← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

6. Enam · Ajeti 104 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:104–6:111

Zoti xh. sh. parashtroi argumente dhe e bëri të qartë të vërtetën. Kush e kuptoi dhe e besoi, ai e ka për të mirën e vet, e kush nuk deshi të kuptojë, faji është i tij. Pejgamberi është vetëm komunikues.

Muhammedi urdhërohet ta ndjekë atë që i shpallet nga Zoti e të mos u vërë veshin ideve idhujtare.

Besimtarëve u është ndaluar t'i fyejnë zotat (idhujt) e idhujtarëve e të nxisin armiqësi nga e cila idhujtarët injorantë kalojnë çdo kufi dhe e fyejnë Zotin, pse ata veprojnë e besojnë aq sa kanë mend. Ata thoshin se do të besonin po t'u vinte ndonjë mrekulli. Mrekullitë i sjell Zoti atëherë kur të dojë, po ku ta dimë, ndoshta edhe këta nuk do t'i besojnë sikurse nuk i besuan të parët e tyre. Zoti ju rrotullon zemrat dhe të parët e as nuk kuptojnë as nuk shikojnë ato mrekulli dhe mbesin të humbur si mbetën edhe të parët e tyre.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:104–6:105

- Tashmë ju kanë ardhur prova të qarta nga Zoti i juaj. - El besâir janë argumentet e faktet e qarta, që përmban Kur 'ani dhe Suneti i Profetit. - Kush i sheh, ai e ka për veten e vet... - Kjo i ngjan fjalës së Allahut, që thotë: “Thuaj: “O njerëz! Tashmë ju erdhi e vërteta nga Zoti juaj. Kush merr rrugën e drejtë, e ka vetëm për veten e vet; ndërsa kush ndjek devijimin, e ka humbur vetveten. Unë nuk jam roja juaj.” [Junus 108]. - e kush mbyll sytë, ai i bën dëm vetes. - Çdokush që e shpërfill udhëzimin e Zotit i bën dëm vetvetes, siç thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “...Vërtet, nuk verbohen sytë, por verbohen zemrat në kraharor .” [Haxh 46]. - Unë nuk jam mbikëqyrësi juaj! - Domethënë, nuk jam ruajtësi juaj dhe vëzhguesi i veprave tuaja. Unë jam thjesht një kumtues i qartë i mesazhit të Zotit tim. - Kështu, Ne ta kemi shtjelluar në imtësi Shpalljen... - Ne ua kemi qartësuar ajetet Tona në këtë Shpallje, duke e bërë të kuptueshëm tërësisht teuhidin. - ... aq sa ata të thonë “Ti i ke mësuar këto (nga të tjerë) ” - Ata shpifin dhe thonë se i ke mësuar këto nga ithtarët e Librit ose i ke lexuar nga librat e tyre. Kështu e ka shpjeguar Ibn Abasi, Muxhahidi, Seid Ibn Xhubejri etj. Kjo i ngjan ajetit tjetër, që tregon për mohimin e idhujtarëve: “ Ata që nuk besojnë, thonë: “Ky (Kur'ani) është veçse një gënjeshtër, që ai (Muhamedi) e trilloi dhe për këtë e kanë ndihmuar edhe njerëz të tjerë.”. Në të vërtetë janë ata që bënë një padrejtësi të madhe dhe një shpifje (të ulët) . Ata thonë (për Kur 'anin): “Këto janë legjenda të popujve të lashtë, të cilat ai (Muhamedi) kërkoi që t’i shkruhen dhe i lexohen atij mëngjes e mbrëmje”. Thuaj: “Kur'ani është zbritur nga Ai, që e di të fshehtën në qiej e në tokë. Ai është Falës i Madh e Mëshirëplotë.”.” [Furkan 4 - 6]. Gjithashtu i lartësuari na tregon për fjalët e udhëheqësit të tyre dhe mashtruesit të keq: “Ai mendonte dhe gjykonte. Qoftë i shkatërruar! Po si gjykonte?! Prapë qoftë i shkatërruar! E si gjykonte?! Ai thellohej e thellohej në mendime, pastaj vrenjtej dhe vrazhdësohej. Por në fund, ktheu shpinën dhe tregoi mendjemadhësi. Ai tha: “Ky (Kur'an) nuk është gjë tjetër, veçse një magji, që përcillet prej të tjerëve. Ky(Kur'an) nuk është gjë tjetër, veçse “fjalë njerëzish””!” [Mudethir 18 - 25]. - dhe që t’ua bëjmë të qarta njerëzve të ditur. - Këta njerëz e kuptojnë që kjo është e vërteta dhe e pasojnë atë. Ata e dallojnë të kotën dhe trillimet dhe largohen prej saj. I Lartësuari thotë: “... Me atë (shembull) Ai bën që shumë të humbin, e shumë i udhëzon në rrugën e drejtë. Por, në të vertetë, Ai nuk humb askënd tjetër, përveç atyre që braktisin rrugën e Tij; ata që e thyejnë besën e dhënë Allahut, pasi ajo është lidhur, që e shkëpusin atë (lidhje) që Allahu ka urdhëruar të jetë e vazhdueshme, dhe në tokë mbjellin shkatërrimin. Pikërisht ata janë të humburit (që humbën gjithçka).” [El bekare 26 , 27 ], dhe thotë: “ Për ta bërë atë (ngatërresën) që hedh shejtani si sprovë për ata në zemrat e të cilëve kanë sëmundje (munafikët) dhe për ata që i kanë zemrat e ngurta. Vërtet, njerëzit e padrejtë janë në një përçarje të madhe. Dhe ata, të cilëve u është

dhënë dije, të mësojnë se ai (Kur’ani) është e vërteta e sigurt prej Zotit tënd dhe kështu të besojnë në të dhe zemrat e tyre të mund t'i nështrohen Atij. Allahu është Udhëzuesi i atyre që besojnë (në rrugën e drejtë). ” [El haxh 5 3, 54 ], dhe thotë: “ Ne bëmë mbikëqyrës të Zjarrit veç engjëj, numrin e të cilëve e bëmë veçse si sprovë për ata që nuk besojnë, që të binden ata që u është dhënë Libri, që besimtarëve t’u shtohet edhe më shumë besimi, që ata të cilëve u është dhënë Libri dhe besimtarët të mos kenë asnjë dyshim, ndërsa ata të cilët në zemrat e tyre kanë sëmundje dhe jobesimtarët të thonë: “Çfarë deshi Allahu me këtë shembull?” Ja, kështu Allahu e lë të humbur atë që Ai do dhe e udhëzon atë që do. Ushtritë e Zotit tënd nuk i di askush veç Tij. Ky (lajm) është veçse një kujtim për njerëzit.” El mudethir 31], dhe thotë: “Ne të shpallëm Kur’anin, që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve u shton veçse dëshpërim. ” [El isra 82]. dhe thotë: “... Thuaju: “Ai, për besimtarët, është udhëzim e shërim. Ndërsa ata që nuk besojnë, i kanë veshët të shurdhuar, dhe për ta ai është verbëri. ...” [Fusilet 44]. Ajetet me këtë kuptim janë të shumta. Ato tregojnë se Allahu i Madhëruar e zbriti këtë Kur 'an për të qenë udhëzim për të devotshmit. Nëpërmjet këtij Kur 'ani, Ai udhëzon kë dëshiron dhe e lë në humbje atë që Ai dëshiron. Rreth mënyrës së leximit të këtij ajeti janë dhënë mendime të ndryshme: a lexohet “dâreste” apo “dereste”? Në fakt, të dyja kuptimet janë të përafërta. Ibn Merdeuejhi transmeton nga Ubej Ibn Keabi, i cili ka thënë: 1128. “Profeti i Allahut ma lexoi mua këtë ajet kështu: “ Ue li jekûlû dereste, pra: “... aq sa ata të thonë “Ti i ke mësuar këto (nga të tjerë) ”. Domethënë, pa zanore pas bashkëtingëllores “s” dhe me zanoren “e” pas bashkëtingëllores “t”, pra: “dereste”. Pastaj thotë: “Ky është me një isnad të saktë, sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit, por ata nuk e kanë sjellë në Sahih-un e tyre.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:100–6:104

- “Ata i shoqërojnë Allahut ortakë prej xhindeve, kur në të vërtetë, Allahu i ka krijuar ata dhe pa pasur aspak dituri, ata shpifin se Ai ka djem e vajza. - Allahu i Madhëruar na tregon se, me gjithë mirësitë

e shumta për krijesat dhe përkujdesjen e Tij të pashembullt për ta, megjithëse Ai iu prezantua atyre me shenja e argumente të shumta, idhujtarët kurejshë e të tjerët si ata, konsideronin si zota shumë idhuj e krijesa të pafuqishme. Ata u luteshin melekëve e xhindëve, të cilët janë veçse krijesa të Zotit dhe nuk zotërojnë asgjë. Ata i konsideronin xhindët si të barabartë me Allahun, në dorën e të Cilit është krijimi dhe ligji. Ai është Bamirësi i vetëm, që dhuron të gjitha mirësitë, Ai që largon të gjitha ligësitë e papastërtitë. Aq më keq, disa idhujtarë shpikën idenë e çmendur dhe të turpshme se Zoti ka fëmijë, djem e vajza. Ata nuk kanë asnjë dituri e fakt për këto gjëra që thonë. E ku ka më zullumqar sesa ai që trillon për Zotin ide e besime që nuk kanë fakte e nuk janë të bazuar në dituri nga vetë Zoti?! Ata kanë thënë për Zotin shpifjen më të turpshme, nga e cila Zoti është i pastër dhe i lartësuar. I Madhëruari e ka lavdëruar e lartësuar Veten e Vet nga shpifjet që trillojnë idhujtarët, duke thënë: - I pastër (nga çdo mangësi) dhe i lartësuar është Ai nga përshkrimet e tyre. - Allahu i Madhëruar është i përshkruar me çdo emër, cilësi e atribut të plotë e absolut dhe i pastër nga çdo mangësi, defekt e turp. E si mund të jetë ndryshe, kur Ai: - Është Ai që krijoi qiejt dhe Tokën (pa asnjë model të mëparshëm) . - Allahu është Bedîus-semâuât, domethënë Shpikësi i qiejve, Krijuesi dhe Përsosësi i krijimit të tyre, pa asnjë model të mëparshëm. Ai i krijoi qiejt e Tokën në mënyrë të përkryer dhe në formën më të bukur. Logjika më e lartë njerëzore nuk mund as ta perceptojë një madhështi të tillë. Allahu është i vetëm në krijimin e gjithçkaje dhe nuk ka ortakë me Të në këtë krijim. - “E si do të ketë Ai fëmijë, kur nuk ka bashkëshorte? - Si pretendojnë që Allahu ka fëmijë, kur Ai është Zoti dhe El Samedu - Ai të Cilit i drejtohet çdo krijesë për nevojat e saj? Si pretendojnë që Allahu ka fëmijë, ndërkohë që Ai nuk ka bashkëshorte? Allahu është i Pasuri, që nuk ka nevojë për krijesat e Tij, ndërsa ato të gjitha kanë nevojë për Të, janë të varfra e nevojtare në çdo gjendje të tyre për të Madhëruarin. Pastaj, fëmija duhet të jetë i të njëjtit lloj e origjinë si i ati. Allahu është Krijuesi, ndërsa çdo gjë tjetër është krijesë dhe asnjë nga krijesat nuk mund t’i përngjajë apo afrohet Allahut, në çdo aspekt qoftë. Pasi përmendi faktin se Ai është Krijuesi i gjithçkaje, Allahu i Madhëruar flet për dijen e Tij gjithëpërfshirëse: - Ai ka krijuar çdo gjë dhe ka dije të plotë për gjithçka. - Përmendja e diturisë pas krijimit është një udhëzim se si të arsyetojmë e meditojmë rreth emrave e cilësive të Allahut. Kështu, për shembull, duke vëzhguar krijimin madhështor, të krijohet bindja se Krijuesi duhet të jetë Absolut në dijen e Tij dhe i pashembullt në urtësinë e Tij. I Lartësuari thotë: “I fshihni ose i thoni fjalët tuaja haptas, nuk ka dyshim se Ai e di çka fshihni në zemrat tuaja. A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai është i Gjithëdituri në imtësi rreth

sekreteve.” [Mulk 13, 14]. Ose: “A nuk është i fuqishëm Ai, që krijoi qiejt e Tokën, që t’i rikrijojë ata (njerëzit)? Po, Ai është Krijuesi, i Gjithëditiri. Kur Ai dëshiron diçka, mjafton vetëm t’i thotë: “Bëhu!” e ajo menjëherë bëhet. I lartë është Ai, në dorën e të Cilit është pushteti mbi gjithçka dhe vetëm tek Ai ktheheni.” [Ja Sin 81 – 83]. - Ky është Allahu, Zoti juaj. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë, përveç Tij. Ai është Krijuesi i çdo gjëje,....” - Është Ai që meriton adhurimin, maksimumin e dashurisë dhe maksimumin e nënshtrimit ndaj Tij, madhërimit e përunjësisë para Tij. Është Ai që i krijoi të gjitha krijesat dhe përkujdeset për to, duke u mundësuar çdo mirësi dhe duke u larguar çdo të keqe. - “...prandaj vetëm Atë adhuroni!” - Kur ju të bindeni dhe të pranoni me siguri se vetëm Allahut i takon adhurimi, me çdo rrugë e formë, atëherë përkushtojani vetëm Atij të gjitha llojet e adhurimeve, me sinqeritet vetëm për Të dhe duke synuar vetëm kënaqësinë e Tij. Ky është qëllimi pse jeni krijuar: “Nuk i krijova xhindët dhe njerëzit për gjë tjetër, veçse për të më adhuruar Mua.” [Dharijat 56]. - “Ai përkujdeset për gjithçka” - Çdo gjë është në administrimin dhe përkujdesjen e Allahut të Madhëruar. Ai krijon dhe përkujdeset për krijesat dhe Ai rregullon çdo çështje të tyre. Dihet mirë se diçka e lënë në përkujdesin e dikujt është në varësi të kujdestarit të saj. Por përkujdesja e Allahut nuk është si ajo e robit. Përkujdesja e robit është e varur nga ai që e ka vendosur në atë detyrë dhe udhëzimet e kushtet e tij. Ndërsa përkujdesja e Allahut, Krijuesit të gjithçkaje, është e pakufizuar dhe e pacenuar. Ajo është e ndërtuar mbi diturinë e plotë, mbi mëshirën dhe bamirësinë e pakufishme dhe mbi drejtësinë absolute. Askush nuk mund të kritikojë e kontestojë përkujdesjen e Allahut. Në krijimin dhe administrimin e çështjeve nga Allahu nuk mund të gjesh asnjë defekt, mangësi apo kotësi. Prej përkujdesjes së Allahut të Madhërishëm është edhe qartësimi i plotë i fesë së Tij, duke e ruajtur atë nga devijimi e ndryshimet. Gjithashtu, Ai ka marrë përsipër që t’i ruajë dhe mbrojë besimtarët nga çdo gjë që ua largon ose ua dëmton imanin dhe fenë e tyre. - Asnjë shikim nuk mund ta përfshijë Atë. Por është Ai që i përfshin të gjitha shikimet. - Kjo ndodh për shkak të madhështisë, lartësisë dhe plotësisë së Allahut të Madhëruar. Atë nuk mund të përfshijnë vështrimet e krijesave, edhe pse mund të vështrojnë fytyrën e Tij dhe të lumturohen me të (në Xhenet). Fakti që krijesat nuk mund ta përfshijnë Allahun me vështrimin e tyre nuk mohon mundësinë e shikimit të Tij nga ana e tyre, madje nëse e kuptojmë mirë, e pohon atë. Nëse mohohet gjithëpërfshirja e vështrimit, kjo tregon se ekziston mundësia e vështrimit të pjesshëm. Nëse do të mohohej mundësia për ta parë Atë, do të thuhej: “La terâhul ebŝâr” - “nuk e shohin shikimet” dhe jo: “ La tudrikuhul ebŝâr” - “nuk e përfshijnë shikimet”. Kështu, ky ajet nuk mbështet mendimin e gabuar të mohuesve të cilësive të Zotit ( el muat-tile), të cilët nuk e pranojnë faktin se besimtarët do ta shohin Zotin e tyre në ahiret. Madje, sikurse thamë, ky ajet dëshmon të kundërtën e mendimit të tyre. Dituria e Allahut përfshin të shfaqurën dhe të fshehurën, dëgjimi i Tij përfshin zërat e shfaqur dhe ato të fshehur, shikimi i Tij përfshin çdo gjë, e madhe apo e vogël qoftë, siç thotë Ai më pas: - Ai është Mëshirëmadh (i Butë) dhe Di hollësisht gjithçka. - Dituria e Allahut është shumë e thellë dhe e detajuar. Ai di imtësisht çdo të fshehtë, të padukshme, të mbuluar dhe të pashfaqur. Ndërsa nga butësia e Tij, Allahu e udhëzon dhe drejton robin që të arrijë e të realizojë çdo mirësi dhe dobi në drejtim të fesë dhe besimit. Ai i rregullon çështjet e fesë dhe të besimit të robit me rrugë e mënyra që robi nuk i ndjen e kupton aspak, e aq më pak të përpiqet për t’i planifikuar e realizuar ato. Kështu, Allahu i Mëshirshëm dhe i Butë e udhëzon

dhe drejton robin drejt lumturisë së përjetshme, drejt suksesit final (felâĥ), pa e ndier dhe hetuar robi fare një gjë të tillë. Madje, në funksion të këtij qëllimi të mrekullueshëm, i Madhëruari përcakton vështirësi ose gjëra të dhimbshme dhe të urryera për robin, që ai ta lusë dhe t’i përgjërohet Allahut që t’ia largojë ato. Allahu i përcakton këto gjëra, sepse e di shumë mirë se kjo është më e mirë për robin dhe se përsosmëria e tij arrihet veçse në këtë mënyrë. Subĥânallâh! I Lartësuar dhe i Pastër nga çdo e metë është Allahu, që është i Gjithëditur, i Butë, I Gjithmëshirshëm, dhe Mëshirëplotë për besimtarët. - “Tashmë ju kanë ardhur prova të qarta nga Zoti i juaj. - Juve ju erdhën shumë ajete që sqarojnë të vërtetën, aq sa e bëjnë atë të shndritshme dhe të dukshme si dielli për sytë. Ajetet e Kur’ânit janë sjellë me elokuencën më të lartë, me shprehjet më të qarta e të kuptueshme, që shpalosin të vërtetën dhe urtësitë më të mëdha. Arsyeja është se ato janë Shpallje e Zotit të gjithësisë. Ai është Zoti i gjithësisë, që përkujdeset për gjithë botën, duke u dhuruar pandërprerë prej mirësive e begative të Tij. Mirësitë e Tij mbi krijesat janë të dukshme dhe të fshehura, të jashtme dhe të brendshme. Ndër mirësitë më të mëdha janë qartësimi i ajeteve, ligjeve, si edhe zgjidhja e problemeve të ndryshme. - Kush i sheh, ai e ka për veten e vet ...” - Ai që i trajton ajetet dhe shenjat e Allahut me nderimin që u takon, duke i kuptuar drejt ato dhe duke punuar sipas tyre me sinqeritet vetëm për të kënaqur Allahun, ai i ka bërë nder dhe mirësi veçse vetvetes. Allahu është Ganijun Hamid , i Pasuri dhe Jonevojtari për krijesat dhe i Lavdëruar vetvetiu, pa pasur nevojë që krijesat ta lavdërojnë e madhërojnë. - “...e kush mbyll sytë, ai i bën dëm vetes.” - Ai që i sheh ajetet dhe shenjat e Allahut, por i injoron ato, duke bërë sikur nuk i ka parë, ai që i sheh ajetet dhe shenjat e Allahut dhe nuk ndriçohet nga drita e tyre, ai që këshillohet dhe nuk e pranon këshillën, ai që i qartësohet e vërteta dhe nuk nënshtrohet që të punojë e jetojë sipas saj, ai dëmton veç veten nga verbëria që tregon. - Unë nuk jam mbikqyrësi juaj. - O i Dërguar, thuaju atyre: “Unë nuk jam mbikëqyrësi apo regjistruesi i veprave tuaja! Kjo nuk është detyra ime. Unë jam veçse një transmetues i qartë e besnik, që ka detyrë të qartësojë të vërtetën në mënyrën më të bukur dhe më të kuptueshme. Unë e kreva misionin që m’u ngarkua, duke e përcjellë qartë mesazhin e ngarkuar nga Zoti im. Kjo është detyra ime, ndërsa veprat tuaja dhe llogaria për to nuk janë përgjegjësi e imja.

← Enam 6:104