← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

43. Zuhruf · Ajeti 84 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 43:65–43:89

Edhe pse Isai mësoi se ishte rob dhe pejgamber i Zotit një, ithtarët pas tij u përçanë, pse disa menduan drejt, për Isain si rob dhe i dërguar i Zotit, disa thanë për të se është zot.

Të gjithë të shoqëruarit në këtë jetë të dynjasë për qëllime të interesit, do të jenë armiq ndaj njëri-tjetrit në ditën e gjykimit, përveç atyre që u miqësuan për hir dhe në rrugën e Zotit.

Malik quhet kryeroja e zjarrit të xhehenemit. Atij i luten ata të xhehenemit që t'ua lehtësojë sadopak vuajtjet, por lutja nuk u pranohet.

Të vërtetën e dëshmuan: Isai, Uzejri dhe engjëjt, këta mund të bëjnë shefaat me lejen e Zotit, edhe pse dikush i adhuroi pa vend.

Me ndihmën e Zotit, të madhëruar, përfundoi përkthimi dhe komentimi i Suretuz Zuhruf. Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 43:81–43:89

- “Thuaju: “Sikur i Gjithmëshirshmi të kishte fëmijë, unë do të isha i pari adhurues i Tij.” - Thuaju atyre, o Muhamed: “Sikur i Gjithëmëshirshmi të kishte fëmijë, unë do të isha i pari adhurues i tij.” Sikur të supozonim se kjo është e vërtetë, atëherë unë do të isha i pari adhurures dhe i pari i nënshtruar në këtë besim, sepse unë jam thjesht një prej adhuruesve të Zotit, i bindur në gjithçka për të cilën më urdhëron Zoti im. Unë nuk kam aspak kryeneçësi apo mendjemadhësi dhe kurrë nuk refuzoj dhe të largohem nga bindja ndaj Allahut dhe urdhrave të Tij. Kështu, nëse do të supozohej që diçka e tillë të ishte urdhër nga Zoti, kështu do të ndodhte. Por, sigurisht, kjo kurrsesi nuk lejohet të besohet për Zotin. Është thjesht një supozim dhe nuk do të thotë aspak që ai mund të ndodhë, madje nuk do të thotë as që është e mundur diçka e tillë. I ngjashëm me këtë është edhe ajeti kuranor: “Sikur Allahu të dëshironte të merrte një fëmijë për Vete, Ai do të mund të kishte zgjedhur kë të donte nga ata që Ai krijon. Por i pastër është Ai. Ai është Allahu, i Vetmi, Ngadhë - njimtari” [Zumer 4]. - “I lartësuar dhe larg të metave është Zoti i qiejve e i Tokës, Zoti i Fronit, nga ajo që ata i përshkruajnë. ” - I Lartësuar, i

Dëlirë, i Pastër nga çdo e metë është Krijuesi i gjithçkaje Allahu i Madhëruar, që të pretendohet se Ai ka bir! Ai është një i Vetëm dhe Unik, është i Plotë e Absolut në pushtetin e sundimin e Tij, që çdokush i drejtohet për nevojat e veta, sepse të gjithë janë krijesa dhe vetëm Ai është Krijuesi. Ai nuk ka nevojë për ndihmës, nuk ka nevojë për të barabartë me Të, kështu që nuk ka bir dhe fëmijë. - “Lëri ata të zhyten më thellë ...” - Lëri në injorancën e tyre, në errësirën e humbjes, ku janë zhytur. - “... dhe të argëtohen ... ” - Le të dëfrehen në dynjanë e tyre dhe stolitë e saj. - “... derisa të arrijnë ditën, për të cilën janë paralajmëruar. ” - Bëhet fjalë për Ditën e Kijametit. Atë ditë do ta mësojnë se ku do të jetë përfundimi i tyre. - “Ai është i vetmi Zot në qiell dhe i vetmi Zot në Tokë.” - Ai është i vetmi i Adhuruar me meritë në qiej dhe në Tokë. Atij i takojnë të gjitha adhurimet, si nga banorët e qiellit, ashtu edhe nga banorët e Tokës. Të gjithë ata i nënshtrohen Atij dhe janë të përulur përpara Madhërisë së Tij. - “Ai është i Urti e i Gjithëdituri. ” – Kjo ngjan me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ai është Allahu në qiej dhe në Tokë. Ai i di të gjitha fshehtësitë tuaja dhe ato që i shfaqni haptazi; Ai di gjithçka që ju veproni.” [En’am 3]. Ai është i vetmi që quhet Allah, të Cilit i drejtohen me lutje si banorët e qiejve, ashtu edhe ata të Tokës. - “I lartësuar qoftë Ai, në dorën e të Cilit është sundimi i qiejve e i Tokës dhe i çfarë gjendet ndërmjet tyre!” - Ai është i vetëm dhe pa ortak, Krijuesi, Pronari, Mbretëruesi dhe Sunduesi i tyre, Ai që administron dhe rregullon të gjitha çështjet e krijesave të Tij në to. Ai është i Dëlirë nga çdo trillim se ka fëmijë. Tebarak do të thotë që është i Lavdëruar, i Dëlirë, i Pastër nga çdo mangësi dhe në dorën e Tij janë mbretëritë e qiejve dhe të Tokës dhe sundimi mbi gjithçka. - “Vetëm Ai e di çastin e Kijametit ... ” - Dhe askush nuk ka për ta shfaqur atë dijeni, sepse atë e ka veçse i Madhëruari. - “... dhe tek Ai do të ktheheni. ” - Dhe atëherë, Ai do të shpërblejë gjithësecilin ashtu siç e meriton, me shpërblim apo ndëshkim. - “Ata të cilëve u luteni në vend të Allahut nuk kanë në dorë ndonjë mundësi për ndërmjetësim ...” - Idhujt, të cilëve ju i luteni, nuk kanë asnjë mundësi për ndërmjetësim. Ata kurrsesi nuk mund të ndërmjetësojnë për ata të cilët u luten, duke shpresuar kot dhe pa asnjë argument. - “... përveçse për ata që dëshmuan të vërtetën dhe ishin të ditur. ” - Ndërmjetësimi vlen veçse për ata të cilët dëshmojnë për të vërtetën me dije të vërtetë dhe me argument të qartë. - “Nëse ti i pyet se kush i krijoi, ata, me siguri, do të thonë: “Allahu.” Përse, atëherë, i kthejnë shpinën Atij? ” - Nëse i pyet idhujtarët se kush është ai që i krijoi ata, ata do të pohojnë se Ai është Allahu i Lartësuar, Krijuesi i gjithçkaje. Me gjithë këtë dëshmi e pohim, ata përsëri adhurojnë njëkohësisht idhuj të tjerë, që janë krijesa, të cilat nuk zotërojnë asnjë grimcë pushteti e fuqie dhe nuk kanë asnjë lloj mundësie për të bërë dobi apo për të shpëtuar nga ndonjë e keqe. Pa dyshim, të gjithë ata janë të zhytur në injorancë, mendjelehtësi dhe kotësi. - “Ai tha: “O Zoti im! Vërtet, këta janë njerëz që nuk besojnë.” - Kështu, Muhamedi ﷺ i ankohet Zotit të Tij për këtë popull, në të cilin u dërgua dhe të cilët e morën për gënjeshtar dhe që refuzuan mesazhin e tij: Këta janë popull që nuk besojnë, nuk pranojnë ftesën e Zotit dhe nuk nënshtrohen që të besojnë e adhurojnë Atë. Atëherë, i Lartësuari tha: - “Largohu prej tyre ...” - Pra, nga idhujtarët.

- “... dhe thuaj: “ Selam!” - Pra, mos iu kthe atyre me të njëjtën mënyrë sikundër sillen me ty, pra, jo me fjalë të këqija, por mundohu t’i afrosh, të tregohesh tolerant me ta, qoftë me fjalët, qoftë me veprat e tua. - “Ata do ta kuptojnë më vonë. ” - Ky është një kërcënim prej Allahu të Madhëruar, drejtuar atyre mohuesve dhe, pa dyshim, Allahu i Lartësuar e realizoi këtë kërcënim, duke hedhur mbi ta ndëshkimin e Tij, të cilit nuk mund t’i shmangesh dhe nuk mund ta kthesh pas. Gjithashtu, Ai e lartësoi fenë dhe fjalën e Tij. Më pas, Ai ligjëroi xhihadin dhe ftesën e njerëzve haptazi, dhe kështu njerëzit filluan të hynin në fenë e Allahut grupe-grupe dhe Islami u përhap si në lindje, edhe në perëndim. Allahu është më i ditur. Ky është fundi i përmbledhjes së tefsirit të sures Zuhruf, që u arrit me mirësinë, bujarinë dhe suksesin e dhënë prej Allahut të Lartësuar. Vetëm Atij i takon lavdërimi, falënderimi, mirënjohja për çdo mirësi dhe vetëm Atij i jemi mbështetur për të arritur çdo sukses!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 43:84–43:89

- “Ai është i vetmi Zot (që e meriton të adhurohet) në qiell dhe i vetmi Zot (që e meriton të adhurohet) në Tokë.” - Allahu i Madhëruar na tregon se Ai është Një dhe i Vetëm në meritën e adhurimit, në qiej dhe në Tokë. Të gjithë banorët e qiellit dhe besimtarët në Tokë e adhurojnë Atë, e madhërojnë, i nënshtrohen lartësisë së Tij, tregojnë dobësinë, varfërinë dhe nevojën e tyre të plotë ndaj pushtetit, bujarisë dhe mëshirës së të Plotit e Absolutit. Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë: “Atë e madhërojnë (me tesbih) shtatë qiejt, Toka dhe gjithçka në to. Nuk ka gjë që nuk e madhëron Atë (me tesbih), duke e lavdëruar, por ju nuk e kuptoni madhërimin (tesbihun) e tyre. Ai është i Butë dhe Falës i madh.” [Isra 44]. Ose: “Gjithçka në qiej e në Tokë i bën sexhde vetëm Allahut, me hir a me pahir, e po kështu edhe hijet e tyre në mëngjes e mbrëmje.” [Ra’d 15]. Allahu i Lartësuar është Zoti i vetëm me meritë, të Cilit duhet t’i përkushtohen adhurimet, në shenjë dashurie, madhërimi e nënshtrimi ndaj Tij. Atij i përulen të gjitha krijesat: ose me dëshirë dhe vullnet, ose të detyruara. Në një ajet të ngjashëm thuhet: “Ai është Allahu (i vetmi i adhuruar) në qiej dhe në Tokë. Ai i di të gjitha fshehtësitë tuaja dhe ato që i shfaqni haptazi; Ai di gjithçka që ju veproni.” [En’am 3]. Adhurimi dhe dashuria për Të kanë mbushur qiejt dhe Tokën, ndërsa Ai është sipër Fronit të Tij, i veçuar nga krijesat e Tij, i Vetëm në madhështinë e Tij, i Vetmi, i Lartësuari, i Lavdishmi dhe i Ploti në çdo aspekt. - “Ai është i Urti e i Gjithëdituri.” - Allahu është El Hakim , Ai që përsosi me urtësinë e Tij gjithçka që krijoi dhe çdo ligj që përcaktoi. Krijimi i Tij, ligjet për krijesat e Tij dhe shpërblimi që premtoi për ta, janë bërë të gjitha me urtësi të padiskutueshme. Allahu është, gjithashtu, El Alim – i Ditur për gjithçka. Ai di në imtësi dhe thellësisht çdo të fshehtë dhe jo të fshehtë. Atij nuk mund t’i fshihet gjë, as sa grima më e vogël, në botën qiellore dhe atë tokësore. - “I Lartësuar qoftë Ai, në dorën e të Cilit është sundimi i qiejve e i Tokës dhe i çfarë gjendet ndërmjet tyre! ” - U madhëroftë dhe u lartësoftë Allahu, u shtofshin begatitë dhe mirësitë e Tij, u lavdëroftë për cilësitë e Tij, për pushtetin e Tij dhe mbretërimin e Tij! Jo më kot sundimi i Tij gjithëpërfshirës mbi qiejt, Tokën e gjithçka mes tyre përmendet bashkë me faktin se Allahu është i Ditur për gjithçka. Madje, Allahu i Madhëruar është i vetmi që ka dituri mbi shumë çështje, për të cilat nuk di askush tjetër, qofshin profetë apo melekë, si për shembull:

- “Vetëm Ai e di çastin e Kijametit ...” - Dituria për çastin e Kijametit i takon vetëm Zotit. Askush tjetër nuk e di se kur do të ndodhë Kijameti. Tregues i mbretërimit dhe i pushtetit të Tij absolut është edhe fakti se Ai është Sunduesi i dynjasë dhe ahiretit, prandaj thuhet më pas: - “...dhe tek Ai do të ktheheni.” - Kur të ktheheni tek Ai, në ahiret, Ai do të japë gjykimin e Tij të drejtë për veprat tuaja. Tregues i pushtetit dhe i sundimit të plotë të Allahut është edhe fakti se askush tjetër nuk ka në dorë ndonjë çështje të caktuar, madje edhe për të ndërmjetësuar tek Ai nevojitet patjetër leja e Tij, të cilën Allahu ia jep atij që Ai dëshiron. I Plotpushtetshmi dhe Sunduesi i vetëm i dynjasë dhe i ahiretit thotë: - “Ata të cilëve u luteni në vend të Allahut nuk kanë në dorë ndonjë mundësi për ndërmjetësim (tek Zoti),...” - Të gjithë ata që janë adhuruar në dynja, qofshin profetë, melekë etj., nuk do të kenë asnjë mundësi tek Allahu i Madhëruar pa lejen e Tij. Edhe ata që do të lejohen, do të mund të ndërmjetësojnë vetëm për ata me të cilët Zoti është i kënaqur. I Madhëruari thotë: - “...përveçse për ata (besimdrejtë) që dëshmuan të vërtetën dhe ishin të ditur (rreth saj).” - Përveç atyre që dëshmojnë të vërtetën, duke e pranuar me zemër, duke qenë të qartë dhe të ditur për atë të vërtetë. Kjo është dëshmia për njëshmërinë e Allahut të Madhëruar në çdo aspekt, për vërtetësinë e të dërguarve si profetë të Zotit dhe të shpalljeve hyjnore. Ajo është dëshmia për vërtetësinë e themeleve e fesë dhe të degëzimeve të saj. Vetëm për këta do të vlejë ndërmjetësimi i profetëve, i melekëve dhe i të tjerëve që do t’u jepet leja. Këta do të jenë të shpëtuarit nga ndëshkimi i Allahut të Lartësuar. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: - “Nëse ti i pyet se kush i krijoi, ata, me siguri, do të thonë: “Allahu.”” - Po t’i pyesje idhujtarët se kush është Krijuesi, Sunduesi, Furnizuesi dhe Kujdestari i krijesave, ata do të dëshmonin se Ai është vetëm Allahu. - “Përse, atëherë, i kthejnë shpinën Atij?” – Kuptimi: Kur ata dëshmojnë se është vetëm Allahu Krijuesi, Sunduesi, Furnizuesi dhe Kujdestari i krijesave, atëherë si është e mundur që adhurimet, dashurinë dhe përuljen ia përkushtojnë dikujt tjetër veç Tij?! Nëse pranojnë teuhidin në rububije, ata duhet që të pranojnë edhe njëshmërinë e Allahut në meritën e adhurimit. Ky argument konsiderohet si nga më të fuqishmit në hedhjen poshtë të idhujtarisë. - “Ai (Muhamedi) tha: “O Zoti im! Vërtet, këta janë njerëz që nuk besojnë. ”” - Ky ajet ka lidhje me fjalinë e mësipërme: “Vetëm Ai e di çastin e Kijametit.”. Domethënë, vetëm Ai ka dijeni për Kijametin, ashtu si edhe për fjalët e Profetit (a.s), kur tha: “Këta janë njerëz që nuk besojnë”. Pra, Allahu i Madhëruar e ka dëgjuar edhe ankesën e Profetit, që flet me shqetësim për refuzimin e popullit të tij. Allahu ka dijeni të plotë për gjendjen e tyre dhe është i Plotfuqishëm që t’ua

përshpejtojë ndëshkimin, por Ai tregohet Halim - i Butë e Tolerues, që nuk nxitohet të ndëshkojë, por afatizon, që robtë të mund të pendohen dhe të kthehen në udhën e drejtë. - “Largohu prej tyre dhe thuaj: “Selam!”” – Domethënë, ji tolerant dhe falës ndaj tyre, kundrejt mundimeve që të shkaktojnë me fjalët, sjelljet dhe veprimet e tyre. Kundërpërgjigjja jote ndaj tyre të jetë veçse me selam, ashtu siç dinë të sillen të mençurit me të paditurit. Vepro ashtu siç dinë të reagojnë adhuruesit e Rahmanit, siç thuhet në një ajet tjetër: “ Adhuruesit e të Gjithmëshirshmit janë ata që ecin nëpër Tokë të qetë, e kur injorantët u drejtohen atyre me fjalë (fyese), ata thonë: “Paqe (selâm)!”” [Furkan 63]. Dhe, me të vërtetë, Profeti (a.s.) e zbatoi porosinë e Zotit të tij. Ai u tregua tolerant, falës dhe i mëshirshëm, me gjithë mundimet e gjata dhe të dhimbshme që i shkaktoi populli i tij. Ai iu kundërpërgjigj këtij trajtimi të ashpër veçse me fjalët më të bukura dhe më të zgjedhura. Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi Profetin (a.s.), mbi njeriun me moralin më të lartë, mbi atë që Zoti e dalloi me dhunti të veçanta, me të cilat ai i tejkaloi gradat e banorëve të qiellit dhe të Tokës, madje duke qëndruar më lart se yjet. - “Ata do ta kuptojnë më vonë.” – Më vonë do ta mësojnë përfundimin e gjynaheve dhe ndëshkimin për krimet e tyre.

← Zuhruf 43:84