41. Fusilet · Ajeti 54

سورة فصّلت
Përkthimi Sherif Ahmeti
54

أَلَآ إِنَّهُمۡ فِي مِرۡيَةٖ مِّن لِّقَآءِ رَبِّهِمۡۗ أَلَآ إِنَّهُۥ بِكُلِّ شَيۡءٖ مُّحِيطُۢ

Vini re! Ata janë në dyshim për takimin me Zotin e tyre (me botën tjetër), e ta dini se Ai ka përfshirë me dijen e vet çdo send.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Ata që u përpoqën ta mohojnë Kuranin si shpallje të Zotit janë naivë. Kurani është libër që nuk ka shok, prandaj atij nuk mund t’i mvishet ndonjë e pavërtetë, sepse Zoti e ka garantuar ta ruajë të saktë. Muhamedit a.s. i thuhet, që të mos shqetësohet aq shumë, nëse ata e kundërshtojnë edhe rreth Kuranit, sepse ashtu i patën kundërshtuar edhe pejgamberët që kishin qenë më parë. Zoti xh. sh. i dërgoi shpalljet në gjuhën e atij populli, të cilit i dërgohej pejgamberi. Edhe Kuranin e shpalli në gjuhën e popullit dhe të pejgamberit. Idhujtarët i patën thënë Pejgamberit a.s.: “Pse shpallja në gjuhë tjetër, kur Pejgamberi është arab?” Idhujtarët nuk donin ta dëgjonin Kuranin sikur të ishin të shurdhët ose të verbër. Suksesin ose vlerën e çdo vepre do ta gëzojë, ose do ta vuajë i zoti i saj; kjo është drejtësi e të Madhit Zot. E nëse pyesin, se kur do të ngjajë ajo thuaju se do të ngjajë në Ditën e Kijametit, por për momentin e Kijametit nuk di askush përveç Zotit. Edhe për frutin në lëvozhgë, edhe për fetusin në mitrën e nënës, edhe për lindjen e tij, Zoti është i njohur në hollësi, pra Ai e di edhe kur do të bëhet Kijameti. Idhujtarëve do t’iu humbë lidhja me idhujt që i adhuruan, do ta pranojnë Zotin një, por do të jetë vonë. Njeriu duhet ta falënderojë dhe duhet ta adhurojë Zotin e Madhëruar për çdo moment dhe në të gjitha gjendjet e tij jetësore, e jo vetëm kur është i kënaqur, i disponuar, e jo edhe vetëm kur është në vështirësi, me lutje që t’ia largojë atë. As kënaqësitë, e as vuajtjet në ketë jetë nuk janë masë për të vlerësuar njeriun, prandaj gjendjet e tilla nuk duhet të kenë ndikim në adhurimin ndaj Zotit; adhurimi dhe falënderimi duhet të jenë ushqim shpirtëror për njeriun. Gjithçka që thotë Kurani është e vërtetë e sigurt, prandaj atë duhet ta besojmë, sepse është thënie e Zotit, e thënia e Zotit është e vërtetë pa kurrfarë dyshimi. Mirëpo, Zoti e ka ditur se edhe në kohën e Pejgamberit, e edhe më vonë pati dhe do të ketë njerëz, që thëniet e Zotit nuk duan t’i pranojnë, nëse nuk arrijnë t’i kuptojnë edhe me mendjen e tyre. Zoti iu tha: Ani pra, pritni, e thëniet e Mia doemos do t’i vërtetoni, duke zbuluar sekrete në vetë qenien tuaj njerëzore. E këso sekretesh të dhëna në Kuran para sa shekujsh janë zbuluar tashti, pra domosdo po vërtetojnë thëniet e Zotit në shpalljen e Tij. Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures “Suretu Fussilet” - kaptina e shkoqitjeve. Lavdëruar qoftë Zoti i Madhërishëm!