6. Enam · Ajeti 123 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:122–6:131
vdekuri i përmendur në këtë ajet, është ai që ishte i humbur në besim, e i gjallë me dritë në dorë që shkon kah të dojë është ai që besoi. Kur'ani e konsideron të verbër në shpirt atë që ka mbetur në errësirë të paditurisë, në errësirë të mohimit. E atë që pranoi mësimet e Kur'anit, e konsideron të shpëtuar prej verbërisë shpirtërore, të ngjallur prej asaj errësire të vdekjes dhe të ndriçuar në dritën e besimit.
Paria e çdo vendi është gjithnjë më afër përbuzjes së të mirave të Zotit ngase i mashtron pozita dhe pasuria. Ashtu i bënë dredhi Muhammedit edhe paria mekase si Ebu Xhehli etj. për nimetin që ia dha Zoti. Nga inati nuk deshën ta pranojnë si pejgamber, mirëpo Allahu e di më së miri se ku dhe cilit duhet dhënë gradën pejgamber. Zoti i shpëton mirënjohësit, duke e dhuruar besimin e drejtë, e i dënon përbuzësit, duke i lënë në mosbesim.
Allahu i tubon në ditën e kijametit njerëzit dhe xhinët shejtanët. Xhinët shtangen dhe nuk mund të flasin, e njerëzit gabimtarë përpiqen të kërkojnë falje, por është vonë.
Zullumqarin që nuk ndalet prej punëve të këqia, Zoti e dënon në këtë dynja, duke i dhënë pushtet mbi të, një zullumqari tjetër.
Drejtësia e Zotit është aq e lartë sa që asnjë popull a njeri nuk e dënon pa ia komunikuar rrugën e drejtë dhe tërhequr vërejtjen për të shtrembërën, ashtu që në ditën e kijametit të mos kenë arsye të justifikohen. Prej xhinve nuk pat të dërguar.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:123–6:124
- Kështu, në çdo qytet Ne kemi bërë që krerët e kriminelëve të ngrenë kurthe (kundër të vërtetës). - Kështu ka ndodhur në çdo kohë e me të gjithë profetët e tjerë të Zotit. Mohuesit dhe paria idhujtare e Mekës, që ftonin njerëzit në mosbesim dhe
idhujtari, pikërisht ata të kundërvihen ty, o Muhamed, të luftojnë e shprehin armiqësinë e urrejtjen ndaj teje. Por është rregull i pandryshueshëm i Zotit se, gjithmonë, përfundimi i mirë dhe triumfi u takon profetëve e palës së Tij. Medito me kujdes në fjalën e Allahut “(emernâ) Ne kemi bërë ...” Kuptimi: Ne i urdhërojmë ata për t’iu bindur urdhëresave e shpalljeve, kurse ata kundërshtojnë e refuzojnë të binden, prandaj meritojnë ndëshkimin e shkatërrimin. I Lartësuari thotë një ajet tjetër: “Ja kështu, Ne lejuam që, çdo profet të ketë një armik prej keqbërësve. Por majfton që Zoti yt të jetë Udhërrëfyesi dhe Ndihmëtari yt.” [El furkan 31], dhe thotë: “Kur duam ta shkatërrojmë ndonjë vend (popull), i urdhërojmë pasanikët e atij vendi (për të pasuar rrugën e drejtë) ; por ata kundërshtojnë; atëherë, dënimi kundër tyre bëhet i merituar dhe Ne i shkatërrojmë ata krejtësisht.” [Isra 16]. Ndërsa Ibn Ebu Hatimi sjell shpjegimin e Ibn Abasit: “(emernâ) Ne kemi bërë ...”, domethënë, ua kemi bërë të mundur (në kader) më të këqijve të atij vendi që të kenë pushtetin e sundimin dhe, kur ata kalojnë kufijtë dhe nuk i binden Zotit, Ai i shkatërron me ndëshkim.” Kjo i ngjan fjalës së Allahut të madhëruar kur thotë: “Sa herë që Ne kemi dërguar Profet në ndonjë vend, pasanikët e tij thoshin: “Ne nuk i besojmë asaj me të cilën jeni dërguar.”. Ata thoshin: “Ne kemi më shumë pasuri e fëmijë (se sa ju) dhe kurrë nuk kemi për t'u ndëshkuar.”.” [Sebe’ 34, 35], ose: “Ne nuk kemi dërguar para teje profet në ndonjë vendbanim, që paria e shfrenuar e tij të mos i ketë thënë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fé, prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje”. Ai (Profeti) u thoshte: “Vallë, edhe pse ju kam sjellë një udhëzim më të mirë nga ai që ju keni gjetur tek të parët tuaj?” Ata thoshin: “Ne e mohojmë atë gjë, për të cilën ju jeni dërguar.”. Atëherë, Ne i goditëm me ndëshkime. Shih tani se si qe përfundimi i mohuesve! ” [Zuhruf 23]. Mendo pak në fjalën e Allahu të Lartësuar kur thotë: “... të ngrenë kurthe (kundër të vërtetës).” Kurthet që janë pasur për qëllim këtu janë pikërisht ftesa e njerëzve në rrugët e idhujtarisë, mohimit të Zotit si dhe nxitja drejt shfrenimit dhe humbjes, përmes fjalëve e veprave të zbukuruara e mashtruese, sikurse na njofton Allahu i lartësuar reth popullit të Nuhut: “ Nuhu tha: “O Zoti im! Ata nuk m’u bindën mua, por shkuan pas atyre, të cilëve pasuria dhe fëmijët e tyre u shtuan veçse dëshpërim, dhe të cilët u kurdisën kurthe shumë të mëdha. Ata u thanë: “Kurrë mos i braktisni zotat tuaj! Mos e braktisni Ueddën, as Suvânë, as Jeguthën, Jeûkën dhe Nesrën!”. Ata zhytën në humbje shumë pasues të tyre. Prandaj, të padrejtëve Ti shtoju veçse humbje!” ” Nuh 21 - 24], dhe thotë: “ ... Eh sikur veç t’i shihje keqbërësit kur të ndalen para Zotit të tyre dhe t'i kthejnë fjalën (fajsuese) njëritjerit! Ata që patën qenë të dobët (e të përbuzur) do t'u thonë kryeneçëve: “Sikur të mos ishit ju, ne do të kishim qenë me siguri besimtarë!” Dhe kryeneçët do t'u thonë atyre që patën qenë të dobët (e të përbuzur): “Pse, ne ju penguam nga udhëzimi i drejtë pasi ju pati ardhur? Jo, por ju ishit keqbërës (dhe rrefuzuat të besoni) .” Ata që patën qenë të dobët (e të përbuzur) do t'u thonë kryeneçëve: “Jo, qe dredhia juaj natë e ditë. Ja, ju na urdhëronit të mohonim (besimin e drejtë në) Allahun dhe t’i bënim shokë Atij. ...” [Sebe’ 31 - 33]. 19 - Por, me kurthet e tyre, ata godasin veç vetveten, por nuk e ndiejnë. - Frytet e intrigave të tyre kundra të vërtetës dhe për devijimin e njerëzve nga rruga e Zotit, përsëri do të godasin e rëndojnë mbi vetë ata së pari, sikurse thotë i Madhëruari: “Ata kanë për t’i bartur të plota gjynahet e veta në Ditën e Gjykimit e do të bartin edhe një pjesë të gjynaheve të atyre që i devijuan (nga e Vërteta) pa kurrfarë diturie. Sa e keqe është ajo që do të bartin!” [Nahl 25]. - Kur u vjen ndonjë shenjë (nga Allahu), ata thonë: “Nuk kemi për të besuar, derisa neve të na jepet diçka e ngjashme me atë që u është dhënë të dërguarve të
Allahut.” - Kur u vjen argument i prerë e fakte të pakundërshtueshme, ata thotë: “Nuk kemi për të besuar, derisa neve të na jepet diçka e ngjashme me atë që u është dhënë të dërguarve të Allahut.” Kështu, ata kërkojnë që t’u jepet shpallje, ashtu si iu dha të dërguarve, siç shpjegon Allahu i Madhëruar kur tregon për ta në një ajet tjetër: “Ata që nuk shpresojnë takimin me Ne, thanë: “Përse të mos na dërgohen melekë (si profetë në vend të njerëzve) , ose përse të mos e shohim Zotin tonë?” Vërtet, ata e tejçmuan shumë lart veten e tyre dhe e tejkaluan me arrogancën e tyre të madhe.” [Furkan 21]. - Por Allahu e di më së miri se kujt ia dhuron Shpalljen e Vet. - Ai e vendos Shpalljen e Tij ku të dëshirojë dhe ia dhuron kujt të dëshirojë prej robërve të Tij, që Ai i ka bërë të meritueshëm e të përshtatshëm për një mision të tillë. I Madhëruari thotë: “Pastaj (mohuesit kurejshë) thanë: “Përse të mos i zbriste ky Kur 'an një njeriu të madh (me famë) në këto dy qytete (Mekë dhe Taif)?!” Mos vallë janë ata që përcaktojnë mëshirën e Zotit tënd?!...” [Zuhruf 31, 32]. Kështu, ata kërkonin e pyesnin përse të mos i shpallej Kur 'ani ndonjë njeriu të rëndësishëm dhe të madh në sytë e tyre, qoftë ai nga prijësit e Mekës ose Taifit. Me këtë, ata tregonin se për mendimin e tyre, Muhamedi ishte i parëndësishëm dhe jo i përshtatshëm për Shpalljen. Sikurse na tregon Zoti në një ajet tjetër: “E kur të shohin ty ata që nuk besojnë, të marrin me tallje. “Ky është (thonë ata) ai që përgojon zotat tuaj?” Dhe ata blasfemojnë kur përmendet i Gjithmëshirëshmi (Rrahmani).” [Enbija 36], ose: “ E kur të shohin ty, të marin vetëm për tallje: “A ky është ai që Allahu e dërgoi si profet?” ” [ Furkan 41 ]. Sigurisht, këtë e bënin të nxitur nga smira, mendjemadhësia, armiqësia kundër tij dhe urrejtja, sepse në veten e tyre ishin të bindur për fisnikërinë, prejardhjen e nderuar, mirësinë e besnikërinë e tij. Ai ishte rritur në më të mirën shtëpi të kurejshëve, madje përpara Shpalljes, ata e thërrisnin Emin, domethënë, Besniku ose i Sinqerti. Madje, në atë kohë, edhe një nga krerët e idhujtarëve dhe mohuesve, Ebu Sufjani, kur u pyet nga mbreti i romakëve, Herakli, rreth prejardhjes së Muhamedit tha: “Ai është me prejardhje të mirë mes nesh.” - “A e keni akuzuar ndonjëherë për mashtrim e gënjeshtër, para se të thoshte atë që thotë (pra, që është profet)?” - “Jo”, - tha Ebu Sufjani." Imam Ahmedi sjell hadithin nga Uathile Ibn Eska, se Profeti i Allahut ka thënë: 1140. “Allahu Krenar dhe i Lartësuar zgjodhi nga bijtë e Kenanes, kurejshët. Nga kurejshët zgjodhi bijtë e Hashimit, ndërsa mua më zgjodhi nga bijtë e Hashimit.”. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ebu el Husejni, i cili tregon: “Një burrë po vështronte Ibn Abasin, kur po hynte në portën e xhamisë. Atij i pëlqeu pamja fisnike e tij dhe tha: “Kush është ky?” - “Ky është Ibn Abasi, djali i xhaxhait të Profetit të Allahut.” Atëherë ai tha: “Allahu e di më së miri se kujt ia dhuron Shpalljen e Vet.” - Keqbërësit do t’i godasë poshtërimi para Allahut - Ky është një paralajmërim dhe kërcënim i ashpër për të gjithë ata që nuk pasojnë profetët e Allahut dhe nuk nënshtrohen ta adhurojnë e të jetojnë sipas shpalljeve të Tij. Në Ditën e Kijametit, ata do të vuajnë poshtërimin para Allahut dhe nënçmimin e përjetshëm. Ky është një shpërblim i merituar, sipas llojit të veprave. Duke qenë se në këtë jetë tregojnë mendjemadhësi dhe e refuzojnë me forcë të vërtetën, atëherë në Ditën e Kijametit do të ndëshkohen me poshtërim e nënçmim të përjetshëm. I Lartësuari thotë: “Zoti juaj ka thënë: “M’u lutni Mua, që Unë t’ju përgjigjem! Por ata që, nga mendjemadhë - sia, i shmangen adhurimit Tim, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”.” [Gafir 60]. Kështu, ata do të jenë përjetësisht të poshtëruar, të dënuar e të braktisur në Xhehenem. - dhe dënimi i fortë, për të gjitha kurthet e tyre. - Duke qenë se kurthet, intrigat dhe armiqësia e tyre bëheshin fshehtas, me hile e mashtrime, ata merituan ndëshkimin e
fortë në Ditën e Kijametit, si shpagim për padrejtësitë e tyre. I Madhëruari thotë: “S’ka dyshim se Ai është i Plotfuqishëm për ta rikthyer atë në jetë, Ditën kur të zbulohen të fshehtat, kur ai nuk do të ketë as forcë e as ndihmëtarë.” [Tarik 8 - 10]. Atë ditë do të dalin në shesh të fshehtat dhe do të zbulohet çdo gjë e mbajtur brenda zemrave. Në dy Sahih-ët vjen hadithi se Profeti i Allahut ka thënë: 1141. “Në Ditën e Kijametit, çdo tradhtari do t’i lidhet një flamur dhe do të thuhet: ‘Kjo është tradhtia e filanit, të birit të filanit.” Urtësia e këtij dënimi qëndron në faktin që, duke qenë se në dynja intrigat e tradhtitë bëheshin fshehtazi nga njerëzit, në Ditën e Kijametit ato do të shfaqen haptazi, si poshtërim përpara njerëzve për vepruesin e tyre. 20
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:122–6:124
- Vallë, a është njëlloj ai që ishte i vdekur, por që Ne e ngjallëm e i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve me atë që ka mbetur në thellësitë e
errësirave nga të cilat nuk mund të dalë asnjëherë? - Allahu i Lartësuar e përshkruan njeriun para dhe pas udhëzimit të tij, duke na dhënë një shembull të mrekullueshëm, dhe pastaj na drejton një pyetje, për t’u menduar thellë rreth saj. Kështu, para se Allahu i Lartësuar t’i japë udhëzimin, njeriu është një i vdekur, që endet mes errësirave të kufrit, injorancës dhe poshtërsive, larg bindjes ndaj Allahut të Lartësuar dhe udhës që e çon drejt lumturisë në të dyja jetët. Nga ana tjetër, për të treguar ndikimin e mahnitshëm që udhëzimi sjell tek njeriu, Allahu i Lartësuar e quan këtë proces si një ringjallje duke thënë: ‘ fe aĥjejnâhu’ - e ngjallëm i dhamë jetë, duke e ndriçuar me dritën e diturisë, urtësisë, imanit dhe bindjes ndaj Tij. Atij që është i vdekur, duke u endur në errësira e larg rrugës së drejtë, Allahu i Lartësuar i jep jetë duke e udhëzuar me dritën e imanit. Pas kësaj, ky rob i ndriçuar e i udhëzuar ecën mes njerëzve duke qenë i qartë në të gjitha çështjet e tij, i vetëdijshëm dhe i sigurt për udhën ku ecën. Ai e njeh mirësinë dhe i jep përparësi asaj, duke u përpjekur sinqerisht dhe maksimalisht për ta arritur atë në veten e tij, por edhe për të ndihmuar të tjerët që të pajisen me të. Ai, përmes diturisë së saktë fetare, i njeh mirë shtigjet dhe kurthet e së keqes, prandaj dhe e urren atë. Ai përpiqet seriozisht dhe pa pushim, duke mos qenë asnjëherë i pavëmendshëm, që t’i largohet asaj, por edhe të ndihmojë të tjerët për të shpëtuar prej saj. Ky është shembulli i udhëzimit të Allahut. Pyetja që shtrohet është: A është ky fatlum njëlloj me atë që është i zhytur në shumë errësira: në errësirat e injorancës, gjynaheve, kalimit të kufijve dhe poshtërsive ndaj Zotit, i cili, ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “nuk ka për të dalë kurrë prej tyre”? Pa dyshim, ata nuk mund të krahasohen. Ky i fundit nuk arrin të dallojë rrugën, nuk di ku të hedhë hapat, prandaj e ka përfshirë ankthi, frika dhe dëshpërimi. Ata nuk mund të barazohen, ashtu si nuk mund të barazohet nata me ditën, errësira me dritën, vdekja me jetën. Nëpërmjet këtij ajeti, Allahu i Lartësuar i nxit njerëzit të mendojnë dhe të thonë: “Si ka mundësi që një njeri me sadopak logjikë të jetë në një gjendje të tillë të mjerueshme dhe përsëri të vazhdojë të parapëlqejë që të endet i çoroditur mes errësirave?!” I Madhëruari përgjigjet dhe thotë: - Kështu, mohuesve u duken të këndshme veprimet e tyre. - Është Shejtani i mallkuar që ua zbukuron veprimet në mënyrë të vazhdueshme, derisa ata fillojnë t’i pëlqejnë dhe t’i shohin si veprime të drejta dhe të logjikshme. Duke vazhduar për një kohë të gjatë të zhytur në gënjeshtra, atëherë kjo rrugë u kthehet në besim dhe bindje në zemër, aq sa u bëhet natyrë e tyre. Kështu, ata kënaqen dhe rehatohen me gjendjen e tyre të shëmtuar dhe të keqe. Sidoqoftë, jo të gjithë ata që koten në errësira janë të një niveli. Disa prej tyre janë udhëheqës në ligësi dhe në humbje, të cilëve u dëgjohet fjala dhe u zbatohen porositë nga pasuesit e tyre. Por ka të tjerë që janë thjesht pasues të rëndomtë e të bindur ndaj krerëve të tyre. Sigurisht, të parët janë në nivel më të frikshëm të dëshpërimit dhe ndëshkimit. Duke treguar dhe përshkruar krimin e madh të këtyre krerëve, Allahu i Lartësuar thotë: - Kështu, në çdo qytet Ne kemi bërë që krerët e kriminelëve të ngrenë kurthe (kundër të vërtetës) . Por, me kurthet e tyre, ata godasin veç vetveten, por nuk e ndiejnë. - Krimet dhe poshtërsitë e këtyre krerëve janë shumë të mëdha. Intrigat e tyre janë shumë tinzare. Ata përdorin çdo rrugë për të mashtruar njerëzit dhe për t’i ftuar në rrugën e Shejtanit. Ata i kanë luftuar pandërprerë dhe pa mëshirë profetët dhe pasuesit e tyre, me fjalë dhe me vepra. Por kurthet dhe intrigat e tyre godasin po ata vetë. Është e vërtetë që ata ngrenë kurthe kundër të vërtetës dhe ithtarëve të saj, por edhe Allahu i Lartësuar ngre kurthe për ta. Pa dyshim, Allahu është më i miri që shkatërron kurthet e armiqve të fesë së Tij, duke i ndëshkuar në mënyrë të drejtë për
zullumin e tyre. Allahu i Lartësuar i ndihmon dhe i dallon mbi të tjerët udhëheqësit e të vërtetës, të cilët, të ndriçuar me dritën e Zotit, u dalin në ballë këtyre kriminelëve me argumente dhe fakte të pakthyeshme, por edhe duke luftuar në rrugën e Zotit dhe duke shpenzuar gjithçka që zotërojnë për hir të Tij. Këta të zgjedhur ndjekin çdo rrugë të mundshme dhe bëjnë çdo përpjekje për arritjen e këtij qëllimi madhështor, të cilit ia kanë dorëzuar veten e tyre. Është vetë Allahu i Lartësuar Ai që i drejton në mençurinë dhe urtësinë e tyre, është Ai që forcon zemrat dhe këmbët e tyre. Edhe pse ditët e triumfit Allahu i Lartësuar i bën të vërtiten mes tyre, përfundimi është i sigurt: fitorja do të jetë për të devotshmit. Atyre do t’ju takojë përfundimi i mirë. Po çfarë i bën këta kriminelë të mëdhenj, krerë të ligësisë, që të jenë këmbëngulës në refuzimin e të vërtetës të sjellë nga profetët? Është pikërisht smira, urrejtja dhe armiqësia që kanë. Allahu i Lartësuar na tregon fjalët e tyre: - Kur u vjen ndonjë shenjë (nga Allahu), ata thonë: “Nuk kemi për të besuar, derisa neve të na jepet diçka e ngjashme me atë që u është dhënë të dërguarve të Allahut.” - Nuk kemi për të besuar, derisa të na jepet ajo që u është dhënë profetëve të Allahut, pra, profetësia dhe Shpallja. Me këto fjalë, ata tregojnë kundërshtimin e tyre ndaj Allahut të Lartësuar, vetëpëlqimin e tyre dhe arrogancën ndaj të vërtetës, të cilën Allahu e shpalli nëpërmjet profetëve të Tij. Ata duan ta kufizojnë mirësinë dhe bujarinë e Allahut të Lartësuar. Por Allahu i Lartësuar ua kthen mbrapsht këtë kundërshtim dhe pretendim të kotë. Ai na tregon se ata nuk e meritojnë të mirën dhe mes tyre nuk mund të gjesh ndonjë që ta meritojë të jetë rob i mirë i Allahut dhe, aq më pak, profet i Zotit. I Lartësuari thotë: - Por Allahu e di më së miri se kujt ia dhuron Shpalljen e Vet. - Allahu i Lartësuar e di më mirë se cilët e meritojnë të jenë profetët e Tij. Ata janë njerëzit me cilësitë më të larta dhe të ruajturit nga çdo ves i ulët. Është Allahu i Lartësuar Ai që, me urtësinë e Tij, i pajisi me cilësitë dhe forcën e nevojshme për të mbajtur peshën e Shpalljes. Ndërsa për ata që nuk kanë të tilla cilësi, mjafton kaq si tregues se ata nuk mund të jenë profetë. Allahu i Lartësuar nuk do t’ua jepte kurrë këtë mirësi njerëzve me mangësi, por veçse atyre që i krijoi dhe i përgatiti Vetë për të qenë të tillë. Në këtë ajet tregohet për urtësinë absolute të Allahut të Lartësuar. Po, është e vërtetë që bujaria, mirësia dhe mëshira e Allahut është e gjërë dhe gjithëpërfshirëse, por Ai është i Urtë dhe i Gjithëditur, prandaj e vendos mirësinë dhe mëshirën e Tij të plotë veçse atje ku duhet. Në vijim, Allahu i Lartësuar kërcënon keqbërësit, duke thënë: - Keqbërësit do t’i godasë poshtërimi para Allahut dhe dënimi i fortë, për të gjitha kurthet e tyre. - Për ta është përgatitur një poshtërim i madh. Duke qenë se ata tregohen kryeneçë dhe arrogantë ndaj të vërtetës së Zotit, Ai i “shpërblen” me një dënim të ashpër, poshtërues dhe nënçmues.
Kështu, ata e meritojnë plotësisht këtë ndëshkim. Allahu i Lartësuar nuk i bën padrejtësi askujt.