← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

5. Maide · Ajeti 57 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:47–5:59

Kur'ani i cili i zbriti Muhammedit, përveç që vërteton librat e mëparshëm, ai është edhe garantues e sigurues i tyre, ngase devijimet në to i zbulon dhe e mbron të vërtetën në to.

Çdo pejgamber thuajse ka pasur ligjin e vet, sipas së cilit ka programuar jetën e atij popullit, të cilit i është dërguar, por të gjithë pejgamberët kanë qenë unikë në mësimet e bazave të besimit.

Muhammedi urdhërohet të gjykojë sipas Kur'anit, urdhërohet që të mos pajtohet me dëshirat e kundërshtarëve, bile urdhërohet që të ketë kujdes e të mos mashtrohet nga intrigat e tyre e ta shkelë ndonjë dispozitë, sepse ata janë jashtë rrugës së Zotit, andaj edhe nuk kuptojnë të drejtën e të vërtetën, e dëshirojnë gjendjen e hershme të injorancës.

Kur është çështja rreth besimit, rreth Kur'anit dhe Muhammedit, nuk lejohet kurrfarë miqësie me kundërshtarët e tij. Në këto ajete është fjala për disa munafikë (hipokritë), të cilët vetëm ishin i deklaruar si besimtarë, e në të vërtetë nuk kishin pranuar sinqerisht fenë Islame, me motivacion se i kishin frikë ndonjë rrotullimi eventual, bashkëpunonin me kundërshtarët.: I larguari prej fesë Islame është "murted". Edhe kjo është një mrekulli e Kur'anit, ngase para se të ndodhë lajmëron se do të ketë ndonjë të tillë, që me të vërtetë pati, por në kohën e Pejgamberit ka pasur pak, kurse në kohën e Ebu Bekrit - shumë. Ebu Bekri i luftoi pa mëshirë dhe pa frikë murtedët, të cilët i asgjësoi. Pra, u vërtetua fjala e Allahut se do të sjellë popull që i do Zoti dhe që ata e duan Zotin, e këta ishin shokët e Pejgamberit dhe të gjithë ata që luftuan e do të luftojnë për rrugën e Zotit derisa të ekzistojë kjo jetë.

Ata që ishin sinqerisht në krahun e Allahut, të Pejgamberit dhe të myslimanëve, gjithnjë ishin I fitues, andaj nuk duhet afruar atyre që me fenë e Allahut përqeshen e tallen: ata janë fasika dhe fuqia e tyre është e dobët. Fuqia i takon Allahut dhe atyre që besojnë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:57–5:58

- O ju që keni besuar! Mos i zini për miq ata që që tallen dhe luajnë me fenë tuaj qofshin ata prej atyre që u është dhënë Libri para jush apo prej jobesimtarëve! - Kjo është një porosi e rëndësishme për të mos u miqësuar e afruar me armiqtë e Islamit, qofshin ata prej ithtarëve të Librit, qofshin idhujtarë të tjerë, që nuk kanë libër hyjnor. Të tillë njerëz tallen me adhurimet me të pastra dhe të rëndësishme që përkushtojnë besimtarët për Zotin. Ata shprehin përçmim e tallje për ligjet e Islamit, që janë të pastra, plot urtësi e drejtësi, që i sigurojnë njeriut çdo mirësi e mbarësi. Ata tallen me këto ligje e rregulla dhe, me mendjen e tyre të prishur, i konsiderojnë si lojëra e kotësi: Të shumtë janë ata që nënçmojnë fjalën e drejtë, Defekti i tyre është arsyeja dhe mendja e sëmurë. Allahu i Madhëruar thotë: “ ... qofshin ata prej atyre që u është dhënë Libri para jush apo prej jobesimtarëve!” Pra, këto kategori mos i bëni miq e aleatë. Fjala “jobesimtarë” këtu ka për qëllim idhujtarët. - Frikësojuni Allahut, nëse jeni besimtarë! - Frikësojuni Allahut dhe mos i bëni miq e aleatë mohuesit e idhujtarët, nëse vërtet besoni në ligjin dhe fenë e Zotit, që këta i marrin për lojë e tallje. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Besimtarët nuk duhet të marrin për miq (e aleatë) jobesimtarët, por besimtarët. Kush e bën këtë, ai nuk ka asgjë nga feja e Allahut, veç nëse është për qëllim ruajtja prej së keqes së tyre. Allahu ju paralajmëron që të ruheni prej Tij. Tek

Allahu do të ktheheni të gjithë.Thuaj: “Edhe nëse e fshihni atë që keni në zemrat tuaja, apo e shfaqni haptazi, Allahu e di atë. Ai e di çfarë ka në qiej dhe çfarë ka në tokë. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.” [Al Imran 28, 29]. Në vijim i Lartësuari thotë: - Edhe ezanin tuaj për namaz ata e marrin për tallje e lojë. - Ata tallen me thirrjen tuaj për namaz, ezanin. Ata e bëjnë këtë, sepse: - Me të vërtetë, ata janë njerëz që nuk kuptojnë. - Ata nuk arrijnë të kuptojnë urtësitë e adhurimeve të ligjëruara në Islam për t’iu dedikuar Allahut dhe as urtësitë e mëdha të ligjeve të vendosura nga Ai. Këto, në fakt, janë cilësitë e miqve të shejtanit, i cili “...kur dëgjohet ezani, largohet me të shpejtë dhe lëshon gazra, që të mos dëgjojë ezanin. Kur mbaron ezani, ai afrohet përsëri. Kur thirret ikameti, përsëri largohet. Kur mbaron ai, afrohet sërish, për të ndërhyrë sa të mundet mes njeriut dhe zemrës së tij, që ta shpërqendrojë nga namazi, duke i thënë: “Kujto këtë e kujto atë gjë...”, gjëra që njeriu nuk i kujtonte më parë, derisa njeriu nuk e di sa rekatë ka falur. Nëse e vëreni diçka të tillë në veten tuaj gjatë namazit, bëni dy sexhde ( sehvi) para se të jepni selam.” Hadithi është mutefekun alejhi, pra, vjen nga Buhariu dhe Muslimi. Zuhriu ka thënë: “Allahu i Madhëruar e ka përmendur ezanin në Librin e Tij, tek ajeti: “...Edhe ezanin tuaj për namaz ata e marrin për tallje e lojë.”. Kështu e sjell hadithin Ibn Ebu Hatimi. Ndërsa Esbati tregon se Suddiju, duke folur rreth këtij ajeti, ka thënë: “Një burrë i krishterë në Medinë, sa herë që muezini thoshte: ‘ Eshhedu enne Muhameden resulull-llâh”, thoshte: “U përvëloftë mashtruesi!”. Një natë, kur ai ishte në gjumë me gjithë familjen e tij, shërbëtorit të tij, duke hyrë në shtëpi, i ra një shkëndijë zjarri, nga e cila u dogj e gjithë shtëpia bashkë me familjen e tij.’ Kështu e sjellin hadithin Ibn Xheriri dhe Ibn Ebu Hatimi.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:57–5:58

- “O ju që keni besuar! Mos i zini për miq ata që tallen dhe luajnë me fenë tuaj qofshin ata prej atyre që u është dhënë Libri para jush apo prej jobesimtarëve! ” - Edhe në këto ajete Allahu i Lartësuar i ndalon besimtarët që t’i konsiderojnë ithtarët e Librit, pra, jehudët e të krishterët, si dhe çdo lloj jobesimtari, si miq të afërt, duke i dashur e mbështetur, duke u treguar të fshehtat e besimtarëve apo duke i ndihmuar në shumë çështje që dëmtojnë Islamin dhe muslimanët. Të gjitha këto sjellje bien ndesh me imanin. Besimi i drejtë e bën të detyrueshëm distancimin nga qafirët e çdo lloji. - “Frikësojuni Allahut, nëse jeni besimtarë.” - Është devotshmëria ndaj Zotit që duhet t’ua imponojë besimtarëve një qëndrim të tillë kundrejt mohuesve. Dihet mirë se devotshmëria është kryerja e urdhëresave të Zotit dhe largimi nga ndalesat e Tij. Edhe armiqësia ndaj qafirëve është pjesë e këtyre porosive të Zotit. Po kështu, duhet të përmendim edhe një fakt tjetër, në mënyrë që të kuptojmë se pse duhet t’i urrejmë mohuesit: ata e kundërshtojnë dhe e urrejnë besimin e muslimanëve, ata tallen e luajnë me adhurimet e muslimanëve, i përdhosin dhe nënçmojnë simbolet e tyre, sidomos namazin, i cili është nga shenjat më të dukshme dhe madhështore të Islamit. I Lartësuari thotë: - “Edhe ezanin tuaj për namaz ata e marrin për tallje e lojë. Me të vërtetë, ata janë njerëz që nuk kuptojnë. ” - Kur muslimanët thërrasin ezanin për faljen e namazit, ata e përqeshin dhe tallen me të. Ata veprojnë kështu, për shkak të injorancës dhe mendjelehtësisë së tyre. Nëse do të kishin mend dhe logjikë, ata do të frenoheshin nga një sjellje e tillë dhe do të kuptonin se namazi është kulmi i mirësisë, që mund të ketë shpirti i njeriut. Nga ana tjetër, nëse një besimtar e njeh dhe e kujton vazhdimisht gjendjen e qafirëve dhe armiqësinë e tyre ndaj Islamit dhe muslimanëve dhe, pas kësaj, përsëri nuk i urren dhe nuk armiqësohet me ta, kjo tregon që Islami në zemrën e tij është i pavlerë. Miqësimi me të tillë njerëz është shenjë treguese se atij nuk i intereson aspak fyerja dhe nënçmimi i besimit. Në fakt, ai është bosh nga besimi dhe dinjiteti. Si është e mundur që të thuash se je pasues i një feje të mrekullueshme, të vetmen fe që është e pranuar tek Zoti dhe, nga ana tjetër, të kënaqesh me miqësinë e atyre që e konsiderojnë atë si lojë dhe e trajtojnë me tallje?! Si mund të miqësohesh me injorantët, që përqeshin dhe e përdhosin këtë fe dhe besimtarët që jetojnë sipas saj?! Sigurisht, këto ajete i nxisin besimtarët që mohuesit e Zotit dhe të profetëve t’i konsiderojnë si armiq dhe kundërshtarë. Këtë e kupton çdokush që ka sadopak aftësi për të kuptuar.

← Maide 5:57