: “Atij (Kuranit) nuk mund t’i atribuohet e pavërteta nga asnjë anë. Ai është Shpallje prej të Urtit, të Lavdëruarit.” [Fusilet 42]. - “... për njerëzit që kuptojnë ...” - Në fakt, ata që e njohin qartësinë e këtij libri janë dijetarët, ata të thelluarit në dituri. - “Që jep sihariqe dhe paralajmërime ...” - Ai është përgëzues, sjellës i lajmeve të mira për besimtarët, por edhe paralajmërues dhe kërcënues për mohuesit. - “... por shumica e tyre i kthejnë shpinën dhe nuk dëgjojnë.” - Shumica e kurejshëve nuk e kuptojnë, me gjithë shpjegimet e qarta dhe madhështinë e tij. - “Ata thonë: “Zemrat tona janë të mbyllura për atë që ti na fton ...” - Zemrat tona janë të mbuluara, kanë mbulesë. - “... veshët tanë janë shurdhuar keq ...” - Veshët na janë shurdhuar, prandaj nuk mund ta dëgjojmë mesazhin, që ti ke sjellë besnikërisht nga Zoti. - “... dhe ndërmjet nesh dhe teje ka një perde.” - Domethënë, tek ne nuk vjen asgjë prej atyre që ti përcjell. - “Prandaj ti vepro siç do vetë, kurse ne do vazhdojmë me tonën! ” - Ti puno sipas rrugës tënde dhe ne sipas rrugës tonë, pa të ndjekur nga pas. Imami dhe dijetari i njohur Abd Ibn Humejd sjell në Musned-in e tij hadithin nga Xhabir Ibn Abdilah (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), që tregon se: 2309. njëherë, kurejshët u mblodhën dhe thanë: “Shihni se cili është më i dituri në fushën e magjisë, fallit dhe në fushat e tjera dhe të shkojë tek ai burrë, i cili po na përçan dhe po prish unitetin tonë. Ai po trazon çështjet tona dhe përflet fenë tonë. Le të shkojë dhe të flasë me të dhe të shikojmë se çfarë përgjigje do të japë!” Njerëzit thanë: “Nuk njohim ndonjë më të ditur se Utbeh Ibn Rabiah.” Kështu, shkuan dhe i thanë atij: “O Ebu Uelid! Shko tek ai dhe na trego!” Dhe Utbeh shkoi dhe i tha P rofetit ﷺ“ : O Muhamed! Ti je më i mirë apo Abdullahi?” Profeti heshti. Ai vazhdoi: “Ti je më i mirë apo Abdul Mutalibi?” Profeti i Allahut sërish heshti. Ai vazhdoi: “Nëse mendon se këta që të përmenda janë më të mirë se ty, atëherë dije se ata kanë adhuruar të njëjtët idhuj, që ti i përflet. Por, nëse pretendon se ti je më i mirë se ata, atëherë fol, që ta dëgjojmë fjalën! Betohem në Allah se nuk kemi parë e dëgjuar kurrë njollosje më të madhe për popullin tonë, se shfaqja jote dhe ajo që ke sjellë ti. Ti prishe unitetin tonë, trazove çështjet tona, përfole fenë tonë dhe na turpërove mes gjithë arabëve, aq sa mes njerëzve ka filluar të përflitet se në mesin e kurejshëve është një magjistar ose fallxhor. Betohem në Zot se tashmë nuk presim gjë tjetër, veçse të dëgjojmë një britmë, si britma e dhimbjeve të gruas gjatë lindjes, dhe të brofim e të ngrejmë shpatat kundër njëri-tjetrit, derisa të shfarosemi që të gjithë. O burrë! Nëse ke ndonjë nevojë, atëherë kemi për të mbledhur pasuri që të gjithë dhe ti të bëhesh kurejshi më i pasur ndër ne. Nëse dëshiron të martohesh, ja ku po të them se mund të zgjedhësh cilën grua kurejshe që të dëshirosh, madje do të martojmë me dhjetë të tilla.” Atëherë, Profeti i Allahut i tha: “A mbarove? ” Ai tha: “ Po .“ Atëherë Profeti i Allahut vijoi të lexojë fillimin e sures Fussilet (13 ajetet e para): Me emrin e Allahut, të Gjithmë - shirshmit, Mëshirëplotit! Ha, Mim. K jo është Shpallje prej të Gjith mëshirshmit, Mëshirëplotit. Libër, ajetet e të cilit janë
shpjeguar me hollësi; një Kuran në arabisht, për njerëzit që kuptojnë, që jep sihariqe dhe paralajmërime, por shumica e tyre i kthejnë shpinën dhe nuk dëgjojnë. Ata thonë: “Zemrat tona janë të mbyllura për atë që ti na fton, veshët tanë janë shurdhuar keq dhe ndërmjet nesh dhe teje ka një perde. Prandaj ti vepro siç do vetë, kurse ne do vazhdojmë me tonën!” Thuaj: “Unë jam veçse një njeri, sikurse edhe ju. Mua më shpallet se Ai që meriton adhurimin tuaj është Allahu Një dhe i Vetëm. Prandaj përqendrohuni në rrugën drejt Tij dhe kërkoni falje prej Tij! Mjerë për ata, që adhurojnë zota të tjerë veç Tij, e që nuk e japin zekatin dhe mohojnë edhe jetën tjetër. Nuk ka dyshim se ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira kanë shpërblim të pandërprerë. Thuaju: “A ju jeni ata që nuk i besoni Atij, që e krijoi Tokën për dy ditë dhe i shoqëroni Atij shok?! Ai është Zoti i botëve. Është Ai që vuri në Tokë male të fuqishme, e bekoi atë (Tokën) me të mira dhe brenda katër ditëve vendosi të gjitha kushtet për të jetuar në të.” Ky është shpjegimi për ata që pyesin. Më pas, Ai iu drejtua qiellit, i cili ishte si tym dhe i tha atij dhe Tokës: “Bindjuni urdhrit Tim, me hir a me pahir!” Të dy thanë: “Po, i bindemi me dëshirë.”Ai krijoi shtatë qiej brenda dy ditëve, duke i caktuar secilit qiell detyrën dhe urdhrin e tij. Ne e zbukuruam Qiellin më të afërt me drita dhe e bëmë të mbrojtur. I tillë është Krijimi (e përcaktimi) i të Plotfuqishmit të Gjithëditur. Por në qoftë se ata shmangen, ti thuaju: “Ju paralajmëroj për një rrufe, si rrufeja e Adit dhe Themudit." [Fussilet 1 - 13]. Atëherë, Utbeja tha me ngut: “Mjaft! Nuk ke gjë tjetër veç kësaj?” – “Jo”, - i tha Profeti i Allahut: Atëherë, ai u kthye tek kurejshët, të cilët e pyetën: “Çfarë do të na tregosh?” Ai tha: “Nuk lashë gjë, të cilën mendova se ju do t’ia thoshnit, pa ia thënë atij njeriu.” - “A more ndonjë përgjigje?” - “Po”. - “A kuptove gjë nga ajo që të tha?” - “Jo, betohem në atë që ndërtoi Tokën dhe qiejt, nuk kuptova asgjë nga ato që ai tha, përveç se ai ju kërcënon me një rrufe, njëlloj si rrufeja e Adit dhe Themudit.” Ata i thanë: “Ah, more i mjerë! Ai të foli arabisht, kurse ti nuk e di se çfarë të tha?!” Ai tha: “Jo, për Zotin, nuk kuptova asgjë nga ajo që tha, përveç rrufesë, që përmendi.” Këtë e ka transmetuar El Hafidh Ebu Ja’ala el Meu - silij në Musned-in e tij, pothuajse njëlloj si ky transmetim. Po këtë ka sjellë edhe El Begaviju në Tefsir-in e tij, me sened nga Xhabir Ibn Abdilah (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Ky variant është i ngjashëm deri tek ajetet kuranore, me shtojcën: 2310. “... Atëherë, Utbeja vuri dorën mbi gojën e Profetit ﷺ , duke iu përgjëruar që të ndalonte. Pastaj u kthye tek familja e vet, pa vajtur te kurejshët. Për disa kohë nuk i takoi ata, duke qëndruar i veçuar e i fshehur. Për këtë arsye, Ebu Xhehli tha: “O kurejshë! Besoj që Utbeja ka tradhtuar fenë tonë, për të pasuar Muhamedin! Me sa duket, i pëlqeu ushqimi i tij ... Mendoj se e ka bërë ngaqë ka patur ndonjë nevojë, prandaj ejani të shkojmë tek ai!” Atje, Ebu Xhehli i tha Utbes: “ O Utbeh! Përse na je shmangur? Mendoj se ti po na shmangesh për shkak se ke braktisur fenë tënde, për të pranuar fenë e Muhamedit dhe, me sa duket, të ka pëlqyer ushqimi i tij. Nëse ke ndonjë nevojë, atëherë do të mbledhim për ty të gjithë pasurinë tonë, që të mos kesh nevojë për ushqimin që të ofron Muhamedi.” Utbeja u zemërua nga këto fjalë thumbuese dhe u betua që nuk do t’i fliste Muhamedit kurrë. Pastaj tha: “Ju e dini shumë mirë që unë jam ndër më të pasurit e kurejshëve, por kur unë shkova dhe i fola, ai m’u përgjigj me diçka, për të cilën betohem në Zot se nuk është vjershë, as fall dhe as magji.” Pastaj lexoi suren, deri tek fjala e Allahut të Lartësuar: “Por në qoftë se ata shmangen, ti thuaju: “Ju paralajmëroj për një rrufe, si rrufeja e Adit dhe Themudit.” Këtu ia mbylla gojën me dorë dhe iu luta që të ndalonte. Ju e dini mirë se kur Muhamedi thotë diçka, kurrë nuk gënjen, prandaj pata frikë se do të zbriste mbi ju ndonjë ndëshkim nga Zoti.” Ndërsa në rivajetin e sjellë nga Muhamed Ibn Is’haku thuhet:
2311. “... Ç’lajme na ka sjellë, o Ebu Uelid?” Ai iu përgjigj: “Unë dëgjova një fjalë dhe, për Zotin, po ju them se nuk kam dëgjuar kurrë diçka të ngjashme me të. Për Zotin, ajo fjalë nuk është magji, as poezi dhe as fall. O kurejshë! Dëgjoni këshillën time! Lëreni atë burrë në çështjen e tij, distancohuni prej tij dhe ju betohem në Zot se, me ato fjalë që dëgjova prej tij, ai do të bëjë histori. Nëse e luftojnë arabët dhe i japin fund, atëherë i keni larë duart me të, pa qenë e nevojshme të luftoni vetë. Nëse ai fiton mbi arabët, atëherë sundimi, pasuria dhe mbretërimi i tij është edhe mbretërimi juaj. Krenaria e tij është edhe krenaria juaj dhe ju do të jeni njerëzit më të lumtur me të.” Por ata i thanë: “Për Zotin, të paska magjepsur me gjuhën e tij, o Ebu Uelid!” Kurse ai ua ktheu: “Ky është mendimi im, por ju bëni çfarë të doni.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 41:1–41:8
- “Ha, Mim. Kjo është Shpallje prej të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. ” - Allahu i Lartësuar u tregon besimtarëve, adhuruesve të Tij, se ky Kuran i bukur dhe madhështor është Shpallje e Atij, që është El Rahman dhe El Rahim , i Gjithëmëshirshmi e Mëshirëploti. Mëshira e Allahut ka përfshirë gjithçka. Ndër shenjat më të mëdha të mëshirës së Tij është edhe shpallja e Kur'anit madhështor. Dituria, udhëzimi, drita, shërimi, mëshira dhe mirësitë e këtij libri janë aq të shumta dhe të mrekullueshme, saqë ai e meriton të quhet si begatia dhe bekimi më i madh që i është dhuruar botës dhe robve. Ai është rruga drejt lumturisë në dynja dhe ahiret. Më pas, Allahu i Lartësuar e lëvdon këtë libër, duke treguar se ai është shpallur në formën më të plotë dhe më të bukur: - “Një Libër, ajetet e të cilit janë shpjeguar me hollësi, një Kur'an në arabisht...” – Kur'ani ka shtjelluar dhe sqaruar çdo çështje në mënyrë të plotë. Ajeti tregon se sqarimi i çështjeve të përmendura në këtë libër është i tërësishëm, duke përmendur çdo element të nevojshëm për të treguar vërtetësinë e gjërave.
Gjithashtu, Kur'ani është në arabisht, me një gjuhë të pastër, të qartë e të plotë. - “...për njerëzit që kuptojnë,.” – Ashtu sikurse janë të qarta fjalët dhe shprehjet e Kur'anit, po ashtu janë të qarta edhe kuptimet e përnxjerra prej tij. Në këtë mënyrë, ata që dinë do të mund të dallojnë udhën e drejtë nga e gabuara ose të vërtetën nga e kota. Ndërsa për injorantët, ky libër nuk bën dobi, por përkundrazi, ua shton humbjen, devijimin dhe verbërinë. Nga fjala e Zotit përfitojnë të diturit, ndërsa mohuesit e të padrejtët nuk përfitojnë prej saj, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Nuk ka dyshim se për ata që mohojnë Besimin, është njëlloj: i paralajmërove apo nuk i paralajmërove, ata nuk besojnë. Allahu ua ka vulosur zemrat dhe të dëgjuarit e tyre dhe në shikimet e tyre ka perde. Ata do të kenë dënim të madh.” [Bekare 6 - 7]. - “Që jep sihariqe dhe paralajmërime, por shumica e tyre (njerëzve) i kthejnë shpinën dhe nuk dëgjojnë.” – Kur'ani i përgëzon ata që e pranojnë dhe zbatojnë atë për shpërblime të shumta në dynja dhe ahiret. Por ai edhe paralajmëron për dënime të dhimbshme në jetën e dynjasë dhe në ahiret ata që e shpërfillin dhe nuk e vënë në zbatim. Megjithëse cilësitë e këtij libri bëjnë që ai të pranohet, të respektohet, të besohet dhe të zbatohet lehtësisht, shumica e krijesave i kthejnë shpinën atij me mendjemadhësi dhe mospërfillje. Ata nuk e dëgjojnë Kur'anin, me kuptimin që nuk e pranojnë atë, edhe pse mund ta dëgjojnë me veshë atë. Ose dëgjimi i tyre nuk u sjell dobi, madje zhvleftëson çdo lloj justifikimi para Zotit për moszbatimin e porosive të Tij. - “Ata thonë: “Zemrat tona janë të mbyllura për (të pranuar) atë që ti na fton, veshët tanë janë shurdhuar keq...”” - Kundërshtarët dhe armiqtë e së vërtetës, duke treguar shkakun e mospërfitimit prej ajeteve të Kur'anit, thonë: Zemrat tona janë të mbyllura, të kyçura e të vulosura, prandaj ne nuk mund ta kuptojmë dhe pranojnë atë. Veshët tanë – thonë ata - janë bllokuar, prandaj nuk mund t’i dëgjojmë porositë e Allahut. - “...dhe ndërmjet nesh dhe teje ka një perde.” – Kuptimi: Ne nuk mund të shohim. Në këtë mënyrë, ata shfaqin armiqësi të hapur ndaj Profetit (a.s.) dhe Shpalljes hyjnore. Nga ana tjetër, ata shprehin vetëkënaqësinë me gjendjen në të cilën ndodhen: - “...Prandaj ti vepro siç do vetë, kurse ne do vazhdojmë me tonën!” - Kuptimi: Ashtu sikurse ti je i kënaqur me veprat dhe përkushtimin në fenë tënde, edhe ne jemi të kënaqur me veprat në fenë tonë. Ky është tregues i humbjes së tyre të thellë, të cilën e shohin si lumturi dhe mirësi. Ata e shesin imanin për të blerë kufrin dhe sakrifikojnë ahiretin për të fituar diçka nga kjo dynja. - “Thuaj: “Unë jam veçse një njeri, sikurse edhe ju. Mua më shpallet se Ai që meriton adhurimin tuaj është Allahu Një dhe i Vetëm....” - Kuptimi: Thuaju atyre, o Profet, se kjo është detyra ime dhe këto janë cilësitë e mia. Unë jam një njeri, ashtu si ju, dhe nuk kam në dorë asnjë çështje. Edhe ndëshkimi, që ju e kërkoni me ngulm që t’ju përshpejtohet dhe ta shihni me sy, nuk është në dorën time. E vetmja veçori me të cilën Zoti më ka dalluar mua mbi ju, është shpallja e Kur'anit dhe Urtësisë, për të cilët më ka urdhëruar që të jetoj sipas tyre dhe t’ju ftoj edhe ju ta bëni një gjë të tillë. - “...Prandaj i qendroni besnikë Atij dhe kërkoni falje prej Tij!” - Kuptimi: Ndiqni rrugën e qartë dhe të drejtë, që ju çon drejt Zotit të Lartësuar, duke pohuar dhe besuar çdo lajm që Ai kumton, dhe duke ruajtur kufijtë e Tij, me zbatimin e urdhrave dhe largimin nga ndalesat, në shenjë dëshurie, nënshtrimi dhe madhërimi për Të. Vetëm kështu mund të quheni të përqendruar në rrugën e drejtë të Zotit. Në ajet thuhet: “...përqendrohuni në rrugën drejt Tij”, që nënkupton pajisjen me sinqeritet për Allahun e Madhëruar. Pra, shërbestarët e ahiretit duhet që me punën e tyre të synojnë vetëm kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. Qëllimi i tyre i vetëm të jetë arritja e takimit
me Allahun e Lartësuar dhe me Xhenetin e Tij, vendin ku Allahu do t’i begatojë me bujarinë e Tij. Në këtë mënyrë, pra, duke punuar sipas Shpalljes dhe porosisë së Zotit dhe duke i kryer këto punë me sinqeritet vetëm për të kënaqur Zotin, veprat e tyre do të jenë të mira, të pranueshme dhe të shpërblyeshme. Në të kundërt, nëse njëri nga këto kushte cenohet, veprat e tyre do të jenë të kota dhe të pavlefshme. Megjithatë, robi patjetër do të cenojë kushtet e qëndrueshmërisë ose duke lënë ndonjë urdhër pa kryer ose duke bërë ndonjë haram. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar porosit që këto mangësi të kurohen me kërkim faljeje dhe pendim të sinqertë sa herë që të ndodhin. Pastaj i Lartësuari i kërcënon ata që largohen nga rruga e drejtë, duke thënë: - “Mjerë për ata, që adhurojnë zota të tjerë veç Tij, e që nuk e japin zekatin dhe mohojnë edhe Jetën Tjetër!” - Mjerë për ata të cilët adhurojnë idhuj, të cilët nuk kanë në dorë as dëm e as dobi, as vdekje, as jetë e as ringjallje. Ata jo vetëm që nuk e pastrojnë vetveten, por zhyten më thellë në llumin dhe pisllëkun e idhujtarisë e mosbindjes. Ata nuk e pastrojnë veten nëpërmjet teuhidit, nuk e pastrojnë veten duke u pajisur me sinqeritet ndaj të vetmit Zot që meriton adhurimet, ndaj Allahut të Gjithëmëshirshëm. Ata nuk falin namaz dhe nuk japin zekatin. Ata nuk tregojnë bamirësi me krijesat, duke i ndihmuar dhe udhëzuar drejt. Përveç këtyre cilësive të ulta, ata nuk besojnë se do të ringjallen dhe as në ekzistencën e Xhenetit dhe Xhehenemit. Për këtë arsye, ata jepen tërësisht pas gjërave që i dëmtojnë dhe që do i dëshpërojnë në ahiret. Pasi foli për mohuesit, Allahu i Madhërishëm vijon me besimtarët, duke përshkruar cilësitë e tyre dhe shpërblimin që i pret: - “Nuk ka dyshim se ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira kanë shpërblim të pandërprerë.” - Ata që besojnë Kur'anin dhe gjithçka që mëson ai, pastaj e vërtetojnë këtë besim me vepra të mira, të sinqerta dhe në përputhje me porositë e Zotit të tyre, përgëzohen me një shpërblim të madh, i cili kurrë nuk ka për t’u ndërprerë dhe as për të mbaruar. Ai do të jetë i vazhdueshëm gjatë gjithë kohës, në përjetësi, madje do të shtohet dhe do të zbukurohet gjithnjë e më shumë në çdo çast që kalon. Në Xhenet do të kenë të gjitha llojet e kënaqësive dhe mirësive, që ata t’i shijojnë dhe dëshirojnë.