52. Tur · Ajeti 28

سورة الـطور
Përkthimi Sherif Ahmeti
28

إِنَّا كُنَّا مِن قَبۡلُ نَدۡعُوهُۖ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلۡبَرُّ ٱلرَّحِيمُ

"Ne më parë ishim ndër ata që e lutëm Atë, e Ai është bamirës, mëshirues".*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Tur është kodra në të cilën Zoti i foli Musait. Libri i shkruar në rreshta e në fletë të hapura është Kurani, që lexohet prej besimtarëve në mus-haf, e prej melekëve në Levhi Mahfudh. Shtëpia e banuar është Qabja, të cilën gjithnjë e vizitojnë haxhinjtë, ose Bejtul Ma’muri në qiell, të cilin e vizitojnë melekët. Kulm i ngritur është qielli. Deti i mbushur me ujë, ose deti që në momentin e katastrofës do të ndizet si zjarr. Zoti betohet në këto krijime, se dënimi për kundërshtarët është realitet i pamohueshëm. Lëkundja e qiellit andej-këndej dhe shkulja e kodrave e fluturimi i tyre japin të kuptohet, se dynjaja mori fund, sepse toka, qielli, malet, detet janë krijuar, që njerëzit të përfitojnë prej tyre, e deri sa në të nuk do të kthehet më askush, ajo shkatërrohet. Të mjerë janë ata, që refuzuan mësimet e Zotit dhe atë ditë iu thuhet kur janë në prag të xhehenemit: A mos është kjo ndonjë magji, apo jeni verbuar, siç u verbuat në dynja ndaj udhëzimeve të Zotit. Xhenetlinjtë, përveç që janë të kënaqur me të mirat e xhenetit, Zoti do t’i kënaqë edhe më tepër, kur do t’ua shoqërojë edhe fëmijët e tyre në xhenet, edhe nëse fëmija i tyre nuk ka meritë për atë shkallë të xhenetit, por atë e bën për hir të prindërve të mirë. Kuptohet, nëse fëmija ka qenë besimtar sikurse edhe prindërit e vet, e nëse jo, atëherë këputen të gjitha lidhjet. Gjithashtu kuptohet, se edhe xhenetlinjtë, edhe xhehenemlinjtë i përkujtojnë veprat dhe gjendjen e tyre sa ishin në dynja, e besimtarët do të kënaqen kur i përkujtojnë vështirësitë e dynjasë dhe gjendjen e tyre të kënaqshme në xhenet, ndërsa të tjerët mjerimin në xhehenem.