54. Kamer · Ajeti 41 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 54:33–54:55
Kur erdhën melekët në formë të djelmoshave të rinj e të bukur te Luti, ai i priti mirë si mysafirë, por populli i tij u vërsul ndaj tyre, duke ia rrethuar shtëpinë dhe deshi t'ia thyej derën. Atëherë doli Xhibrili dhe me skajin e krahut të vet ua mëshoi fytyrës dhe ua verbëroi sytë.
Pasi përshkruhen ndëshkimet kundër popujve të mëparshëm arrogantë, Kur'ani u drejtohet kufarëve, duke u thënë se ju nuk jeni më të rëndësishëm se të parët, e përse bëni kryelartësi, a mos keni të shkruar ndonjë garanci në librat qiellorë?
Ajeti 45: "Do të thyhet ai grumbull idhujtarësh dhe do të marrin ikën", është një nga mrekullitë e Kur'anit, sepse Allahu e lajmëron Pejgamberin për atë fshehtësi që do të ndodhë më vonë. Ashtu edhe ngjau në luftën e parë, ku u ballafaquan myslimanët me idhujtarët, në Luftën e Bedrit.
Çdo gjë në këtë botë është e krijuar në mënyrë precize, me një qëllim të caktuar dhe ushtron një funksion të rëndësishëm, edhe pse për shumë sende, njerëzit nuk dinë asgjë. Çështja e krijimit nuk parashtron ndonjë përgatitje a mund, përsa i përket fuqisë së Zotit, sepse sendi që ia drejton dëshirën, ai kryhet sa çel e mshel sytë.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i surës "El Kameru". Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 54:41–54:46
- “Edhe palës së Faraonit i patën ardhur paralajmërime. Ata i mohuan të gjitha argumentet Tona, prandaj Ne i dënuam ashtu siç dënon Ngadhënjimtari, i Plot -
fuqishmi.” - Allahu i Lartësuar na tregon rreth Faraonit dhe ndjekësve të tij. Ai na tregon se tek ata shkuan profeti Musa dhe vëllai i tij Haruni (paqja e Zotit qoftë mbi ta!), me përgëzime, por edhe paralajmërime dhe kërcënime. I Madhëruari i mbështeti ata të dy me mrekulli të njëpasnjëshme, por populli i padrejtë i refuzoi të gjitha. Për këtë arsye, ata i rrëmbeu ndëshkimi i Allahut, i Cili ndëshkon ashtu siç i shkon madhështisë së Krenarit, të Plotpushtetshmit, dhe prej tyre nuk mbeti asnjë gjurmë. Më pas, i Lartësuari thotë: - “Vallë, jobesimtarët tuaj janë më të vlefshëm se ata që u përmendën ...” - Mos vallë, mohuesit nga mesi juaj, o idhujtarë kurejshë, janë më të mirë se ata, të cilët Zoti i shfarosi, për shkak të refuzimit të tyre? - “... apo keni ndonjë premtim shpëtimi në Librat e qiellit?” – Apo keni ndonjë lajm, që nuk ka për t’ju përfshirë ndëshkimi dhe zemërimi i Zotit? - “Mos vallë, po thonë: “Ne jemi një grup, të bashkuar dhe ngadhënjyes.”?! - Mos vallë, ushtritë tuaja të mëdha do t’ju sjellin ndonjë dobi, për t’ju mbrojtur nga ndonjë e keqe?! - “Ai grup shpejt do të pësojë disfatë dhe ata do të ikin me të shpejtë. Por Kijameti është premtim i pakthyeshëm për ta. Kijameti është edhe më i vështirë, edhe më i hidhur.” - Le ta dinë se do të mposhten, do të shkatërrohen dhe përçahen. Buhariu sjell hadithin nga Ibn Abasi se Profeti :ﷺ 2529. “... kur ishte në një tendë gjatë luftës së Bedrit, lutej dhe thoshte pa reshtur: “O Zot! Të lutem ma përmbush premtimin, që më ke dhënë! O Zot, nëse dëshiron, Ti nuk do të adhurohesh pas kësaj dite në tokë, kurrë!” Atëherë, Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) kapi dorën e Profetit ﷺ i tha: “Të mjafton kaq, o i Dërguari i Allahut! Shumë këmbëngule me Zotin tënd!” Atëherë, Profeti ﷺ doli i veshur me përkrenare dhe thoshte (ajetin kuranor): “Ai grup shpejt do të pësojë disfatë dhe ata do të ikin me të shpejtë. Por Kijameti është premtim i pakthyeshëm për ta. Kijameti është edhe më i vështirë, edhe më i hidhur.” Kështu e kanë sjellë Buhariu dhe Nesaiu në vende të ndryshme.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 54:41–54:55
- “Edhe palës së Faraonit i patën ardhur paralajmërime. Ata i mohuan të gjitha argumentet Tona, prandaj Ne i dënuam ashtu siç dënon Ngadhënjimtari, i Plotfuqishmi.” – Për Faraonin dhe familjen e tij erdhën shumë paralajmërime dhe shenja. Allahu i Madhëruar dërgoi tek ata Musain (a.s.), të cilit i foli drejtpërdrejt dhe i dha mrekulli të shumta, që të shërbenin si prova për Faraonin dhe rrethin e tij. Ai u çoi fakte të pamohueshme, që i dëshmuan veç ata. Megjithatë, ata përsëri mohuan, prandaj Allahu i ndëshkoi, ashtu siç ndëshkon Ngadhënjimtari i Plotfuqishëm: Ai i mbyti në det Faraonin me gjithë ushtrinë e tij. Qëllimi i kujtimit të gjithë këtyre historive të profetëve me popujt e tyre mohues, është paralajmërimi për njerëzit që mohojnë Muhamedin (a.s.) dhe nuk pasojnë rrugën e tij. Prandaj i Lartësuari thotë më pas: - “Vallë, jobesimtarët tuaj janë më të vlefshëm se ata që u përmendën...” – A mos janë më të mirë këta që mohojnë udhëzimin e më të mirit të profetëve të Zotit, Muhamedit (a.s.), sesa ata popuj të shkuar që mohuan profetët e tyre?! Zoti na i tregoi në Kur'an shkatërrimin e të gjithë atyre që refuzuan profetët dhe shpalljet e Tij? Nëse janë më të mirë se mohuesit e mëparshëm dhe nëse janë të sigurt nga ndëshkimi, atëherë le të rinë të qetë, me mendimin se nuk do t’i prekë e njëjta gjë. Por, sigurisht, çështja nuk qëndron kështu. Një gjë është e sigurt: edhe nëse mund të mos jenë në gjendje më të keqe se ata, në gjendje më të mirë kurrsesi nuk janë. - “...apo keni ndonjë premtim shpëtimi në librat e qiellit?” – A mos kanë ndonjë premtim nga Allahu, të shpallur në librat e profetëve, që i garanton se janë të shpëtuar nga ndëshkimi i Tij? Kjo, sigurisht, nuk është e vërtetë, madje është e pamundur, qoftë në aspektin logjik, qoftë duke u bazuar në tekstet e shpalljeve të Zotit. E si mundet që, keqbërësve të shfrenuar t’u jepet siguri nga shpalljet e Zotit, të mbushura me drejtësi dhe urtësi? Kjo nuk ka asnjë lidhje me urtësinë e Zotit. Aq më pak, kur bëhet fjalë për refuzimin e më të mirit, më të zgjedhurit e më të dalluarit të profetëve. Atëherë, nëse nuk keni ndonjë premtim nga Zoti, a mos ndjeni siguri në forcat tuaja? Allahu i Madhëruar thotë: - “Mos vallë po thonë: “Ne jemi një grup, të bashkuar dhe ngadhënjyes?”” - Le ta dinë se edhe kjo mundësi nuk ekziston. Allahu i Madhëruar ua bën të qartë fundin e tyre kur thotë: - “Ai grup shpejt do të pësojë disfatë dhe ata do të ikin me të shpejtë (të tmerruar).” - Dhe ndodhi vërtet ashtu sikurse njoftoi i
Gjithëdituri e i Gjithëpushtetshmi. Allahu i Madhëruar e poshtëroi grupin e tyre më të madh në Bedër. Atë ditë u vranë shumë krerë të kufrit dhe armiq të Profetit (a.s.). Kështu, Zoti e ndihmoi Profetin e Tij, fenë e Tij dhe adhuruesit e Tij besimtarë. Por nuk do të ishte ky fundi i dënimit për të mjerët. Ata i pret një ditë e madhe, dita kur do të tubohen të parët dhe të fundit, si ata që vuajtën dënim në jetën e dynjasë, ashtu edhe ata që jetuan përkohësisht deri në afatin që Zoti i kishte caktuar: - “Por Kijameti është premtim i pakthyeshëm për ta. Kijameti është edhe më i vështirë, edhe më i hidhur.” - Kijameti është koha e premtuar për ringjalljen dhe llogarinë e tyre. Atë ditë do të marrin të plotë shpërblimin sipas veprave. Atë ditë, çdokujt do t’i jepet ajo që meriton dhe e drejta do të shkojë në vend. Ndëshkimi i Kijametit është më i madh, më i rëndë, më i vështirë dhe më i tmerrshëm se çdo përfytyrim. - “S’ka dyshim se idhujtarët keqbërës janë në humbje dhe në zjarr të madh.” - Keqbërës janë ata që e teprojnë me vepra të këqija e krime. Ata merren me idhujtari, poshtërsi dhe gjynahe të rënda. Këta të mjerë kanë humbur nga e vërteta në këtë dynja. Ata janë të humbur qoftë në diturinë e tyre, qoftë në veprat që bëjnë. Ata nuk kanë dijen e sigurt si të jetojnë dhe ta adhurojnë Zotin dhe nuk bëjnë veprat që Zoti i pëlqen dhe i urdhëron që t’i kryejnë, të cilat Ai i ka bërë shpëtuese nga ndëshkimi i dhembshëm në dynja dhe në Ditën e Gjykimit. Për këtë arsye, ata i pret ndëshkimi në këtë jetë, në Ditën e Gjykimit dhe në ditën kur zjarri i ndezur fort t’ua përvëlojë lëkurën dhe trupin e do t’u depërtojë deri në zemër. I Madhëruari thotë: - “Atë Ditë, kur të tërhiqen zvarrë me fytyrat e tyre në Zjarr,...” - Ata do të tërhiqen zvarrë me fytyrat e tyre në Xhehenem, duke u poshtëruar. Dhimbja që do të përjetojnë në fytyrat e tyre do të jetë më e madhe se dhimbja në pjesë të tjera. Kështu do të poshtërohen dhe nënçmohen ata në Xhehenem. Atyre do t’u thuhet: - “do t’u thuhet: “Vuajeni dënimin në Sekar (Zjarrin përvëlues) !”.” - Provojeni dhimbjen e zjarrit, flakëve të tij, vlimit dhe afshit të tij të nxehtë. Sekar është një emër i Xhehenemit. - “Ne e kemi krijuar çdo gjë me masë të caktuar.” - “Çdo gjë” nënkupton gjithçka prej botës qiellore e tokësore. Allahu është Krijuesi i tyre dhe është i vetëm në pushtetin e Tij. Ai krijoi gjithçka pasi e përcaktoi me diturinë e Tij dhe pasi e shkroi lapsi i Tij. Çdo gjë Ai e përcaktoi në masë, kohë e çdo cilësi tjetër. Dhe e gjitha kjo është e thjeshtë për Allahun, prandaj i Lartësuari thotë: - “Puna Jonë është e shpejtë, sa hap e mbyll sytë.” - Nëse Allahu dëshiron diçka, i thotë “Bëhu!”, dhe ajo ekziston ashtu sikurse Ai e dëshiron, brenda një kohe të shkurtër sa lëvizja e shikimit, pa e penguar dot askush dhe pa hasur asnjë vështirësi a lodhje. - “Ne i shkatërruam ata që ishin si ju, por a ka ndonjë që merr mësim?” – Kuptimi: Allahu i Madhëruar i shkatërroi edhe popujt para jush, të cilët bënë të njëjta punë si ju dhe mohuan ashtu si mohuat edhe ju. A nuk nxirrni mësim se ligji i Allahut si për të parët, edhe për të fundit është i njëjtë? Me urtësinë e Tij, ashtu sikurse gjykoi që ata të ndëshkoheshin, po ashtu do të gjykojë edhe për ju, pasi nuk ka asnjë ndryshim mes jush. - “Çdo gjë që bënë ata gjendet e shënuar. Çdo vepër, qoftë e vogël a e madhe, është e shënuar në rreshta.” - Çdo gjë që ata kanë vepruar është e shkruar në rreshta, në librin e përcaktimit të Zotit. Çështja e caktimit të Zotit përmblidhet në këtë mënyrë: Allahu është i Gjithëditur. Ai di gjithçka që ndodh e që do të ndodhë. Çdo gjë që Allahu e kishte në diturinë e Tij të plotë e shkroi në Leuhi Mahfudh . Çdo gjë që Ai e dëshiroi të ishte, është, dhe atë që Ai nuk e dëshiroi të ishte, nuk është. Çfarë i ndodh njeriut, kurrë nuk mund të mos i
ndodhte, dhe ajo që nuk i ndodh, kurrë nuk do të mund t’i ndodhte. - “Është e vërtetë se të devotshmit do të jenë në kopshte e në lumenj...” - Të devotshëm janë ata që i druhen ndëshkimit dhe zemërimit të Allahut, duke kryer urdhëresat dhe duke iu larguar harameve, që ruhen nga idhujtaria, nga gjynahet e mëdha dhe të vogla. Këta do të jenë në kopshte dhe lumenj të Xhenetit. Atje do të gjejnë atë që syri s’e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe zemra nuk e ka përfytyruar ndonjëherë. Atje ka pemë të mrekullueshme, lumenj që rrjedhin, kështjella të larta, shtëpi të këndshme, ushqim dhe pije të shijshme, hyri të hijshme dhe të bukura. Mes pyjeve, ka kopshte të lulëzuara e stolisura. Mbi të gjitha, atje do të gjejnë kënaqësinë e Mbretëruesit, Sunduesit të vetëm e Shpërblyesit të pamat, ashtu si dhe kënaqësinë e qëndrimit pranë Tij, sikurse thotë i Lartësuari: - “Në një vend të kënaqshëm, te një Sundues i Plotfuqishëm.” - Pas kësaj, mos pyet se çfarë do t’u dhurojë Zoti i tyre nga bujaria dhe mirësia e Tij. Ata do të përjetojnë lumturi të papërshkrueshme nga dhuratat e Zotit të tyre. E lusim Allahun të na bëjë prej tyre dhe të mos na privojë nga mirësitë që gjenden tek Ai për shkak të ligësive që ne bëjmë! Këtu përfundon tefsiri i sures Kamer. Vetëm Allahut i takon lavdia dhe mirënjohja e plotë!