41. Fusilet · Ajeti 38

سورة فصّلت
Përkthimi Sherif Ahmeti
38

فَإِنِ ٱسۡتَكۡبَرُواْ فَٱلَّذِينَ عِندَ رَبِّكَ يُسَبِّحُونَ لَهُۥ بِٱلَّيۡلِ وَٱلنَّهَارِ وَهُمۡ لَا يَسۡـَٔمُونَ۩

Po nëse ata (kufarët) janë kryeneç (e nuk bëjnë sexhde), atëherë ata që janë pranë Zotit tënd (engjëjt më të lartë), Atij i bëjnë tesbih natën e ditën dhe ata nuk mërziten prej adhurimit.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Edhe në ajete të tjera të Kuranit, sikurse edhe në këta përmendet, se në Ditën e Gjykimit gjymtyrët e trupit të njeriut, siç janë veshi, syri dhe lëkura do të dëshmojnë për veprat që ka bërë njeriu. Ai Zot që pati fuqi ta krijojë njeriun për herë të parë, pa ekzistuar fare dhe pati fuqi ta ringjallë pasi të vdesë, ka fuqi t’u dhurojë të folurin edhe gjymtyrëve. Njerëzit kur bëjnë ndonjë punë të keqe fshihen prej masës e nuk e dinë, se për ato punë të bëra do të dëshmojnë gjymtyrët e tyre. Sipas kësaj nënkuptohet se njeriu asnjëherë nuk është pa përcjellës, megjithëse Zoti i di të gjitha. Shoku i keq ia miraton punët e këqija shokut të vet edhe në këtë jetë dhe e mashtron duke i thënë, se nuk ka botë tjetër, nuk ka përgjegjësi para Zotit dhe ashtu e çon drejt e në humnerë. Asi njerëzish të këqij pati ndër popuj dhe në të kaluarën e largët, pati edhe në kohën e Pejgamberit a.s., kur kundërshtarët, le që nuk e dëgjonin Kuranin kur ai lexohej dhe bënte fjalë për jetën e ardhshme,por i nxitnin edhe të tjerët që të ngrejnë zërin kundër tij, në mënyrë që të mos dëgjohet leximi i Kuranit, dhe të mos ketë ndonjë ndikim te dëgjuesit. Pra, e dinin se ai është mrekulli e Zotit dhe e dinin, se ai ka ndikim te njerëzit e urtë, por kryeneçësia nuk i lejonte ta pranojnë të vërtetën. Prandaj kundërshpërblimi i tyre ishte meritë e tyre. Të gjithë të mashtruarit prej shokëve të këqij do të kërkojnë prej Zotit, që t'iu sjellë pranë tyre mashtruesit, qofshin prej xhinëve, qofshin prej njerëzve e ti vënë nën këmbët e tyre, sepse ua panë sherrin dhe u ndëshkuan me zjarr. Besimtarët e sinqertë e të vendosur gjatë tërë jetës së tyre do të kenë pranë vetes në momentin e vdekjes engjëj të mëshirës, që do t’iu thonë: Mos kini frikë për ardhmërinë tuaj, mos u pikëlloni që u ndatë prej fëmijëve, prej familjes e prej pasurisë, sepse do të shkoni në xhenet, në të cilin do të keni çfarë të dëshironi dhe do të jeni të pritur e të nderuar prej Zotit Mëshirues. Njeriu më i mirë, të cilin duhet ta marrim shembull është ai, që vetë është besimtar, që këshillon për rrugën e drejtë dhe që vetë bën vepra të mira. Të tillëve u kanë thënë: Ulemai amilin - dijetarë vepërmirë. Nuk janë të njëjta e mira dhe e keqja, sepse e mira ka peshë të madhe, ndaj duhet përpjekur që edhe të keqen e dikujt ta kthejmë në të mirë. Por këtë nuk mund ta bëjë çdokush; këtë mund ta bëjnë vetem njerëzit e mirë. Shejtanit nuk i vjen mirë të kthehet e keqja me të mirë, sepse ai dëshiron t’i ngacmojë njerëzit, që të keqes t’i përgjigjen me të keqe e në mes tyre të shtohet armiqësia; prandaj në rastet të tilla duhet të kërkojmë ndihmë prej Zotit, e Ai ndihmon. a më mirë i ka punët ai që do të hidhet në zjarr, apo ai që në Ditën e Kijametit vjen i sigurt? E ju pra veproni si të dëshironi, e ta dini se Ai sheh atë që punoni.