← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

5. Maide · Ajeti 41 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:41–5:46

Zoti xh. sh. lehtëson brengosjet që ia shkaktonin Muhammedit kundërshtarët duke i thënë: të mos brengosin ty intrigat e hipokritëve, të cilët vetëm me gojë thonë së kemi besuar, por në të vërtetë nuk janë besimtarë. Të mos brengosin as dredhitë e jehudive, të cilët me qëllim bëjnë interpretime të gabuara në librin e Zotit dhe përhapin e përcjellin çdo gënjeshtër kundër Muhammedit.

Jehuditë u thoshin njerëzve të vet të shkonin te Muhammedi dhe ta pyesnin për masën e paraparë të dënimit kundër atij që bën imoralitet (zina) dhe nëse ju thotë se masa ndëshkuese është rrahja, pranoni atë gjykim të tij, por nëse ju thotë se masa ndëshkuese për të tillin është gurëzimi - mbytja me gurë - atë gjykim mos e pranoni, edhe pse kjo masë ishte edhe në Tevrat.

Derisa edhe kur u përgjigjej Muhammedi sipas vendimit të Allahut të shënuar në Tevrat dhe ata nuk pranonin, Zoti e lë të lirë Muhammedin t'iu përgjigjet ose të mos u përgjigjet fare në çështjet e tyre, duke e garantuar se ata nuk do të mund t'i sjellin kurrfarë dëmi.

Pejgamberët dhe ulemaja e parë nga beni israilët i zgjidhnin të gjitha çështjet mes jehudive sipas dispozitave të Tevratit, por më vonë një pari e tyre fetare bëri ndryshime në shumë çështje. Prandaj, edhe parashtrohet çështja e masës së dënimit për mbytje e të tjera, sepse ishte e vënë në baza të drejta e të shëndosha, por më vonë bëhet shkallëzimi i njerëzve në vetë fiset e jehudive dhe masat nuk zbatohen njëjtë. Të gjithë ata që bëjnë ndryshime në dispozitat e Zotit, konsiderohen jobesimtarë. Edhe Inxhili, që i shpallet Isait, vërtetonte shpalljen e mëparshme, Tevratin, pse edhe njëri edhe tjetri ishin të shpallur prej Zotit, ashtu sikurse është edhe vetë Kur'ani. Ndonjë ndryshim mes tyre mund të jetë vetëm në dispozita, e kurrsesi në themelet e besimit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:41–5:44

- O i Dërguar! Mos u brengos për ata që nguten për në mosbesim, të cilët me gojët e tyre thonë: “Kemi besuar”, ndërsa zemrat e tyre nuk kanë besuar. - Këto ajete kanë zbritur dhe flasin për ata të cilët nguten për në mosbesim, të cilët nuk janë nënshtruar për t’iu bindur Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ata u japin përparësi dëshirave dhe mendimeve personale, kundrejt fesë dhe ligjit të shpallur nga Zoti Krenar dhe i Lartësuar. Allahu i Madhëruar, duke na përcjellë fjalët e tyre, thotë: “... të cilët me gojët e tyre thonë: “Kemi besuar”, ndërsa zemrat e tyre nuk kanë besuar.” Të tillë njerëz shfaqin besim me gojën e tyre, por zemrat e tyre janë bosh, pa asnjë thërrmijë besimi në to. Këta janë munafikët. Pastaj i Madhëruari përmend një grup tjetër, kur thotë: - Prej judejve ka shumë që e pasojnë gënjeshtrën dhe i binden një populli që nuk kanë ardhur asnjëherë tek ti (për të dëgjuar të vërtetën).” - Këta janë armiqtë e Islamit dhe pasuesve të tij. Ata i bashkon cilësia, që Zoti thotë: “pasojnë gënjeshtrën”. Pra, i përgjigjen dhe bëhen pjesë e mashtrimit. Ata gjithashtu: “...i binden një populli që nuk kanë ardhur asnjëherë tek ti (për të dëgjuar të vërtetën).” Pra, ata iu përgjigjen njerëzve që kurrë nuk vijnë tek ti, o Muhamed, për të marrë e dëgjuar të vërtetën. Thuhet, gjithashtu, se kuptimi është që: ata dëgjonin armiqtë e muslimanëve, që nuk shkonin asnjëherë tek i Dërguari, duke tjetërsuar kuptimin e fjalëve dhe mesazhit të tij. Allahu thotë: - Ata i ndryshojnë kuptimet e fjalëve - Ata u japin tjetër kuptim, nga kuptimi i vërtetë dhe i synuar, edhe pse e dinë mirë kuptimin real; dhe të gjithë këtë e bëjnë me vetëdije të plotë e me qëllim. - “... dhe thonë: “Nëse ju jepet kështu, pranojeni, e nëse nuk ju jepet kështu, atëherë bëni kujdes (mos e pranoni)!” - Ky ajet ka zbritur dhe flet për rastin e dy jehudëve, që bënë imoralitet dhe ndryshuan gjykimin që ndodhej në Librin e tyre, sipas të cilit, ata duhej të ekzekutoheshin me gurë. Kështu, ata e kishin ndryshuar këtë pjesë dhe, në vend të goditjes me gurë, ata vunë rrahjen me 100 shkopinj, qethjen e kokës dhe hipjen mbrapsht mbi gomar. Ngjarja ndodhi pas hixhretit të Profetit në Medinë. Ata thanë mes tyre: “Eja të shkojmë tek ai, - pra, tek Profeti i Allahut, - por të bëjmë kujdes! Nëse ai vendos për rrahje me 100 shkopinj dhe qethje koke, pranojeni gjykimin e tij, dhe mund ta përdorni si justifikim para Zotit tuaj, meqë është një gjykim profeti. Por nëse vendos për ndëshkim me gurë, mos e pranoni këtë gjykim!” Ky shpjegim ka ardhur në hadithe. Maliku sjell hadithin nga Nafiu, ky nga Abdullah Ibn Umeri, që tregon se: 1012 . “Jehudët erdhën njëherë tek Profeti i Allahut dhe i treguan se një burrë dhe një grua prej tyre kishin bërë imoralitet. Profeti i Allahut u tha atyre: “A nuk e keni në Librin tuaj ligjin e ndëshkimit me gurë?” Ata thanë: “Ne i poshtërojmë e turpërojmë para njerëzve dhe i dënojmë me rrahje me shkopinj!” Abdullah Ibn Selami tha: “Gënjeni! Atje (në Libër) ndodhet ndëshkimi me gurë! Silleni Teuratin këtu!” Ata sollën Teuratin dhe shpërndanë fletët e tij. Njëri prej tyre vendosi dorën mbi versetet e ndëshkimit me gurë dhe lexoi vetëm pjesët para dhe pas tyre. Abdullah Ibn Selami i tha: “Hiqe dorën prej andej!” Kur ai hoqi dorën, u shfaq verseti i ndëshkimit me gurë. Atëherë, Profeti i Allahut urdhëroi që ata të ekzekutoheshin me gurë. Unë e pashë burrin se si përkulej mbi gruan, për ta mbrojtur nga gurët.” Këtë hadith e kanë sjellë Buhariu dhe Muslimi dhe ky është versioni i Buhariut. Ai është sjellë gjithashtu edhe nga Ebu Daudi, Ahmedi dhe Ibn Xheriri. Gjykimi i Profetit me ligjin që ata e kishin në Teurat nuk u bë

si formë nderimi për judejtë e për atë që ata besojnë, por ishte me shpallje nga Allahu i Madhëruar. Profeti i pyeti ata thjesht për të nxjerrë në pah zakonin e tyre të shëmtuar, që nuk hoqën kurrë dorë prej tij: fshehjen e Shpalljes së Zotit dhe tjetërsimin e saj; për t'ua vënë në dukje faktin që ata mohonin shpalljet e Zotit dhe se kishin një kohë të gjatë që jetonin me një fe dhe ligj të tjetërsuar. Nga ana tjetër, edhe ardhja e tyre tek Profeti me shpresën për të gjykuar ndryshe nga ligji që e kishin në Teurat dhe e dinin mirë që ishte e vërteta e Zotit, nuk u bë sepse ata e respektonin Profetin dhe e pranonin gjykimin e tij dhe se do ta besonin gjykimin e tij si të saktë. Jo. Ata ishin një popull i devijuar dhe të prirur të shkonin pas çdo mashtrimi që përputhej me dëshirat dhe mendjen e tyre. Ata thjesht shpresonin se ndoshta ai do t’i miratonte në devijimin e tyre, prandaj thanë: “Nëse ju jepet ky gjykim, - pra, rrahja me shkopinj - pranojeni, e nëse nuk ju jepet i tillë, - pra, nëse ai gjykon me gurëzim - atëherë bëni kujdes (mos e pranoni)!” - Por atë që Allahu dëshiron ta sprovojë, ti nuk mund ta shpëtosh. Këta janë ata, të cilëve Allahu nuk do t’ua pastrojë zemrat. Në këtë jetë, ata kanë poshtërim, kurse në jetën tjetër kanë dënim të madh. Ata (judejtë) e pasojnë shumë gënjeshtrën dhe e hanë shumë haramin. - Kjo është ajo që meriton ky popull i pabindur. Ata dëgjojnë dhe ndjekin mashtrimin, devijimin nga e vërteta dhe kotësinë. Gjithashtu, ata e hanë pa skrupuj haramin, domethënë, rryshfetin, si ka thënë Ibn Mesudi dhe të tjerë. Atëherë, një popull me të tilla cilësi, si t'ua pastrojë Allahu zemrat? E si mundet këto zemra të dëgjojnë e t’i përgjigjen ftesës së Tij?! Në vijim, Allahu i Lartësuar i thotë Profetit të Tij: - Në qoftë se vijnë te ti (për ndonjë gjykim), gjyko mes tyre (me ligjin e Zotit) ose distancohu prej tyre. - Ti nuk ke gjynah e përgjegjësi nëse refuzon të gjykosh mes tyre, sepse ata nuk kërkojnë që të ndjekin të vërtetën dhe gjykimin tënd të drejtë. Ata thjesht duan të ndjekin epshet e tyre dhe atë që u shkon pas dëshirave. Ibn Abasi dhe një grup tabiinësh kanë thënë që ky është një ajet i abroguar me ajetin tjetër, ku thuhet: “Gjyko mes tyre me atë që ka shpallur Allahu! Mos ndiq dëshirat e tyre të kota dhe ruaju rrezikut të tyre, që mos të të shmangin nga ndonjë pjesë e Shpalljes që ta ka zbritur Allahu!” [Maide 49]. - Nëse distancohesh prej tyre, ata nuk mund të të bëjnë ty asnjë të keqe. Por nëse gjykon mes tyre, gjyko me drejtësi, sepse Allahu i do ata që gjykojnë me drejtësi. - Gjyko mes tyre me të vërtetën dhe drejtësi, edhe pse ata kanë dalë nga rruga e drejtësisë dhe janë të padrejtë, sepse Allahu i do ata që gjykojnë me drejtësi. Në vijim, Allahu i Madhëruar i qorton ata për pikëpamjet e tyre të prishura dhe synimet e devijuara. Ata nuk zbatojnë as atë që e besojnë dhe e dinë mirë se është e vërtetë nga Zoti, madje dhe trumbetojnë me forcë se janë të urdhëruar që t’i përmnbahen veçse mesazhit që kanë në duart e tyre dhe kurrë të mos heqin dorë prej tij. Megjithatë, ata devijuan nga ligjet e asaj shpalljeje, në ligje të tjera, që e dinë mirë se nuk janë të vërteta dhe aspak të detyrueshme për ta. Allahu i Madhëruar thotë: - E çfarë gjykimi kërkojnë prej teje, kur ata kanë Teuratin, në të cilin është gjykimi i Allahut, e megjithatë e refuzojnë atë?! Ata nuk janë besimtarë. - Më pas, Allahu i Madhëruar lëvdon Teuratin, të cilin ia shpalli robit e profetit të tij, Musa Ibn Imranit, duke thënë: - Ne e zbritëm Teuratin, në të cilin është udhëzimi i drejtë dhe drita. Sipas tij gjykuan pejgamberët e bindur mes judejve. - Ata nuk dilnin kurrë përtej ligjit të Teuratit dhe nuk i tjetërsonin mesazhet e tij. - Me të gjykuan edhe dijetarët e devotshëm e paria fetare.” - Po kështu vepronin edhe dijetarët dhe adhuruesit e shquar e të devotshëm, sepse ndiqnin rrugën e profetëve.

- Ata ishin të obliguar ta ruanin Librin e Allahut (të pacënuar) dhe të ishin dëshmitarë (të së vërtetës). - Libri i Allahut u la në dorën e tyre. Ata u urdhëruan për t’ua qartësuar dhe mësuar atë njerëzve. - Prandaj, mos i kini frikë njerëzit, por më kini frikë vetëm Mua! - Përmbajuni porosive në Libër dhe të vërtetës. - Dhe mos i ndërroni argumentet e Mia me një çmim të vogël! Kush nuk gjykon me ligjin që ka shpallur Allahu është jobesimtar. - Në lidhje me këtë ajet ka dy mendime, që do të shtjellohen më pas. Një shkak tjetër për zbritjen e këtij ajeti Ebu Xhafer Ibn Xheriri sjell shpjegimin nga Ibn Abasi, i cili thotë: “Këto ajete të sures Maide, domethënë: “Në qoftë se vijnë te ti (për ndonjë gjykim), gjyko mes tyre (me ligjin e Zotit) ose distancohu prej tyre. Nëse distancohesh prej tyre, ata nuk mund të të bëjnë ty asnjë të keqe. Por nëse gjykon mes tyre, gjyko me drejtësi, sepse Allahu i do ata që gjykojnë me drejtësi.”, u zbritën në Medinë dhe bëjnë fjalë për një marrëdhënie mes fiseve Benu Nadir dhe Benu Kurejdha. Kështu, për të vrarët e Benu Nadirit paguhej kompensimi pasuror (dija) i plotë, për shkak të fisnikërisë (siç pretendonin) së tyre, ndërsa për të vrarët e Benu Kurejdhave jepej vetëm gjysma e dije-s. Kur ata kërkuan gjykimin e Profetit për këtë çështje, Profeti gjykoi me drejtësi dhe tha që kompensimi të jepet njëlloj për të gjithë. Allahu është më i ditur për atë që ndodhi më pas.” Aufiu sjell hadithin nga Ali Ibn Ebu Talhate el Uali, që rrëfen nga Ibn Abasi, se këto ajete kanë zbritur e flasin për dy jehudët që kishin bërë imoralitet, sikurse u përmend më sipër, por ka mundësi që të kenë qenë të dyja shkaqet në të njëjtën kohë. Sidoqoftë, Allahu është më i ditur. Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: “Kush nuk gjykon me ligjin që ka shpallur Allahu, është jobesimtar.” Bera Ibn Azibi, Hudhejfe Ibn el Jeman, Abdullah Ibn Abasi e të tjerë kanë thënë që ky ajet ka zbritur për ithtarët e Librit.” Hasen el Basriu shton: “Kjo është detyrë edhe për ne.” Abdurrezaku përcjell me senedin e tij se Ibrahimi 256 ka thënë: “Ajetet zbritën e flasin për bijtë e Izraelit, por Allahu e pëlqen atë edhe për këtë umet.” Kështu e ka sjellë Ibn Xheriri. Ali Ibn Ebu Talha rrëfen nga Ibn Abasi që duke shpjeguar fjalën e Al lahut: “Kush nuk gjykon me ligjin që ka shpallur Allahu, është jobesimtar”, ka thënë: “Ai që e mohon dhe refuzon me forcë atë që e ka shpallur Allahu, ai ka bërë kufër, ndërsa ai që e pranon atë (që ka shpallur Zoti), por nuk gjykon sipas saj, ai është dhalim (i padrejtë) dhe fasik (shkelës i kufijve të Allahut).” Kështu e ka transmetuar Ibn Xheriri dhe përkrahu si mendim të saktë mendimin se këto ajete kanë zbritur për ithtarët e librit e flasin për ata të cilët e mohojnë dhe refuzojnë ta pranojnë ligjin që Allahu e ka zbritur në Librin e Tij. Sheabiu ka thënë se ajeti është për muslimanët. Atau ka thënë: “Ky është kufër poshtë kufrit (që të nxjerr nga feja).”257 Edhe Tausi ka thënë: “Ky nuk është ai lloj kufri që të nxjerr nga feja.” Tausi gjithashtu citon Ibn Abasin, që ka thënë: “Ky nuk është nga ai lloj kufri që ju aludoni (pra, që të nxjerr nga feja).” Kështu e ka sjellë Hakimi në Mustedrak-un e tij, duke shtuar: “Ky është një hadith sahih sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit, edhe pse ata nuk e kanë nxjerrë në libat e tyre.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:41–5:44

- “O i Dërguar! Mos u brengos për ata që nguten për në mosbesim, …” - Profeti ishte shumë i angazhuar në udhëzimin e njerëzve dhe shqetësohej shumë për ta. Për këtë arsye, nëse ndonjëri prej atyre që, në fakt, thjesht sa shfaqej si besimtar, largohej, kthehej në kufër, Profeti trishtohej shumë. Por Allahu i Lartësuar e udhëzoi që të mos shqetësohej për ata lloj njerëzish, sepse ata ishin njerëz të padobishëm . Nëse ishin të pranishëm, nuk sillnin ndonjë dobi, e nëse mungonin, kjo mungesë e tyre nuk ndihej. Pastaj i Madhëruari shpjegon shkakun pse Profeti nuk duhet të shqetësohej për këta: - “…të cilët me gojët e tyre thonë: “Kemi besuar”, ndërsa zemrat e tyre nuk kanë besuar.…” - Ata për të cilët duhet të shqetësohesh janë besimtarët e vërtetë, me zemër dhe me trup. Allahu i Madhëruar është i pastër nga çdo e metë, që mund të lejojë që besimtarët e vërtetë të kthehen nga besimi i tyre dhe ta lëshojnë fenë e Tij. Nuk ka dyshim se, kur imani futet thellë në zemër, njeriu nuk e braktis kurrë atë dhe kurrë nuk kërkon ta zëvendësojë. - “Prej judejve ka shumë që e pasojnë gënjeshtrën dhe i binden një populli që nuk kanë ardhur asnjëherë tek ti (për të dëgjuar të vërtetën) .” - Kuptimi: Prej judejve ka të tillë që kurrë nuk të pranojnë, por thjesht pasojnë verbërisht krerët e tyre, të cilët çdo gjë e kanë ndërtuar mbi mashtrimin, humbjen dhe devijimin. Këta krerë, që kanë hapur rrugët e humbjes, nuk erdhën kurrë tek ti për të dëgjuar dhe për të mësuar të vërtetën. Ata të kthyen shpinën dhe u vetëkënaqën me gënjeshtrat e tyre. - “Ata i ndryshojnë kuptimet e fjalëve…” - Ata kënaqeshin me tjetërsimin e kumtit të fjalëve, duke u dhënë atyre kuptime të pasakta e të pavërteta, kuptime që Allahu i Madhëruar kurrë nuk i ka synuar dhe dëshiruar. E gjitha kjo, për të devijuar njerëzinë dhe për të refuzuar të vërtetën. Kështu, ata judej pasonin verbërisht ftuesit

për në humbje; ata pasonin diçka të pamundur dhe të pavërtetë. Ata nuk e vinin në përdorim logjikën dhe nuk kishin as synimin më të vogël për të gjetur të vërtetën. Për të tillë njerëz, - thotë ajeti, - mos u shqetëso dhe mos të të vijë keq, nëse nuk të pasojnë. Ata janë shumë të mangët, dhe për të mangëtit nuk duhet të brengosesh. - “…dhe thonë: “Nëse ju jepet kështu, pranojeni, e nëse nuk ju jepet kështu, atëherë bëni kujdes (mos e pranoni) !” - Ata i thonin këto fjalë kur shkonin që të dëgjonin gjykimin e Profetit për ndonjë çështje të tyre. Por ata nuk kishin qëllim tjetër, veç pasimit të dëshirave të tyre. Kështu, ata i thonin njëri -tjetrit: “Nëse Muhamedi jep këtë lloj gjykimi, që ju vjen pas oreksit, atëherë pranojeni dhe zbatojeni atë. Por nëse ai nuk gjykon sipas dëshirave tuaja, atëherë kujdes dhe mos e pasoni!” Kjo ishte sigurisht një e keqe e madhe, sepse ishte thjesht pasim i dëshirave dhe pasioneve. - “Por atë që Allahu dëshiron ta sprovojë, ti nuk mund ta shpëtosh. ” - Kjo i ngjan ajetit kur’ânor: “Ti nuk mund të udhëzosh atë që e do, por është Allahu Ai që udhëzon atë që dëshiron”. - “Këta janë ata, të cilëve Allahu nuk do t’ua pastrojë zemrat. ” - Pikërisht për këtë arsye erdhi prej tyre ajo që erdhi. Ajeti tregon se, kur dikush gjykon dhe punon me Sheriat thjesht që të përmbushë dëshirat e veta, atëherë kjo është shenjë e papastërtisë së zemrës së tij. Ndryshe thuhet për atë që gjykon me Sheriat duke synuar zbulimin e së vërtetës dhe punën me të dhe, veç kësaj, kënaqet dhe tregon përunjësi në zbatimin e tij. Kjo, pa dyshim, është shenjë e pastërtisë së zemrës, e cila është shkak për arritjen e çdo të mire. Pastërtia e zemrës është faktori dhe burimi kryesor i çdo fjale të drejtë dhe pune të mirë e të pranueshme te Zoti. - “Në këtë jetë, ata kanë poshtërim, kurse në jetën tjetër kanë dënim të madh.” - Në dynja, atyre të mjerëve, zemrat e të cilëve nuk u pastruan, u takon poshtërimi dhe turpi, ndërsa në ahiret i pret ndëshkimi i dhembshëm në Zjarr dhe zemërimi i të Pamposhturit, Ndëshkuesit të rreptë dhe Nënshtruesit të gjithçkaje. - “Ata (judejtë) e pasojnë shumë gënjeshtrën dhe e hanë shumë haramin. ” - Për shkak të mendjelehtësisë, ata dëgjonin dhe i bindeshin parisë së tyre, të cilët i ftonin në gënjeshtra dhe trillime. Përveç kësaj, ata ishin ngrënës të babëzitur të pasurisë haram. - “Në qoftë se vijnë te ti (për ndonjë gjykim), gjyko mes tyre (me ligjin e Zotit) ose distancohu prej tyre. Nëse distancohesh prej tyre, ata nuk mund të të bëjnë ty asnjë të keqe. ” - Kuptimi: Ti je i lirë në dhënien e gjykimit ose jo për këta lloj njerëzish, të cilët, në fakt, nuk synojnë të mësojnë gjykimin e Zotit. Por, a është ky një gjykim i anuluar apo jo? Jo. Ky është një gjykim në fuqi edhe sot. Kësisoj, çdo njeri me të drejtë fetvaje, nëse sheh dhe gjykon se pyetësi apo kërkuesi i fetvasë nuk ka qëllim që të zbulojë të vërtetën dhe të punojë me të, ai është i lirë që të veprojë si

ta shikojë më të arsyeshme dhe të urtë: ose të gjykojë dhe të japë përgjigje për pyetjen e drejtuar, ose të heshtë dhe të heqë dorë nga gjykimi. Pra, në një rast të tillë, nuk është detyrë për të që të përgjigjet dhe të gjykojë. Megjithatë, nëse vendos të gjykojë, duhet të gjykojë me drejtësi. Prandaj i Lartësuari i thotë: - “Por nëse gjykon mes tyre, gjyko me drejtësi, sepse Allahu i do ata që gjykojnë me drejtësi.” - Edhe nëse pyetësit mund të jenë zullumqarë apo armiq, kjo nuk duhet të pengojë që gjykimi i tyre të bëhet me drejtësi dhe urtësi. Kjo tregon për vlerën e madhe të gjykimit me drejtësi. Allahu i Madhëruar e do gjykimin me drejtësi dhe saktësi. Më pas, Allahu i Madhëruar flet për veprat e tyre, të cilat janë të çuditshme: - “E çfarë gjykimi kërkojnë prej teje, kur ata kanë Teuratin, në të cilin është gjykimi i Allahut, e megjithatë e refuzojnë atë?! Ata nuk janë besimtarë. ” - Nëse ata do të ishin besimtarë të vërtetë dhe do të zbatonin gjithçka që kërkon besimi, atëherë kurrë nuk do të devijonin nga gjykimi i drejtë që gjendet në Teurat. Po të ishin vërtet të sinqertë, ata nuk do të vinin tek ti me shpresë se do të gjenin ndonjë gjykim tjetër, që do t’u shkonte pas oreksit. Edhe kur ti gjykove me drejtësi me ligjin e Zotit, që është plotësisht në përputhje me tekstet e tyre fetare, ata nuk e pranuan dhe nuk u kënaqën, por të kthyen shpinën. Këta lloj njerëzish, sikurse thotë i Madhëruari: “nuk janë besimtarë”, sepse nuk janë këto sjellje të besimtarëve. Të tilla sjellje nuk kanë lidhje me besimin dhe besimtarët. Këta nuk mund ta gëzojnë imanin, sepse ata adhurojnë epshin e tyre, të cilin e duan, i nënshtrohen dhe e pasojnë. Ligjet e imanit ata ia nënshtrojnë ‘ligjeve’ të dëshirave të tyre. - “Ne e zbritëm Teuratin, në të cilin është udhëzimi i drejtë dhe drita.” - Allahu i Lartësuar ia shpalli Teuratin Musait, të birit të Imranit (a.s.). Nëpërmjet Teuratit, Allahu i Lartësuar udhëzoi në fenë e drejtë dhe i ruajti besimtarët nga humbja dhe devijimi. Kështu, Teurati u bë dritë, nëpërmjet së cilës do të ndriçoheshin njerëzit nga errësirat e injorancës, dyshimeve dhe pasioneve të shfrenuara, sikurse thotë i Lartësuari: “ Ne u patëm dhënë Musait dhe Harunit Furkanin (Teuratin), që ishte dritë e këshillë për të devotshmit, të cilët i frikësohen Zotit të tyre, edhe pse nuk e shohin, dhe që i druhen Orës (së gjykimit .( [El enbija 48, 49]. - “Sipas tij gjykuan pejgamberët e bindur mes judejve.” - Profetët pas Musait ﷺ i gjykonin judejtë nëpërmjet Teuratit, në çështjet që ndodhnin dhe hapeshin mes tyre. Këta profetë, të cilët, sikurse thotë i Madhëruari: “eslemu”, pra, u ishin dorëzuar urdhëresave të Zotit dhe ky dorëzim i tyre ishte më i plotë sesa i të tjerëve. Ata ishin të zgjedhurit e Allahut dhe më të dalluarit në besim. Kështu, nëse ata profetë të nderuar, që ishin krijesat më të zgjedhura dhe më të mira, iu nënshtruan urdhëresave të Teuratit, ecën sipas tyre dhe i zbatuan ato edhe në jetën e tyre, atëherë çfarë i pengoi ata judej të mjerë dhe të parëndësishëm që të nënshtroheshin dhe të jetonin sipas tij?! Çfarë i bëri ata të mohonin çështjen më të rëndësishme të besimit, pra, besimin në Muhamedin dhe në Shpalljen e tij, edhe pse pohohej në librat e tyre?! Aq më tepër kur dihet se asnjë vepër e jashtme apo e fshehur nuk pranohet nga Zoti pa besuar në Profetin e fundit, Profetin e mëshirës. Vallë, a kishin ndonjë justifikim për mosbesimin e tyre? A kishin ndonjë udhërrëfyes që u diktonte këtë rrugë? Po! Është e vërtetë që ata kishin udhërrëfyes, por edhe vetë këta udhërrëfyes e kishin në natyrën e tyre tjetërsimin dhe shtrembërimin e mesazheve të Zotit dhe profetëve. Qëllimi kryesor dhe i vetëm i tyre ishte thjesht qëndrimi në krye të posteve, ruajtja e ofiqeve dhe e interesave të tyre materiale, duke fshehur të vërtetën dhe duke reklamuar dhe ftuar në të kotën. Ata ishin udhëheqësit e humbjes dhe shkatërrimit, që ftonin për në zjarrin e Xhehenemit.

- “Me të gjykuan edhe dijetarët e devotshëm e paria fetare. Ata ishin të obliguar ta ruanin Librin e Allahut (të pacënuar) dhe të ishin dëshmitarë (të së vërtetës).” - Te judejtë, me Teurat gjykonin edhe kleri me dijetarët e vërtetë. Ata ishin udhëheqës të drejtë dhe edukatorë të mirë. Ata punonin me dijen e Zotit, ftonin popullin në të vërtetën dhe e edukonin me urtësi dhe besim të pastër. Ata punonin pa u lodhur për të ftuar njerëzit në njëshmërinë e Zotit. Ata ndiqnin rrugën e pastër dhe të sigurt të profetëve dhe karakterizoheshin nga një dhembshuri e madhe për popullin e tyre. Këta Zoti i quajti “ el rabbanijin ” - edukatorë. Ndërsa el ahbaru-t ishin dijetarët e mëdhenj, me urtësinë e të cilëve udhëzoheshin dhe merrnin shembull njerëzia. Ata ishin dijetarë, gjurmët dhe fama e të c ilëve mbeti ndër popujt e tyre. Gjykimet e rabanijin-ëve dhe ahbar-ëve bazoheshin tek e vërteta, te Shpallja e Zotit, të cilën ishin betuar dhe zotuar që ta ruanin të paprekur në origjinalitetin e saj. Allahu i Madhëruar e la në përgjegjësinë e tyre që ta ruanin Shpalljen të paprekur dhe të pacenuar. Ata do të ishin dëshmuesit, që do të dallonin dhe ndanin të vërtetën nga e pavërteta. Ata duhej të ishin besnikët dhe mbrojtësit e Shpalljes. Ishte detyrë dhe përgjegjësi e madhe për ta, që të mos i shtonin a pakësonin gjë Shpalljes dhe të mos e fshihnin atë nga të tjerët. Madje, për ta ishte detyrë që t’ua mësonin atë të tjerëve të pastër, ashtu sikurse Zoti e shpalli. Ata ishin dëshmues të së vërtetës dhe njerëzit duhet të ktheheshin tek ata për çdo paqartësi dhe shtjellim të nevojshëm. Allahu i Lartësuar i ka ngarkuar dijetarët me përgjegjësi që nuk i kanë të paditurit. Prandaj është detyrë për dijetarët që t’i jepnin hakun kësaj përgjegjësie të ngarkuar nga i Madhërueshmi. Dijetarët nuk duhet të jenë dembelë, si injorantët, dhe as duhet të mjaftohen me nivelin e tyre të adhurimeve. Është e vërtetë që edhe ata mund të shpëtojnë, ashtu si dhe njerëzit e thjeshtë e të paditur, duke kryer vetëm disa adhurime kryesore, të përcaktuara nga Zoti si shpëtimtare, por niveli i lartë i dijetarëve kërkon adhurime më të shumta, më speciale e më të sinqerta, për të mbajtur me sukses përgjegjësinë e rëndë të ngarkuar nga Zoti. Për ta mbajtur me sukses këtë peshë, ata duhet të ngrihen lart me adhurime më të shumta, me dhikër e me namaz më të përkushtuar, me zekat, agjërime, haxh etj., etj. Përveç faktit se duhet të dallohen në veprat e mira që kryejnë si adhurim ndaj Zotit, dijetarëve u kërkohet edhe që t’u mësojnë njerëzve të vërtetën, dhe këtë ta bëjnë si edukatorë të urtë, të mëshirshëm dhe të dhembsur. Ata duhet t’u mësojnë njerëzve gjithçka që kanë nevojë të dinë për fenë e tyre, sidomos për çështjet themelore, të cilat duhet patjetër të dihen. Ata kurrë nuk duhet t’u frikësohen njerëzve dhe t’u vijnë pas oreksit në dijen që përhapin, por duhet t’i frikësohen Allahut të Lartësuar dhe përgjegjësisë para Tij. Prandaj i Lartësuar thotë: - “Prandaj, mos i kini frikë njerëzit, por më kini frikë vetëm Mua! Dhe mos i ndërroni argumentet e Mia me një çmim të vogël!” - Kuptimi: Nuk duhet që, për hir të një shpërblimi të vogël e të parëndësishëm të kësaj dynjaje, ju të fshihni të vërtetën dhe të reklamoni të gabuarën. Nëse dijetari është i ruajtur dhe i kujdesshëm që të mos bjerë në të tilla gabime, kjo tregon se atij i është dhënë sukses. Ja disa shenja që tregojnë se dijetari është i vërtetë, i suksesshëm dhe i lumtur: 1. Ai përpiqet në kërkimin e dijes dhe përhapjen e saj dhe është i ndërgjegjshëm që Allahu i Madhëruar i ka ngarkuar këtë amanet, duke e bërë dëshmues të drejtë të së të vërtetës. 2. Ai i frikësohet Zotit dhe kurrë nuk e pengon frika ndaj njerëzve apo nga e keqja që mund të vijë prej tyre, që ai t’i përmbushë me besnikëri përgjegjësitë e tij si dijetar. 3. Ai nuk i jep përparësi dynjasë kundrejt ahiretit, por çështja që e shqetëson më

shumë është korrektësia me detyrën e ngarkuar nga Zoti. Ndërsa nga shenjat e dëshpërimit dhe dështimit të një dijetari, mund të përmendim: 1. Është i zhytur në kotësira e mungesë aktiviteti, duke mos u angazhuar për plotësimin e përgjegjësive të tij. 2. Nuk i jep rëndësi diturisë, të cilën Zoti ia ka dhënë për ta ruajtur, zbatuar dhe për të ftuar të tjerët në të, por e humbet, e shpërfill dhe e braktis atë. 3. E shet fenë, në këmbim të interesave të kësaj dynjaje. 4. Pranon rryshfet në këmbim të së vërtetës, ose pranon pasuri për të dhënë fetva sipas oreksit të njerëzve. 5. I mëson njerëzit veçse në këmbim të pasurisë dhe dhuratave. Këta të mjerë shpërfillin një privilegj të jashtëzakonshëm, nga i cili privohen shumë të tjerë, duke mos i dhënë hakun që meriton. O Zoti dhe i Adhuruari ynë! Të lutemi të na dhurosh dije të dobishme, punë të sinqerta dhe të pranuara prej Teje dhe të na ruash me faljen, butësinë, mëshirën dhe bujarinë Tënde nga një fatkeqësi e tillë! O Bujar e i Gjithëmëshirshëm! Na ruaj nga të tilla skuta të errëta dhe të frikshme! - “Kush nuk gjykon me ligjin që ka shpallur Allahu është jobesimtar. ” - Ata të cilët nuk gjykojnë me të vërtetën e qartë që shpalli Zoti, por gjykojnë me të kotën, për kotësinë e së cilës janë të vetëdijshëm, ata janë qafirë, mohues. Kështu, gjykimi jo me ligjin e Zotit është vepër e mohuesve. Kjo vepër mund të të nxjerrë nga Islami, në rast se beson se ajo është e lejueshme për t’u kryer. Por nëse e beson se ajo është vepër e ndaluar dhe se ligji i Zotit është i vetmi ligj që duhet besuar e zbatuar në gjykim, dhe, për shkaqe të tjera, gjykon jo me ligjin e Tij, kjo sigurisht konsiderohet si një nga gjynahet më të mëdha, si një prej veprave të kufrit, dhe ai që e kryen meriton ndëshkim të rëndë nga Allahu.

← Maide 5:41