5. Maide · Ajeti 2 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:1–5:5
Besimtarët janë të obliguar të jenë besnikë, dhe çdo premtim a obligim duhet zbatuar me përpikëri, qoftë obligim që ka të bëjë mes Allahut dhe njeriut, qoftë që ka të bëjë mes njerëzve.
Gjatë kohës së riteve të haxhit është e ndaluar edhe gjuetia, me çka kuptohet se Qabja me rrethinë është vend i shenjtë dhe vend sigurie edhe kur është fjala për shtazë të egra. Prandaj nuk lejohet të bëhen ndryshime në përcaktimet që ka bërë Zoti, nuk lejohet lufta në muajtë e shenjtë, nuk lejohet pengimi i kurbanëve të caktuar që të therren te Qabja. Arabët kanë pasur zakon t'i vëjnë në qafë devës një gjerdan për të treguar se ajo është përcaktuar për kurban dhe ashtu të sigurohet.
Përveç kafshës së ngordhur, gjakut, derrit, janë të ndaluara edhe ato kafshë që therren në emër të idhujve, e jo në emër të Zotit.
E rrëzuarja prej ndonjë vendi të lartë, e shpërthyerja nga briri i ndonjë tjetre dhe e kafshuarja (një pjesë) nga egërsirat, nëse zihet e gjallë dhe therret, është e lejuar të hahet.
"Nusub" janë gurë të vendosur rreth Qabes, mbi të cilët bëheshin therorizime të kafshëve në shenjë respekti ndaj tyre. Ato janë haram.
Dita për të cilën thuhet se u plotësua dhe u përsos feja islame, ishte nata e bajramit, në Arafatë, në vitin e dhjetë të hixhretit.
Janë të lejuara edhe gjahu i shtazëve të dresuara dhe kafshët e therrura prej ithtarëve të librit, të krishterë dhe jehudi. Është e lejuar edhe martesa me gra të ndershme jomyslimane nga krishterët dhe jehuditë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:1–5:2
- O ju që keni besuar! - Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Meani dhe Aufi, - ose nga njëri prej atyre të të dyve, - se një burrë shkoi tek Ibn Mesudi dhe i tha: “Më mëso!” Atëherë, ai i tha: “Nëse e dëgjon fjalën e Allahut kur thotë: “O ju që keni besuar!” , atëherë dëgjo me shumë kujdes, sepse më pas do të vijojë një mirësi, për të cilën Ai do të të urdhërojë, ose ndonjë haram, të cilën Ai do ta ndalojë.” - Plotësojini detyrimet! - Ibn Abasi, Muxhahidi e të tjerë, e kanë shpjeguar: “...zbatoni ligjet dhe dispozitat e Zotit.” Ligjet që urdhërohemi për t’i zbatuar janë urdhrat dhe ndalesat e Allahut, dispozita këto të shtjelluara në Kur 'an. Kurrë mos i shpërfillni dhe shkelni këto rregulla! Allahu i Madhëruar e përforcon edhe më shumë këtë urdhër, duke dhënë një paralajmërim të frikshëm në një ajet tjetër : “Ndërsa ata që e shkelin besën e dhënë Allahut, pasi e kanë dhënë, i shkëpusin ato lidhje për të cilat Allahu ka urdhëruar të mbahen fort dhe bëjnë shkatërrime në tokë, ata janë të mallkuar dhe për ta është Shtëpia e tmershme.” [Rad 25]. Këtu hyjnë të gjitha llojet e premtimeve dhe ligjeve, që është detyrë t’u përmbahesh: premtimet dhënë Allahut dhe urdhëresat e Tij, detyrimet që njeriu ia ngarkon vetes përmes përbetimeve, aktmarrëveshjet me aksionerë, marrëveshjet e tregtisë, akti i martesës etj. - Bagëtitë janë të lejuara (si ushqim) për ju... - Bëhet fjalë për devetë, lopët dhe bagëtitë e imëta. Ibn Abasi e të tjerë mbështeten te ky ajet për të thënë se edhe fetusi që gjendet i ngordhur brenda barkut të bagëtisë konsiderohet hallall, nëpërmjet therjes sipas rregullit të vetë nënës së vet. Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe sjellin hadi thin nga Ebu Seidi, që rrëfen: 904. “Ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut! Shpesh, kur therim devetë, lopët ose delet, në barkun e tyre gjejmë të vegjëlit e tyre. A t’i hedhim ato, apo lejohet ngrënia e tyre?” - “Mund t’i hani nëse dëshironi, sepse therja e rregullt e nënës konsiderohet edhe si therje e rregullt e tyre.” Tirmidhiu ka thënë që ky është një hadith hasen. - me përjashtim të atyre që do t’ju lexohen. - Me përjashtim të rasteve të veçanta të ndalimit, që do tju lexohen. Këtu bëhet fjalë për ajetin kuranor: “Haram janë për ju: të ngordhurat, gjaku, mishi i derrit, ajo kafshë që theret jo në emrin e Allahut, ajo që është mbytur me lak në fyt, ajo që është vrarë me goditje, ajo që është rrëzuar nga lartësitë, ajo që është shpuar, ajo që është ngrënë nga egërsirat...” Gjithashtu: “E pasi të hiqni ihramin, atëherë (mund të) gjahtoni (jashtë vendeve të shenjta)! ” Nga kafshët e buta që janë të lejuara të hahen përmendim devetë, lopët dhe bagëtitë e imëta. Ndërsa nga kafshët e egra mund të përmendim drerët, lopët e egra, zebrat (gomerët e egër). Ndër kafshët e buta janë të lejuara ato që u përmendën. Ndërsa kafshët e egra bëhen haram veçse në gjendjen e përmendur në ajet, pra, gjatë kohës kur je në ihram dhe brenda Vendit të Shenjtë. Allahu i Lartësuar thotë: - Edhe gjuetia është e ndaluar përderisa gjendeni në ihram (dhe në vendet e shenjta).- Me fjalë të tjera, ashtu siç i bëmë të lejuara të gjitha llojet e bagëtive në çdo gjendje dhe vend (përfshirë gjendjen e ihramit dhe Tokën e Shenjtë), ashtu bëmë haram të gjitha llojet e kafshëve të egra e gjuetinë e tyre gjatë kohës së ihramit dhe brenda Vendit të Shenjtë. Është Allahu i Madhëruar Ai që vendosi këtë rregull, Ai i Cili është i urtë në gjithçka që urdhëron dhe në gjithçka që ndalon: - Vërtet, Allahu vendos çfarë të dëshirojë. - Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - O ju që keni besuar! Mos e cenoni shenjtërinë e simboleve të Allahut, - Ibn Abasi ka thënë: “Këtu janë për qëllim ritet dhe adhurimet gjatë haxhit.”
- as shenjtërinë e muajve të shenjtë... - Respektojeni shenjtërinë e këtyre muajve, duke u ruajtur nga çdo gjë e ndaluar gjatë tyre, siç është zhvillimi i luftës. Urdhri për largimin nga haramet është më i përforcuar përgjatë këtyre muajve. Allahu i Lartësuar thotë: - as të kurbanit të Qabesë (el hedij), as të kurbanëve (el ķalâid) të shënuar me qafore ... - Mos i lini pas dore kurbanet e Qabesë, të ashtuquajturit el hedj, sepse një veprim i tillë konsiderohet si respektim i simboleve që vetë Zoti i ka ligjëruar. Gjithashtu, mos e harroni traditën e shenjimit të kurbaneve (el kalâid) në qafat e tyre, në mënyrë që ato të dallohen nga bagëtitë e tjera dhe të ketë kujdes çdokush që synon t’i dëmtojë. Kjo do të shërbejë që edhe të tjerët të veprojnë njëlloj. Dihet mirë se çdokush që fton dhe bëhet shkak për përhapjen e një adhurimi, atij do t’i shkruhet edhe shpërblimi i gjithë atyre që e pasojnë në këtë vepër, pa iu pakësuar aspak shpërblimi i veprës së tyre. Kur Profeti i Allahut do të vishte ihramin për të kryer haxhin, e kaloi natën në Dhil Hulejfe, në luginën El Akik. Kur agoi, ai shkoi tek të gjitha gratë e tij, të cilat ishin nëntë. Pastaj mori gusul, u parfumos dhe fali dy rekatë namaz.225 Pastaj shenjoi kurbanet e tij dhe e ngriti zërin (me telbije) për fillimin e haxhit dhe të umres. Kafshët e shenjuara për kurban ishin mbi 60 deve, me format dhe ngjyrat më tërheqëse. Kjo është një nga mënyrat se si madhërohen simbolet dhe ritet e përcaktuara nga Allahu, siç ka thënë i Lartësuari: “Kush madhëron simbolet e (fesë së) Allahut, kjo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.” [Haxh 32] . Ali Ibn Ebu Talibi ka thënë: 905. “Profeti i Allahut na urdhëroi që të shikonim me kujdes (e të evitonim defektet në) sytë dhe veshët e saj (e kafshës së kurbanit)”. Kështu e sjellin autorët e Sunen-eve. Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: - as ata të cilët, duke kërkuar begati nga Zoti i tyre dhe kënaqësinë e Tij, synojnë për vizitë Shtëpinë e Shenjtë! - Kurrë të mos e lejoni vrasjen dhe luftën kundër atyre që duan të vizitojnë Shtëpinë e Shenjtë, shtëpi në të cilën, kush hyn brenda, është (e duhet të jetë) i sigurt. Po kështu veproni edhe me ata të cilët vijnë në këtë vend duke synuar mirësitë e Allahut dhe kënaqësinë e Tij. Mos i pengoni nga objektivi i tyre. Muxhahidi, një grup tabiinësh e të tjerë, duke shpjeguar fjalën e Allahut: “ata të cilët, (vijnë) duke kërkuar begati nga Zoti i tyre”, kanë thënë: “Janë ata që synojnë tregtinë e të mirat që ajo ofron”. Kjo i ngjan ajetit që u shtjellua në suren Bekare: “Nuk është gjynah të kërkoni mirësi nga Zoti juaj (në haxh).” [Bekare 198]. Ndërsa në lidhje me fjalën e Allahut: “...dhe kënaqësinë e Tij...”, Ibn Abasi ka thënë: “Ata synojnë që, me haxhin e tyre, të kënaqin Allahun.” Ky gjykim zbriti për një grup idhujtarësh, që ishin drejtuar për (vizitë) në Qabe, por më vonë ai u abrogua me ajetet e sures Teube, që ndalojnë çdo idhujtar që t’i afrohet Qabes. Ky gjykim ishte për ata që synonin Qaben për vizitë dhe adhurime. Ndërsa ata që synojnë idhujtarinë, mohimin e Zotit dhe përhapjen e shkatërrimit, duhet që të pengohen dhe të luftohen, që të mos i afrohen atij vendi të pastër, sikurse thotë Allahu i Madhëruar: “O ju që keni besuar! Idhujtarët janë vërtet të papastër, prandaj mos i lini t'i afrohen Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti!” [Teube 28]. Prandaj, Profeti i Allahut, në vitin e nëntë, kur emëroi Ebu Bekrin në krye të haxhinjve të atij viti, urdhëroi Aliun që të deklaronte, në emër të tij, këtë vendim të Allahut në suren Teube dhe për vendimin që, pas atij viti nuk do të lejohej më asnjë idhujtar të kryente haxhin, si edhe nuk do të lejohej askush që bënte tavaf rreth Qabes i zhveshur lakuriq, siç ndodhte në kohën e injorancës. - E pasi të hiqni ihramin, atëherë (mund të) gjahtoni (jashtë vendeve të shenjta)! – Pasi të çliroheni prej ihramit dhe të keni përfunduar ritet e ihramit, atëherë është e lejueshme për ju gjuetia. Allahu i Lartësuar thotë: “E pasi të hiqni ihramin, atëherë (mund të) gjahtoni...”. Folja “gjahtoni”
është një folje urdhërore dhe, si e tillë, mund të kuptohet se, pas çlirimit, nga ihrami është detyrë që të gjahtojmë. Ky është një urdhër për të bërë diçka, që vjen pas urdhrit për ndalimin e saj. Kjo kategori urdhrash, - sipas mendimit më të saktë të dijetarëve të usulit, - tregon se gjykimi për atë çështje kthehet njëlloj siç ishte përpara ndalimit të saj. Nëse përpara ndalimit ishte e detyrueshme, atëherë ky urdhër tregon se ajo është tashmë e detyrueshme. Nëse përpara ndalimit ishte e pëlqyeshme, atëherë urdhri për të tregon se ajo tashmë është e pëlqyeshme. Nëse përpara ndalimit ishte e lejueshme, atëherë urdhri për të tregon se ajo tashmë është e lejueshme. Pra, në rastin tonë, gjuetia jashtë ihramit ishte e lejuar dhe u ndalua për shkak të ihramit. Atëherë, urdhri për të gjahtuar pas çlirimit nga ihrami, sipas rregullit të sipërpërmendur, tregon se tashmë gjuetia është përsëri diçka e lejuar, njëlloj si para ndalimit. - Dhe, të mos ju shtyjë urrejtja ndaj atyre njerëzve që iu penguan nga Xhamia e Shenjtë, të silleni në mënyrë të padrejtë kundër tyre! - Kurrsesi të mos ju shtyjë urrejtja ndaj atyre që ju penguan të shkoni te Xhamia e Shenjtë për të kryer umren, - ngjarje që ndodhi në vitin e Hudejbijes, - që edhe ju të shkelni urdhëresat dhe drejtësinë që Allahu ju urdhëron të zbatoni në lidhje me ta. Mos kërkoni që thjesht të hakmerreni me padrejtësi, të shtyrë nga urrejtja për ta, por përkundrazi gjykoni me drejtësinë, për të cilën ju urdhëron dhe udhëzon Zoti juaj. Gjykimi me drejtësi është detyrë që duhet zbatuar me çdo njeri. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Zej d Ibn Eslemi, i cili ka thënë: 906. “Vitin e Hudejbijes, idhujtarët e penguan Profetin dhe shokët e tij që të kryenin umren, dhe kjo i zemëroi ata pa masë. Ndërkohë, pranë tyre kaluan një grup idhujtarësh nga banorët e lindjes, që po shkonin për vizitë (umre) në Qabe. Disa nga shokët e Profetit thanë: “Ejani t’i pengojmë këta idhujtarë nga Qabja, ashtu siç na penguan ne miqtë e tyre!” Atëherë Allahu i Lartësuar zbriti këtë ajet...” - Ndihmojeni njëri tjetrin në të mira dhe në devotshmëri, dhe mos e ndihmoni njëri tjetrin në gjynahe e armiqësi! - Allahu i Lartësuar i urdhëron robërit e Tij besimtarë që të ndihmojnë njëri -tjetrin në kryerjen e punëve të mira e të mbara, që në ajet përmblidhen në fjalën “ el bir”; si edhe në lënien e ligësive dhe poshtërsive, pra, për të realizuar atë që në ajet quhet takuâ. Nga ana tjetër, Ai i ndalon ata që të bashkëpunojnë në kotësi, padrejtësi, gjynahe dhe poshtërsi. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Enes Ibn Maliku, se Profeti i Allahut ka thënë: 907. “Ndihmoje vëllain kur është i padrejtë dhe kur i bëhet padrejtësi!” Të pranishmit i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Mirë kur i bëhet padrejtësi, po kur është i padrejtë, si ta ndihmojmë?!” Ai tha: “Duke e penguar dhe ndaluar atë nga padrejtësia! Kjo është ndihma dhe mbështetja e tij.” Këtë hadith e kanë përnxjerrë Buhariu dhe Muslimi përmes transmetimit të Thabitit nga Enesi. Gjithashtu, në një hadith të saktë thuhet: 908. “Ai që fton në një udhëzim të mirë, ai do të marrë njëlloj si shpërblimi i atyre që e pasojnë, deri në Ditën e Gjykimit, pa pakësuar kjo prej shpërblimeve të tyre aspak. Ai që fton në humbje, ai do të marrë njëlloj si gjynahu i atyre që e pasojnë, deri në Ditën e Gjykimit, pa pakësuar kjo prej gjynaheve të tyre aspak.” Ebu Kasim Taberaniu sjell hadithin nga Ebu Hasan Nemran Ibn Sahri, se Profeti i Allahut ka thënë: 909. “Ai që ecën së bashku me zullumqarin për ta ndihmuar atë, duke e ditur mirë që ai është zullumqar, ka dalë nga Islami!” - Kijeni frikë Allahun, sepse Allahu është ndëshkues i rreptë!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:2
- “O ju që keni besuar! Mos e cenoni shenjtërinë e simboleve të Allahut, …” - Kuptimi: Mos i përdhosni ato simbole të Allahut të Lartësuar, për të cilët Ai ju ka urdhëruar që t’i nderoni. Mos bëni vepra që Zoti i ka ndaluar të veprohen dhe që cenojnë shenjtërinë e simboleve që Zoti ka urdhëruar të respektohen. Në këtë ajet jemi ndaluar nga, së pari, kryerja e veprave të shëmtuara dhe, së dyti, që të besojmë se ato janë të lejuesheme. Kjo porosi përfshin ndalesat gjatë kohës së ihramit, si dhe ndalesat që kanë të bëjnë me Vendin e
Shenjtë. Në vijim, Allahu i Lartësuar përmend disa nga këto ndalesa: - “…as shenjtërinë e muajve të shenjtë ,” - Kuptimi: Mos cenoni shenjtërinë e këtyre muajve të mëdhenj duke zhvilluar luftime në to apo duke kryer padrejtësi. Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “ Tek Allahu numri i muajve (të vitit) është dymbëdhjetë, ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre, katër janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë. Pra, mos e ngarkoni veten tuaj gjatë tyre. ...” [Teube 36]. Megjithatë, shumica e dijetarëve janë të mendimit se ndalesa e luftimit në muajt e shenjtë është anuluar me dispozitën tjetër, që përmendet në vazhdim të të njëjtit ajet: “ Luftojini të gjithë idhujtarët bashkërisht, siç ju luftojnë ata ju bashkërisht! E dijeni se Allahu është me të devotshmit!” [Teube 36] apo në tekste të përgjithshme të Sheriatit, që urdhërojnë t’i luftojmë qafirët dhe që dënojnë braktisjen e luftës kundër tyre. Po ashtu, Profeti zhvilloi luftë me banorët e Taifit gjatë muajit dhulkide, i cili është muaj i shenjtë. Disa dijetarë të tjerë janë të mendimit se ndalesa e luftës gjatë muajve të shenjtë nuk është e anuluar me ajetet dhe faktet e tjera të lartpërmendura. Ato janë tekste përgjithësuese, ndërsa ajeti që ndalon nga luftimet përgjatë muajve të shenjtë është i posaçëm, që kufizon përgjithësimin e teksteve të tjera. Dhe pikërisht kështu veprohet në çdo rast të ngjashëm: ajetet përgjithësuese kuptohen duke u parë në kontekst me ajetet kufizuese. Ndërsa disa të tjerë japin një shpjegim tjetër. Ata thonë se e lejueshme nuk është nisja e luftës në muajt e shenjtë. Në të kundërt, nëse lufta fillon jashtë muajve të shenjtë dhe vazhdon edhe përgjatë tyre, atëherë lejohet. Me të njëjtin arsyetim shpjegohet edhe lufta e Profetit zhvilluar në muajin e shenjtë të dhul-kide-s kundër banorëve të Taifit, luftë e cila nisi në Hunejn, në muajin sheual, i cili nuk është muaj i shenjtë. Të gjitha këto qëndrime sigurisht që nuk bëjnë fjalë për luftën mbrojtëse, e cila është e lejuar në çdo rast. Nëse qafirët i sulmojnë muslimanët, pa dyshim që është e lejuar që muslimanët të mbrojnë veten, në muajt e shenjtë apo jashtë tyre qoftë. Për këtë çështje janë unanimë të gjithë dijetarët. - “…as të kurbanit të Qabesë (el hedij), as të kurbanëve (el ķalâid) të shënuar me qafore,” - Kuptimi: Mos pengoni të bëhen këto kurbane për Allahun në Shtëpinë e Tij, për haxh apo për umre, apo t’i vidhni a dëmtoni ato, me çdo lloj dëmtimi, duke i lodhur e rraskapitur apo duke bërë që të mos arrijnë në vendin e tyre të caktuar. Përkundrazi, përkujdesuni dhe respektojini ata dhe njerëzit që i kanë sjellë për t’ia përkushtuar Allahut të Lartësuar. Këtu Allahu i Lartësuar ka përmendur “el hedij” dhe “el ķalâid”. “El hedij” quhen bagëtitë që përkushtohen për haxh dhe për umre. Ndërsa “el ķalâid” janë një lloj i veçantë i el hedij-it, sepse në qafat e këtyre bagëtive vendosen shenja, për të treguar se ato janë bagëti të përcaktuara si kurban dhe madhërim për Allahun e Lartësuar, pikërisht ashtu sikurse ka vepruar Profeti i Tij i zgjedhur, Muhamedi Ato shërbejnë si shenja, me qëllim që të respektohen nga njerëzit. - “…as ata të cilët, duke kërkuar begati nga Zoti i tyre dhe kënaqësinë e Tij, synojnë për vizitë Shtëpinë e Shenjtë! ”. - Pra, mos i cenoni dhe mos dëmtoni ata që synojnë të vizitojnë Shtëpinë e Shenjtë, qoftë për të kërkuar begatitë e Allahut të Lartësuar dhe mirësitë e Tij nëpërmjet tregtisë dhe mënyrave të lejuara të fitimit, qoftë për të kërkuar kënaqësinë e Allahut të Lartësuar duke kryer haxhin dhe umren. Por përkundrazi, nderojini dhe respektojini vizitorët e Shtëpisë së Zotit tuaj. Ky ajet është urdhër për të siguruar të gjitha rrugët që çojnë drejt Shtëpisë së Allahut, për t’u mundësuar qetësi dhe rehati të plotë vizitorëve të saj, duke larguar çdo frikë për jetën dhe pasurinë e tyre. Sidoqoftë, këtij ajeti gjithëpërfshirës i bëhet një kufizim me fjalën e Allahut të Lartësuar: “ O ju që keni besuar! Idhujtarët janë vërtet të papastër,
prandaj mos i lini t'i afrohen Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti! Dhe mos kini frikë nga varfëria, sepse Allahu, nëse dëshiron, ju bën të pasur me mirësinë e Tij. Allahu është i Gjithëditur dhe i Urtë. " [Teube 28]. Pra, idhujtarët nuk lejohen të futen në Vendin e Shenjtë. Gjithashtu, nga ajeti kuptohet se ata që synojnë të hyjnë në Vendin e Shenjtë për të kryer vepra të ulëta dhe padrejtësi duhet të pengohen nga hyrja në të. Lejimi i tyre bie ndesh me nderimin e Faltores dhe rrethinave të saj, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “ E sa për ata që kanë mohuar (Allahun) dhe që pengojnë (njerëzit) prej rrugës së Allahut dhe prej xhamisë së shenjtë (Qabes), të cilën Ne e bëmë (vend adhurimi) për të gjithë njerëzit pa dallim, - qofshin vendës ose të ardhur dhe ata, qëllimi i të cilëve është të bëjnë ndonjë keqe e padrejtësi - , ata Ne kemi për t’i bërë të shijojnë një dënim të dhembshëm.”. [Haxh 25]. Pasi ndaloi nga gjuetia në kohën e ihramit, Allahu i Lartësuar thotë: - “E pasi të hiqni ihramin, atëherë (mund të) gjahtoni (jashtë vendeve të shenjta) !”. - Kuptimi: Nëse keni dalë nga gjendja e ihramit të haxhit apo të umres dhe jeni jashtë Vendit të Shenjtë, atëherë ju lejohet që të gjuani. Zakonisht, një urdhër nënkupton që ai duhet kryer si detyrim. Por është një rregull ligjor në Islam që thotë se: urdhërimi për kryerjen e diçkaje, e cila më parë ishte e ndaluar, bën që ajo të marrë të njëjtin gjykim që kishte para se të ndalohej. Kështu, ky urdhër për të bërë gjueti nuk do të thotë që është e detyrueshme për ne që, pas çlirimit nga ihrami, të dalim për gjah. Me fjalë të tjera, gjuetia është e lejuar, por ndalohet në rastet e caktuara me ligj. - “Dhe, të mos ju shtyjë urrejtja ndaj atyre njerëzve që iu penguan nga Xhamia e Shenjtë, të silleni në mënyrë të padrejtë kundër tyre!” - Kuptimi: Urrejtja ndaj një populli, për shkak të armiqësisë dhe luftës që ata bëjnë kundër jush për t’ju penguar nga Xhamia e Shenjtë, kurrsesi të mos ju shtyjë të bëheni të padrejtë dhe të kaloni kufijtë, thjesht për të shuar zemërimin tuaj. Adhuruesit e Zotit duhet t’u përmbahen porosive të Tij në çdo gjendje dhe situatë, duke ruajtur drejtësinë, qoftë edhe ndaj atyre që i luftojnë dhe i dhunojnë. Rrjedhimisht, nuk lejohet, për shembull, të mashtrosh dikë me justifikimin se edhe ai të ka mashtruar, apo të tradhtosh dikë me pretekstin se edhe ai të ka tradhtuar. Pra, në çdo rast, besimtari tregohet i drejtë dhe kurrë nuk i shkel parimet e larta të Zotit të tij. - “Ndihmojeni njëri tjetrin në të mira dhe në devotshmëri,”. - Allahu i Lartësuar na urdhëron që të bashkëpunojmë dhe të ndihmojmë njëri -tjetrin për dy qëllime: Së pari, për bamirësi (el birr). El birr është një term përfshirës i gjithçkaje të cilën e do Allahu dhe është i kënaqur me të, qoftë vepër e dukshme apo e padukshme, që ka të bëjë me plotësimin e të drejtave të Allahu t apo me të drejtat e krijesave . Së dyti, për devotshmëri (takua), fjalë e cila përfshin në këtë ajet gjithçka që duhet lënë e braktisur, qoftë vepër e dukshme apo e padukshme, që është e urryer prej Allahut të Lartësuar. Çdo punë të mirë, të cilën Allahu e do dhe është i kënaqur me të, dhe çdo vepër të keqe të cilën Ai e urren, Ai e ka sqaruar tërësisht nëpërmjet Librit të Tij dhe Profetit. Njeriu është urdhëruar që të gjitha porositë e Allahut t’i zbatojë jo vetëm për veten e tij, por edhe të ndihmojë dhe bashkëpunojë me të tjerët për t’i realizuar dhe kryer ato në formën më të mirë dhe më të plotë. Besimtarët duhet të ndihmohen dhe bashkëpunojnë me njëri -tjetrin për të zbatuar porositë e Zotit dhe të Profetit të Tij në çdo mënyrë të lejuar dhe të mundshme: me fjalë nxitëse apo me vepra që ngjallin optimizëm dhe ambicie. - “…dhe mos e ndihmoni njëri tjetrin në gjynahe e armiqësi! ” - Allahu i Lartësuar na ndalon që të bashkëpunojmë dhe të ndihmojmë tjetrin për të kryer vepra të ulëta dhe të ndaluara, të cilat e ngarkojnë njeriun me gjynahe dhe e çojnë atë drejt ndëshkimit. Gjithashtu, Ai na ndalon nga
armiqësia dhe padrejtësia ndaj krijesave, duke cenuar jetën, pasurinë dhe nderin e tyre. Kështu, robi duhet ta ndalojë veten prej harameve dhe padrejtësisë, por duhet të ndihmojë edhe të tjerët për t’iu larguar atyre. - “Kijeni frikë Allahun, sepse Allahu është ndëshkues i rreptë! ” - Ai është ndëshkues i rreptë ndaj të gjithë atyre që nuk i binden dhe marrin guximin të shkelin kufijtë e Tij. Ruajini, pra, dhe mos i shkelni kufijtë e Zotit, sepse kështu mbi ju të godasë i ashpër ndëshkimi i Tij në jetën e dynjasë dhe në ahiret!