صِرَٰطِ ٱللَّهِ ٱلَّذِي لَهُۥ مَا فِي ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِي ٱلۡأَرۡضِۗ أَلَآ إِلَى ٱللَّهِ تَصِيرُ ٱلۡأُمُورُ
Në rrugën e All-llahut, të cilit i takon çka ka në qiej dhe çka ka në tokë, e ta dini se të gjitha çështjet janë me vullnetin e All-llahut.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Edhe në ajetet e tjera të Kuranit thuhet, se vetëm Allahu është Ai, që e di se çka fshihet në barkun-mitrën e nënës, e këtu në këtë ajet theksohet, se çdo gjë në botë ndodh dhe zhvillohet sipas vullnetit të Zotit, pra edhe çështja e lindjes së fëmijëve. Në këtë ajet përmenden katër gjendje të prindërve përkitazi me fëmijët: dikujt i fal vetëm vajza, dikujt vetëm djem, dikujt edhe vajza edhe djem, e dikujt as djem as vajza dhe kështu gjendjet e tilla nuk janë çështje rasti, por çështje të diktuara nga dija, plani dhe urtësia e Zotit Fuqiplotë. Sikurse edhe pejgamberëve të tjerë, që Zoti iu dha shpallje. Muhamedit a.s. i thotë, se edhe ty të dhamë shpalljen që është si shpirt, sepse shpallja jote Kurani ngjall zemrat, si shpirti që ngjall trupin kur i bashkohet. Madje i thuhet Muhamedit a.s., se më parë nuk ke ditur as çfarë është shpallja, as çfarë është besimi i drejtë, e Kurani është dritë që udhëzon; ti me anën e Kuranit udhëzon për në rrugën e drejtë. Në ajetet e fundit jepet një sqarim, se si Zoti i Madhëruar iu ofroi dituri, njohje, shpallje, frymëzim njerëzve në këto tri mënyra: Me frymëzim: njeriu frymëzohet në shpirtin e vet për ndonjë punë a ide dhe e di se ai ngacmim shpirtëror është prej Zotit, pse është frymëzim për mirë e mbarë. Nëse ngacmimi është për ndonjë punë të keqe, ai është cytje nga djalli. Për punë ose ide të mbara e të mira janë frymëzuar pejgamberët, edhe njerëz të tjerë të mirë, si nëna e Musait, nëna e Isait, ai besimtari i familjes së faraonit e shumë të tjerë. Të gjithë të frymëzuarit e kuptojnë, se është udhëzim prej Zotit, prandaj në zbatimin e detyrës me të cilën udhëzohen, nuk shprehin kurrfarë luhatshmërie, por të vendosur e zbatojnë, f.v. Ibrahimi deshi ta therë djalin, nëna e Musait e hodhi atë në lumë, Musai i ra me shkop detit dhe u fut në të etj. Kur është fjala për frymëzimin e gjallesave të tjera, si të bletës, të thneglës (milingonës), të pupëzës etj., aty ka të bëjë me një lloj instinkti të tyre, e kur është fjala për sendet e ngurta, si toka, qielli etj., atëherë frymëzimi ka të bëjë me gjendjen e tyre. Muhamedi a.s. është frymëzuar në këtë mënyrë shumë herë rreth shpjegimit të domethënies së ndonjë ajeti, të ndonjë hadithi kudsij, ose të ndonjë pune tjetër, që për neve është hadith prej tij, por kjo mënyrë e frymëzimit, nuk ka të bëjë me Kuranin. Me mënyrën pas perdes: Pejgamberi a.s. e dëgjon fjalën e Zotit pa ndërmjetësimin e melekut. Fjalën e Zotit e dëgjoi Musai në kodrën Tur, kurse Muhamedi a.s. e dëgjoi natën e Miraxhit. Me mënyrën e frymëzimit përmes engjëllit të dërguar prej Zotit: Kjo është mënyra e shpalljes së Kuranit. Xhibrili ia tha fjalët që i dëgjoi prej Zotit dhe Muhamedi a.s. ishte i obliguar t’i thotë ato fjalë, ashtu si ia tha Xhibrili, e ai pra është Kurani. Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures Shura. Lavdëruar qoftë Allahu i Madhëruar!