← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

44. Duhan · Ajeti 17 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 44:1–44:29

Zoti betohet në Kur'anin, në librin që sqaroi se cila është rruga e drejtë dhe cila e gabuar.

Nata që zbriti Kur'ani ishte nata e kadrit, zbriti në qiellin e dynjasë përnjëherë, pastaj ia zbriti Pejgamberit Xhebraili pjesë-pjesë. Quhet natë e bekuar, ngase është natë e të gjitha të mirave për dynja e për ahiret. Zoti, nga mëshira e vet dërgon pejgamberë dhe shpall libra duke u tërhequr njerëzve vërejtjen për pasojat që mund t'i godasin.

Sipas Ibni Mes'udit: kurejshitët e kundërshtuan shumë Pejgamberin, e ai e luti Zotin t'i ndëshkojë. Lutja iu pranua dhe ata i kapi një skamje e uri e madhe sa që kur shikonin qiellin e shihnin si tym. E lutën Pejgamberin të kërkojë prej Zotit shi dhe ai e luti dhe u ra shi, por ata sërish iu kthyen të mbrapshtës.

Sipas Ibni Abasit: Tymi i përmendur në këtë ajet është parashenjë e kijametit që do të ndodhë më vonë, e besimtari do të vuajë prej tij si kur i bie flama,jobesimtari dhe munafikët do të kenë kokëdhembje të madhe, tymi do t'u hyjë në bark e do t'u dalë për hundësh, për veshë dhe nga prapa.

Tregimi i faraonit dhe i popullit të tij përmendet si shembull i pasojave të zullumit dhe se për zullumqarët nuk pikëllohet askush.

Thuhet se për besimtarin qajnë edhe toka edhe qielli. Në tokë qan vendadhurimi dhe vendveprimi i mirë, ndërsa në qiell vendi ku ngritej vepra e mirë dhe thevabi. Ka mendime se ato qajnë edhe për atë që vdes në gurbet e jashtë familjes.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 44:17–44:33

- “Përpara tyre, Ne sprovuam popullin e Faraonit dhe atyre u erdhi një i dërguar i zgjedhur.” - Ai ishte Musai, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin me të. Ai tha: - “M’i lini mua robërit e Allahut! ” - Kjo shtjellohet edhe në një ajet tjetër, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Kështu, shkoni e i thoni atij: “Ne jemi të dërguar të Zotit tënd. Lëri bijtë e Israelit të vijnë me ne dhe mos i mundo! Ne kemi ardhur me argumente nga Zoti yt dhe shpëtimi është për atë që ndjek Rrugën e Drejtë.” [Ta ha 47]. - “Unë jam për ju një i dërguar besnik.” - Jam besnik dhe i vërtetë në përcjelljen e mesazheve të Zotit. - “Mos u tregoni arrogantë ndaj Allahut ...” - Mos u tregoni kryeneçë dhe mendje - mëdhenj, që refuzojnë shenjat e Zotit dhe nuk besojnë Shpalljet e Tij, që nuk nën - shtrohen të jetojnë dhe të adhurojnë Zotin sipas porosive të Tij, siç thuhet në ajetin tjetër: “Zoti juaj ka thënë: “M’u lutni Mua, që Unë t’ju përgjigjem! Por ata që, nga mendjemadhësia, i shmangen adhurimit Tim, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”.” [Gafir 60]. - “... sepse unë po vij te ju me shenja të qarta.” - Shenja të dukshme, të cilat ishin mrekullitë, që Zoti ia dhuroi si dëshmi të vërtetësisë së tij. - “Unë i jam mbështetur Zotit tim dhe Zotit tuaj, që ju të mos më vrisni me gurë.” - Unë i kërkoj mbrojtje Zotit tim nga fyerjet, por edhe nga veprimet tuaja kundra meje, si vrasja me gurë apo të tjera kurthe. - “Nëse nuk më besoni, atëherë largohuni prej meje!” - Pra, thjesht më lini në paqe dhe mos më sulmoni, derisa Allahu të ve - ndosë se çfarë do të bëjë me ne. Megjithatë, më vonë, kur Musai (a.s) u solli argumente të shumta, të cilat atyre u shtuan veçse mohimin, inatin dhe rebelimin, i Lartësuari thotë: - “Ai iu lut Zotit të vet: “Këta janë vërtet popull keqbërës!”. - Ky ajet i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Musai tha: “Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote dhe kështu, o Zoti ynë, ata po i largojnë njerëzit prej rrugës Sate. Zoti ynë! Zhduke pasurinë e tyre dhe vulosi zemrat e tyre që të mos besojnë derisa ta ndiejnë dënimin e dhemb - shëm!” Ai tha: “Është pranuar lutja juaj (O Musa dhe Harun!). Prandaj përqendrohuni në rrugën tuaj e mos ndiqni rrugën e atyre që nuk dinë!”” [Junus 88 - 89]. Atëherë,

Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar e urdhëroi Musain: - “Bashkë me adhuruesit e Mi, udhëtoni gjatë natës! Ata do t’ju ndjekin nga pas!” - Kjo shtjellohet në ajete të tjera, si: “Ne i kumtuam Musait: “Udhëto natën me robërit e Mi dhe hapu atyre një rrugë të thatë nëpër det! Dhe mos ki frikë se do të të kapë Faraoni dhe as se do të fundosesh!”.” [Ta ha 77]. - “Lëre detin pas, ashtu si është, sepse ushtria e tyre do të mbytet.” - Këto fjalë iu thanë Musait, sepse kur ai kaloi detin së bashku me bijtë e Izraelit, ai deshi që ta godiste përsëri me shkop detin, që të kthe - hej ashtu siç ishte, në mënyrë që të bëhej pengesë që ushtria e Faraonit t’i arrinte. Atëherë, Allahu i Lartësuar e urdhëroi që ta linte detin ashtu siç ishte dhe e përgëzoi se e gjithë ajo ushtri do të përmbytej, prandaj të mos kishte frikë prej tyre dhe të mos kërkonte që deti të kthehej në gjendjen e tij normale, derisa të hynte edhe ushtari i fundit i Faraonit. Pastaj, i Lartësuari e urdhëroi detin që të kthehej ashtu siç ishte, dhe atëherë Faraoni dhe ushtria e tij u mbytën të gjithë, pa përjashtim, si shpagim i merituar për mohimin, inatin dhe këmbë - nguljen e tyre në refuzimin e ftesës së Zotit. Kështu ndodhi dhe vetëm Allahut i takon lavdërimi për këtë! Ai është Zoti i të gjithë botërave. - “Sa e sa kopshte e burime lanë pas ata!” - Sa shumë kopshte, lumenj e pasuri, lanë pas ata! - “Sa ara të mbjella e vende të bukura!” - Sa shumë plantacione e vende të bukura! - “Sa begati e stoli, me të cilat argëtohe - shin!” - Kopshtet e begata ndodheshin në dy anët e lumit Nil, nga fillimi e deri në fund të tij, që prej Esuanit e deri në Rashid, pa asnjë ndërprerje. Ata kishin ndërtuar një mirëqenie me ushqime e pije të bollshme, me veshje, pasuri, pushtet dhe famë. Ata ishin sunduesit e shumë vendeve që i rrethonin. Por, pikërisht në një mëngjes, me një goditje të vetme, atyre iu hoq gjithçka prej duarsh dhe ata u larguan nga të gjitha këto mirësi, në të cilat jetonin, për të shkuar në Xhehenem, i cili është vendi dhe përfundimi më i keq. Nga ana tjetër, bijtë e Israelit i morën dhe trashëguan të gjitha ato mirësi, të cilat u përmendën më lart, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Kështu, Ne i nxorëm ata prej kopshteve e burimeve, prej thesareve dhe vendbanimeve të bukura, dhe Ne ua lamë ato bijve të Izraelit.” [Shuara 57 - 59]. Në një ajet tjetër thotë: “Ndërsa popullit të përvuajtur i lamë në trashëgim viset lindore dhe perëndimore të tokës, ku zbritëm bekimet Tona. Kështu u plotësua premtimi i mirë i Zotit ndaj bijve të Izraelit, për durimin që ata treguan. Ne e rrënuam çfarë kishte bërë Faraoni dhe populli i tij dhe kullat që kishin ndërtuar.” [Ea’raf 137]. - “Të gjitha ato, Ne ua lamë trashëgim një populli tjetër. ” - Bëhet fjalë pikërisht për bijtë e Izraelit. - “Për ta nuk vajtuan as qielli e as Toka ...” - Ata nuk kishin asnjë vepër të mirë, që të ngjiteshin përmes dyerve të qiellit, dhe kështu qielli të qante për ndërprerjen e pu - nëve të mira, pas vdekjes së tyre. Po kështu edhe në Tokë nuk kishte asnjë copë vend, në të cilin ata të kishin adhuruar Allahun, dhe kështu ai vend të ndiente mungesën e tyre dhe të qante. Ata e merituan që të mos u jepej asnjë afat dhe të mos u shtyhej ndë - shkimi, për shkak të mohimit, krimeve, tiranisë, inatit dhe rebelimit kundër të vërtetës. Ibn Xheriri sjell hadithin nga Shurajh Ibn Ubejd Hadramiu, i cili rrëfen se Profeti i Allahut ka thënë: 2355. “Islami filloi si i huaj dhe do të kthehet sërish i huaj, ashtu sikurse nisi. Nuk ka vetmi për besimtarin. Sa herë që vdes një besimtar në kurbet, në një vend ku nuk ka njeri që ta qajë, kanë për ta qarë atë qielli dhe Toka.” Pastaj Profeti i Allahut lexoi ajetin: “Për ta nuk vajtuan as qielli e as Toka”. Dhe shtoi: “Ato (qielli dhe Toka) nuk qajnë për mohuesit.” - “... dhe as nuk patën kohë. ” - Sepse nuk iu shty aspak ndëshkimi, që e kishin bërë hak. - “Ne i shpëtuam bijtë e Izraelit prej dënimit poshtërues ...” - Allahu i Madhë -

ruar tregon mirësitë e Tij të shumta ndaj tyre dhe, në mënyrë të veçantë, shpëtimin nga vuajtjet dhe poshtërimet e vazhdue - shme, që u bënte Faraoni. Ai i kishte përçmuar e poshtëruar, i kishte nënshtruar në punë të rëndomta dhe të rënda. - “... prej Faraonit, i cili qe mizor dhe i shfrenuar.” - Ai ishte kryeneç, tiran dhe kalues i çdo kufiri. Gjithashtu, ai ishte mendjelehtë në arsyetim dhe në tejvlerë - simin e vetvetes. - “Ne, me dije të plotë, i zgjodhëm ata ndër popujt e tjerë ...” - Allahu i Madhë - ruar i dalloi bijtë e Izraelit mbi të gjithë banorët e Tokës së asaj kohe. - “... e u dhamë shenja, në të cilat kishte prova të qarta. ” - Ne u dhamë argumente, fakte dhe mrekulli të jashtëzakonshme, të cilat ishin sprovë e hapur për të gjithë ata që kërkonin udhëzimin.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 44:17–44:33

Pasi foli për ata që mohuan profetin e Tij, Muhamedin (a.s.), Allahu i Madhëruar tregon se edhe para tyre ka patur mohues të profetëve. Kështu, Ai rrëfen ngjarjen që i ndodhi Musait dhe mohuesve të tij. Në këtë histori kujtohet dënimi që goditi jobesimtarët e asaj kohe, në mënyrë që ata të kohës së Muhamedit (a.s.) të nxirrnin mësim dhe të mos vazhdonin me refuzimin e Profetit dhe të Shpalljes. I Madhëruari thotë: - “Përpara tyre, Ne sprovuam popullin e Faraonit dhe atyre u erdhi një i dërguar i zgjedhur.” – Kuptimi: Allahu i vuri në provë ata, duke u dërguar profetin Musa, të birin e Imranit, njërin nga më të nderuarit dhe më të zgjedhurit e profetëve të Tij, që ishte i shquar për fisnikëri të lartë. - “(Musai u tha:) “M’i lini mua robtë e Allahut!....” - Musai i tha Faraonit dhe palës së tij: “Lirojini robtë e Allahut dhe lejojini të vijnë me mua.” Këtu kishte për

qëllim bijtë e Israilit. Ai po u kërkonte që t’i lironin, për t’i shpëtuar nga torturat dhe mundimet që u jepnin. Ata ishin familja e Musait dhe njerëzit më të mirë të kohës. Faraoni me njerëzit e vet ishin treguar të padrejtë ndaj tyre, duke i skllavëruar, munduar e torturuar. Musai (a.s.) kërkonte që ata të liroheshin, për të qenë të lirë të adhuronin Zotin e tyre. - “...Unë jam për ju një i dërguar besnik.” - Kuptimi: Unë jam profet i dërguar nga Zoti i botëve, besnik i Shpalljes, me të cilën Zoti më ngarkoi. Unë nuk ju fsheh asgjë nga Shpallja e Zotit, as nuk shtoj e as nuk pakësoj gjë prej saj. Kjo duhet t’i bënte ata që ta pasonin Musain dhe t’u bindeshin porosive të tij. - “Mos u tregoni arrogantë ndaj Allahut,...” - Mos u tregoni kryeneçë, duke mos iu dorëzuar Allahut, dhe as dhunues të robve të Allahut. - “...sepse unë po vij te ju me shenja të qarta.” – Po vij me shenja të dallueshme lehtësisht, me mrekulli madhështore e fakte bindëse. Ata përsëri e mohuan dhe tentuan ta vrisnin, por Musai kërkoi mbrojtje dhe strehim tek Allahu, për t’i ruajtur nga sherri i tyre. Ai tha: - “Unë i jam mbështetur Zotit tim dhe Zotit tuaj, që ju të mos më vrisni me gurë.Nëse nuk më besoni, atëherë largohuni prej meje!”” - Kuptimi: Unë kërkoj mbrojtje te Zoti, që ju të mos më vrisni me formën më të keqe, që është vrasja me gurë. Ju keni këto mundësi: së pari, të më besoni dhe të pranoni ftesën time për adhurimin e Allahut, dhe ky është qëllimi im. Nëse nuk e pranoni këtë, atëherë mos më luftoni, por më lini të lirë. Por ata i refuzuan të dyja alternativat. Ata vazhduan me kryelartësi duke refuzuar adhurimin e Allahut dhe duke luftuar profetin e Allahut, Musain (a.s). Madje, ata vendosën për të mos e lejuar Musain të largohej me popullin e tij, me bijtë e Israilit. - “Ai (Musai) iu lut Zotit të vet: “Këta janë vërtet një popull keqbërës!”." – Krimi i tyre e bënte të pashmangshëm përshpejtimin e ndëshkimit mbi ta. Musai (a.s) u lut kundër Faraonit dhe rrethit të tij thjesht duke treguar gjendjen e tyre, dhe kjo është më domethënëse sesa lutja e drejtpërdrejtë. Po në këtë mënyrë, pra, thjesht duke përmendur gjendjen, Musai u lut edhe për veten e vet, kur tha: “O Zoti im, unë jam nevojtar për çdo mirësi që të më japësh!” [Kasas 24]. Më pas, Allahu i Madhëruar e urdhëroi që të nisej në udhëtim me robtë e Tij natën, duke e njoftuar se Faraoni do t’i ndiqte nga pas: - “(Zoti tha:) “Bashkë me adhuruesit e Mi udhëtoni gjatë natës! Ata do t’ju ndjekin nga pas! Lëre detin pas, ashtu si është (i hapur), sepse ushtria e tyre do të mbytet.”” - Kur Musai (a.s.) u nis natën bashkë me bijtë e Israilit, ashtu sikurse Allahu e urdhëroi, nga pas iu vu Faraoni. Allahu i Madhëruar e urdhëroi Musain që ta godiste detin me shkopin e tij. Kur Musai e goditi detin, në të u hapën dymbëdhjetë shtigje, mes të cilave masat gjigande të ujit qëndronin si male të larta. Në këto shtigje kaluan Musai dhe populli i tij. Pasi ata

kaluan të gjithë, Allahu i Madhëruar e urdhëroi Musain që ta linte detin ashtu siç ishte, të hapur, që edhe Faraoni me ushtrinë e tij të hynin në të. Kur Faraoni me ushtrinë e tij hynë në shtigjet e hapura, Allahu i Madhëruar e urdhëroi detin që t’i mbulonte me ujin e tij, dhe ata u mbytën të gjithë, deri në ushtarin e fundit. Më pas, të gjitha ato pasuri që ata kishin patur në këtë dynja, Allahu i Madhëruar ua dha bijve të Israilit, që deri dje kishin qenë skllevër, siç thotë më pas: - “Sa e sa kopshte e burime lanë pas (Faraoni e pasuesit e tij)! Sa ara të mbjella e vende të bukura! Sa begati e stoli, me të cilat argëtoheshin! Të gjitha ato Ne ua lamë trashëgim një populli tjetër. ” – Kështu, i Madhëruari ua la ato të mira që t’i gëzonte një popull tjetër. Ndërsa në një ajet tjetër, Ai thotë: “Kështu, Ne ua lamë ato në trashëgim bijve të Israilit.” [Shuara 59]. - “Për ta nuk vajtuan as qielli e as Toka...” - Kur Allahu i Madhëruar e shkatërroi Faraonin me ushtrinë e tij, për ta nuk qanë as qielli e as toka. Askush nuk u shqetësua e nuk trishtua për largimin e tyre nga dynjaja. Madje, përkundrazi, çdo gjë u gëzua dhe u kënaq me shkatërrimin e tyre. Edhe qielli, edhe toka u kënaqën me këtë ndëshkim të drejtë të të Lartësuarit, sepse ata lanë pas vepra të këqija, që ua kishin nxirë fytyrat. Ata e bënë të meritueshëm mallkimin dhe derdhjen e zemërimit nga Zoti dhe nga e gjithë bota. - “...dhe as nuk patën kohë (që ti shpëtonin ndëshkimit) .” - Atyre nuk iu la afat, domethënë nuk iu shty ndëshkimi, por i përfshiu menjëherë. Më pas, Allahu i Madhëruar u kujton bijve të Israilit mirësitë, kur thotë: - “Ne i shpëtuam bijtë e Israilit prej dënimit poshtërues, Prej Faraonit,...” - Allahu i Madhëruar i shpëtoi ata nga vuajtja dhe poshtërimi, që Faraoni dhe pala e tij u bënë, duke u vrarë fëmijët meshkuj dhe duke ua lënë femrat të gjalla. - “...i cili qe mizor dhe i shfrenuar. ” – Faraoni ishte një arrogant i mbushur me padrejtësi. Ai e kishte tepruar duke shkelur kufijtë e Zotit. - “Ne, me dije të plotë, i zgjodhëm ata ndër popujt e tjerë...” - Allahu i Madhëruar na tregon se Ai i përzgjodhi dhe i dalloi bijtë e Israilit mbi të tjerët, me diturinë e Tij të plotë rreth tyre, dhe për faktin se ata e merituan një dallim të tillë. Ai i dalloi mbi njerëzit e tjerë të asaj kohe dhe të kohëve para e pas tyre. Kështu vazhdoi, derisa Allahu solli ymetin më të zgjedhur, në mënyrë të padiskutueshme, ymetin e Muhamedit (a.s.). Ky popull i kohës së fundit do të jetë populli më i zgjedhur i të gjitha kohëve, deri në Ditën e Gjykimit. Ata do të jenë populli më i mirë i nxjerrë për të mirën e njerëzimit, popull të cilit Zoti i ka dhuruar mirësi dhe begati, që nuk ua ka dhënë askujt prej popujve të tjerë të historisë njerëzore. - “...E u dhamë shenja, në të cilat kishte prova të qarta.” - Bijve të Israilit u dhanë shenja dhe mrekulli madhështore, të cilat ishin treguese të mirësisë dhe bujarisë së madhe të Allahut të Lartësuar. Ato ishin, gjithashtu, prova të padiskutueshme për vërtetësinë e Shpalljes që Musai përcillte, gjë e cila kërkon mirënjohje dhe përkushtim të plotë në adhurimin e Zotit si Një të vetëm.

← Duhan 44:17