← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

59. Hashr · Ajeti 8 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 59:1–59:10

Kur shkoi Pejgamberi në Medinë, bëri marrëveshje me fisin Beni Nadir për mossulmim. Pas Luftës së Uhudit, në të cilën patën shumë viktima myslimanët, Ka'b bin Eshref, i pari i fisit shkoi në Mekë dhe me Ebu Sufjanin, prijësin e idhujtarëve lidhi marrëveshje kundër myslimanëve. Ka'bin e mbyti një natë Muhamed bin Mesleme, e fisin e tij e rrethuan myslimanët derisa e detyruan të shpërngulet prej aty, kështu disa shkuan në Sham e do të tjerë në Hajber. Ajo ishte shpërngulja e parë e tyre. Ndihma e Allahut bëri që ata të frikësohen, të braktisin fortifikatat, e nga inati, edhe vetë i rrënonin shtëpitë e veta së bashku me myslimanët. Kjo mase ndëshkuese kundër tyre u mor për shkak se ata kundërshtonin Allahun dhe Pejgamberin. Ishte urdhëri i Pejgamberit, por me lejen e Zotit, që të shkatërrohen edhe kopshtet e tyre. Kur disa sahabë filluan t'i presin disa hurma të tyre me qëllim që t'ua shtojnë edhe më shumë pikëllimin, ata i thanë Pejgamberit: "Ti ishte ai që i ndaloje dëmtimet, e çka është tash që i lejon t'i presin pemët" Atëherë zbriti ky ajet, që me lejen e Zotit ajo është si masë ndëshkuese kundër të prishurve. Pasuria e tyre mbeti "fej'un", pasuri e fituar pa luftë. Kjo u arrit me ndihmën e Zotit e jo me forcën luftarake, e andaj ndarja e saj ka vlerë tjetërfare prej presë së fituar me luftë. Përmenden ata që meritojnë t'u jepet, e jo të mbetet në duar të pasanikëve e ta ndajnë si të duan.

Pasuria e tillë fituar në atë mënyrë, është pronë e shoqërisë e jo e individëve. Shoqëria e ndan sipas nevojës. Atë pasuri Pejgamberi ua dha muhaxhirëve, që kishin lëshuar atdheun për hir të rrugës së Zotit, luftonin për atë rrugë dhe ende ishin nëpër shtëpi të vëllezërve të tyre ensarë, vendas të Medinës dhe mbrojtës të besimit, të cilët në konsultime me Pejgamberin hoqën dorë nga ajo pasuri, ndonëse kishin nevojë dhe u dhanë përparësi emigrantëve.

Të lavdëruar janë muhaxhirët e parë, vendasit, ensarët e Medinës dhe ata që erdhën pas tyre dhe ua njohtën meritën të parëve, e kush e urren ndonjë nga sahabët e Pejgamberit, ai është edhe më i keq se kufari, e të tillë janë rafidijjët.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 59:8–59:10

Allahu i Lartësuar na përshkruan në këto ajete se cilët janë ata që e meritojnë t’u jepet nga pasuria e el fej’it: - “Ajo u takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive dhe pasurisë së tyre, për shkak se kërkonin mirësinë e kënaqësinë e Allahut dhe që të ndihmo - nin Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” - Janë ata që lanë vendbanimet e tyre, duke emigruar për hir të Allahut dhe në ndihmë të Profetit të Tij. Ata u bënë armiq me popullin e tyre, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut dhe duke pasur për qëllim veçse bindjen ndaj Tij. - “Pikërisht këta janë të vërtetët!” - Ata janë të vërtetë në fjalët e tyre, duke i vërtetuar ato përmes veprave të tyre. Këta ishin të parët e muhaxhirëve. Më pas, Allahu i Lartësuar, duke lavdëruar ensarët, nxjerr në pah mirësinë dhe vlerat e tyre të larta, si: fisnikërinë, bujarinë dhe burrërinë. Ai na tregon që ata ishin njerëz që nuk kishin asnjë grimë smire në zemrat e tyre, por u jepnin përparësi vëllezërve të tyre muhaxhirë, edhe pse vetë kishin nevojë të madhe për pasuri. - “Edhe atyre që përgatitën vendin dhe besimin para (ardhjes së) tyre ...” - Domethënë, banorët e vendit të hixhretit, Medinës, përpara ardhjes së muhaxhirëve, pasi një pjesë e kishin pranuar Islamin përpara shumë prej tyre. Para se të vdiste, Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) la porosi të veçantë për muhaxhirët, duke thënë: “E porosis kalifin që do të vijë pas meje, që të kujdeset shumë për muhaxhirët e parë, t’ua njohë hakun që u takon dhe të nderojë e respektojë fisnikërinë dhe vlerën e tyre. Gjithashtu, e këshilloj në lidhje me ensarët, të cilët e përgatitën këtë vend, madje shumë prej tyre e pranuan besimin që më herët, që të pranojë dhe respektojë bamirësit nga mesi i tyre, por dhe t’i falë ata që bëjnë gabime nga mesi i tyre." [Buhariu]. - “... të cilët i duan ata që emigruan tek ata dhe nuk ndiejnë në gjoks smirë për çfarë u jepet atyre.” - Për shkak të shpirti bujar dhe fisnik, ensarët kishin dashuri për muhaxhirët dhe u solidarizuan tërësisht, duke ndarë pasuritë e tyre me ta. Imam Ahmedi sjell rrëfimin nga Enesi (r.a), se muhaxhirët thanë: 2631. “O i Dërguari i Allahut, nuk kemi parë ndonjë popull ku kemi shkuar, njerëz më të përkushtuar në

shërbimin ndaj nesh, edhe kur kanë pak pasuri dhe as nuk kemi parë bamirës më të mëdhenj në kohë bollëku, sesa ensarët. Vërtet ata na mjaftuan për çdo nevojë që kishim dhe na bënë pjesëtarë të barabartë në pasuritë e tyre, aq sa patëm frikë se do të merrnin të gjithë shpërblimin e Zotit.” Profeti ﷺ tha: “Jo, nuk mund ta marrin të gjithë shpërblimin e Zotit, për sa kohë ju i lëvdoni ata dhe e lusni Allahun që t’i shpërblejë ata.”. Në lidhje me fjalën: “... dhe nuk ndiejnë në gjoks smirë për çfarë u jepet atyre”, Katade shpjegon e thotë: “Pra, në lidhje me atë që u është dhënë vëllezërve të tyre.” Po kështu e ka shpjeguar edhe Ibn Zejdi. Për këtë mund të argumentohet me hadithin që Imam Ahmedi sjell me senedin e tij nga Enesi, i cili tregon: “Ishim ulur së bashku, kur Profeti ﷺ u tha shokëve: “Tani do të shihni njërin prej banorëve të Xhene - tit.” Aty kaloi një prej ensarëve, të cilit mjekra i pikonte ujë nga abdesi dhe me dorën e majtë mbante nallanet. Të nesërmen kur ishim me të, Profeti tha të njëjtën gjë dhe u shfaq po ai burrë, njëlloj si një ditë më parë. Edhe të pasnesërmen Profeti ﷺ tha të njëjtën gjë dhe u shfaq po ai burrë njëlloj si një ditë më parë. Abdullah Ibn Amr Ibn Asi e përcolli te shtëpia dhe i tha: “Kam bërë fjalë me babain, ndaj dua të qëndroj te ti nja tri ditë.” - “Po”, - iu përgjigj ai. Më vonë ai rrëfen: “Ato tri net që kalova me të nuk pashë të falte namaz nate, vetëm se përmendte Allahun dhe thoshte “Allahu Ekber” sa herë që rrotullohej në shtrat. Nuk dëgjova prej tij as fjalë të pahijshme. Kur kaluan tri ditë, gati -gati fillova ta nënvlerë - soja punën e tij dhe i thashë: “Nuk kam qenë i hidhëruar me babain tim, por Profeti ﷺ të ka cilësuar prej banorëve të Xhenetit dhe desha të di se ç’vepra bën.” Ai iu për - gjigj: “Veprat e mia janë ato që pe, vetëm se unë asnjëherë nuk mendoj të mashtroj apo të kem zili myslimanët për ndonjë të mirë që u ka dhënë Allahu i Madhëruar.”. - “Madje ata u japin përparësi atyre kundrejt vetes ...” - Ata nuk kanë smirë për muhaxhirët, në lidhje me mirësinë që Allahu u fali atyre: domethënë, për gradën e lartë të nderimit, fisnikërisë dhe përparësisë, që u dha Zoti, duke i përmendur më përpara në Librin e Tij e duke treguar se janë në gradë më të lartë sesa ensarët. - “... edhe sikur të jenë vetë në nevojë.” - Edhe pse mund të kenë nevojë për veten e vet, ata u japin përparësi nevojave të muhaxhirëve. Ata kujdesen për të tjerët më shumë se për veten e tyre, edhe pse mund të kenë nevojë më të madhe për vete. Është shënuar në Sahih hadithi nga i Dërguari i Allahut (lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!), që thotë: “Sadakaja më e mirë është ajo e atij që ka pak”. Ky status është më i lartë se i atyre, që Zoti i përshkruan në thënien e Tij: “Janë ata që, për hir të Tij, u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe robërve prej pasurisë që e duan shumë.” [Insan: 8]. Ose në ajetin: “... të shpenzosh prej pasurisë që e do e t'u japësh të afërmve, jetimëve, të varfërve, udhëtarëve të mbetur në rrugë, lypësave dhe për lirimin e robërve; ...” [Bekare: 177]. Këta njerëz japin sadaka nga ajo pasuri që e duan, por mund të mos kenë nevojë të madhe për të. Ndërsa këta njerëz, të përshkruar në këtë ajet, i japin përparësi të tjerëve mbi veten e tyre, megjithë varfërinë dhe nevojën e tyre të madhe për atë pasuri. Në këtë gradë të lartë ishte edhe Siddiku i këtij Umeti, Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kur dha për bamirësi të gjithë pasurinë e tij dhe i Dërguari i Allahut i tha: “Çfarë ke lënë për familjen tënde? ” Ai tha: “U kam lënë Zotin dhe të Dërguarin e Tij.” Ngjashëm më të ishin tre luftëtarët e plagosur në betejë: kur i dhanë ujë të parit, tha: “Jepjani shokut tim, se ai është më rëndë se unë e ka më shumë etje.” Kur i shkuan të dytit, tha: “Jepjani shokut tim!” Dhe kur shkuan tek i treti, ai kishte ndërruar jetë. Pastaj u kthyen tek i pari, i cili kishte vdekur, e pastaj tek i treti, i cili po ashtu kishte vdekur - Allahu qoftë i kënaqur me ta! Buhariu sjell nga Ebu Hurejra hadithin: 2632. Vjen një burrë tek Profeti i Allahut dhe i thotë: “O i Dërguari i Allahut, jam në hall dhe fukarallëk!”.

Profeti dërgoi lajm tek gratë e veta për të sjellë ndonjë gjë, por ato nuk kishin asgjë. Atëherë Profeti ﷺ tha: “A ka ndonjë burrë që e bujt në shtëpi këtë sot, që Allahu ta mëshirojë?” U ngrit një ensar dhe tha: “Do ta bujt unë, o i Dërguari i Allahut.” Kështu, ai shkoi tek shtëpia e vet dhe i tha gruas: “Ky është miku i Profetit të Allahut, ndaj nxirr gjithçka që ke.”. - “Vallahi, - thotë gruaja, - nuk kam gjë, përveç ushqimit të fëmijëve!” Atëherë, ai tha: “Mundohu t’i vesh në gjumë fëmijët, pa ngrënë darkë. Pasi të flenë ata, sille ushqimin e tyre këtu dhe shuaje kandilin, në mënyrë që atë pak ushqim ta hajë vetëm miku e të ngopet.”. Dhe ashtu veproi. Më pas, kur i Dërguari i Allahut e takoi këtë burrë, i tha: “U kënaq e Allahu Krenar dhe i Lartësuar - ose tha: “Qeshi...” - prej filanit dhe filanes, nga ajo që bënë.” Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti: “Madje ata u japin përparësi atyre kundrejt vetes, edhe sikur të jenë vetë në nevojë.” Version të ngjashëm kanë sjellë Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu prej Fadil Ibn Gazuanit. Në transmetimin e Muslimit është emri i këtij ensari, që ishte Ebu Talha, Allahu qoftë i kënaqur prej tij!”. - “Kush ruhet prej koprracisë së vetes, është i fituar!” - Ka shpëtuar ai që e ka pastruar shpirtrin prej koprracisë. Ai ka shpëtuar nga çdo e keqe dhe ka fituar çdo të mirë. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Xhabir Ibn Abdilahi, se Profeti i Allahut ka thënë: 2633. “Kujdes dhe ruhuni nga padrejtësia, sepse padrejtësia është errësirë në Ditën e Kijametit. Kini frikë nga makutëria, sepse ajo i shkatërroi ata që ishin para jush dhe i shtyu që të derdhnin gjakun e të shkelnin nderin e njëri -tjetrit.” Imam Muslimi është i vetëm në sjelljen e këtij hadithi (d.m.th. mes autorëve të shtatë librave referencë të hadithit, që janë Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi, Nesaiu, Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe Imam Ahmedi). Nga Ebu Hurejra përcillet se Profeti i Allahut ka thënë: “Kurrë nuk mund të gjenden së bashku në zemrën e një njeriu koprracia dhe imani. As pluhuri i rrugës së Allahut dhe tymi i Xhehenemit nuk mund të bashkohen te fytyra e një adhuruesi.” 119 - “Edhe atyre që kanë ardhur më pas e thonë: “Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë, që u pajisën me besim para nesh. ...” - Këta janë grupi i tretë, që e meritojnë të marrin nga pasuria e “ fej’it”. Prej kësaj pasurie mund të përfitonin muhaxhirët, pastaj ensarët, dhe më tej pasuesit e tyre, që i ndoqën me drejtësi dhe me sinqeritet në rrugën e drejtë, sikurse thotë i Lartësuari: “Allahu është i kënaqur me besimtarët e hershëm muhaxhirë e ensarë dhe me ata që i pasuan me vepra të mira. Edhe ata janë të kënaqur me Të. Për ta, Ai ka përgatitur kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetësisht. Ky është fitimi i madh.” [Teube 100]. Ndjekësit më të mirë janë ata që ecin në gjurmët e paraardhësve të tyre, me virtytet dhe cilësitë e tyre të mira; janë ata që luten për besimtarët e parë, siç na tregon i Lartësuari: “Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë, që u pajisën me besim para nesh ...”. Ata luten, gjithashtu: - “... dhe mos lejo në zemrat tona urrejtje ndaj atyre që besojnë!” - Pastroi zemrat tona nga urrejtja dhe smira për brezat para nesh. - “Zoti ynë, Ti je i Butë e Mëshirëplotë!” - Sa i bukur është ai mësim që e ka përnxjerrë Imam Maliku (Allahu e mëshi - roftë!) prej këtij ajeti të nderuar. Ai thotë që rafiditë ose shiitët, domethënë, ata të cilët fyejnë, mallkojnë dhe ofendojnë sahabët, nuk kanë pjesë në pasurinë e fej’it, sepse ata nuk e kanë atë cilësi, që lëvdoi Allahu i Lartësuar. Ibn Xheriri sjell nga Malik Ibn Eus Ibn Hadethani këtë rrëfim: “Umër Ibn Hatabi lexoi këtë ajet: “Sadakaja (zekati) është pë r të varfrit, nevojtarët, zekat mbledhësit, për ata (besimtarë të rinj) që u duhen përfituar zemrat, për lirim të atyre që janë në robëri, për të zhyturit në borxhe, për në rrugën e Allahut dhe për udhëtarin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” [Teube 60], - dhe tha: “Kjo pasuri u shpërndahet këtyre kategorive.”. Pastaj lexoi: “Ta dini se nga e tërë plaçka e luftës që mund të fitoni,

një e pesta i takon Allahut, të Dërguarit e familjes së tij, jetimëve, të varfërve dhe udhëtarëve, nëse besoni në Allahun dhe në atë që Ne ia kemi shpallur robit Tonë Ditën e Ndasisë (mes besimit dhe mosbesimit) , ditën kur u ndeshën dy ushtritë. Allahu është i Plotpushtetshëm për gjithçka.” [Enfal 41], - dhe tha: “Kjo pasuri u shpërndahet këtyre katregorive.” Pastaj lexoi: “Çfarëdo pasurie që Allahu ia dhuroi pa luftë të Dërguarit të Tij si plaçkë nga jobesimtarët, i takon Allahut, të Dërguarit, farefisit të tij, jetimëve, të varfërve e udhë - tarëve të mbetur në rrugë, që ajo të mos mbetet vetëm ndërmjet pasanikëve tuaj. Çfarë t’ju japë Profeti, merreni, e çfarë t’ju ndalojë, largojuni prej saj dhe kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Ndë - shkues i ashpër. Ajo u takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive dhe pasurisë së tyre, për shkak se kërkonin mirësinë e kënaqësinë e Allahut dhe që të ndihmonin Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pikërisht këta janë të drejtët! Edhe atyre që përgatitën vendin dhe besimin para tyre, të cilët i duan ata që emigruan tek ata dhe nuk ndiejnë në gjoks smirë për çfarë u jepet atyre. Madje ata u japin përparësi atyre para vetvetes, edhe sikur të jenë vetë në nevojë. Kush ruhet prej koprracisë së vetes, është i fituar! Edhe atyre që kanë ardhur më pas e thonë: “Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë, që u pajisën me besim para nesh, dhe mos lejo në zemrat tona urrejtje ndaj atyre që besojnë! Zoti ynë, Ti je i Butë e Mëshirëplotë!”” [Hashr 7 -10 ]. Dhe tha: “Këto ajete kanë përfshirë të gjithë kategoritë e musli - manëve që meritojnë sadaka dhe plaçkë dhe nuk ka lënë asnjë pa i përcaktuar pjesë.” Pastaj tha: “Nëse do të më jepet jetë, do të bëj që edhe barinjve, - pra, banorëve të Himjerit - kam për t’iu dhënë pjesë prej kësaj pasurie, pa derdhur asnjë pikë djerse për të.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 59:8–59:13

Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon arsyen pse u përcaktoi kategorive të mësipërme pjesë nga el fej’u: - “Ajo u takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive dhe pasurisë së tyre, për shkak se kërkonin mirësinë e kënaqësinë e Allahut dhe që të ndihmonin Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pikërisht këta janë të drejtët!” - Muhaxhirët ishin ata të cilët braktisën çdo gjë të dashur në atdheun e tyre. Ata u ndanë nga të afërmit e tyre dhe lanë çdo pasuri që zotëronin, për hir të Allahut dhe në ndihmë të fesë së Tij. Motivi i këtij emigrimi ishin

dashuria për Allahun dhe Profetin dhe bindja ndaj tyre. Pikërisht këta janë njerëzit që kanë besim të vërtetë, të cilët kryejnë vepra sipas këtij besimi. Muhaxhirët e vërtetuan imanin që kishin në zemër me vepra të mira dhe të sinqerta dhe me adhurime të vështira, ndryshe nga ata që, edhe pse shtireshin sikur besonin, nuk e vërtetonin atë nëpërmjet xhihadit, hixhretit dhe adhurime të tjera. - “Edhe atyre që përgatitën vendin dhe besimin para tyre...” – Këta ishin ensarët, fiset Eus dhe Hazrexh në Medinë, të cilët e besuan Allahun dhe Profetin e Tij me bindje të plotë, me dashuri dhe zgjedhje të lirë. Ata e strehuan Profetin (a.s.) dhe i siguruan mbrojtje kundër çdo të kuqi e të ziu. Ata përgatitën vendin e hixhretit dhe djepin e imanit, ku do të mbërrinin dhe strehoheshin besimtarët nga Meka. Ai do të bëhej atdheu i çdo muhaxhiri dhe vendstrehimi i çdo muslimani, kur të gjitha të tjerat ishin vende armike, idhujtarie dhe ligësie. Kështu, muhaxhirët u mbështetën dhe u vëllazëruan me ensarët, ndihmuesit e fesë së Allahut në Medinë, derisa Islami u fuqizua dhe u përhap gjerësisht, duke çliruar zemrat e njerëzve me diturinë, imanin dhe Kur'anin dhe duke çliruar popujt me forcën e tij nga çdo tiran arrogant e idhujtar. Ndër cilësitë më të spikatura dhe përshkrimet më të bukura që Allahu i Lartësuar u ka bërë ensarëve të Medinës është: - “...i duan ata që emigruan tek ata...” - Për shkak të dashurisë së tyre të plotë për Allahun dhe Profetin e Tij, ata deshën edhe të dashurit e Allahut dhe të Profetit, deshën ata që ndihmuan fenë e Tij. - “...nuk ndiejnë në gjoks smirë për çfarë u jepet atyre.” - Ata nuk i kishin smirë muhaxhirët për mirësitë që Zoti iu fali në mënyrë të posaçme. Zemrat e tyre ishin të shëndetshme dhe të pastra nga sëmundjet e smirës, urrejtjes, përçmimit etj. Kjo tregon se muhaxhirët ishin në gradë më të lartë se ensarët, sepse Allahu i Lartësuar i përmend ata të parët dhe na bëri të ditur se ensarët nuk ndiheshin keq për mirësitë me të cilat Ai i dalloi muhaxhirët. Allahu i Lartësuar u dhuroi muhaxhirëve veçori të shumta, të cilat nuk ua dha ensarëve dhe askujt tjetër. Arsyeja ishte se ata bënë dy vepra madhështore: ata ndihmuan fenë e Allahut dhe bënë hixhret për hir të Tij. - “Madje ata u japin përparësi atyre para vetvetes, edhe sikur të kenë vetë nevojë të domosdoshme.” – Një cilësi tjetër e ensarëve, që i ngriti mbi të tjerët, ishte altruizmi i tyre, grada më e lartë e bamirësisë dhe bujarisë. Kjo cilësi shfaqet duke u dhënë të tjerëve pasurinë tënde më të çmuar dhe gjërat më të dashura, madje edhe duke privuar veten nga nevojat e domosdoshme, vetëm për një qëllim të lartë: “Dashuria për hir të Allahut”. Sigurisht, këtë cilësi e kanë vetëm ata që janë të pajisur me moral të lartë dhe motivohen nga një qëllim i madh. Dashuria për Allahun e Lartësuar në zemrat e ensarëve ishte më parësore kundrejt dëshirave të nefsit të tyre. Për këtë dëshmon edhe historia e ensarit, për shkak të të cilit u shpallën këto ajete. Ai, për të nderuar

mikun e tij, sakrifikoi ushqimin e familjes dhe fëmijëve të tij. Kështu, në përfundim, ata fjetën të gjithë të uritur, veç për të kënaqur mysafirin e tyre.” Altruizmi është e kundërta e koprracisë dhe egoizmit. Allahu i Lartësuar thotë më pas: - “Kush u ruajt prej koprracisë së vetes, ata janë të fituarit!” - Të ruhesh nga koprracia e vetes do të thotë të ruhesh nga koprracia ndaj zbatimit të detyrimeve. Kështu, ai që e ruan veten nga koprracia, ai bindet ndaj urdhrave të Allahut dhe Profetit, madje i zbaton ato me bindje e nënshtrim, me gjoks të zgjeruar dhe të mbushur me kënaqësi. Gjithashtu, ai bindet për lënien e çdo gjëje të ndaluar nga Allahu i Lartësuar, edhe nëse ajo gjë është e dashur për nefsin e tij. Me një shpirt të tillë të edukuar dhe të nënshtruar, arrihet suksesi dhe mirësia dhe largohet dështimi dhe ligësia. Ndryshe ndodh me ata që nuk e kanë shtypur koprracinë e vetes. Këta janë sprovuar me lakmi e pangopësi, nga buron çdo e keqe. Në këto ajete, Allahu i Madhëruar përshkruan gradën e sahabëve të nderuar, udhëheqësve dhe bartësve të parë të kësaj feje, të cilët u stolisën me virtyte të larta, të cilat i bënë të pakapshëm nga brezat pasardhës. Ata, gjithashtu, u lartësuan mbi të gjithë shokët e profetëve të parë. Ata u bënë besimtarët më të dalluar, krerët e të gjithë muslimanëve dhe imamët e të devotshmëve. Mjafton si nderim për ata që erdhën pas tyre që të ishin ndjekës të rrugës së sahabëve. Allahu i Lartësuar thotë për brezin që erdhi pas sahabëve, i cili ndoqi të njëjtin udhëzim dhe u stolis me të njëjtat virtyte: - “Edhe atyre që kanë ardhur më pas e thonë...” - Brezi që erdhi pas muhaxhirëve dhe ensarëve, duke këshilluar vetveten dhe të gjithë besimtarët, luteshin e thoshin: - “Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë, që u pajisën me besim para nesh, dhe mos lejo në zemrat tona urrejtje ndaj atyre që besojnë!” - Kjo është një dua e të gjithë besimtarëvë, qofshin nga të parët, qofshin nga të mëvonshmit. Një nga dobitë më të mëdha të imanit është që besimtarët luten për njëri-tjetrin, për shkak të lidhjes së fortë të imanit mes tyre. Ata janë vëllezër në fe dhe kanë detyrime ndaj njëri -tjetrit. Ndër detyrimet më kryesore të kësaj vëllazërie është dashuria dhe lutja për njëri - tjetrin. Allahu i Lartësuar përmend lutjen për pastrimin e zemrës nga urrejtja, pasi në zemrën e besimtarëve nuk duhet të ketë asnjë thërrmijë urrejtjeje për vëllezërit e tyre besimtarë. Duke u lutur për pastrimin e zemrës nga urrejtja për besimtarët, sado e vogël qoftë ajo, ata njëkohësisht janë lutur që zemrat e tyre të mbushen me dashuri, miqësi, dhe mirësi kundrejt vëllezërve të tyre muslimanë. Në këtë mënyrë, ata gjithmonë do të dëshirojnë të mirën dhe do të këshillojnë njëri tjetrin për punë të mira dhe durim. Kështu do të përpiqen të përmbushin të gjitha detyrimet vëllazërore të ndërsjellta. Allahu i Lartësuar e përshkroi brezin pas sahabëve ( tabi’in-ët) si pasues të të njëjtit iman me sahabët, pasi ata luteshin: “O Zoti ynë, na fal neve dhe vëllezërit tanë që na prinë në iman!” Me fjalë të tjera, ky brez që erdhi pas sahabëve ishin pasues të denjë dhe rigoroz të fesë së sahabëve, në themelin dhe degëzimet e saj. Këta janë ata të cilët quhen “ Ehlu Suneh uel Xhema’a ” – “Pasues të Sunetit dhe xhematit të muslimanëve”, sepse ata i plotësonin më së miri cilësitë e përmendura në ajet. Allahu i Madhëruar tregon se ata luteshin për falje gjynahesh për veten e tyre dhe për besimtarët. Ata e pranonin se ishin gabimtarë ndaj Allahut të Lartësuar, por kërkonin falje si për veten, edhe për vëllezërit e tyre. Ata përpiqeshin shumë që të pastronin zemrat e tyre nga çdo lloj sëmundjeje dhe urrejtjeje për vëllezërit muslimanë dhe kultivonin në zemra veçse dashurinë për njëri tjetrin, për hir të besimit. Ata zbatonin porosinë e Profetit (a.s.), që thoshte: “Nuk beson askush prej jush, derisa të dojë për vëllain e vet atë që do për veten e tij!”. Ata gjithmonë këshillonin njëri tjetrin dhe i dëshironin të mirën vëllait, qoftë kur ishte i pranishëm, qoftë kur

mungonte, qoftë kur ishte i gjallë, qoftë kur ishte i vdekur. Nga ajeti mësojmë se këto që u përmendën janë disa nga detyrimet e muslimanëve ndaj njëri tjetrit. - “Zoti ynë, Ti je i Butë e Mëshirëplotë!” - Lutja e tyre mbyllet me dy emra të mrekullueshëm të Allahut të Lartësuar, që tregojnë mëshirën e plotë të Allahut të Madhëruar, butësinë e Tij të papërshkrueshme për besimtarët dhe bamirësinë e Tij të madhe ndaj tyre. Ndër mirësitë më të mëdha, madje më e madhja, ishte pajisja e tyre me iman dhe me forcën e mjaftueshme për të punuar sipas tij. Ai u dha sukses atyre për të plotësuar si të drejtat e Allahut të Lartësuar, ashtu edhe përgjegjësitë kundrejt robve të Tij, dhe në mënyrë të veçantë kundrejt besimtarëve. Këto tri grupe, pra, muhaxhirët, ensarët dhe brezi pas tyre ishin ata që meritonin të merrnin pjesë prej el fej’u-t, që shpenzohet në dobi të Islamit dhe muslimanëve. Këta ishin njerëzit më të zgjedhur. Zoti na bëftë prej tyre, me mirësinë dhe bujarinë e Tij! - “A i ke parë ata dyfytyrësha, se si u thanë vëllezërve të vet nga ithtarët e Librit, që nuk besonin:” - Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon për gjendjen e çuditshme të munafikëve, të cilët u jepnin kurajo ithtarëve të Librit, vëllezërve të tyre në kufër. Ata u jepnin besën se do t’i ndihmonin në luftën kundër muslimanëve, duke u thënë: - ““Nëse ju dëboheni, edhe ne do të dalim me ju dhe nuk do t’i bindemi askujt kundër jush.” - Ne nuk kemi për t’iu bindur askujt që na pengon nga aleanca me ju! Ne nuk na ndal asgjë në rrugën tonë për të qenë krahu juaj! Ne nuk i frikësohemi asnjë rreziku, madje: - “Nëse luftoheni prej dikujt, të jeni të sigurt se ne do t’ju ndihmojmë.” Por Allahu dëshmon se ata janë gënjeshtarë.” - Por Allahu i Lartësuar dëshmon se këto premtime ishin të gënjeshtërta, duke mashtruar kështu vëllezërit e tyre në kufër. Sidoqoftë, pabesia nuk është ndonjë gjë e madhe, kur bëhet fjalë për ata zullumqarë. Pabesia është cilësia e tyre dalluese, ndërsa mburrja dhe arroganca janë bashkëshoqëruese të tyre. E vërteta është se ata janë frikacakë të përhershëm. Allahu i Lartësuar njoftoi për pabesinë e tyre para se ajo të ndodhte, dhe gjithçka ndodhi ashtu sikurse Ai e përshkroi: - “Nëse ata do të dëbohen, këta nuk do të dalin së bashku me ta; edhe sikur ata të luftohen, këta nuk do t’i ndihmojnë.” - Nëse jehudët do të dëbohen nga vendbanimet e tyre, munafikët nuk kanë për t’i ndjekur pas, ashtu sikurse iu betuan me mendjemadhësi. Ata nuk do të dalin as të luftojnë për aleatët e tyre, sepse dashuria që kanë për pasurinë dhe tokën e tyre është më e madhe se premtimet boshe, të lëshuara nga arroganca. Ata i mbizotëron nga frika, prandaj do të jenë të dështuar. Në fakt, munafikët i tradhtuan vëllezërit e tyre në kufër në momentet më të vështira, kur kishin nevojë për ta. - “Por edhe sikur t’i ndihmojnë, shpejt do të kthejnë shpinën e kështu, miqtë e tyre do të mbeten pa ndihmë.” - Edhe sikur të mendohej që munafikët të dilnin në luftë së bashku me aleatët e tyre, shumë shpejt ata do të dezertonin nga beteja dhe kurrë nuk do të fitonin. Allahu i Lartësuar kurrë nuk do t’ua jepte fitoren atyre frikacakëve. Shkakun për këtë përfundim e sqaron Allahu i Lartësuar kur thotë: - “Ju, në zemrat e tyre, jeni frikë më e madhe se Allahu.” – Frika e tyre ndaj jush ishte më e madhe sesa frika ndaj Zotit. Ata iu frikësuan më shumë krijesave, të cilët nuk zotërojnë për veten dhe për të tjerët as dobi e as dëm, sesa Krijuesit, në dorën e të Cilit janë dëmi dhe dobia, dhënia dhe privimi. - “Kjo për shkak se ata janë njerëz që nuk kuptojnë.” - Ata nuk logjikojnë drejt dhe nuk e njohin realitetin e gjërave. Ata nuk arrijnë të shohin përfundimin e çështjeve. Aftësia e të gjykuarit drejt dhe të vështruarit saktë të çështjeve është e lidhur ngushtë me frikërespektin ndaj Krijuesit, shpresën në premtimin e Tij dhe dashurinë

për Të. Ata që i japin përparësi këtyre ndjenjave kundrejt çdo gjëje tjetër, ata do të pajisen me urtësi të madhe dhe aftësi gjykimi të drejtë.

← Hashr 59:8