← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

6. Enam · Ajeti 12 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:11–6:18

Në këto ajete sillen argumente të forta për njësinë e Zotit për fuqinë e Tij të pakufishme, me të cilën ndëshkon disa në këtë jetë, dhe, derisa është mëshirues, ai shumicës i jep afat të mendojë e vështrojë dhe të gjejë të vërtetën, përndryshe Atij nuk mund t'i ikën askush, sepse në ditën e gjykimit do t'i tubojë të gjithë.

Idhujtarët i thanë Muhammedit të shkojë dhe të adhurojë idhujt, e ata së bashku me të do të adhurojnë Zotin e vërtetë, Muhammedi refuzoi propozimin e tyre, duke u tërhequr vëmendjen në madhërinë e Zotit, e në anën tjetër në paaftësinë e zotave të trilluar si për këtë jetë, si për ditën e gjykimit, kur askush s'ka gjë në dorë pos Allahut dhe u tregoi se, askush mos qoftë besimtarë unë, tha, jamë i pari.

Idhujtarët i thanë Muhammedit se përveç nesh, që nuk po të besojmë se je i dërguar, këtë nuk po ta vërtetojnë as jehuditë e as të krishterët, e kush do të vërtetojë për ty? Atëherë zbriti ajeti, u thuhet se Zoti i madhëruar dëshmon për të, s'ka dëshmi më e madhe.

Me këtë ajet vërtetohet gjithashtu se Muhammedi a. s. u është dërguar jo vetëm arabëve dhe gjeneratës që e panë dhe e dëgjuan, por u është dërguar të gjithë njerëzve, të gjitha gjeneratave që do t'i arrijë Kur'ani deri në kijamet.

Ata e njihnin Muhammedin se nuk ishte gënjeshtar, por nga inati shpifnin edhe kundër Zotit, duke thënë se Kur'ani që ishte fjalë e Zotit,është mit i të parëve. Ata do të pendohen në ditën e gjykimit, do të mohojnë turpësinë e tyre, do të përligjin të vërtetën, do të dëshirojnë të kthehen edhe njëherë në dynja që të besojnë dhe të bëjnë punë të mira, por atëherë është vonë, atëherë janë në buzë të xhehenemit, duke u hudhur në të.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:12–6:16

- Thuaj: “Kujt i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë?” Thuaj: “Vetëm Allahut.”. Ai ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën. - Allahu i Lartësuar na njofton se Ai është Sunduesi, Pronari, Mbretëruesi i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithçkaje mes tyre. Ai ia ka bërë detyrë mëshirën Vetes së Tij të dëlirë. Në dy Sahih-ët është hadithi që vjen përmes El Ameshit nga Ebu Hurejra, i cili tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 1096. “Kur Allahu i Lartësuar krijoi krijesat, shkroi në një libër tek Ai sipër Arshit: Mëshira Ime e tejkalon zemërimin Tim.” - Ai, patjetër do t’ju tubojë Ditën e Gjykimit, për të cilën nuk ka dyshim. - Allahu i Lartësuar betohet në Veten e Tij të dëlirë, se ka për t’i tubuar robërit e Tij Ditën e Kijametit, e cila është dita për të cilën besimtarët nuk dyshojnë aspak. Ndërsa ata të cilët refuzojnë të besojnë, ata janë vazhdimisht në dyshim dhe të pasigurt për këtë ditë. Në Xhamiu-n e Tirmidhiut vjen hadithi: 1097. “Çdo profeti i është dhënë ĥaudi i tij, dhe unë shpresoj që të jem profeti me më shumë ndjekës dhe vizitorë në ĥaudin e tij.” - Ata që e kanë humbur vetveten, kurrë nuk kanë për besuar. - Ata nuk kanë për të besuar për vërtetësinë e Ditës së Kijametit. Ata nuk e pranojnë si të vërtetë Ditën e Premtuar dhe nuk i druhen tmerrit të asaj dite. - Vetëm e Tij është gjithçka që pushon, natën e ditën. - Çdo gjë në gjithësi është krijesë dhe rob i Tij. Gjithçka është e nënshtruar dhe nën pushtetin, administrimin dhe sundimin e Tij. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. - Ai dëgjon dhe di gjithçka. - Allahu është dëgjuesi i të gjitha fjalëve të robërve të Tij. Ai është edhe i Gjithëdituri. Ai di gjithçka për lëvizjet e tyre, madje edhe për ato që mbahen të fshehta dhe ata nuk i shfaqin. Më pas, Allahu i Lartësuar i drejtohet robit dhe adhuruesit të Tij të dashur, profetit Muhamed ﷺ , të cilin Ai e dërgoi me teuhidin madhështor dhe me Sheriatin e drejtë dhe të mrekullueshëm. Ai u urdhërua që t’i ftonte njerëzit në rrugën e Allahut, e cila është e vetmja rrugë e drejtë. Allahu i Lavdëruar i drejtohet atij dhe i thotë: - Thuaj: “A të pranoj mbrojtës tjetër veç Allahut, Krijuesit të qiejve dhe të Tokës ... - Kjo i ngjan fjalës së Allahut kur thotë: “Thuaj: “O ju të paditur! Mos vallë po më

ftoni të adhuroj dikë tjetër veç Allahut?”” [Zumer 64]. Kurrë nuk kam për të bërë mik të dashur dhe kujdestar, të cilit t'ia besoj çështjet e mia, përveçse Allahut, i Cili është i vetëm dhe i pashoq. Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, është Shpikësi i tyre pa asnjë shembull të mëparshëm. - i Cili ushqen të tjerët dhe Vetë nuk ushqehet?” - Allahu i Madhëruar nuk ha dhe nuk ka nevojë që të hajë. Ai kujdeset për furnizimin e të gjitha krijesave dhe nuk ka nevojë për asgjë prej tyre. Sikurse thotë i lavdëruari: “Unë nuk i krijova xhindët dhe njerëzit për gjë tjetër, por veç që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as kërkoj që të më ushqejnë. Allahu, Ai është Furnizuesi i madh e Fuqiploti.” [El dharijat 56 - 58]. - Thuaj: “Jo. Unë jam i urdhëruar të jem i pari që i dorëzohet (dhe i bindet) Allahut. Pra mos u bëni kurrsesi nga idhujtarët!” - Unë jam i pari i këtij umeti që jam urdhëruar t’i dorëzohem Allahut tërësisht me adhurim dhe që të jetoj sipas ligjit të Tij. - Thuaj: “Vërtet, unë i frikësohem Dënimit të Ditës së Madhe, nëse nuk i bindem Zotit tim.” - Këtu flitet për Ditën e Kijametit. Ai i cili ruhet nga ndëshkimi i Allahut atë ditë, ai është i shpëtuari dhe atë Allahu e ka mëshiruar. - Atë që shpëtohet nga dënimi i asaj Dite, vërtet Allahu e ka mëshiruar. Ky është shpëtimi i vërtetë. - El feuzu quhet arritja e çdo gjëje që ke dëshiruar dhe shpëtimi nga çdo humbje, ndaj së cilës je ruajtur. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen. Pastaj, shpërblimet tuaja do t’ju jepen të plota veçse Ditën e Kijametit. Kush i shpëton Zjarrit e futet në Xhenet, ai vërtet (fâze feuzen) ka fituar. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër, veçse një përjetim mashtrues.” [Al Imran 185].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:12

- "Thuaj: “Kujt i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë?” Thuaj: “Vetëm Allahut.”. - Profeti udhëzohet që t’u drejtohet idhujtarëve, duke i bërë të pohojnë njëshmërinë e Allahut, dhe t’u thotë: “Kujt i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë? Kush është Krijuesi, Zotëruesi dhe Sunduesi i tyre? Kush i rregullon çështjet dhe kujdeset për krijesat? Ai është Allahu.” Ata e pranojnë një fakt të tillë. Atëherë, ashtu sikurse e pranojnë faktin që Allahu është Krijuesi dhe Mbretëruesi i qiejve dhe i Tokës, ashtu le ta pranojnë edhe faktin që vetëm Ai meriton adhurimin dhe sinqeritetin në përkushtim. - “Ai ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën.” - Të gjitha botët janë krijesa të Allahut dhe është Ai që i sundon dhe përkujdeset për to. Ai e ka shtrirë mëshirën dhe bamirësinë e Tij mbi ta. Allahu ka përfshirë gjithçka me mëshirën dhe bujarinë e Tij. Ai ia ka bërë detyrë Vetes së Vet që mëshira e Tij të tejkalojë zemërimin e Tij. Dhurimi i mirësive është më i dashur për Të sesa ndalimi i të mirave. Allahu i Madhëruar ua ka hapur portat e mëshirës të gjitha krijesave, por janë vetë ata që ia mbyllin vetes këto porta me gjynahet e tyre. Ai i fton të gjithë në mëshirën e Tij, por janë ata që privojnë vetveten dhe nuk mund ta kërkojnë mëshirën me gjynahet, mangësitë dhe fajet e tyre. - “Ai, patjetër do t’ju tubojë Ditën e Gjykimit, për të cilën nuk ka dyshim.” -

Allahu i Madhëruar betohet, edhe pse Ai është më i vërteti në fjalët e Tij. Ai betohet për vërtetësinë e Ditës së Gjykimit, edhe pse ka sjellë shumë argumente të pakundërshtueshme për vërtetësinë e saj. E, megjithatë, të padrejtët nuk dinë të japin tjetër përgjigje, veç mohimit me kryeneçësi të së vërtetës. Ata e mohojnë padrejtësisht fuqinë e Allahut për ringjalljen e krijesave dhe kështu zhyten në gjynahet e tyre. Ata marrin guximin të mohojnë Zotin, duke shkatërruar dhe humbur dynjanë dhe ahiretin e tyre. Prandaj i Madhëruari thotë: - “Ata që e kanë humbur vetveten, kurrë nuk kanë për të besuar.

← Enam 6:12