قَالَ فَإِنَّهَا مُحَرَّمَةٌ عَلَيۡهِمۡۛ أَرۡبَعِينَ سَنَةٗۛ يَتِيهُونَ فِي ٱلۡأَرۡضِۚ فَلَا تَأۡسَ عَلَى ٱلۡقَوۡمِ ٱلۡفَٰسِقِينَ
(All-llahu) Tha: "Ajo (tokë) është e ndaluar (haram) për ta katërdhjetë vjet. Do të sillen nëpër tokë (të hutuar). Ti mos u keqëso për popullin e shfrenuar".*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Musai e thërret popullin e vet që t’ia përkujtojë të mirat, që ua dha Allahu si: ndër ta dërgoi më së shumti pejgamberë, i shpëtoi prej robërisë, që ishin nën faraonët, u bënë sundues të vetes dhe shumë mirësi të tjera. Toka e shenjtë, ose e bekuar ishte ajo tokë, që iu mbeti trashëgim pasardhësve të Ibrahimit, e që përfshin Jerusalemin me rrethina. Zoti i urdhëroi Beni Israilët të hyjnë në te dhe të jetojnë aty, mirëpo ata nuk pranuan të luftojnë, sepse kishin frikë prej atij populli, që ishte në të, prej amalikëve, që ishte popull i zhvilluar fizikisht dhe luftarak. Zoti iu pat premtuar atyre atë vend, me kusht që ata të luftojnë, por ata jo vetëm që nuk e bënë atë, por edhe u shprehën në mënyrë të panjerëzishme, duke i thënë Musait: Shko ti dhe Zoti yt e luftoni! Allahu ua bëri haram hyrjen në të për dyzet vjet. Mbetën në një shkretëtirë të humbur e të hutuar. Ajo ishte masë ndëshkuese për ta.