45. Xhathije · Ajeti 1 · Tefsir
Hyrja e sures El-Xhathije Sherif Ahmeti
E zbritur në Meke, pas Suretud Duhanë, ajete: 37
Në përmasa të gjera edhe kjo kaptinë shtron çështjet themelore të besimit islam.
Allahu i plotfuqishëm në sundimin e Tij, i gjithëdijshëm për robërit e vet, e shpalli Kur'anin kandil ndriçues për t'u ndriçuar njerëzve rrugën e fatbardhësisë dhe të hajrit.
Përmend se fuqia dhe mjeshtëria e përsosur e Zotit manifestohet në të gjitha krijesat në qiej e në tokë dhe atë mund ta kuptojnë të gjithë ata që me vëmendje përcjellin fjalët e Tij, e jo ata që nga inati ose mendjemadhësia nuk duan t'i vënë veshin, përkundrazi, edhe tallen.
Në këtë kaptinë bëhet një sqarim për drejtësinë e Zotit, e cila nuk do t'i konsiderojë të barabartë bamirësit dhe kriminelët, nuk do të jenë të njëjtë të dëmshmit me ata të dobishmit, sepse çdokush do të shpërblehet sipas besimit dhe punës së vet.
Mashtrimi pas dëshirave të epshit të shfrenuar, është shkak i humbjes së shikimit të drejtë e real ndaj çështjeve, ndaj, të tillët kurrë nuk do ta gjejnë të vërtetën.
Quhet: "Suretul Xhathije" - kaptina e gjunjëzimit. Nga frika se do të paraqiten të gjitha shënimet për veprat e bëra gjatë jetës dhe nga tmerri e paniku prej flakës së xhehenemit dhe gjendjes së trishtueshme që njerëzit kurrë nuk kanë mundur ta marrin me mend, disa bien në gjunj dhe aty, në atë moment dhe në atë gjendje të pikëllueshme do të manifestohet autoriteti i Muhammedit, pozita të cilën ia garantoi Zoti, "Mekami mahmud" dhe do të kihet shpresë në shefaatin e tij. O Zot, na udhëzo me mëshirën tënde që ta meritojmë atë shefaat!
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 45:1–45:20
Kur'anin Muhammedit ia shpalli Allahu, Krijues i qiejve e i tokës, Krijues i njerëzve dhe i të gjitha gjallesave, Ai që bën ndërrimin e natës e të ditës, Ai që lëshon shiun prej së larti dhe ngjall tokën, Ai që u jep drejtimin erërave. Pas këtyre argumenteve që ua shpjegon Allahu njerëzve, a mbetet të besohet ndonjë thënie tjetër? Jo, por të mjerët ata që i refuzojnë duke u zhytur në mëkate.
Jobesimtarët i dëgjonin këto fakte të Kur'anit por nga euforia, e kthenin shpinën sikur nuk i dëgjojnë. Njëfarë Nadr ibni Harith blinte përralla e legjenda prej popujve të tjerë dhe me to i mashtronte njerëzit për të mos e dëgjuar Kur'anin. Një asi qëndrimi ka ekzistuar atëherë e ka vazhduar edhe në kohët e mëvonshme deri më ditët e sotme. Po, të tillët e kanë në prag xhehenemin, e përpjekjet e tyre nuk do t'u bëjnë kurrfarë dobie.
Për njerëzit që me vëmendje vështrojnë të mirat e Zotit, të cilat Ai i krijoi për njerëz, ka mjaft fakte bindëse, kurse për ata që nuk duan të vështrojnë faktet dhe refuzojnë të vërtetën, Zoti i thotë Muhammedit që t'u thotë besimtarëve të heqin dorë prej tyre, se ata do t'i dënojë vetë Ai, kuptohet sipas veprave.
Edhe beni israilëve Zoti u pat dhënë të gjitha të mirat, por ata nuk u falënderuan, përkundrazi, mohuan dhe u përçanë. U përçanë pasi ishin të dijshëm edhe pse dija do të duhej ta pezullojë përçarjen. Ata nuk kishin për qëllim dijen si dije, por krenarinë. Dija nxiti përçarjen mes njerëzve, ngase niveli i të arriturave në dijeni është i ndryshëm. Në çështjet e fesë nuk mund të lajmërohet ndonjë përçarje, pse ato janë të thjeshta e të qarta për mendjen e shëndoshë, andaj nuk duhet ngatërruar çështjet e saj me teoritë e ndryshme, të cilat janë plot dyshime e supozime.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 45:1–45:5
Allahu i Lartësuar i udhëzon krijesat e Tij që të meditojnë rreth shenjave, begative dhe mirësive të shumta, që Ai u ka dhuruar; të meditojnë në pushtetin e Tij madhështor, nëpërmjet të cilit Ai krijoi qiejt dhe Tokën
dhe të gjitha krijesat e larmishme mes tyre. Allahu i Madhëruar i ka shpërndarë këto krijesa në qiejt e lartë, me shtresat dhe katet e tyre, si edhe në Tokë, në dheun e saj, në ujë, ajër e gjithçka ndërmjet. Allahu i Madhëruar ka bërë që nata dhe dita të zëvendësojnë njëra-tjetrën në këtë Tokë dhe ka bërë që nga retë lart në qiell të bjerë shi i begatshëm, nëpërmjet të cilit Ai ringjall tokën e thatë, pasi ajo është shkretuar. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar na udhëzon të meditojmë për erërat e shumta, nëpërmjet të cilave i Madhëruari drejton retë, për të lëshuar shiun atje ku Ai dëshiron. Nëpër - mjet erërave bëhet pjalmimi i bimëve. Po nga qielli, i Madhëruari zbret edhe atë që është ushqim i shpirtrave, edhe pse ka njerëz që nuk përfitojnë, sepse janë shterpë dhe nuk prodhojnë mirësi. Të gjitha këto janë shenja dhe argumente, të cilat ua shtojnë besimtarëve imanin dhe sigurinë tek Allahu, Krijuesi i gjithësisë, ndërsa mendje - ve ua shtojnë dritën, mençurinë, urtësinë për të kuptuar dhe medituar në cilësitë e Allahut të Lartësuar, duke i njohur ato hollësisht, përmes krijesave që Ai ka shpërndarë në qiej dhe në Tokë, dhe kështu t’u shtohet dashuria për Zotin, Krijuesin e Madhëri - shëm, bindja ndaj Tij, krenaria që janë robër adhurues të Tij, të nënshtruar ndaj të Madhërishmit; t’u shtohet dorëzimi, përku - shtimi i plotë përpara të Madhërishmit, të Lartësuarit. Kështu, ata stolisen me ndjenja dhe adhurime, që duhet t’i ketë çdo besimtar, në mënyrë që të jetë më afër Zotit. Zemrat e tyre mbushen me islam, iman dhe ihsan, që është grada më e lartë e besimit.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 45:1–45:11
- “Ha, Mim. Zbritja e Librit është prej Allahut, të Gjithëfuqishmit, të Urtit!” - Allahu i Madhëruar na tregon disa cilësi të mrekullueshme të Kur'anit, duke na urdhëruar indirekt për t’i dhënë rëndësinë, përkushtimin dhe respektin që meriton. Kur'ani është Libër i zbritur nga Allahu i Gjithëditur, i Cili është i vetmi i adhuruar me meritë. Vetëm Ai meriton të duhet me gjithë shpirt, të madhërohet dhe të lavdërohet. Emrat dhe atributet e Tij janë të mrekullueshme dhe absolute. Ai është i vetmi që i ka në dorë të gjitha mirësitë e i vetmi që i dhuron ato. Ai është i Gjithëfuqishmi dhe Atij i takon urtësia e plotë. Kur'ani është Shpallje e këtij Zoti të Madhërishëm, i Cili është i vetmi që meriton adhurimin, dashurinë dhe që t’i nënshtrohesh. Ky fakt përforcohet në ajetet më pas, ku Allahu i Madhëruar përmend shenjat që mund të dallohen në natyrë dhe në vetet tona. Ai thotë: - “Vërtet, në qiej dhe në Tokë ka plot Shenja për besimtarët. Edhe në krijimin tuaj dhe të gjallesave të kudogjendura ka fakte për njerëzit që janë të bindur (në besimin e drejtë) . Edhe në shkëmbimin e natës me ditën, në reshjet që Allahu lëshon prej qiellit, si furnizim dhe si gjallërues të tokës pas vdekjes së saj, ashtu edhe në lëvizjen e erërave ka fakte për njerëzit që mendojnë.” - Krijimi i qiejve, i Tokës dhe i gjallesave të shpërndara në to, dobitë dhe mirësitë e tyre për jetën, shiu që zbret nga qielli, me të
cilin gjallërohet toka dhe jetojnë krijesat, të gjitha këto, pra, janë shenja të qarta, të kuptueshme dhe të pakundërshtueshme, që tregojnë për madhështinë e Kur'anit dhe për faktin se ai është Shpallje e të Allahut të Madhërishëm. Ato dëshmojnë, gjithashtu, për vërtetësinë e çdo fjale, informacioni, mesazhi e dispozite që gjendet në të. Ato dëshmojnë se Allahu i Madhëruar është i Plotë dhe Absolut në çdo drejtim, në emrat, cilësitë dhe atributet e Tij. Por ato pohojnë edhe të vërtetën e ringjalljes dhe të llogarisë së drejtë para Krijuesit. - “Këto janë ajetet e Allahut, të cilat po t’i lexojmë me vërtetësi. Atëherë, çfarë fjale tjetër, veç fjalës së Allahut dhe fakteve të Tij besojnë ata?!” - Allahu i Madhëruar na tregon se, në lidhje me të përfituarit ose jo nga faktet e Kur'anit, njerëzit ndahen në dy grupe: 1. Ata që mendojnë thellë rreth këtyre fakteve, duke kuptuar domosdoshmërinë e besimit në Allahun e Lartësuar. Ata përfitojnë shumë nga udhëzimi i Allahut, duke e ngritur veten lart. Ata e besojnë plotësisht Allahun e Madhëruar, ashtu si edhe melekët e Tij, shpalljet e Tij, profetët e Tij dhe Ditën e Gjykimit. Besimi i tyre është i plotë, larg çdo dyshimi. Nëpërmjet Kur'anit dhe fakteve të Allahut të shfaqura në krijimin e Tij, shpirtrat e tyre pastrohen dhe dituria iu shtohet. 2. Ata të grupit tjetër i dëgjojnë faktet e Allahut, por i shpërfillin menjëherë ato, prandaj nuk do të kenë më asnjë justifikim para Zotit. Ata e shpërfillin të vërtetën, sikur të mos e kenë dëgjuar atë. Faktet e Allahut nuk i prekin zemrat e tyre dhe nuk i pastrojnë ato. Përkundrazi, për shkak të mendjemadhësisë që kanë, ato ua shtojnë edhe më shumë shfrenimin në kalimin e kufijve. Ata, kur dëgjojnë ndonjë fakt të Allahut, e marrin me tallje. Por i Madhëruari i kërcënon këta, duke thënë: - “Mjerë për çdo gënjeshtar e gjynahqar të madh, Që i dëgjon faktet e Allahut kur i lexohen, e pastaj vazhdon sërish të tregohet mendjemadh, sikur nuk i ka dëgjuar ato! Paralajmëroji ata për një ndëshkim të dhembshëm. Kur mësojnë diçka prej ajeteve Tona, ata i marrin me tallje. Ata do të kenë një dënim poshtërues.” - I Madhëruari i përshkruan këta të mjerë me dy cilësi: “ effak” - gënjeshtarë në fjalë dhe “ ethim” - gjynahqarë në vepra. Çdokush që ka këto cilësi kërcënohet se do të ketë një ndëshkim të dhembshëm. Për të kuptuar këtë ndëshkim, mjafton të thuhet se ata i pret Xhehenemi, siç thotë i Lartësuari më pas: - “Përpara tyre ndodhet Xhehenemi. Atyre nuk do t’u bëjnë aspak dobi ato që kanë grumbulluar dhe as ata, të cilëve u kërkojnë ndihmë në vend të Allahut. Ata do të vuajnë një dënim të ashpër.” - Atyre nuk do t’u bëjnë dobi pasuritë që kanë fituar në botë dhe as miqtë apo zotat, të cilëve iu luten e kërkojnë mbështetje. Ata do t’u kërkojnë ndihmë, por idhujt e tyre do t’i lënë në baltë në momentet më të nevojshme. Pasi foli për shenjat e Tij të sjella në Kur'an, për dëshmitë që gjenden në krijimin e Tij dhe për faktin që njerëzit ndahen në dy grupe, në lidhje me përfitimin apo jo prej shenjave të Tij, Allahu i Madhëruar pohon një tjetër fakt të rëndësishëm: Kur'ani i përmban të gjitha qëllimet e larta, të cilat çdo njeri duhet të përpiqet që t’i arrijë, dhe është udhëzues i qartë për arritjen e mirësive të dynjasë dhe të ahiretit. Kështu, i Madhëruari thotë: - “Ky (Kur'an) është një udhëzim madhështor.” – Këtu bëhet një përshkrim i përgjithshëm i Kur'anit. Ky libër na udhëzon duke na mundësuar njohjen e Allahut të Madhëruar, me cilësitë e Tij të mrekullueshme dhe të pastra nga çdo mangësi, si dhe me veprat e Tij të lavdëruara. Kur'ani na mundëson njohjen e profetëve të Allahut, të të dashurve e të zgjedhurve të Tij, si dhe na prezanton qartë armiqtë e Tij, duke bërë një përshkrim të plotë të secilit grup. Ai udhëzon drejt punëve të mira dhe inkurajon për kryerjen e tyre, ashtu siç na qartëson se cilat janë vepra të këqija dhe na ndalon nga ato.
Kur'ani na tregon me detaje se si do të jetë shpërblimi për veprat e robve, në këtë dynja dhe në ahiret. Të udhëzuarit që përfitojnë nga mësimet e Kur'anit, do të gjejnë lumturinë, ndërsa ata që nuk i pranojnë mësimet e tij i pret diçka tjetër: - “Ndërsa ata që nuk i pranojnë faktet e Zotit të tyre, i pret një dënim poshtërues dhe i mundimshëm.” - Për ata që mohojnë faktet e Zotit, të cilat janë të qarta e të prera, është përgatitur një ndëshkim poshtërues dhe i dhembshëm, sepse ato fakte i mohojnë veçse të shfrenuarit në tejkalimin e kufijve të Zotit.