← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

58. Muxhadele · Ajeti 1 · Tefsir

Hyrja e sures El-Muxhadele Sherif Ahmeti

E zbritur në Medinë, pas sures El Munafikunë, ajete: 22

Kjo sure e zbritur në Medinë përfshin shumë çështje që kanë të bëjnë me dispozitat e sheriatit Islam, me anën e të cilave anulohen disa zakone të kohës së xhahilijjetit, jepen udhëzime për sjellje të njerëzishme ndaj grave bashkëshorte, demaskohen zakonet e jehudive e të hipokritëve, të cilët pëshpëritnin fshehurazi fjalë fyese, kinse po e përshëndesin Pejgamberin.

Një vend bukur i madh i është kushtuar përshkrimit të gjesteve të hipokritëve se si përpiqeshin fshehurazi të miqësoheshin me jehudi e të vepronin kundër myslimanëve. Kjo kaptinë përfundon me sqarimin se cila është dashuria e vërtetë ndaj Allahut dhe cila është urrejtja reale për hir të Tij.

Quhet: "Suretul Muxhadeleti" - kaptina e dialogut, ngase një grua bisedoi me Pejgamberin rreth sjelljeve të burrit të saj.

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 58:1–58:10

Ndër arabët injorantë kishte qenë zakon që nëse burri i thotë gruas së vet: "Ti për mua je si shpina e nënës sime", ajo mbetej varur, as e lëshuar dhe as e palëshuar, pse jeta bashkëshortore ishte e ndaluar. Atij farë akti, arabët i thoshin "Dhihar", që kuptohej se burri i thoshte gruas, epërsia ime mbi ty është e ndaluar si epërsia mbi nënën time, me çka merrte fund jeta intime bashkëshortore. Ashtu i ndodh Havlete binti Thalebes, gruas së Evës bin Samit, e cila shkon te Pejgamberi dhe i parashtron gjendjen, duke i thënë: Evsi ka shprehur '"Dhihar"' ndaj meje, pasi që jam moshuar e dobësuar, unë kam fëmijë të vegjël, nëse ia lë atij shkojnë poshtë, nëse i marr unë, do të vuajnë nga uria, çka më mëson" Pejgamberi i thotë: "Çka të them, je haram për të!" Ajo i thotë: "Nuk më ka përmendur lëshimin!" Pejgamberi sërish ia jep të njëjtën përgjigje. Ky dialog zgjat bukur shumë, e në fund ajo i drejtohet me ankim Allahut. Nuk vonon e Xhibrili me këtë pjesë të Kur'anit nga i madhi Zot, ia beh te Pejgamberi.

Ai zakon i shëmtuar ndalohet, prandaj ata që bëjnë atë gabim obligohen: ta lirojnë një rob ose të agjërojnë dy muaj pandërprerë ose t'i ushqejnë e t'i ngopin gjashtëdhjetë të varfër. Këto janë ligje të Allahut, e kush u kundërvihet, ai do të mposhtet.

Hipokritët dhe jehuditë bisedonin fshehtas kundër besimtarëve, duke menduar se për ato biseda nuk di askush pos tyre, por Zoti i zbuloi ato pëshpëritje të tyre dhe u dha të kuptojnë se Atij nuk mund t'i fshihet asnjë send në qiej as në tokë, e as mendimet e armiqve e as bisedat tinëzake.

Jehuditë e përshëndetnin Muhammedin a.s., kinse me Selamun alejkum, e i thoshin: "Es samu alejkum", fjalë e cila ishte fyese, kishte kuptimin "të marrtë vdekja". Pejgamberi e dinte, por nuk zgjaste më shumë, vetëm se u thoshte "Edhe juve u qoftë ashtu" (ve alejkum). Aisheja i dëgjoi njëherë dhe e zemëruar ua ktheu ashtu si thoshin ata. Pejgamberi i tha: "Aishe, mos u ngut, Allahu urren shprehjet e këqija, a më dëgjon mua që u them "ve alejkum" - edhe juve, e Zoti mua më pranon atë që ua them, kurse atyre jo".

Besimtarin që me bindje të plotë i është mbështetur Zotit, nuk mund ta dëmtojnë intrigat e fshehta.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 58:1

Kjo sure është zbritur pas sures Munafikun. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Aishja, e cila ka thënë: 260 5. “Të gjitha lavdërimet i takojnë vetëm Allahut, i Cili ka përfshirë me dëgjimin e Tij çdo zë. Vërtet, ankuesja erdhi tek Profeti i Allahut për t’i treguar çfarë i kishte ndodhur. Edhe pse unë qëndroja në qoshin tjetër të dhomës (shumë pranë tyre), nuk arrija ta dëgjoja plotësisht çfarë thoshte, ndërsa Allahu i Lartësuar dhe Krenar zbriti: “Vërtet, Allahu i dëgjoi fjalët e asaj që bisedoi me ty, lidhur me bashkë - shortin e saj dhe që u ankua tek Allahu. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj. Allahu është Gjithëdëgjues e Gjithëvështrues.”. Kështu e sjell Buhariu në kapitullin e teuhidit Tealikan. Një version të përafërt kanë sjellë edhe Nesaiu, Ibn Maxheh, Ibn Ebu Hatimi, Ibn Xheriri dhe të tjerë, nga Eameshi. Burri i kësaj gruaje quhej Eus Ibn Samit, ndërsa ajo ishte Haula bija e Thealebes. Eusi ishte shumë nevrik dhe kur nevrikosej, bënte “dhihar” me gruan e tij. Dhihar-i ndodh kur burri i thotë gruas së vet: “Ti je për mua si shpina ( dhahri) e nënës time”, ose fjalë të tjera, që duan të shprehin se ajo është haram për të. Është quajtur ‘ dhihar’ (shpina), nisur nga shprehja e mësipërme, e cila përdorej nga arabët me nënkuptimin se burri nuk donte t’i afrohej më bashkëshortes për marrëdhënie intime. Ibn Ebu Hatimi sjell në një transmetim të tij nga Aishja, se ajo ka thënë: 2606. “I lavdëruar dhe i madhëruar është Allahu, që ka përfshirë me dëgjimin e Tij gjithçka. Unë arrija të dëgjoja diçka prej fjalëve të Haulës bijës së Thealebes, por disa prej tyre nuk arrija t’i dëgjoja, kur ajo i ankohej Profetit të Allahut në lidhje me burrin e saj. Ajo tha: “O i Dërguari i Allahut! E hëngri pasurinë time, e mori rininë time, mori shumë fëmijë nga barku im, dhe tashmë që jam shtyrë në moshë dhe nuk lind më fëmijë, ai bën dhihar me mua! Pastaj u lut dhe tha: “O Zoti im! Unë të ankohem vetëm ty!” Dhe pa mbaruar mirë fjalën e saj, - thotë Aishja - Xhibrili zbriti me këtë ajet: “Vërtet, Allahu i dëgjoi fjalët e

asaj që bisedoi me ty lidhur me bashkë - shortin e saj dhe që u ankua tek Allahu. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj. Allahu është Gjithëdëgjues e Gjithëvështrues.”.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 58:1–58:4

Këto ajete janë shpallur pas ngjarjes së një ensari me gruan e tij. Gruaja u ankua tek Allahu i Madhëruar dhe ia parashtroi disa herë çështjen Profetit (a.s.). Por çfarë kishte bërë burri i saj? Pas shumë vitesh të martuar e me fëmijë, burri ishte betuar se nuk do të shkonte më me të, duke i thënë se tashmë e konsideronte si të ishte nëna e tij. Pas kësaj ankese, Allahu i Madhëruar tha: - “Vërtet, Allahu i dëgjoi fjalët e asaj që bisedoi me ty lidhur me bashkëshortin e saj dhe u ankua tek Allahu. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj. Allahu Dëgjon dhe

Sheh gjithçka.” - Allahu i Madhëruar e dëgjoi bisedën mes teje (o i Dërguar) dhe gruas që ankohej për burrin e saj. Allahu është Semiun - Gjithëdëgjues. Ai i dëgjon të gjithë zërat, në çdo kohë, për çdo nevojë e kërkesë që parashtrojnë. Allahu është Basir – Gjithëshikues. Ai shikon hapat dhe gjurmët e milingonës së zezë që ecën në një gur të zi, në një natë të errët. Ky ajet na tregon se Allahu përfshin edhe gjërat më të imta me dijen, shikimin dhe dëgjimin e Tij. Ky ajet tregon, gjithashtu, se Allahu i Madhëruar iu përgjigj ankesës së gruas, duke ia larguar vështirësinë. Ai na bën të ditur gjykimin në lidhje me rastin konkret dhe të rasteve të tjera të ngjashme, duke thënë: - “Ata të cilët u largohen bashkëshorteve, duke u thënë se iu duken si nënat e veta, le ta dinë se ato nuk janë nënat e tyre. Nënat e tyre janë ato që i kanë lindur.” – Dhihar-i ndodh kur burri i thotë gruas së vet: “Ti je për mua si shpina e nënës time”, ose fjalë të tjera, për të shprehur se ajo është haram për të. Është quajtur ‘ dhihar’ - ‘shpina’, nisur nga shprehja e mësipërme, e cila përdorej nga arabët me nënkuptimin se burri nuk donte t’i afrohej më bashkëshortes për marrëdhënie intime. Por Allahu i Madhëruar e ndaloi këtë sjellje, duke thënë: “Ata të cilët u largohen bashkëshorteve, duke u thënë se iu duken si nënat e veta, le ta dinë se ato nuk janë nënat e tyre.” Pra, si thonë fjalë të tilla, kur dihet që janë të pavërteta e të shëmtuara?! Ata i krahasojnë gratë e tyre me nënat që i kanë lindur. Kjo është vepër shumë e shëmtuar dhe e ulët: - “Në fakt, ata thonë fjalë të urryera dhe të pavërteta.” – Ata thonë fjalë të shëmtuara dhe të gënjeshërta. Por përsëri, Allahu i Madhëruar e lë të hapur mundësinë e pendimit, duke thënë: - “Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mbulues i gjynaheve.” - Për ata që bëjnë ndonjë veprim në kundërshtim me porositë e Zotit, por pastaj nxitojnë të pendohen sinqerisht, Ai është gjithmonë Falës i madh dhe Mbulues i gabimeve. - “Ata të cilët u largohen bashkëshorteve, duke u thënë se iu duken si nënat e veta, e pastaj tërhiqen nga ajo që kanë thënë, janë të detyruar që, para se të kontaktojnë me to, të lirojnë një rob.” - Dijetarët kanë mendime të ndryshme për çështjen e tërheqjes nga vendimi për dhihar-in: a konsiderohet thjesht ndryshimi i mendimit të burrit apo duhet rikthimi konkret në marrëdhëniet intime? Disa janë të mendimit se si tërheqje nga dhihar-i konsiderohet thjesht marrja e vendimit personal nga ana e burrit për të kryer marrëdhënie e jo vetë marrëdhëniet. Në këtë rast, atij i bëhet i detyrueshëm kompensimi i përshkruar në ajet. Këtë variant e përforcon edhe fakti që Allahu i Madhëruar ka thënë që ky kompensim duhet të bëhet para kryerjes së marrëdhënieve. Ndërsa dijetarët e tjerë argumentojnë: Allahu i Lartësuar thotë në Kur'an: “Ata të cilët u largohen bashkëshorteve, duke u thënë se iu duken si nënat e veta, e pastaj tërhiqen nga ajo që kanë thënë,...”, dhe ajo që ata kanë thënë është moskryerja e marrëdhënieve. Atëherë, e kundërta e moskryerjes së marrëdhënieve intime është kryerja e tyre. Sidoqoftë, nëse ka tërheqje nga vendimi për dhihar-in, me cilëndo mënyrë të jetë, atëherë bëhet i detyrueshëm kompensimi i përshkruar në ajet, ku i Lartësuari thotë: “...janë të detyruar që, para se të kontaktojnë me to, të lirojnë një rob.”. Pra, kur burri të tërhiqet nga vendimi për dhihar ndaj gruas së tij, atëherë e ka detyrë që të lirojë një rob. Në këtë ajet nuk përcaktohet në bëhet fjalë për rob besimtar apo jo, por kjo çështje trajtohet në një ajet tjetër. Nuk ka rëndësi në është rob mashkull apo femër; e rëndësishme është që të mos jetë me mangësi që e bëjnë të paaftë për punë. Allahu i Madhëruar thotë: “para se të kontaktojnë me to”. Kështu, burri e ka të ndaluar që të kryejë marrëdhënie intime me gruan që i ka bërë dhihar, derisa të lirojë një rob.

- “Ky është ligji i urdhëruar për ju....” - Ky gjykim është ligji i Zotit, i shoqëruar me qortim e me këshillë (siç kuptohet nga fjala ‘tuadhune’, që vjen nga ‘ el ua’dhu’ ), në mënyrë që njerëzit të kenë drojë dhe ta trajtojnë atë me respektin e duhur. Kështu, ai që dëshiron të bëjë dhihar, kur mendon se duhet ta kompensojë duke liruar një rob, do të frenohet nga kjo vepër e padrejtë. - “...Allahu është i Gjithëditur rreth punëve tuaja.” – Për këtë arsye, Allahu do ta shpërblejë çdo njeri sipas veprave që ka bërë. - “E kush nuk ka mundësi (të lirojë një rob), le të agjërojë dy muaj rresht, para se të kryejë marrëdhënie. Kush nuk mundet as për këtë, atëherë le të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër.” - Nëse burri nuk zotëron robër ose nuk ka pasuri për të liruar një rob, atëherë kompensimi i gjynahut është me agjërim dy muaj rresht, para se t’i kthehet marrëdhënieve normale. E nëse nuk mundet as të agjërojë në këtë mënyrë, atëherë le të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër me ushqimet bazë të përdorshme në vendin e tij, sikurse thonë shumë komentues të Kur'anit, ose të ushqejë çdo të varfër me një mudd-e (masë sa dy grushta) gruri, ose gjysëm sa-i me ushqime të tjera, sipas mendimit të një grupi tjetër komentuesish. Ky gjykim zbriti me qëllimin që: - “Kjo, për të treguar se ju besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” - Këtë besim ta shprehni duke zbatuar detyrimet me të cilat ngarkoheni. Përkushtimi në zbatimin e ligjeve të Zotit vjen prej besimit dhe është tregues i tij. Madje, zbatimi i ligjeve të Zotit është synimi kryesor i besimit. Nga ana tjetër, me zbatimin e ligjeve të Zotit, besimi shtohet dhe fuqizohet, derisa bëhet i patundur në zemrat e besimtarëve. - “Këta janë kufijtë e Allahut dhe mohuesit kanë dënim të dhembshëm." - Këto janë kufijtë e vendosura nga Zoti, të cilët është e ndaluar t’i shpërfillësh apo t’i shkelësh. Ata duhen zbatuar rigorozisht. Nga këto ajete nxirren disa mësime: 1. Së pari, këtu dallohet butësia, mëshira dhe përkujdesi i madh i Allahut për robtë e Tij. Allahu i Madhëruar përmend në Librin e Tij ankesën e një gruaje në nevojë, madje Ai e largoi sprovën e saj, duke ia zgjidhur hallin. Jo vetëm kaq, por Ai solli një ligj gjithëpërfshirës, për të zgjidhur çdo situatë të ngjashme. 2. Dhihar-i është i trajtueshëm vetëm kur i bëhet bashkëshortes. Nëse dikush ia bën atë skllaves së vet, atëherë nuk trajtohet si dhihar. Pra, nëse një burrë vendos që të ndalojë veten nga marrëdhëniet me skllaven, nuk konsiderohet si dhihar, por trajtohet njëlloj si rasti kur i ndalon vetes një ushqim ose një pije të caktuar dhe, si i tillë, nëse e thyen këtë vendim, bëhet i detyrueshëm kompensimi i përcaktuar nga Sheriati për thyerjen e betimit. 28 3. Dhihar-i nuk funksionon me një grua me të cilën burri ende nuk ka nënshkruar aktin e martesës, pasi gruaja konsiderohet si bashkëshorte vetëm kur bëhet akti i martesës. Kjo është njëlloj sikur t’i thuash

një gruaje: “Të kam ndarë”, ndërkohë që ajo ende nuk është bërë bashkëshortja jote. 4. Dhihar-i është një vepër haram, e ndaluar me Sheriat, sepse Allahu i Madhëruar e ka quajtur ‘ munkeran’ - ‘fjalë të urryera’ dhe ‘zura’ - ‘të pavërteta’. 5. Allahu i Madhëruar thotë: ‘...ato nuk janë nënat e tyre”, duke na kujtuar se çdokujt i duhet dhënë haku që i takon, pa i cenuar asnjë të drejtë. Ndaj secilit ekzistojnë detyrime dhe përgjegjësi, të cilat nuk mund të ndryshohen sipas qejfit. 6. Është e papëlqyeshme që burri të thërrasë bashkëshorten me emrat ose mënyrën se si thërret nënën ose motrat e tij, si p.sh.: “O nëna ime! “ ose: “O motra ime!” etj., sepse kjo i përngjan dhihar-it, edhe nëse nuk është për qëllim. 7. Kompesimi bëhet i detyrueshëm kur burri tërhiqet nga vendimi që ka marrë, sipas dy mendimeve të përmendura më sipër, dhe jo thjesht me veprimin e dhihar-it nga ana e tij. 8. Është detyrë plotësimi i kompensimit, cilido qoftë ai, para se burri t’i kthehet marrëdhënieve intime, sepse Allahu e ka përcaktuar vetë diçka të tillë kur thotë: “...para se të kontaktojnë...”. Një përjashtim të vogël bën rasti kur kompensimi bëhet duke ushqyer gjashtëdhjetë të varfër, pasi në këtë rast lejohet që çifti të kryejë marrëdhënie intime edhe gjatë kohës kur të varfërit janë duke u ushqyer, dhe nuk ka nevojë që të pritet derisa ata të mbarojnë ushqimin. 9. Është e detyrueshme që, nëse bëhet kompensimi me ushqim, ai t’u shpërndahet gjashtëdhjetë të varfërve. Me fjalë të tjera, nuk është e saktë nëse e mbledh të gjithë ushqimin dhe ia jep vetëm një të varfëri. Duhet të jenë patjetër gjashtëdhjetë të varfër, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “...le të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër”.

← Muxhadele 58:1