وَجَآءَتۡ كُلُّ نَفۡسٖ مَّعَهَا سَآئِقٞ وَشَهِيدٞ
E do të vijë secili njeri e bashkë me të edhe grahësi edhe dëshmitari.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Shkronja “kaf ’ është sikurse edhe shkronjat e tjera në fillim të sureve, por mund të jetë edhe simbol i ndonjë fshehtësie, betim, emër i sures dhe jep të kuptojmë për mrekullinë e Kuranit. Kurani është libri më i lavdishëm, por idhujtarët çuditeshin se si njeriu mund të vijë pejgamber, si është e mundshme ringjallja pas vdekjes. Për çdo pjesë të trupit të njeriut, të cilën ia ha toka ekziston një evidencë e saktë, asgjë nuk është e humbur, as numri, as emri, as pjesa e tretur në dhe. Njerëzia duhet ta vështrojnë me vëmendje fuqinë dhe mjeshtërinë e Zotit Krijues, si në qiellin e bekuar e të përsosur, i cili nuk ndryshon, ashtu edhe në tokën që kohë pas kohe merr pamje të ndryshme nga bimët dhe pemët e saj, të cilat përveç që janë stoli e saj janë edhe ushqim për njerëzit. Veçohet në të përmendur trungu i hurmës, sepse është mbreti i pemëve. Edhe popujt e mëparshëm nuk i besuan pejgamberët për ringjalljen. Po Ai Zot që për herë të parë bëri krijimin pa kurrfarë lodhjeje, a nuk është në gjendje ta bëjë ringjalljen?! Por atyre puna e ringjalljes iu dukej shumë e madhe. Zoti thotë: Unë e krijova njeriun dhe e di se ç’i qarkullon në trurin e tij, e jam më afër me dije dhe përcjellje, se edhe rrahja e fundit e damarit të qafës së tij. Jam më afër edhe se dy melekët që i rrinë njëri në anën e djathtë e tjetri në anën e majtë dhe sa fjalë që flet ai, ata ia shkruajnë se janë aty pranë. E kur t’i vijë agonia e vdekjes, ai do ta shohë të vërtetën, do ta shohë gjendjen e jetës së ardhshme, prej së cilës gjithnjë ka ikur, duke mos dashur ta pranojë. Dhe kur i fryhet Surit për ringjallje, çdo njeri, i mirë qoftë ose i keq e përcjell një melek, e një dëshmon për veprat që ka bërë dhe i thuhet: Ke qenë krejt gafil, e tashti ta hoqëm atë që ta pat mbuluar zemrën, dëgjimin dhe të parit, e shikimi yt sot është shumë i mprehtë.