← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

52. Tur · Ajeti 29 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 52:29–52:49

Në këto disa ajete përshkruhen bindjet e kota të idhujtarëve, të cilët edhe pse nuk kishin kurrfarë fakti, nga inati u përmbaheshin atyre dhe bënin shpifje. Në të gjitha këto pyetje që i parashtron Kur'ani para tyre, ata nuk kanë përgjigje me të cilën do të mund ta arsyetonin qëndrimin e vet, andaj pos dënimit në ahiret, ata do të përjetojnë dënim edhe në dynja.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures Tur. Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 52:28–52:34

- “Atëherë, përkujto, sepse ti, me mirë - sinë e Zotit tënd, nuk je as falltar e as i çmendur.” - Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij të dashur që të kumtojë mesazhet e Tij dërguar robërve. Më pas, i Lartësuari hedh poshtë ato trillime, me të cilat shpifësit mundohen të ulin figurën e Profetit: “... sepse ti, me mirësinë e Zotit tënd, nuk je as falltar ...” Ti nuk je fallxhor, dhe lavdërimi i takon Allahut që e lartësoi figurën tënde dhe të ruajti nga çdo mangësi dhe devijim! El Kahin quhen falltarët, që u vijnë xhindët me lajme dhe informacione, të cilat arrijnë t’i rrëmbejnë prej qiellit. Pastaj i Lartësuari thotë: “... e as i çmendur.” Mexhnun konsiderohet ai që shejtani i mallkuar e ka zaptuar dhe e bën të përçartet. Pra, Muhamedi, i dërguari i Zotit, është i pastër edhe nga një shpifje e tillë. Më pas, i Lartësuari hedh poshtë edhe një trillim tjetër për të Dërguarin e Tij të dashur: - “Ata thonë: “Ai është veçse një poet, prandaj po presim derisa vdekja ta zhdukë!”. - Ata të mjerë shpresonin që të rehatoheshin prej tij sa më shpejt, ashtu siç thoshin. - “ Thuaju: “Prisni, sepse edhe unë po pres bashkë me ju!”. - Prisni, sepse edhe unë jam duke pritur me ju dhe do ta mësoni se kujt do t’i takojë përfundimi i mirë, triumfi, lartësimi dhe lavdia në të dyja jetët. - “Vallë, mendja e tyre po i detyron ... ” - Mos vallë, logjika e tyre i udhëzon për të tilla paudhësi dhe për të folur kotësira, gënjeshtra dhe shpifje?!

- “... apo janë njerëz pa fre? ” - Ata janë njerëz që kalojnë çdo kufi, të humbur, të devijuar, inatçorë, që e refuzojnë të vërtetën me kokëfortësi. Ishte pikërisht kjo natyrë dhe prirje e tyre, që i bëri të thoshin të tilla fjalë në lidhje me ty, o i Dërguar. Më pas i Lartësuari thotë: - “Në fakt, ata thonë: “Ai e trilloi atë.” - Ata pretendojnë se Muhamedi e trilloi vetë Kuranin. - “Jo, kurrsesi nuk është ashtu, por ata nuk besojnë. ” - Zgjedhja e tyre për të mohuar këtë të vërtetë i bëri të thonë të tilla fjalë e pretendime, për refuzimin e Muha - medit si Profet i Zotit dhe të Shpalljes që ai solli. - “Le ta sjellin një libër si ai, nëse është e vërtetë ajo që thonë!” - Nëse është i vërtetë pretendimi juaj se Muhamedi ﷺ e trilloi vetë këtë libër, atëherë sillni dhe ju një të ngjashëm me të. Po ku është e mundur diçka e tillë?! Ajo është jashtë mundësive të tyre. Sikur të mblidheshin të gjithë banorët e Tokës, prej xhindëve dhe njerëzve, nuk do ia dilnin të bënin një libër të ngjashëm me të, madje as dhjetë sure, madje -madje as edhe një sure të vetme, si të Kuranit.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 52:29–52:43

- “Atëherë, kujto, sepse ti, me mirësinë e Zotit tënd, nuk je as falltar e as i çmendur.” - Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që të kujtojë dhe paralajmërojë të gjithë njerëzit, besimtarë a

jobesimtarë qofshin ata. Kështu bëhej e mundur që zullumqarët të mos kishin më asnjë justifikim, ndërsa të mëshiruarit të kishin mundësinë të gjenin rrugën e drejtë. Allahu i Lartësuar e urdhëron që t’u kujtojë njerëzve të vërtetën, pa u shqetësuar nga jobesimtarët, të cilët pengonin njerëzit nga rruga e drejtë dhe nga pasimi i Shpalljes së Tij të ndritshme. Ata i kryenin këto krime ndaj Profetit dhe të vërtetës që ai e solli prej Zotit të tij, edhe pse ishin të sigurt për faktin se ai ishte i pastër nga çdo akuzë e tyre. I Lartësuari mohon çdo mangësi dhe shpifje të trilluar për të Dërguarin e Tij kur thotë: “...me mirësinë e Zotit tënd, nuk je as fallxhor e as i çmendur!” Ai nuk ishte fallxhor, si ata që kanë në shërbim të vet xhindë, të cilët u sjellin ndonjë lajm nga fshehtësitë, të përzier me njëqind gënjeshtra. Ai nuk ishte as i çmendur. Përkundrazi, ai kishte mendjen më të kthjellët ndër njerëz dhe ishte më i ruajturi nga ndikimi i shejtanëve. Ai ishte më i sinqerti, më i dituri dhe më i ploti si njeri. Herë të tjera, jobesimtarët shpifnin për të duke thënë: - “Ata (idhujtarët) thonë: “Ai është veçse një poet, prandaj po presim derisa vdekja ta zhdukë!”.”. – Kuptimi: Ai është thjesht një poet dhe orator bindës, prandaj po presim që koha dhe vdekja ta fshijë kujtimin dhe gjurmët e tij. Ata pretendonin se libri që solli Muhamedi (a.s.) ishte thjesht një poezi, ndërkohë që Zoti e hedh poshtë një shpifje të tillë në ajete të tjera, ku thotë: “Ne nuk ia kemi mësuar atij (Muhamedit) poezinë dhe ajo as nuk është për të. Ky (Libër) është veçse një Mesazh dhe një Kur’an i qartë.” [Jasin 69]. Këtyre njerëzve, Zoti porosit që t’u themi: - Thuaju: “Prisni, sepse edhe unë po pres bashkë me ju!”. – Thuaji, o Profet, prisni vdekjen time, pasi edhe unë së bashku me besimtarët po presim që Zoti t’ju ndëshkojë me ndonjë dënim nga Ai ose nëpërmjet duarve tona! - “Vallë, mendja e tyre po i detyron, apo janë njerëz pa fre?” - Mos është mendja e tyre ajo që i shtyn ata të mohojnë dhe të shpifin këto gjëra për Profetin? Sa të këqija janë këto mendje, të cilat i japin përparësi të kotës dhe gënjeshtrës, që ka një fund të tmerrshëm! Ato e konsiderojnë si të çmendur njeriun më të plotë dhe më të përkryer, ndërsa të vërtetën e pamohueshme e konsiderojnë si gënjeshtrën më të madhe. Edhe më budallenjtë do t’i refuzonin të tilla mendje. Vallë, ishin mendjet e tyre që i çuan në atë gjendje? Apo ata ishin zullumqarë që nuk kishin kufi? Kjo është e vërteta. Kalimi i kufijve nga ana e tyre nuk kishte të mbaruar. Shfrenimi i tyre ishte i papërmbajtur, ndaj të mos të duket çudi asnjë fjalë dhe vepër e tyre. - “Në fakt, ata thonë: “Ai e trilloi atë (Kur'anin).” Jo, kurrsesi nuk është ashtu, por ata nuk besojnë. ” – A mos ishte Muhamedi (a.s.) që e trilloi këtë Kur'an nga mendja e tij? Jo, kurrsesi! Ata ishin njerëz që nuk besonin. Nëse do të besonin, nuk do të thoshin fjalë të tilla.

- “Le ta sjellin një libër si ai, nëse është e vërtetë ajo që thonë!” – Kuptimi: Nëse jeni të sinqertë kur thoni se është Muhamedi (a.s.) ai që e ka trilluar këtë Libër dhe nuk është Shpallje e Zotit, atëherë, duke qenë se ju jeni mjeshtër të krijimit letrar, silleni edhe ju një vepër të tillë apo edhe disa rreshta si ai. Nëse nuk e bëni, atëherë duhet ta pranoni që Kur'ani është shpallje e Zotit të Madhëruar. Megjithatë, dijeni se, sikur të mblidheshit të gjithë së bashku, njerëz dhe xhindë, dhe të përpiqeshit të bënit një vepër të tillë, kurrë nuk do t’ia arrinit qëllimit, madje as edhe t’i afroheshit atij. Ju keni dy mundësi: ose ta pranoni Kur'anin dhe të udhëzoheni me dritën e tij, ose ta refuzoni atë dhe të vazhdoni në humbje, për kotësinë e së cilës jeni të vetëdijshëm. - “A mos vallë, ata u krijuan prej asgjëje, apo ata vetë janë krijues?! - Ky është një arsyetim, para së cilit atyre nuk u mbetet veçse t’i nënshtrohen të vërtetës dhe ta pranojnë atë, ose, në të kundërt, do t’u duhet të kundërshtojnë logjikën e shëndoshë dhe besimin e drejtë. Ata e mohojnë njësimin e Zotit, profetët e Zotit dhe shpalljet e Tij. Kjo do të thotë që ata e mohojnë faktin se është Allahu Ai që i ka krijuar. Megjithatë, qoftë nga ana logjike, ashtu edhe nga ana fetare, për pyetjen e shtruar ekzistojnë vetëm tri mundësi përgjigjeje: 1. Ata janë krijuar nga hiçi, pra, pa pasur një krijues, por kjo është e pamundur. 2. Ata janë krijues të vetvetes. Por edhe kjo është po aq e pamundur. Duke qenë se të dyja këto mundësi janë të papranueshme, atëherë mbetet mundësia e tretë: 3. Është Allahu Ai që i krijoi ata dhe gjithçka tjetër. Atëherë, nëse arrihet në këtë përfundim, kjo do të thotë që Allahu të konsiderohet si i vetmi që meriton adhurimin e krijesave, nënshtrimin dhe përkushtimin e tyre. Adhurimi nuk lejohet t’i kushtohet askujt tjetër veç Tij. - “Vallë, ata i krijuan qiejt e Tokën?!” - Kjo është një pyetje së cilës i dihet përgjigjja, por që drejtohet për ta pohuar atë me më shumë forcë. Askush nuk ka krijuar gjë në këtë gjithësi, as në qiell e as në Tokë, veç Allahut të Vetëm dhe të Gjithëpushtetshëm. Ata nuk kanë asnjë grimë pushteti në qiell dhe në tokë. Kjo është shumë e qartë dhe lehtësisht e kuptueshme, por mohuesit nuk binden, sikurse thotë Zoti: - “Jo, nuk është ashtu, por ata nuk janë të bindur.” - Ata nuk janë të bindur, që të mund të përfitojnë nga argumentet e fesë dhe ato logjike. - “A mos zotërojnë thesaret e Zotit tënd?!” – Vallë, depot e mirësisë së Zotit të Lartësuar janë në duart e këtyre mashtruesve jobesimtarë dhe ata i japin atij që duan dhe privojnë atë që duan? Kjo, me sa duket, është edhe arsyeja që atyre u duket e pamundur dhe jo e drejtë që Allahu i Madhëruar dhe i Urtë t’ia dhurojë profetësinë robit të Tij, Muhamedit (a.s.). A thua se janë ata përgjegjësit dhe shpërndarësit e mëshirës dhe mirësive të Zotit. Në fakt, ata janë shumë më të ulët dhe të parëndësishëm, që të pretendojnë të tilla gjëra. Ata nuk kanë mundësi të ndihmojnë apo dëmtojnë as veten e vet. Ata nuk mund të dhurojnë jetë, nuk mund të sjellin vdekje dhe nuk mund të ringjallin krijesat. Vetëm në dorë të Zotit është i gjithë pushteti dhe mbretërimi, në qiell dhe në Tokë, në dynja dhe në ahiret. Allahu i Madhëruar thotë: “Mos vallë janë ata që përcaktojnë mëshirën e Zotit tënd?! Ne kemi përcaktuar për ta se si do të jetojnë në këtë botë. Ne i kemi ngritur disa më lart se të tjerët, që të përfitojnë me shërbimet ndaj njëri -tjetrit. Mëshira e Zotit tënd është shumë më e vlefshme sesa çfarë grumbullojnë ata.”. [Zuhruf 32]. - “Apo mos janë ata mbizotëruesit?!” - A mund të marrin ata nën sundim krijesat dhe mbretërinë e Allahut me forcë ose me luftë? Sigurisht që jo. Ata janë të varfër, nevojtarë dhe të pafuqishëm kundrejt madhështisë së Allahut. - “A mos kanë ata shkallë të larta, mbi të cilat përgjojnë?” - A kanë ata njohuri rreth

të fshehtave të Zotit apo ndonjë mundësi që të dëgjojnë bisedat e qiellit, dhe në këtë mënyrë të dinë atë që të tjerët nuk e dinë? - “Atëherë, le të sjellë përgjuesi i tyre ndonjë provë të sigurt!” - Ai që pretendon të tilla gjëra, le të sjellë ndonjë provë të pranueshme. Po si mund të ndodhë një gjë e tillë, madje si mund të mendohet ajo? Allahu i Madhëruar është i Gjithëditur për të fshehtat dhe të dukshmet dhe nuk ia tregon askujt të fshehtat e Tij, përveç atyre që i ka përzgjedhur si profetë, të cilëve u mëson aq sa Ai dëshiron. Muhamedi (a.s.) është profeti më i zgjedhur, më i ditur dhe imami i të gjithë profetëve. Ai njoftoi botën me lajme nga i Madhëruari dhe i urdhëroi ata që ta njësojnë Atë në adhurim. Ai erdhi ndër njerëz me përgëzime dhe kërcënime dhe solli rrëfime të vërteta për të shkuarën dhe të ardhmen. Ndërsa nga ana tjetër qëndrojnë mohuesit e profetëve, të paditurit, të padrejtët e armiqtë e të vërtetës, që trillojnë lloj -lloj gënjeshtrash të pabaza. Atëherë, cili e meriton të dëgjohet dhe të pasohet? Profeti solli aq shumë prova e mrekulli për vërtetësinë e Shpalljes së Zotit, saqë ajo tashmë konsiderohet si dituria më e sigurt dhe e padiskutueshme. Ndërsa pala tjetër nuk arrin as të justifikohet për rrugën që ka zgjedhur, e aq më pak, të argumentojë saktësinë e saj. - “Vallë, për Atë janë vajzat, kurse për ju djemtë?!” - Si është e mundur vallë, që të trilloni të tilla paturpësi për Zotin e gjithësisë? A kanë fund shpifjet tuaja? A ka kufi paturpësia juaj? Së pari, shpifni dhe thoni se Zoti ka fëmijë. Së dyti, pretendoni se juve ju takon lloji më i preferuar i fëmijëve, pra, meshkujt, ndërsa Zotit i takokan femrat! A ka fyerje më të madhe në adresë të të Madhëruarit të Plotfuqishëm?! - “A mos po u kërkon atyre shpërblim, e ata janë të rënduar nga shpenzimet?” – A mos po u kërkon atyre ndonjë shpërblim për kumtimin e plotë të Shpalljes së Zotit, dhe kështu ata janë të rënduar nga shpenzimet kundrejt teje? Jo, aspak. Përkundrazi, angazhimi yt i vetëm është që ata të udhëzohen, madje je ti ai që u jep atyre pasuri të shumta, me qëllim që zemrat e tyre të zbuten dhe të pranojnë ftesën tënde, që dituria dhe imani të zenë vend në zemrat e tyre. - “A mos njohin ata fshehtësitë, që të mund t’i shkruajnë?! A mos po kurdisin kurthe kundër teje? Le ta dinë atëherë, se në kurth do të bien vetëm ata që nuk besojnë.” - Kurthet që ata ngrejnë rëndojnë veç mbi kurrizin e tyre, sepse nuk dëmtojnë njeri tjetër. Dhe, vërtet, i Madhëruari e çoi në vend këtë premtim ndaj të Dërguarit të Tij, prandaj vetëm Allahut i takon falënderimi dhe lavdia për këtë. Edhe pse qafirët nuk lanë asnjë mjet dhe rrugë për të luftuar dhe shfarosur Profetin dhe fenë e tij, Allahu i Madhëruar e ndihmoi të zgjedhurin e vet, duke bërë që feja e tij të triumfojë mbi të gjithë armiqtë. - “A mos kanë ata ndonjë zot tjetër, veç Allahut? I lartë është Allahu nga gjithçka që ata i shoqërojnë!” - A kanë ata ndonjë zot tjetër, të cilit i luten, sepse shpresojnë shpërblim dhe ndihmë prej tij dhe i frikësohen ndëshkimit të tij?! I lartë është Allahu nga gjithçka që ata i shoqërojnë! Ai nuk ka shok dhe partner në pushtetin dhe mbretërimin e Tij. Ai nuk ka shok edhe në meritën e adhurimit. Këto fjalë janë në vazhdim të kontekstit të përgjithshëm të sures dhe përforcuese të tij. Këto ajete tregojnë për pavlefshmërinë e adhurimit të çdo gjëje tjetër veç Allahut dhe se çdo adhurim që kryejnë idhujtarët është i papranueshëm, madje i dënueshëm nga i Madhëruari. I vetmi të Cilit duhet t’i përkushtohen adhurimet, namazi, sexhdeja dhe nënshtrimi është Allahu i Pashoq. Çdo adhurim duhet t’i përkushtohet vetëm Allahut, me sinqeritet të plotë dhe sipas porosive të Tij dhe të Profetit të Tij. Vetëm Allahut i drejtohen lutjet e drejtpërdrejta dhe lutjet e shprehura nëpërmjet adhurimeve. Vetëm Ai është Zoti në qiell dhe në Tokë, sepse vetëm Ai është i ploti në emrat dhe cilësitë e Tij. Të mrekullueshme, të bukura dhe të urta janë veprat e Tij! Ai

është i Madhëruari e Bujari. Ai është Krenari, Ngadhënjimtari e i Pamposhturi. Ai është Një! Allahu është Samed, Ai që çdo krijesë i drejtohet për çdo nevojë. Ai është i Madhëruari, i Lavdishmi, i Lartësuari!

← Tur 52:29