43. Zuhruf · Ajeti 66 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 43:65–43:89
Edhe pse Isai mësoi se ishte rob dhe pejgamber i Zotit një, ithtarët pas tij u përçanë, pse disa menduan drejt, për Isain si rob dhe i dërguar i Zotit, disa thanë për të se është zot.
Të gjithë të shoqëruarit në këtë jetë të dynjasë për qëllime të interesit, do të jenë armiq ndaj njëri-tjetrit në ditën e gjykimit, përveç atyre që u miqësuan për hir dhe në rrugën e Zotit.
Malik quhet kryeroja e zjarrit të xhehenemit. Atij i luten ata të xhehenemit që t'ua lehtësojë sadopak vuajtjet, por lutja nuk u pranohet.
Të vërtetën e dëshmuan: Isai, Uzejri dhe engjëjt, këta mund të bëjnë shefaat me lejen e Zotit, edhe pse dikush i adhuroi pa vend.
Me ndihmën e Zotit, të madhëruar, përfundoi përkthimi dhe komentimi i Suretuz Zuhruf. Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 43:66–43:73
- “A mos presin gjë tjetër ata, përveçse t’u vijë Ora befas dhe pa e ndier?! ” - Ajo është një ngjarje e sigurt, që do të ndodhë pa asnjë dyshim. Megjithatë, idhujtarët janë të pavëmendshëm ndaj saj, prandaj ka për t’iu ardhur befas. Kur të vijë ai çast, ata do të pendohen që nuk kanë pranuar besimin e vërtetë dhe që të nënshtroheshin sipas tij, por ky pendim është në një kohë, në të cilën ai nuk u vlen dhe nuk u bën asnjë dobi. - “Atë ditë, edhe miqtë e ngushtë do të jenë armiq të njëri -tjetrit, përveç të devotshmëve.” - Çdo lloj dashurie e miqësie, përveç dashurisë për hir të Allahut, atë ditë do të shndërrohet në armiqësi. Ndërsa çdo lloj dashurie e miqësie që ka qenë për hir të Allahut Krenar dhe të Lartësuar do të jetë e përjetshme, sikurse është i përjetshëm i Madhëruari. Kështu, në jetën e dynjasë, kur dy njerëz që janë dashur për hir të Allahut dhe njëri prej tyre vdes përpara tjetrit, atëherë ai që shkon tek Zoti ka për ta përmendur mikun e tij të dashur tek Zoti i Madhëruar me të gjitha të mirat, madje do t’i lutet: “O Zoti im! Ashtu sikurse më urdhërove të të bindem Ty dhe të Dërguarit Tënd, i Dërguari yt na njoftoi se unë do të takoja Ty, dhe unë e besova këtë takim. O Zot im, mos e humb mikun tim në dynja, pas ikjes sime, derisa edhe atij t’i
mundësosh që të shohë këtë që po shoh unë dhe të kënaqesh prej tij ashtu sikurse u kënaqe prej meje! ” Atëherë, Allahu i Madhëruar e përgëzon atë në lidhje me mikun e tij të dashur, për çdo të mirë që Ai ka përgatitur për të. Ndërsa dy mohues që janë dashur në dynja do të jenë tërësisht ndryshe nga ata që u përmendën më lart. Ne kemi sjellë shkurtimisht një transmetim prej Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), siç e ka sjellë Abdurrazaku. Ibn Asakiri përcjell se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 2351. “Nëse dy veta duhen për hir të Allahut, edhe sikur njëri të ndodhet në lindje dhe tjetri në perëndim, Allahu i Madhëruar ka për t’i bashkuar ata në Ditën e Kijametit dhe do t’i thotë secilit: “Ky është ai, të cilin ti e doje për hir Tim.” Më pas, i Madhëruari u jep këto përgëzime: - “O adhuruesit e Mi, sot nuk ka pse të frikësoheni e as pse të brengoseni!” Atyre që besuan shpalljet Tona dhe ishin muslimanë do t'u thuhet: “Hyni në Xhenet, ju dhe ata si ju, për t’u gëzuar!” - Bëhet fjalë për ata të cilët besuan me zemër dhe me shpirt, por edhe u nënshtruan sipas ligjit të shpallur prej Zotit, duke kryer çdo vepër të hapur, që ua diktonte imani i sinqertë dhe i vërtetë. Këtyre, Allahu i Lartësuar u thotë: “Hyni në Xhenet, ju dhe ata si ju, për t’u gëzuar!” Pra, ju së bashku me të ngjashmit tuaj, në veprat dhe adhurimet që i përkushtuat Zotit. Allahu i Lartësuar thotë: tuhberun (për t’u gëzuar). Pra, do të lumturoheni me çdo gjë të mrekullueshme dhe kënaqësi të pashe - mbullt. Edhe në suren Rum kemi sjellë një shpjegim të kësaj fjale. Muxhahidi dhe Katade shpjegojnë: “Domethënë, do të përjetojnë mirësi dhe kënaqësi.” Jahja Ibn Kethiri ka thënë që: “ juhberun” është kënaqësia gjatë dëgjimit të zërave të bukur e këngëve në Xhenet. Ndërsa El Axhaxhu ka thënë se: “ el habratu është shumë më e gjerë se të gjitha këto që u përmendën. Pra, atyre do t’u jepen kënaqësi të tilla, që as syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar dhe as mendja dhe zemra nuk i kanë imagjinuar. - “Aty do t’u shërbejnë me enë e kupa të arta.” - Të tilla janë enët, me të cilat ata do të hanë dhe pinë. - “Aty ka çdo gjë që shpirti e dëshiron dhe syri e pëlqen. ” - Ata do të shijojnë ushqime të mira dhe aromë të këndshme, ndërsa sytë e tyre do të kënaqen me pamje të bukura. Gjithashtu, kuptimi është që ushqimet do të jenë të shijshme, me aromë të këndshme dhe me pamje të mrekullueshme dhe ndjellëse. - “Aty do të jeni të përjetshëm. ” - Në Xhenet do të jeni të përjetshëm. Kurrë nuk keni për të dalë prej tij dhe as nuk do të kërkoni të largoheni prej andej, sepse do të jeni të lumtur, të kënaqur dhe asnjëherë të trishtuar dhe velur apo të mërzitur. Për të treguar mirësinë dhe bujarinë e madhe të Allahut të Madhëruar, atyre do t’u thuhet: - “Ky është Xheneti, që ju dhurua për veprat që keni bërë.” - Xheneti është dhuratë e Zotit për këta besimtarë të mirë. Pra, ishin pikërisht punët e mira, që u bënë shkak që t’u dhurohej Xheneti e të kënaqen në bukuritë e tij. Pa dyshim që askush nuk mund të hyjë në Xhenet me punën e vet, por vetëm me mëshirën dhe bujarinë e Allahut të Madhëruar. Veprat e mira mundësojnë gradat e larta të Xhenetit. Për të hyrë në Xhenet, hyn me mëshirën dhe bujarinë e Allahut, kurse ndryshimi në grada i banorëve të Xhenetit bëhet sipas punëve të tyre të mira në dynja. - “Aty keni plot fruta ...” - Pra, nga të gjitha llojet e tyre. - “... nga të cilat do të hani!” - Çfarëdo që të zgjidhni dhe kërkoni, çfarëdo të dëshironi, keni për ta pasur. Menjëherë pas ushqimit dhe pijeve, përmenden edhe frutat, në mënyrë që mirësia e Zotit mbi ta, si edhe kënaqësia dhe lumturia e tyre të jenë të plota. Allahu i Lartësuar është më i Dituri.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 43:66–43:78
- “A mos presin gjë tjetër ata, përveçse t’u vijë Ora befas dhe pa e ndier?!” – Kuptimi: Çfarë presin mohuesit e profetëve dhe të shpalljeve të Zotit? Vallë, mos presin t’i zërë Kijameti befas, pa e ndier? Por kur të vijë ajo ditë, mos pyet për tmerrin që i pret mjeranët, të cilët e mohojnë vërtetësinë e saj. - “Atë ditë, edhe miqtë e ngushtë do të jenë armiq të njëri -tjetrit,...” - Atë ditë, edhe ata që në jetën e kësaj bote mbahen për miq dhe aleatë të ngushtë, të cilët i bashkon kufri, gjynahet dhe mohimi i shpalljeve të Zotit, do të jenë armiq të njëri - tjetrit. Dashuria dhe miqësia do të shndërrohet në urrejtje e armiqësi, sepse lidhja e tyre në dynja nuk është për hir të Allahut. Në fakt, kështu do të përfundojë çdo dashuri dhe lidhje jo për hir të Allahut. Allahu i Madhëruar përjashton nga ky gjykim një kategori të zgjedhurish, duke thënë: - “...përveç të devotshmëve.” – Përveç atyre që ruhen nga shirk-u dhe padrejtësitë, sepse dashuria dhe lidhja mes tyre do të vazhdojë e pakëputur. Miqësia e tyre do të jetë e përjetshme, sepse i Përjetshëm është Ai për hir të të Cilit ata janë dashur. Pastaj i Madhëruari tregon shpërblimin e të devotshmëve. Ditën e Kijametit, Ai do t’u flasë me dashuri e do t’u thotë: - “(Allahu do tu thotë): “O adhuruesit e Mi, sot nuk ka pse të frikësoheni e as pse të brengoseni!” - Kuptimi: Nuk do t’ju shqetësojë frika për përfundimin që ju pret në të ardhmen dhe as brenga për gjërat që kanë kaluar. Nëse nuk ju godet e keqja, kjo tregon se ju pret vetëm e mira. Lumturia është përfundimi juaj, ashtu sikurse e shpresonit, madje edhe më mirë se aq. - “Atyre që besuan shpalljet Tona dhe ishin muslimanë (të nënshtruar ndaj Zotit) do t'u thuhet: ” - Allahu i Madhëruar i përshkruan ata me dy cilësi: 1. Ata e kanë besuar Shpalljen hyjnore. Kjo do të thotë që ata fillimisht e kanë pranuar si të vërtetë dhe të saktë Shpalljen e Zotit, por jo vetëm kaq. Ata e kanë ditur mirë kuptimin e Shpalljes dhe e kanë zbatuar atë. Vetëm kështu mund të quhet se e kanë besuar Shpalljen e Zotit. 2. Ata janë treguar të përulur dhe të përkushtuar ndaj Zotit, në çdo aspekt, si me fjalë e vepra, ashtu edhe me ndjenjat e zemrës. Këtyre fatlumëve do t'u thuhet: - "Hyni në Xhenet, ju dhe bashkëshortet tuaja, për tu gëzuar!" - Hyni në vendin e kënaqësisë, prehjes dhe lumturisë së
përjetshme, bashkë me ezuaxhukum. Fjala ‘ezuaxhukum’ ka kuptimin ‘bashkëshortët’, por edhe kuptimin tjetër: “të njëjtë me ju” pra, që bëjnë punë të mira si ju, qofshin ato gratë, fëmijët, miqtë, shokët, të afërmit tuaj etj. Të gjithë do të kënaqen në Xhenet me mirësitë e tij. Zoti do t’u dhurojë mirësi, kënaqësi, gëzim e lumturi, që nuk mund të përshkruhen me fjalë. - “Aty do t’u shërbejnë me enë e kupa të arta.” - Mes tyre do të vërtiten shërbëtorët, djelmosha të përjetshëm, që servirin plot hijeshi ushqimet me enë të bukura prej floriri e argjendi. Edhe pijet do t’u shërbehen me gota të mrekullueshme, që janë prej argjendi dhe të tejdukshme. - “Aty ka çdo gjë që shpirti e dëshiron dhe syri e pëlqen.” - Në Xhenet, banorët do të kenë gjithçka që ua pëlqen shpirti dhe syri. Ky ajet është gjithëpërfshirës në kuptimin e tij. Këto fjalë përfshijnë në përshkrimin e tyre çdo mirësi e gëzim që të kënaq syrin dhe shpirtin. Kështu, besimtarët do të gjejnë në Xhenet çdo gjë që dëshiron shpirti e trupi i tyre, qofshin ato ushqime, pije, veshje apo marrëdhënie. Sytë e tyre do të kënaqen me pamjet e mrekullueshme të Xhenetit, si me bimësinë e dendur, me ndërtesat madhështore dhe me gjithçka rreth e rrotull. Të gjitha ato janë për ta dhe atje do të jenë përjetësisht. Çdo gjë në Xhenet është e përkryer në gradën më të lartë të bukurisë dhe hijeshisë, sikurse thotë i Madhëruari: “Ata do të kenë atje fruta dhe gjithçka që dëshirojnë.” Atyre u thuhet edhe diçka tjetër, që ua shton edhe më tepër kënaqësinë dhe lumturinë: - “Aty do të jeni të përjetshëm.” - Kjo e vulos lumturinë e banorëve të Xhenetit. Përjetësia në të do të thotë që të gjitha këto mirësi do të jenë të pandërprera, madje në rritje të vazhdueshme. - “Ky është Xheneti që ju dhurua për veprat që keni bërë.” – Kuptimi: Allahu i Madhëruar jua la këto kopshte kaq të bukura për hir të punëve të mira që keni bërë. Ju u bindët dhe bëtë vepra të mira me sinqeritet, në shenjë madhërimi, dashurie e nënshtrimi ndaj Allahut, prandaj Ai e bëri Xhenetin si shpërblim për ju, duke ju përfshirë në mëshirën e Tij. - “Aty keni plot fruta, nga të cilat do të hani.” - Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “Prej çdo frute do të ketë nga dy lloje.” [Rrahman 52]. Pra, banorët e Xhenetit do të mund t’i hanë të gjitha ato fruta të shijshme dhe të këndshme. Pas përshkrimit të mirësive në Xhenet, Allahu i Madhëruar tregon për ndëshkimin në Xhehenem: - “Kriminelët do të jenë në ndëshkimin e Xhehenemit përjetësisht...” – Kriminelët, domethënë ata që kanë kaluar kufijtë e Zotit duke bërë gjynahe, padrejtësi dhe duke mohuar të vërtetën e sjellë nga Zoti nëpërmjet profetëve, do të jenë të zhytur në zjarrin e Xhehenemit, i cili do t’i përfshijë nga çdo anë. Atje do të jenë përgjithmonë dhe kurrë nuk kanë për të shpëtuar prej tij. - “Për ta nuk do të ketë asnjë lehtësim. Të pashpresë do të mbeten në të (xhehenem) përgjithmonë! Ne nuk u bëmë asnjë padrejtësi atyre, por ishin ata
që bënin padrejtësi (kundër vetes) .” - Atyre nuk do t’u ndërpritet apo t’u lehtësohet ndonjëherë ndëshkimi, në asnjë çast. Ata do të vuajnë dhe njëkohësisht do të jenë të pashpresë. Ata nuk do të shpresojnë se do të arrijnë ndonjë të mirë apo se do të shpëtojnë ndonjëherë nga ndëshkimi. Sikurse thuhet në ajete të tjera, ata do t’i luten Zotit duke thënë: “ O Zoti ynë! Na nxirr prej këtu! E, nëse gabojmë përsëri, atëherë, vërtet jemi të padrejtë.” Ai do t'u thotë: “Heshtni aty e mos më flisni! Disa prej robve të Mi thanë: “O Zoti ynë, ne besojmë. Prandaj na fal dhe na mëshiro, sepse Ti je më i miri i mëshiruesve!” Por ju i tallët ata, saqë ajo tallje ju bëri të harronit Mesazhin Tim. Ju qeshnit me ta. ” [Mu’minun 107 – 110]. Ky ndëshkim i madh u jepet për shkak të punëve që kanë bërë, duke dëmtuar vetveten. Allahu i Madhëruar nuk i bën padrejtësi askujt; Ai nuk ndëshkon asnjë pa gjynah e pa faj. - “Ata do të thërrasin: “O Malik! Le të na e marrë shpirtin Zoti yt !”.” - Duke pandehur se mund të ketë ndonjë lloj shpëtimi për ta, ata, që nga brendësia e Zjarrit, do të bërtasin duke iu lutur rojes së Xhehenemit: “O Malik, le të na japë fund Zoti yt! Le të na vdesë, që të shpëtojmë një herë e mirë, sepse po vuajmë shumë. Ne nuk mund ta përballojmë këtë ndëshkim!” Por kur ata të kërkojnë që të vdesin dhe të shkatërrohen përfundimisht, Maliku u përgjigjet: - “Ai u thotë: “Aty do të jeni përgjithmonë.” – Kuptimi: Aty do të qëndroni dhe kurrë nuk keni për të dalë prej andej! Pra, jo vetëm që nuk do të marrin atë përgjigje që presin, por do t’u jepet krejt e kundërta e saj. Kjo thjesht ua shton më tepër vuajtjen dhe dëshpërimin. Veç kësaj, dhimbja iu shtohet përsëri kur t’u thuhen disa fjalë qortuese: - “Ne jua sollëm të vërtetën,” - Juve ju ofrua e vërteta, e cila ishte e mjaftueshme dhe mjaft bindëse që ju të nënshtroheshit dhe të jetonit sipas saj, por nuk e bëtë një gjë të tillë. Nëse do të kishit pranuar ftesën bujare të Allahut, do të fitonit të gjitha të mirat dhe do të shpëtonit nga të gjitha të këqijat, duke u lumturuar përjetësisht. - “...por shumica juaj treguan urrejtje ndaj saj.” - Por ju e urryet të vërtetën dhe parapëlqyet të ndiqnit dëshirat tuaja, prandaj e zgjodhët vetë vuajtjen dhe dëshpërimin, pas të cilit nuk do të gjeni më lumturinë.