57. Hadid · Ajeti 29

سورة الحـديد
Përkthimi Sherif Ahmeti
29

لِّئَلَّا يَعۡلَمَ أَهۡلُ ٱلۡكِتَٰبِ أَلَّا يَقۡدِرُونَ عَلَىٰ شَيۡءٖ مِّن فَضۡلِ ٱللَّهِ وَأَنَّ ٱلۡفَضۡلَ بِيَدِ ٱللَّهِ يُؤۡتِيهِ مَن يَشَآءُۚ وَٱللَّهُ ذُو ٱلۡفَضۡلِ ٱلۡعَظِيمِ

Le ta dinë ithtarët e librit se ata nuk kanë asgjë në dorë nga mirësia e All-llahut dhe se e gjithë e mira (pejgamberllëku, shpallja) është në dorë të All-llahut, e Ai ia jep kujt të dojë, All-llahu është dhurues i madh.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Besimtarët e besimit islam porositen të vazhdojnë rregullisht me udhëzimet e Kuranit, të mos ndryshojnë në të, të mos shkojnë pas thënieve të devijuesve, të mos i lënë pas dore porositë e Zotit, se pas një kohe të gjatë mund të ndodhë, siç iu ndodhi Ithtarëve të Librit, t’iu forcohen zemrat e të ngelin pa mëshirën e Zotit. Të gjithëve atyre që japin nga pasuria e tyre, në ato vende që i ka porositur Zoti, qofshin meshkuj ose femra, Allahu ua shumëfishon thevabin dhe të tillët janë të njohur te Zoti si të drejtët, dëshmorët. Çdo besimtar i sinqertë është sidikë dhe shehid. Jeta e kësaj bote në shumicën e çështjeve të saj në realitet është: lojë që vetëm të lodh e s’ka gjë prej saj: është argëtim që të largon prej aktiviteteve të dobishme; është përpjekje për zbukurime në petka, orendi, lukse etj.; është mburrje e pavend, si me origjinë, lozë, me pozitë etj., dhe është orvatje për shtimin e pasurisë pa zgjedhur rrugë të drejtë dhe për shpenzimin e saj në rrugë të mbrapshta, përpjekje për shumë fëmijë, e pa kujdes ndaj edukimit të drejtë të tyre. Të gjitha këto janë një mashtrim parasysh, sepse kalojnë aq shpejt e nuk mbetet gjë prej tyre, si bima që duket e bukur, e gjelbër, e për së shpejti thahet, shtypet e bëhet pleh. Njerëzit duhet të bëjnë gara për ta arritur kënaqësinë e Zotit, shpërblimin prej tij dhe duhet ta dinë, se të gjitha ngjarjet, të gjitha gjendjet në tokë e në vetë njerëzit janë të dirigjuara qysh herët prej vullnetit të Zotit, ndaj as nuk duhet dëshpruar e pikëlluar për atë që të kaloi, e nuk arrite ta fitosh, e as duhet gëzuar tepër për atë që të është dhënë, sepse pikëllimi për të kaluarën, do të thotë: përpjekje për të vazhduar kohën e kaluar në të tashmen, e kjo është dëm. Gëzimi për atë që të është dhënë, e ka kohën kur me të është realizuar një sukses pozitiv, e jo më parë. Zoti xh. sh. i ndihmoi njerëzit të marrin rrugën e drejtë, duke iu dërguar pejgamberë e duke iu shpallur libra, por kokëfortit nuk edukohen me këshilla, ata edukohen me forcë; prandaj e krijoi hekurin si mjet të fuqishëm me të cilin, nëse përdoret drejt arrogantët dhe rebelët shtypen e mbretëron drejtësia në tokë, e prej tij ka edhe dobi të tjera. Është mëshirë e madhe e Zotit, që dërgoi pejgamberë një pas një, e prej Beni Israilëve ai më vonë dërgoi Isain me Inxhil, dhe ithtarët e tij të mësuar prej Inxhilit ishin të butë e të mëshirshëm, por nga butësia e tepërt, e për t'u afruar edhe më shumë te Zoti, tejkaluan në murgësi (njerëz që braktisin të mirat e kësaj jete, si martesën etj.,). Por njeriu është i materializuar, prandaj nuk mund të jetojë pa ia plotësuar kushtet edhe anës materiale, brenda kufijve të duhur, e nuk mundën ta ruajnë ata si duhet atë braktisje të jetës.