47. Muhammed · Ajeti 34 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 47:20–47:38
Besimtarët e sinqertë dëshironin që Allahu përmes Kur'anit t'u lejojë të luftojnë kundër armikut, mirëpo, kur u shpall Kur'ani që e urdhëroi luftën, hipokritët u frikësuan sikur të thirreshin për vdekje, e do të ishte më mirë për ta të ishin të sinqertë ndaj Allahut, sepse sikur të mbetnin në atë mosbesim në të cilin kishin qenë, toka do të mbushej me të këqija, e pos asaj, njerëzit e tillë ishin të mallkuar prej Zotit.
Hipokritët nuk thelloheshin në studimin e mësimeve të Kur'anit, meqë dreqi ua kishte hijeshuar punët e këqija, duke i mashtruar se do të jetojnë gjatë. Ata edhe bashkëpunonin me jehuditë, të cilët ia kishin mëni Kur'anit, dhe u thoshin se do të shkaktojnë përçarje në radhët e luftëtarëve të Pejgamberit, po Zoti i dinte fshehtësitë e tyre dhe i zbuloi e i turpëroi. Mëkatarëve hipokritë melekët ua marrin shpirtin, duke i rrahur me hekur.
Zoti i zbuloi ata që ishin tradhtarë, ndonëse ata njiheshin edhe prej fjalëve, e lufta e urdhëruar kishte për qëllim t'i nxjerrë në shesh ata që ishin të sinqertë dhe ata që ishin hipokritë. As mosbesimi, as hipokrizia e hipokritëve Allahut nuk i sillnin kurrfarë dëmi, por vetes ia humbnin të gjitha veprat e mira.
Myslimanët, duke qenë se ishin dominues mbi kundërshtarin dhe se ndihma e Zotit ishte në anën e tyre, nuk kishin të drejtë as të tregohen të dobët, e as të kërkojnë armëpushim. Ata duhej ta dinin se jeta e kësaj bote është pak send, andaj të mos u dhimbsej ajo pjesë e pasurisë, të cilën e japin për forcimin e ushtrisë së vet, me të cilën mbroheshin prej armikut, meqë nëse do të dominonte armiku do t'u shkonte e tërë pasuria. Fundi i fundit Allahu nuk ka nevojë për asgjë, njerëzit janë nevojtarë për Te, e nëse njerëzit nuk i dalin zot vetes, ata zhduken e Zoti sjell popull tjetër që është i zoti vetvetes.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures Muhammed. Qoftë lavdëruar Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 47:32–47:35
- “Ata që nuk besojnë, që i pengojnë të tjerët nga Rruga e Allahut dhe që kundërshtojnë të Dërguarin, pasi u është bërë i qartë udhëzimi i vërtetë, ata nuk mund ta dëmtojnë aspak Allahun. Ai do t’i zhvlerësojë veprat e tyre.” - Allahu i Lartësuar na tregon rreth atyre të cilët mo - honin fenë dhe pengonin njerëzit nga rruga e Allahut, rreth atyre që iu kundërvunë Profetit të Zotit, kundërshtonin rrugën e Tij dhe ata të cilët e refuzuan sërish imanin, edhe pasi iu bë i qartë udhëzimi i drejtë. Ai na tregon se ata nuk kanë për të dëmtuar aspak Zotin me veprat e tyre, por secili do të dëmtojë vetveten, do të shkatërrohet dhe dëshpërohet në Ditën e Premtimit. Me këto vepra, ata do të shkatërrojnë edhe ato pak vpra të mira që kanë bërë, sepse Allahu ka për t’ua asgjësuar dhe nuk ka për t’i shpërblyer në ahiret. Ai i cili rimohon pas besimit të tij nuk ka për të marrë asnjë shpërblim për veprat e shkuara, as sa një flatër mushkonje. Përkundrazi, ato kanë për t’u asgjësuar tërësisht, ashtu sikundër ndodh që edhe punët e mira i fshijnë punët e këqija. Imam Ahmedi sjell përmes rrugës së Abdullah Ibn Mubarakut nga Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), i cili ka thënë: 2406. “Ne, sahabët e Profetit të Allahut, e dinim se të gjitha veprat e mira do të pranoheshin tek Zoti, derisa zbriti ajeti: “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit e mos i çoni dëm veprat tuaja!”. Atëherë, ne pyetëm: “Çfarë i asgjëson punët tona? Dhe menduam se gjynahet e mëdha, poshtërsitë dhe shfrenimi janë ato që i fshijnë veprat e mira. Kështu vazhduam të besonim, derisa zbriti fjala e Allahut të Lartësuar: “Allahu nuk fal që të adhurohet dikush a diçka tjetër veç Tij, ndërsa gjynahet e tjera ia fal kujt të dojë. Kush adhuron dikënd a diçka tjetër veç Allahut, ka bërë një gjynah të madh.” [Nisa 48]. Pasi zbriti ky ajet, ne reshtëm së foluri në lidhje me këtë çështje dhe gjithmonë ishim të frikësuar për atë që bënte gjyna - he të mëdha e poshtërsi, ndërkohë që shpre - sonim për ata që nuk i bënin këto, që Allahu i Madhëruar t’i pranonte veprat e tyre.” Më pas, Allahu i Lartësuar urdhëron adhuruesit e Tij besimtarë që t’i binden Atij dhe Profetit të Tij, duke u treguar se bindja ndaj tyre është pikërisht ajo që do t’u mundësojë lumturinë në të dyja jetët. Gjithashtu, Ai u ndalon rikthimin në mosbesim, braktisjen e fesë dhe veprave të mira, sepse kjo gjë i shkatërron dhe fshin të gjitha punët. - “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit e mos i çoni dëm veprat tuaja!” - Domethënë, mos i çoni dëm përmes rimohimit, rikthimit në mosbesim dhe braktisjes së fesë. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë menjëherë pas kësaj: - “Ata që nuk besojnë dhe pengojnë të tjerët nga Rruga e Allahut, pastaj vdesin duke qenë jobesimtarë, Allahu nuk do t’i falë kurrë.” - Më pas, Allahu Krenar dhe i Lartësuar u drejtohet robërve të Tij besimtarë dhe adhuruesve të Tij të sinqertë, duke u thënë: - “Mos u tregoni të dobët e të kërkoni paqe, kur ju jeni më të lartët dhe Allahu është me ju!” - Kurrë mos u dobësoni në luftën kundër armiqve e të kërkoni paqe. Mos kërkoni aleancë e paqe me mohuesit, ndërkohë që ju jeni të fortë, jeni të shumtë në numër dhe në armatim: “... kur ju jeni më të lartët ... ”, domethënë me epërsi ndaj armikut tuaj. Nga ana tjetër, nëse armiku ka forcë dhe epërsi numerike përballë gjithë muslimanëve dhe udhëheqësi i tyre sheh se aleancat, marrëveshjet dhe paqja kanë dobi, atëherë atij i lejohet që t’i pranojë, sikurse veproi Profeti i Allahut, kur mohuesit kurejshë e ndaluan të futej në Mekë dhe e ftuan atë që të bënte marrveshje. Në bazë të marrëveshjes, lufta u ndalua për dhjetë vjet. Profeti i Allahut iu përgjigj kësaj ftese dhe pranoi ta nënshkruante paktin. - “... dhe Allahu është me ju!” - Ky është një përgëzim i mrekullueshëm për besimta - rët, se Allahu i Madhëruar ka për t’u dhuruar fitoren mbi të gjithë armiqtë e tyre.
- “Ai nuk do t’jua pakësojë kurrë veprat tuaja.” - Domethënë, nuk ka për t’i asgjë - suar apo zvogëluar shpërblimin e tyre. Përkundrazi ka për t’ua dhënë shpërblimin e tyre të plotë, pa ju pakësuar prej saj asgjë. Dhe Allahu është më i ditur.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 47:34–47:35
Ky ajet, së bashku me ajetin 217 në suren Bekare, ku thuhet: “E kush zbrapset nga feja e Tij dhe vdes si jobesimtar, atij i zhduken veprat në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Të tillët janë banorë të Zjarrit dhe në të do të jenë përjetësisht”, janë kufizuese të çdo teksti gjithëpërfshirës, ku thuhet se kufr-i i fshin të gjitha veprat. Pra, kushti është që mohuesin ta kapë vdekja në atë gjendje, domethënë, pa u penduar para vdekjes. Kështu, i Madhëruari thotë në këtë ajet: - “Ata që nuk besojnë dhe pengojnë të tjerët nga Rruga e Allahut, pastaj vdesin duke qenë jobesimtarë, Allahu nuk do t’i falë kurrë.” - Ata të cilët mohojnë Allahun, melekët, librat, profetët e Tij, Ditën e Fundit, madje pengojnë edhe të tjerët nga feja e Allahut, duke ua shtrembëruar të vërtetën dhe duke ua zbukuruar të kotën, pastaj vdesin në këtë gjendje, pa u penduar nga këto punë të këqija, këtyre Allahu nuk ka për t’ua falur gjynahet. Këtyre nuk kanë për t’iu falur gjynahet as nëpërmjet ndërmjetësuesve e as me ndonjë mënyrë tjetër. Për ta bëhet i pakthyeshëm ndëshkimi dhe i paarritshëm shpërblimi. Për ta bëhet e detyrueshme përjetësia në zjarrin e Xhehenemit, duke iu mbyllur pëfundimisht porta e Mëshiruesit dhe Falësit të madh. Nga ajeti kuptojmë se, nëse ata pendohen për këto punë para vdekjes, Allahu i përfshin në faljen dhe mëshirën e Tij, dhe i fut në Xhenet. Sikur të gjithë jetën e tyre ta kenë kaluar duke mohuar Allahun e gjithçka që nuk duhet mohuar, duke penguar njerëzit nga rruga e Allahut e duke bërë gjynahe pa fre, në qoftë se ata, para vdekjes, pendohen dhe kthehen te Zoti me kërkim faljeje, i Gjithëmëshirshmi i fal dhe i mëshiron. I Lartësuar dhe i Lavdëruar qoftë Allahu i Madhëruar, i Cili ia ka hapur portën e pendimit dhe nuk ia ka mbyllur askujt, për sa kohë është gjallë dhe mund të pendohet. I Lavdëruar qoftë Ai, që është i Butë e i Mëshirshëm, që nuk nxitohet të ndëshkojë gjynahqarët, por, përkundrazi, i ruan, u jep shëndet e i furnizon, sikur të mos kishin bërë asnjë gjynah, edhe pse është i Plotfuqishëm që t’i ndëshkojë! Pastaj i Madhëruari thotë: - “Mos u tregoni të dobët e të kërkoni paqe, kur ju jeni më të lartët dhe Allahu është me ju! Ai (Allahu) nuk do t’jua pakësojë kurrë (shpërblimin për) veprat tuaja.” - Mos u tregoni të pafuqishëm në luftën kundër armiqve tuaj! Mos u frikësoni, por bëhuni durimtarë dhe qëndroni të patundur! Vazhdimisht përgatituni për luftë dhe vështirësi, por bëjeni këtë me qëllimin për të kënaqur Zotin tuaj, në ndihmë të Islamit, si dhe për të poshtëruar Shejtanin! Mos kërkoni paqëtim me qafirët, thjesht për të rënë rehat, sepse ju jeni më të lartët dhe Allahu është me ju! Ai kurrë nuk ka për t’jua cenuar shpërblimin dhe rezultatet e përpjekjeve tuaja. Këtu renditen tri arsye të forta, të cilat duhet patjetër t’i motivojnë besimtarët për të qenë të duruar dhe të qëndrueshëm:
1. Ata janë më të lartët. Kjo do të thotë që ata i plotësojnë të parët kushtet e fitores dhe të marrjes së premtimit të Allahut. Njeriu ndihet më i ulët se armiku i tij jo vetëm kur është më poshtë në numër, në përgatitje e mjete se ai, por edhe kur është më i dobët në forcën shpirtërore. 2. Allahu është me ata. Allahu është me besimtarët, duke i ndihmuar, forcuar dhe duke u dhënë fitoren. Ky fakt i fuqizon zemrat e tyre dhe i bën të ndihen superiorë mbi armiqtë. 3. Allahu nuk i pakëson aspak veprat dhe përpjekjet e tyre. Ai jo vetëm që do t’ua dhurojë të plotë shpërblimin që meritojnë, por do t’ua shtojë atë edhe më shumë, nga mirësia dhe bujaria e Tij. Në mënyrë shumë të veçantë, Ai shpërblen adhurimin që quhet xhihad, sepse çdo shpenzim për të shpërblehet deri në shtatëqindfish e më shumë. I Lartësuari thotë: “O ju që keni besuar! Jini të devotshëm ndaj Allahut dhe jini gjithmonë me ata që janë të drejtë (në fjalë dhe në vepra) ! Nuk do të ishte me vend për banorët e Medines e as për beduinët përreth, që të mos e ndiqnin pas të Dërguarin e Allahut dhe të kursenin veten, në vend të atij. Nuk do të ishte me vend, sepse sa herë që ata i kapte etja, lodhja dhe uria në rrugën e Allahut, sa herë që shkelnin ndonjë rrugë që i hidhëronte jobesimtarët, sa herë që arrinin çfarëdolloj fitoreje kundër armikut - të gjitha këto do t’u shkruhen si vepra të mira. Allahu nuk ua humb shpërblimin vepërmirëve. Çdo herë që ata do të bënin ndonjë shpenzim në rrugën e Allahut - të vogël ose të madh - dhe sa herë që do të kapërcenin ndonjë luginë, atyre do t’u regjistrohej, që Allahu t’i shpërblejë më së miri për veprën e tyre.” [Teube 119 – 121]. Atëherë, kur robi sigurohet se Allahu i Madhëruar nuk do t’ia çojë kot luftën dhe përpjekjet e tij, kjo ia shton vullnetin dhe forcat për ta kryer sa më mirë çdo lloj detyrimi. Po nëse bashkohen të tria arsyet e mësipërme? Pa dyshim, ato ia forcojnë vullnetin dhe aktivitetin, duke i bërë të pathyeshëm. Kështu, Allahu i Madhëruar i gjallëron dhe i forcon shpirtërisht besimtarët, për t’u bërë të durueshëm dhe të qëndrueshëm në çdo rrugë që sjell suksesin e tyre.