← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

52. Tur · Ajeti 1 · Tefsir

Hyrja e sures Et-Tur Sherif Ahmeti

E zbritur në Meke, pas sures Es Sexhdetu, ajete: 49

Si përforcim i bindjes dhe i besimit ndaj të vërtetave të fesë islame, në fillim të kaptinës Zoti fuqiplotë betohet në disa nga krijesat e Veta si ringjallja dhe gjykimi para Zotit dhe dënimi kundër atyre që mohojnë të vërtetën, është i pashmangshëm.

Pas përshkrimit të tmerrit, i cili do t'i kaplojë ata që nuk besuan me rastin e kijametit dhe të ditës së gjykimit përshkruhet jeta e këndshme dhe e kënaqshme e atyre që besuan, që vepruan mirë dhe e merituan xhennetin, e përshkruhet edhe kënaqësia për bashkimin e prindërve me fëmijët e tyre, si dhuratë e Zotit.

Pejgamberi urdhërohet ta vazhdojë këshillën e vet e të mos u vërë veshin kundërshtimeve të kundërshtarëve, të jetë i durueshëm se ndihma e Zotit është në anën e tij.

Quhet: "Suretu Et Tur" - kaptina e Turit, ngase Allahu betohet me atë kodër në të cilën i foli Musait dhe si e tillë, ajo kodër gëzon një famë të madhe ndaj të gjitha kodrave të tjera të botës.

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 52:1–52:28

Tur është kodra në të cilën Zoti i foli Musait. Libri i shkruar në rreshta e në fletë të hapura, është Kur'ani që lexohet prej besimtarëve në mus-haf, e prej melekëve në Levhi Mahfudh. Shtëpia e banuar është Qabja, të cilën gjithnjë e vizitojnë haxhinjtë, ose Bejtul Ma'muri në qiell, të cilin e vizitojnë melekët. Kulm i ngritur është qielli. Deti i mbushur me ujë, ose deti që në momentin e katastrofës do të ndizet si zjarr. Zoti betohet në këto krijime se dënimi për kundërshtarë është realitet i pamohueshëm. Lëkundja e qiellit andej-këndej dhe shkulja e kodrave e fluturimi i tyre, japin të kuptohet se dynjaja mori fund, sepse toka, qielli, malet, detet, janë krijuar që njerëzit të përfitojnë prej tyre, e deri sa në të nuk do të kthehet më askush, ajo shkatërrohet.

Të mjerë janë ata që refuzuan mësimet e Zotit dhe atë ditë u thuhet kur janë në prag të xhehenemit: A mos është kjo ndonjë magji, apo jeni verbuar siç u verbuat në dynja ndaj udhëzimeve të Zotit.

Xhennetlinjtë, përveç që janë të kënaqur me të mirat e xhennetit,Zoti do t'i kënaqë edhe më tepër, kur do t'ua shoqërojë edhe fëmijët e tyre në xhennet, edhe nëse fëmija i tyre nuk ka meritë për atë shkallë të xhennetit, por atë e bën për hirë të prindërve të mirë, Kuptohet, nëse fëmija ka qenë besimtar sikurse edhe prindërit e vet, e nëse jo, atëherë këputen të gjitha lidhjet.

Gjithashtu kuptohet se edhe xhennetlinjtë edhe xhehenemlinjtë i përkujtojnë veprat dhe gjendjen e tyre se ishin në dynja, e besimtarët do të kënaqen kur i përkujtojnë vështirësitë e dynjasë dhe gjendjen e tyre të kënaqshme në xhennet, ndërsa të tjerët mjerimin në xhehenem.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 52:1–52:16

- “Betohem për malin Tur ... ” - Allahu i Lartësuar betohet në këto krijesa, të cilat tregojnë për pushtetin e Tij madhështor. Ai betohet për të treguar se ndëshkimi i Tij mbi armiqtë e çështjes së Tij, mbi ata që i kundërvihen besimit, profetëve dhe Shpalljes së Tij ka për të ndodhur patjetër. Ai na tregon se askush nuk mund ta kthejë pas atë apo ta shmangë prej keqbërësve. Tur quhet një mal me pemë dhe është pikërisht ai mal, në të cilin Allahu i foli Musait dhe po prej tij dërgoi si Profet, Isain (paqja e Zotit qoftë me ta dhe me Profetin tonë të dashur!). Një mal i zhveshur, që nuk ka pemë, (në arabisht) nuk quhet ‘tur’, por xhebel. Pra, janë dy fjalë të ndryshme për malet, secila me veçorinë e vet. Pa dyshim që ajeti i referohet malit Tur, mbi të cilin Zoti i foli Musait. - “... dhe për Librin e shkruar në rreshta, në pergamenë të shpalosur. ” - ‘Kitabun Mestur’ janë librat e shpallur e të shkruar në rreshta, që u lexohen njerëzve haptazi, pra - ndaj dhe thotë i Lartësuari: “... në perga - menë të shpalosur.” Sipas një mendimi tje - tër, qëllimi këtu është për ‘ Leuhi Mahfudh’, pra, për Librin e Ruajtur, që është tek Zoti. Mendimi i parë është më i saktë, por Allahu është më i ditur. - “Betohem për Shtëpinë plot vizitorë. ” - Në hadithin e Israsë, që gjendet në të dy Sahih-ët, ndër të tjera thuhet se Profeti i Allahut kaloi qiellin e shtatë. Ai tregon: 2491. “Pastaj unë u ngrita drejt ‘ Bejt el Ma’mur’, një shtëpi madhështore. Në të hynin çdo ditë 70 mijë melekë dhe (pasi dilnin) nuk ktheheshin m ë në të.” Pra, ata adhuronin Zotin atje, bënin tavaf në të, ashtu sikurse bëjnë tavaf banorët e Tokës në Qaben e tyre në Mekë. Bejtul Ma’mur është Qabja e banorëve të qiellit të shtatë. Atje, Profeti i Allahut gjeti Ibrahimin, të dashurin e Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të!), i cili qëndronte mbështetur në Bejtul Mea’mur . Ibrahimi ka ndërtuar Qaben e Tokës, pra - ndaj, duke qenë se shpërblimi jepet sipas llojit të punës, ai qëndron tashmë në Bejtul Mea’mur. Kjo shtëpi, kjo Qabe mbi qiellin e shtatë, bie drejt e mbi Qaben tokësore. Në çdo qiell ka faltore, ku banorët e tij adhu - rojnë Zotin e falen në të. Kështu, ndërtesa që ndodhet në qiellin e dynjasë quhet ‘Bejtul Izeh ’ - Shtëpia e Krenarisë, por Allahu është më i ditur. Më pas, i Lartësuari thotë: - “Betohem për kupën e ngritur lart ... ” - Sufjan el Theuriu përcjell shpjegimin e Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), që thotë se këtu Allahu betohet për qiejt e ngritur lart. Pastaj - thotë Sufjani - Aliu lexoi fjalën e Allahut: “Qiellin e kemi bërë si një mbulesë (kupolë) të sigurt. Megji - thatë, ata u kthejnë shpinën shenjave, që këto objekte tregojnë.” [Enbija 32]. Ndërsa Rabi’ Ibn Enes thotë se është fjala për Arshin. Pra, Arshi i Zotit është kupola, mbulesa e të gjitha krijesave, që ka krijuar Zoti. Megjithatë, mendimi i shumicës është se këtu bëhet fjalë edhe për Arshin, edhe për qiejt e lartë. - “... dhe për detin e mbushur plot. ” – Rabi’ Ibn Enesi thotë se fjala “ El Baĥr” këtu tregon detin poshtë Arshit të Zotit, nga i cili Zoti do të zbresë shi për të ringjallur krijesat nga varret e tyre, Ditën e Ringja - lljes. Megjithatë, shumica e dijetarëve thonë se bëhet fjalë për detet e kësaj bote. Ka mendime të ndryshme për fjalën “ mesxhur”. Disa kanë thënë se deti do të ndizet zjarr në Ditën e Kijametit, sikurse thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “... kur detet të vlojnë ...” [Tekuir 6]. Pra, detet do të ndizen dhe do të shndërrohen në flakë gjëmuese, që do të rrethojë njerëzinë ditën e qëndrimit

para Zotit. Ky shpjegim vjen nga Aliu, Ibn Abasi, Said Ibn Xhubejri, Muxhahidi dhe të tjerë. Ndërsa nga Katade vjen shpjegimi se ‘mesxhur’ do të thotë: “i mbushur plot”. Këtë mendim e ka përzgjedhur edhe Ibn Xheriri, që thotë se sot deti nuk është i ndezur flakë, por është i mbushur plot me ujë. Thuhet, gjithashtu, se ‘ mesxhur’ domethënë “i ndaluar e i penguar, që të mos e mbulojë tokën e të mbytë banorët e saj”. Kështu e transmeton Ali Ibn Ebu Talha nga Ibn Abasi. Të njëjtin mendim sjell edhe Suddiu. Më pas, i Lartësuari thotë: - “Vërtet, dënimi i Zotit tënd do të ndo - dhë.” - Ky është objektivi i të gjitha përbe - timeve të mësipërme. Pra, ky ndëshkim do të bjerë patjetër mbi mohuesit. - “Atë nuk mund ta pengojë askush. ” - Askush nuk mund ta pengojë ndëshkimin, që të mos bjerë mbi mohuesit, që e meri - tojnë. E kush mundet ta pengojë ndëshki - min, që Allahu dëshiron të zbresë mbi ta?! - “Atë ditë, qielli do të lëkundet fuqi - shëm.” - Ibn Abasi dhe Katadja shpjegojnë: “Qielli do të bëjë lëvizje rrethore.” Ky është edhe shpjegimi që ka përzgjedhur edhe Ibn Xheriri. - “... e malet do të shkulen nga vendi e do të lëvizin. ” - Malet do të lëvizin, do të shndërrohen në pluhur dhe do të zhduken tërësisht, sikurse thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Kur malet të thërrmohen e të bëhen copë-copë, kur ato të bëhen si pluhur i shpërndarë ...” [Uakia 6, 7]. Ose: “Të pye - sin ty për malet. Thuaj: Zoti im do t’i shkulë ato dhe do t'i shpërndajë si pluhur. Vendin e tyre ta bëjë rrafsh e pa asnjë bimësi. As ultësira e as lartësira nuk do të shohësh në vendin e tyre.” [Ta ha 105]. - “Ajo ditë është mjerim i madh për mohuesit ... ” - Mjerë për ata për ndëshki - min e Allahut të Lartësuar dhe zemërimin e Tij mbi ta. - “... të cilët, të zhytur në gënjeshtra, argëtohen.” - Ata zhyten në kotësira dhe e marrin fenë për tallje dhe lojë, kur janë në dynja. - “Ditë, kur me rrëmbim, do tërhiqen për në zjarrin e Xhehenemit. ” - Ata do të tërhiqen zvarrë drejt zjarrit të Xhehenemit. - “Ky është zjarri, që ju e mohonit.” - Atyre do t’u thuhen fjalë qortuese nga zebanitë, që ua shtojnë edhe më shumë dhimbjen e dëshpërimin. - “Mos është kjo ndo një magji, apo ju nuk shihni?!” - Hyni në Zjarr me një zhytje të tillë, e cila do t’ju mbulojë nga të gjitha anët. - “Digjuni në të! E duroni apo nuk e duroni, njësoj është për ju!” - është njëlloj për ju, si të bëni durim, si të shfaqni tmerr dhe dëshpërim, përsëri ju nuk mund t’i shmangeni atij ndëshkimi. Nuk ka shpëtim për ju. - “Ky është i vetmi “shpërblim”, që e merituat me veprat tuaja!” - Allahu i Madhëruar nuk i bën padrejtësi askujt, përkundrazi, çdo person do ta shpërblejë sipas veprave të veta.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 52:1–52:16

Allahu i Madhëruar betohet në këto krijesa madhështore, të cilat bartin shumë urtësi të mëdha. Ato tregojnë për vërtetësinë e ringjalljes dhe shpërblimit me drejtësi si për të devotshmit, ashtu edhe për mohuesit.

- “Betohem për malin Tur...” – Ky është betim në malin Tur, mal në të cilin Allahu i Lartësuar i foli profetit të Tij Musa, birit të Imranit (a.s.), duke i shpallur ligje dhe dispozita të ndritshme. Kjo qe një mirësi e madhe, që Zoti ia dhuroi profetit Musa dhe ymetit të tij, e gjithashtu një shenjë e mrekullueshme e përkujdesjes së Zotit për ta, dhuratë për të cilën ata kurrë nuk mund ta falënderojnë ashtu si e meriton. - “...dhe për Librin e shkruar në rreshta,, në pergamenë të shpalosur!” - Ka mundësi që këtu të flitet për Leuhi Mahfudh-in, ku Allahu i Lartësuar ka shkruar çdo gjë. Por ka mundësi që të flitet edhe për Kur'anin e Madhëruar, i cili pa dyshim është libri më i mirë që ka shpallur Allahu dhe ku përmenden ngjarjet e të parëve dhe të fundit, njohuritë e të parëve dhe të atyre që do të vijnë. - “Betohem për Shtëpinë plot vizitorë!” - Këtu bëhet fjalë për Shtëpinë e Shenjtë që gjendet sipër qiellit të shtatë. Ajo gjithmonë është e mbushur me melekë të nderuar. Çdo ditë në këtë shtëpi hyjnë shtatëdhjetë mijë melekë, të cilët adhurojnë Zotin e tyre dhe të cilëve nuk u bie më radha të kthehen në të, deri në Ditën e Gjykimit. Por në ajet mund të bëhet fjalë edhe për Shtëpinë e Zotit në tokë, Qaben, e cila është e mbushur përplot me adhurues të Zotit, që bëjnë tavaf, falen e kujtojnë Zotin në çdo kohë, duke kryer haxhin dhe umren. Po kështu është betuar Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër, duke thënë: “Betohem për fikun dhe ullirin. Dhe për Turi Sinain dhe për këtë Qytet të sigurt (Meken).” [Tin 1 -3]. E meriton kjo faltore madhështore që Zoti të betohet në të. Ajo është destinacioni i haxhit, që është një nga shtyllat e Islamit. Ajo është faltorja e ndërtuar nga Ibrahimi (a.s.) dhe Ismaili, që Zoti e ka bërë vend qetësie dhe sigurie. - “Betohem për kupën e ngritur lart...” - I Lartësuari betohet për qiellin madhështor, të cilin e ka bërë si çati dhe mburojë për krijesat. Ai shërben si mbrojtës i tokës dhe prej tij vjen drita. Nëpërmjet yjeve të vendosura në qiell, njerëzit udhëzohen dhe gjejnë rrugën në errësirën e tokës dhe të detit. Prej qiellit zbret mëshira, shiu dhe çdo lloj furnizimi tjetër. - “...dhe për detin e mbushur plot!” – Allahu betohet për detin ‘ mesxhur’, domethënë, e mbushur përplot me ujë, të cilin Ai e ka mbledhur dhe grumbulluar, duke e ndaluar që të shpërthejë dhe të përmbytë tokën. Nëse do të lihej i lirë, natyrshëm ai do të dilte nga vendi i vet dhe do të mbulonte tokën. Por ligji i vendosur nga i Gjithëdituri dhe i Urti e bën që ai të qëndrojë i grumbulluar, duke mos dalë nga shtrati i tij. Në këtë mënyrë, Zoti ruan bimësinë, botën shtazore dhe jetën në përgjithësi mbi faqen e dheut. Ky është njëri nga kuptimet e mbiemrit ‘ mesxhur’, që cilëson fjalën ‘det’ në ajet. Sipas disa komentuesve të tjerë, ‘ mesxhur’ do të thotë “i ndezur flakë”. Ashtu siç është deti, aq i madh, i thellë dhe i gjerë, ai do të mbushet me zjarr dhe ndëshkime të larmishme. Të gjitha këto betime madhështore tregojnë fillimisht se ato janë disa nga shenjat e Allahut të Lartësuar, që dëshmojnë për njëshmërinë e Tij. Së dyti, ato tregojnë se Allahu i Madhëruar është i Plotfuqishëm për gjithçka, për të ringjallur të vdekurit dhe për t’i llogaritur e shpërblyer ata. - “Vërtet, dënimi i Zotit tënd do të ndodhë. Atë, askush nuk mund ta pengojë.” - Kjo është e padiskutueshme që do të ndodhë dhe askush nuk mund ta pengojë. Askush nuk mund të ndryshojë premtimin dhe fjalën e Zotit. Askush nuk mund të ndërhyjë për ta ndryshuar apo penguar gjykimin e Zotit, sepse pushteti i Tij është absolut dhe i pacenueshëm. Askush nuk mund t’i shpëtojë pushtetit të Tij. Më pas, ajeti përshkruan atë ditë të vështirë, kur do të godasë fuqishëm ndëshkimi i Zotit: - “Atë ditë, qielli do të lëkundet fuqishëm e malet do të shkulen nga vendi e do të lëvizin.” - Atë ditë, qiejt do të rrotullohen dhe do të lëkunden. Lëkundja e tyre do të jetë e tmerrshme, e vazhdueshme dhe shkatërruese. Ndërsa malet do të shkulen

nga vendi dhe do të lëvizin si retë dhe si pluhur në ajër. Kur të tilla dridhje shkaktojnë këto fenomene me krijesat e mëdha, atëherë si do të jetë frika që do të pushtojë njerëzit, qenie aq të vogla dhe të dobëta?! - “Ajo ditë është mjerim i madh për mohuesit, të cilët, të zhytur në gënjeshtra, argëtohen!” – Ajo ditë është “uejl” për mohuesit. Fjala “ uejl” e përdorur në ajet shënon çdo lloj ndëshkimi, trishtimi, vuajtjeje, ankthi e frike. Po cili është shkaku që ata meritojnë këtë ndëshkim?! Ata janë tërësisht të angazhuar me gjëra të pavlefshme. Studimet e tyre janë tërësisht të përqendruara në njohjen e gjërave të dëmshme, të cilat të çojnë në mospranimin e të vërtetës. Ata të bëjnë që të besosh dhe pranosh të kotën. Kjo është dituria e tyre. Ndërsa veprat e tyre bëhen vetëm nga injorantët, mendjelehtët dhe të shfrenuarit në dëfrime e lojëra. E tillë është gjendja e njohurive dhe veprave të këtyre mjeranëve, ndryshe nga dijet dhe veprat e besimtarëve, që e pranojnë të vërtetën e Zotit dhe jetojnë me të. Dituria e këtyre të fundit është e dobishme për dynjanë dhe ahiretin. Veprat e tyre mbështeten te kjo dije e dobishme dhe kryhen me sinqeritet për të kënaqur Krijuesin. - “Ditë, kur me rrëmbim, do tërhiqen për në zjarrin e Xhehenemit.” - Atë ditë, ata do të thirren për në Xhehenem dhe do të tërhiqen zvarrë me fytyrat e tyre, për t’u hedhur në të. Në një gjendje të tillë ndëshkimi, ata dëgjojnë këto fjalë: - “Ky është zjarri, që ju e mohonit!” - Vuajeni tani ndëshkimin e përjetshëm, të cilin askush nuk mund ta përballojë dhe askush nuk mund ta përshkruajë. - “Mos është kjo ndonjë magji, apo ju nuk shihni?!” - Ka mundësi që kjo pyetje të bëhet për Zjarrin ose ndëshkimin me të cilin do të ballafaqohen, sikurse tregon edhe konteksti i ajetit. Pra, kur ata të shohin Zjarrin, në formë ironie do t’u thuhet: “A mos është magji, a mos është diçka jo reale, ashtu sikurse pretendonit në dynja, apo ishit të verbër në dynja dhe nuk e shihnit të vërtetën?” Përgjigjja, sigurisht, është negative: nuk është një magji, por një realitet i pamohueshëm. Edhe pretendimi i tyre se nuk e shihnin dhe nuk e kuptonin të vërtetën, nuk qëndron. Faktet dhe shenjat e Allahut ishin tërësisht të qarta. Profeti ua qartësoi të vërtetën rreth Zotit dhe mesazhin e Tij. Ai i ftoi me mënyrën më të mirë për të besuar Zotin dhe gjithçka që Ai urdhëroi të besohet. Pas këtij qartësimi, askush nuk mund të justifikohet para Zotit. Por ka shumë mundësi, gjithashtu, që këtu të flitet për Shpalljen që iu dha Muhamedit (a.s.). Sipas kësaj, kuptimi është: “Vallë, është magji Shpallja që iu dha Muhamedit apo fajin e ka paaftësia juaj në të vështruarit dhe kuptuarit e gjërave?” Kjo është një pyetje retorike, së cilës i dihet përgjigjja. Shpallja që iu dha Muhamedit nuk është aspak magji, por është faji i tyre që e shpërfillin atë, edhe pse ajo është vetë e vërteta e sigurt, e argumentuar dhe e faktuar nga Zoti. - “Digjuni në të! E duroni apo nuk e duroni, njësoj është për ju!” - Hidhini në Xhehenem, në atë mënyrë që zjarri t’i përfshijë tërësisht trupat e tyre dhe t’u depërtojë deri në zemra. Durimi atje nuk ka vlerë dhe nuk ua lehtëson aspak dhimbjen që shkakton Zjarri. Po ashtu, edhe pse do të jetë një turmë e madhe që do të ndëshkohet, kjo nuk do t’i ngushëllojë fare. Asgjë nuk mund ta lehtësojë ndëshkimin në Xhehenem, sepse ai nuk është i tillë që mund të kalohet me durim e ngushëllim. Ky është ndëshkim i merituar për ta, për veprat që kanë bërë vetë, siç thotë i Lartësuari: - “Ky është i vetmi “shpërblim” për atë që e merituat me veprat tuaja.”

← Tur 52:1