فَٱرۡتَقِبۡ إِنَّهُم مُّرۡتَقِبُونَ
(Meqë nuk po marrin mësim) Ti pra prit, se edhe ata janë duke pritur.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Zoti xh. sh. i jep kurajë Muhamedit a.s., se atë dhe besimtarët e tij do t’i shpëtojë prej torturave të idhujtarëve, siç e pat shpëtuar popullin e Beni Israilëve prej faraonit. Idhujtarët nuk besonin në ringjallje dhe për të mbrojtur bindjen e tyre kërkonin prej Muhamedit a.s. të ringjallë ndonjë nga të parët e tyre. Nuk mendonin, se për shkak të krimit dhe të zullumit Zoti kishte shkatërruar para tyre popuj, që ishin shumë më të fortë se ata, si atë të Tubeit - sundues i Jemenit etj. Zoti nuk e krijoi këtë botë shkel e shko, e krijoi me një qëllim të caktuar, prandaj duhet vepruar sipas porosive të Tij, pse në ditën e Gjykimit, nuk mund ta ndihmojë askush tjetrin, pos ata që i mëshiron Allahu. Kemi përmendur edhe më parë se pema zekumit do të jetë ushqim i atyre në xhehenem. Ebu Xhehli në shenjë talljeje me Kuranin dhe Muhamedin a.s., përgatiti mazë dhe hurma e verë, dhe iu tha shokëve të vet urdhëroni, kjo është ai zekumi që po përmend Muhamedi a.s. Në Luftën e Bedrit Zoti e mposhti, ashtu që muslimanët e vranë. Sigurisht ai do të ushqehet me zekumin e përmendur. Këtu përmenden disa nga të mirat e xhenetit, të cilat do t’i gëzojmë, përmenden ashtu si ne mund t’i kuptojmë, e ato do të jenë shumë më të mira.