لَّا تُدۡرِكُهُ ٱلۡأَبۡصَٰرُ وَهُوَ يُدۡرِكُ ٱلۡأَبۡصَٰرَۖ وَهُوَ ٱللَّطِيفُ ٱلۡخَبِيرُ
Të parët (e njerëzve) nuk mund ta përfshinë Atë, e Ai i përfshinë të parët. Ai është shumë i kujdesshëm, hollësisht i njohur.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Në këto ajete u fol mbi fuqinë e pakufishme të Zotit Krijues, i cili nga sendi i thatë, i vdekur e i keq, nxjerr të njomin, të gjallin, të mirin, dhe anasjelltas. Ai është që pas pushimit dhe errësirës së rëndë të natës, na gëzon me agimin e mëngjesit. Ai është që me krijimin e yjeve të llojllojshme, na mundësoi të llogarisim kohën tonë dhe të orientohemi. Për këtë duhet menduar. Ai është që na mundësoi jetë mbi tokë dhe jetë nën tokë deri në Ditën e Gjykimit. Vetëm fuqia dhe mjeshtëria e Tij bën që prej të njëjtit shi të mbijnë bimë të ndryshme me shije e forma të llojllojshme. Me gjithë këto fakte bindëse disa njerëz besuan edhe zota të tjerë të trilluar. Madje disa të tjerë thanë, se Zoti, larg qoftë asaj fjale, ka fëmijë; djem si Uzejri e Isa, e vajza, engjëjt. Ai që shpik e krijon, Ai nuk është i llojit të krijesave, Ai nuk ka nevojë për asnjë send. Në domethënien e ajetit të fundit dijetarët islamë janë të ndarë në mendime. Çka është e sigurt: Zotin do ta shohim në botën tjetër, kurse në këtë botë nuk ka mundësi të shihet.