← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

46. Ahkaf · Ajeti 7 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 46:1–46:19

Se Kur'ani është shpallje e Zotit, se është fjalë e Tij, e kurrsesi e ndonjë njeriu, është theksuar në nja dhjetë ajete, e për t'u dhënë njerëzve të kuptojnë se një këso shprehje e lartë me përmbajtje të mrekullueshme, nuk mund të burojë prej njeriut, e as nuk është kurrfarë trillimi, siç thonë idhujtarët.

Krijimi i çdo gjëje është bërë me një qëllim dhe për një kohë të caktuar, kohë të cilën e di vetëm Zoti. Ndërsa zotat që ia shoqërojnë Allahut, as nuk kanë krijuar gjë, as nuk e dëgjojnë lutjen e adhuruesve, e në ditën e kijametit, përveç që do ta refuzojnë adhurimin e tyre, do të bëhen edhe armiq të adhuruesve.

Pejgamberi ynë urdhërohet t'ju thotë se ai nuk është pejgamberi i parë, nuk ka shpikur diçka për herë të parë, pejgamberë pati edhe para tij, nuk është në dorën e tij as fati i vet, as fati i tyre, dhe me përpikmëri duhet t'i përmbahet asaj që i shpallet. Urdhërohet t'u thotë idhujtarëve, nëse Kur'ani është vërtet fjalë e Zotit, e ju mohuat, atëherë ç'do të bëhet me ju" Prej beni israilëve ka asish që e pranuan dhe dëshmuan se është prej Zotit, andaj besuan dhe shpëtuan, kurse ju mbetët të humbur.

Për arsye se Kur'anin dhe fenë islame e kishin pranuar disa të varfër e të dobët si Bilali, Ammari, Suhajbi, Hababi etj., të cilët nuk kishin ndonjë autoritet të përparshëm, idhujtarët thoshin se sikur të ishte ndonjë e mirë, ata të dobëtit nuk do të na kalonin neve.

Derisa kënaqësia e Allahut gjendet tek ai që i kënaq prindërit, dhe hidhërimi i Allahut është kundër atij që i hidhëron prindërit, Allahu urdhëron respektin, bamirësinë ndaj prindërve dhe numëron vuajtjet dhe kujdesin e tyre ndaj fëmijëve. Sipas këtij ajeti kuptohet se koha më e shkurtër e shtatzënësisë është të paktën gjashtë muaj, pse koha e gjidhënies është dy vjet, ashtuqë e tërë kjo kohë zgjat tridhjetë muaj.

Koha e pjekurisë së plotë është dyzetvjetëshi, andaj edhe pejgamberët nuk u dërguan para se ta arrinin këtë moshë të pjekurisë. Besimtari i mirë është mirënjohës ndaj Zotit dhe ndaj prindërve, andaj i lutet ta udhëzojë në rrugën e drejtë dhe t'i falë pasardhës të mirë.

Njeriu i keq nuk i përgjigjet as thirrjes së prindërve për rrugën e drejtë, andaj ai do t'i takojë atij grupi që janë xhehenemlinj.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 46:7–46:9

- “Kur u lexohen ajetet Tona të qarta, mohuesit thonë për të vërtetën, që u ka ardhur: “Kjo është magji e qartë!” - Allahu i Madhëruar na tregon rreth idhujta - rëve dhe kryeneçësisë së tyre në refuzimin e besimit të vërtetë. Kur atyre u lexohen ajetet e qarta e shtjelluese të të vërtetës, pa asnjë hapësirë për dyshim, ata thonë: “Kjo është magji e qartë!” Pra, kjo është një magji e dukshme, lehtësisht e kuptueshme. Në fakt, ata mashtrojnë dhe thjesht zhyten më thellë në errësirë dhe në humbje. - “Ose thonë: “Ai e ka trilluar vetë atë.” - Domethënë, Muhamedi .ﷺ - “Ti thuaju: “Nëse unë e kam trilluar atë, ju nuk keni asnjë mundësi që të më mbroni prej Allahut.” - Nëse unë do të flisja diçka që Zoti nuk e ka thënë dhe të pretendoja se e ka thënë Ai, askush nuk do të mund të më strehonte dhe mbronte nga ndëshkimi i Allahut, sikurse ka thënë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Thuaj: “Është e vërtetë se mua nuk më mbron askush prej Allahut dhe, përveç se tek Ai, unë nuk mund të gjej mbështetje askund tjetër. Unë jam veçse përcjellës mesazhit t ë i Allahut dhe i shpalljeve të Tij. Atyre që kundër - shtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij u takon zjarri i Xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë, pa mbarim.” [Xhin 22, 23]. Ose: “Ai është shpallje prej Zotit të botëve. Sikur ai të trillonte për Ne ndonjë fjalë, Ne do ta kapnim atë me fuqinë Tonë, e pastaj do t’ia këputnim arterien e zemrës. E askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij. Ai (Kurani) është këshillë për të devotshmit.” [Hakka 43 - 48]. - “Ai është më i Dituri për të gjitha shpifjet tuaja rreth tij. Por mjafton që Ai është dëshmitar mes meje dhe jush.” - Ky është një kërcënim i pakthyeshëm, paralajmërim i frikshëm, drejtuar të mjerëve që shpifin për Shpalljen e Zotit dhe Profetin e Tij. Vërej me kujdes fjalën e Allahut, kur thotë: - “Ai është Falësi e Mëshirëploti.” - Pra, menjëherë pas kërcënimit të frikshëm, vjen nxitja për t’u penduar dhe për të përfituar nga falja, mëshira dhe butësia e Zotit, sikurse thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Ata thonë (për Kuranin) : “Këto janë legjenda të popujve të lashtë, të cilat ai

(Muhamedi) kërkoi që t’i shkruhen dhe i lexohen atij mëngjes e mbrëmje”. Thuaj: “Kurani është zbritur nga Ai, që e di të fshehtën në qiej e në tokë. Ai është Falës i Madh e Mëshirëplotë.”.” [Furkan 5, 6]. - “Thuaju: “Unë nuk jam i pari i dërguar ...” - Pra, unë nuk jam i pari i dërguar prej lajmëtarëve të Zotit. Ka patur shumë të dërguar të tjerë para meje. - “... e nuk e di se çfarë do të ndodhë me mua e as me ju.” - Ali Ibn Ebu Talha përcjell thënien nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), - i njëjti pohim vjen edhe nga Ikrime, Haseni dhe Katade, - se: ky ajet është abroguar me fjalën e Allahut të Lartësuar kur thotë: “Ne të dhamë ty (o Muhamed) një fitore të madhe, që Allahu të t’i falë gabimet e kaluara dhe ato të mëvonshme, ta plotësojë mirësinë e Tij ndaj teje dhe të të udhëzojë në rrugë të drejtë.” [Fet’h 1, 2]. Pra, në këtë ajet tregohet qartë se Allahu i Lartësuar do t’ia falte Profetit ﷺ të gjitha gabimet, si të shkuarat, edhe të mëvonshmet. Është një hadith, që Imam Ahmedi e sjell nga Umu Ala’e, e cila rrëfen: 2368. “Kur u sëmur Uthman Ibn Medhuni (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ne u kujdesëm për kurimin e tij. I ndenjëm mbi kokë gjatë gjithë kohës, derisa ndërroi jetë. Kur ndërroi jetë, ne e përgatitëm dhe e qefinosëm. Atëherë erdhi tek ne Profeti i Allahut. Unë thashë: “Mëshira e Allahut qoftë mbi ty, o Ebu Saib (domethënë, Uthman Ibn Medhuni)! Dëshmoj se Allahu Krenar dhe i Lartësuar të ka nderuar!” Në këtë moment, Profeti i Allahut tha: “E ku e di ti se Allahu i Lartësuar e ka nderuar atë?” - “Nuk e di, - u përgjigja, - u bëfshin kurban babai dhe nëna ime për ty, o i Dërguar i Allahut!” Atëherë, profeti i Allahut tha: “Për sa i përket atij, tashmë i erdhi e sigurta - pra, vdekja, - nga Zoti i Tij dhe unë vërtet shpresoj mirësi për të. Vallahi, unë jam i Dërguari i Allahut dhe nuk e di se çfarë do të bëhet me mua!” Atëherë, unë i thashë: “Vallahi, pas kësaj, nuk kam për të dëshmuar për shpëtimin apo pastërtinë e askujt.” Kjo ngjarje (vazhdon të tregojë Ummu Ala’e) më shqetësoi në zemër, por kur fjeta, pash në ëndërr Uthmanin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), pranë të cilit ishte një burim me ujë. Menjëherë shkova tek Profeti i Allahut dhe i tregova. Profeti i Allahut tha: “Kjo është prej veprave të mira që ai ka bërë.” Buhariu është i vetëm në sjelljen e këtij versioni, të cilin nuk e ka sjellë imam Muslimi. Në një transmetim tjetër qëndron: 2369. “Unë jam i Dërguari i Allahut dhe nuk e di se çfarë do të bëhet me të.” Pra, në vend të “me mua”, tha: “me të”. Ka shumë mundësi që ky version i dytë të jetë më i saktë. Argument për këtë që themi është pikërisht edhe fjala e vetë gruas së tij, që është edhe transmetuesja e hadithit, që tha: “Kjo më shqetësoi në zemër”, në lidhje me fjalën e Profetit që ‘nuk e di se çfarë do të bëhet me të’ , pra, me Uthman Ibn Medhunin. Në këtë hadith dhe të ngjashmit me të ka prova që na tregojnë që kurrsesi të mos dëshmojmë në mënyrë të prerë për një person të caktuar se ai është në Xhenet, përveçse për ata për të cilët ka ardhur argu - ment në Sheriat në mënyrë të speci fikuar, sikurse janë 10 të përg ëzuarit me Xhenet, ose Ibn Selami, El Umejsa, Bilali, Suraka, Abdullahi babai i Xhabir Ibn Abdilahi ose 70 hafizët, të cilët u vranë në betejën e Bi’ri Maunes, ose Zejd Ibn Haritheh, Xhaferi Ibn Ebi Talibi, Abdullah Ibn Ebi Rauaha dhe të tjerë (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!), për të cilët ka argument dhe dëshmi nga Profeti .ﷺ - “Unë zbatoj vetëm atë që më shpallet dhe unë jam veçse një i dërguar, që jep paralajmërime të qarta.” - Unë pasoj veçse atë që më shpallet nga Zoti dhe jam veçse një kumtues i qartë i mesazheve të Zotit tim, mesazhe të cilat përmbajnë paralajmërime të qarta, mësime të vyera, udhëzime dhe dritë për këdo që ka logjikë dhe mendje të shëndoshë. Allahu është më i ditur.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 46:7–46:10

- “Kur u lexohen ajetet Tona të qarta, mohuesit thonë për të vërtetën, që u ka ardhur: “Kjo është magji e qartë!” - Kur mohuesve të Zotit u lexohen dhe u sqarohen plotësisht shpalljet e Tij, kjo nuk u bën asnjë dobi. Ky sqarim thjesht nuk u lë më asnjë justifikim para Zotit. Madje ata, duke dashur thjesht të mohojnë, kur dëgjojnë fjalën e Zotit, shpifin dhe thonë: “Kjo është magji e qartë!”. Pra, për të vërtetën e sjellë nga Zoti dhe për faktet e padiskutueshme të sjella nga profetët e Tij, këta mashtrues shpifin e thonë se janë thjesht magji. Kjo nuk është gjë tjetër, por veçse një përmbysje e realitetit. Megjithatë, kjo mënyrë mund të gënjejë veçse mendjelehtët. E si mundet që shpalljet dhe mrekullitë, me të cilat Zoti ka mbështetur profetët duke dëshmuar për vërtetësinë e tyre, t’i mohosh e t’i krahasosh me magjinë dhe ligësinë e saj?! Mes dy rasteve ka një ndryshim të madh, sa largësia

mes qiellit dhe Tokës. E vërteta është ajo që ngrihet mbi gjithçka. Drita e saj e tejkalon dritën e diellit. Saktësia e saj dëshmohet nga një mori faktesh të shfaqura në natyrë dhe në vetet tona. Të vërtetën e pranojnë dhe i nënshtrohen mendjet më të ndritura dhe krijesat më të zgjedhura, që të jetojnë e punojnë sipas saj. Prandaj, si mund të krahasohet e vërteta me magjinë, e cila është gjëja më e kotë dhe e cila buron veçse nga të devijuarit dhe të padrejtët, nga shpirtligjtë e punëkëqijtë. Në fakt, magjia u shkon për shtat pikërisht atyre që e krahasojnë atë me Shpalljen dhe të vërtetën e Zotit. Këto pretendime janë veçse pallavra, me të cilat synohet thjesht justifikimi për të mos pranuar të vërtetën. - “Ose thonë: “Ai (Muhammedi) e ka trilluar vetë atë.” ” - Ata pretendojnë se Kur'anin e trilloi vetë Muhamedi (a.s), domethënë se nuk është Shpallje e Zotit? Për t’iu kundërvënë këtij pretendimi, Allahu i Lartësuar e udhëzon të Dërguarin e Vet të thotë: - “Ti thuaju: “Nëse unë e kam trilluar atë, ju nuk keni asnjë mundësi që të më mbroni prej Allahut.” - Mendohuni pak! Allahu ka dijeni të plotë për pretendimin tuaj. Si është e mundur që Ai nuk më ndëshkon për trillimin tim, sikurse pretendoni ju? A mund të më mbroni ju nga Zoti, nëse Ai dëshiron të më ndëshkojë? Po nëse Ai dëshiron të më mëshirojë, vallë, a mund ta pengoni ju mëshirën e Tij? - “Ai është më i Dituri për të gjitha shpifjet tuaja rreth tij (Kur'anit).” - Nëse unë do të isha trillues ndaj Allahut, Ai do të më ndëshkonte me fuqinë e Tij dhe do të ma këpuste arterien e zemrës sime. Ai do të jepte një ndëshkim, që do ta vërente dhe do ta dinte çdokush, sepse trillimi ndaj Tij dhe shtirja si i dërguar i Tij është krimi më i madh ndaj Zotit dhe shpifja më e dënueshme. Më pas, duke i ftuar që të pendohen për armiqësinë ndaj të vërtetës dhe për refuzimin me inat të saj, Allahu i Madhëruar udhëzon e thotë: - “Por mjafton që Ai është dëshmitar ndërmjet meje dhe jush. Ai është Falësi i Madh e Mëshirëplotë.”! - Pendohuni tek Ai dhe ndaluni nga ato gjëra që veproni dhe trilloni! Nëse pendoheni sinqerisht tek Zoti, Ai do t’jua pranojë pendimin dhe do t’ju mëshirojë, duke ju dhënë sukses të bëni të mira dhe duke ju dhururuar për to shpërblime të shumta e të mëdha. - “Thuaju: “Unë nuk jam i pari i dërguar e nuk e di se çfarë do të ndodhë me mua e as me ju.”” - Unë nuk jam i pari i dërguar i Zotit, e kjo dihet! Pse habiteni me mesazhin që unë sjell? Pse, pra, e refuzoni ftesën time? Shumë profetë të tjerë kanë ardhur para meje dhe mesazhi im është tërësisht në përputhje me mesazhin e tyre. Atëherë, për çfarë arsyeje e refuzoni mesazhin tim, që unë po jua përcjell prej Zotit? - “Unë zbatoj vetëm atë që më shpallet...”. - Unë jam veçse një njeri, dhe si i tillë nuk kam në dorë asnjë çështje. Vetëm Allahu i Madhëruar i ka në dorë të gjitha çështjet, të miat dhe tuajat. Ai do të

gjykojë mbi mua dhe mbi ju. Unë nuk vij tek ju me diçka nga vetja ime. - “...dhe unë jam veçse një i dërguar, që jep paralajmërime të qarta.”!” - Nëse ju e pranoni Shpalljen që unë përcjell nga Zoti juaj e nëse dëgjoni porositë e mia, ky do të jetë fati juaj i mirë dhe lumturia juaj në dynja dhe në ahiret. Por nëse më refuzoni dhe e shpërfillni mesazhin e Zotit të sjellë prej meje, llogaria juaj do të bëhet nga Zoti. Por mos harroni, se unë ju paralajmërova dhe jua tërhoqa vërejtjen, prandaj nuk kam më asnjë përgjegjësi para Zotit tim. - “Thuaju: “Më tregoni se ç’do të bëhet me ju, nëse ai (Kur'ani) është prej Allahut, kurse ju e mohoni, ndërkohë që një dëshmitar nga bijtë e Israilit dëshmoi për vërtetësinë e tij dhe e besoi, kurse ju tregoheni kryeneçë?! ” - Ju e mohoni Kur'anin, por çfarë ndodh nëse ai është libri i Allahut të Madhëruar? Çfarë ndodh, kur për vërtetësinë e tij dëshmojnë më të zgjedhurit dhe më të udhëzuarit nga mesi i ithtarëve të Librit, të cilët kishin patur shumë shenja e fakte për të njohur të vërtetën? Nëse ju e mohoni atë, a nuk është ky krimi më i madh? Nëse mesazhi i sjellë prej meje është në përputhje me mesazhin e të gjithë profetëve, dhe kjo është pranuar nga pasuesit e denjë të profetëve, ndërsa ju nuk doni ta pranoni, a nuk është ky tregues i padrejtësisë, i kufrit, i mendjelehtësisë dhe i injorancës tuaj? Dijeni, atëherë, se me mendjemadhësi dhe me shpërfilljen e fakteve të pamohueshme të sjella nga Zoti, ju nuk keni për ta gjetur kurrë të vërtetën. Allahu i Madhëruar thotë: - “Allahu nuk i udhëzon në rrugën e shpëtimit njerëzit e padrejtë.” - Prej padrejtësisë është edhe shpërfillja me fodullëk e të vërtetës, pasi të krijohet mundësia ta kuptosh dhe ta pranosh atë.

← Ahkaf 46:7