← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

6. Enam · Ajeti 13 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:11–6:18

Në këto ajete sillen argumente të forta për njësinë e Zotit për fuqinë e Tij të pakufishme, me të cilën ndëshkon disa në këtë jetë, dhe, derisa është mëshirues, ai shumicës i jep afat të mendojë e vështrojë dhe të gjejë të vërtetën, përndryshe Atij nuk mund t'i ikën askush, sepse në ditën e gjykimit do t'i tubojë të gjithë.

Idhujtarët i thanë Muhammedit të shkojë dhe të adhurojë idhujt, e ata së bashku me të do të adhurojnë Zotin e vërtetë, Muhammedi refuzoi propozimin e tyre, duke u tërhequr vëmendjen në madhërinë e Zotit, e në anën tjetër në paaftësinë e zotave të trilluar si për këtë jetë, si për ditën e gjykimit, kur askush s'ka gjë në dorë pos Allahut dhe u tregoi se, askush mos qoftë besimtarë unë, tha, jamë i pari.

Idhujtarët i thanë Muhammedit se përveç nesh, që nuk po të besojmë se je i dërguar, këtë nuk po ta vërtetojnë as jehuditë e as të krishterët, e kush do të vërtetojë për ty? Atëherë zbriti ajeti, u thuhet se Zoti i madhëruar dëshmon për të, s'ka dëshmi më e madhe.

Me këtë ajet vërtetohet gjithashtu se Muhammedi a. s. u është dërguar jo vetëm arabëve dhe gjeneratës që e panë dhe e dëgjuan, por u është dërguar të gjithë njerëzve, të gjitha gjeneratave që do t'i arrijë Kur'ani deri në kijamet.

Ata e njihnin Muhammedin se nuk ishte gënjeshtar, por nga inati shpifnin edhe kundër Zotit, duke thënë se Kur'ani që ishte fjalë e Zotit,është mit i të parëve. Ata do të pendohen në ditën e gjykimit, do të mohojnë turpësinë e tyre, do të përligjin të vërtetën, do të dëshirojnë të kthehen edhe njëherë në dynja që të besojnë dhe të bëjnë punë të mira, por atëherë është vonë, atëherë janë në buzë të xhehenemit, duke u hudhur në të.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:12–6:16

- Thuaj: “Kujt i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë?” Thuaj: “Vetëm Allahut.”. Ai ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën. - Allahu i Lartësuar na njofton se Ai është Sunduesi, Pronari, Mbretëruesi i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithçkaje mes tyre. Ai ia ka bërë detyrë mëshirën Vetes së Tij të dëlirë. Në dy Sahih-ët është hadithi që vjen përmes El Ameshit nga Ebu Hurejra, i cili tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 1096. “Kur Allahu i Lartësuar krijoi krijesat, shkroi në një libër tek Ai sipër Arshit: Mëshira Ime e tejkalon zemërimin Tim.” - Ai, patjetër do t’ju tubojë Ditën e Gjykimit, për të cilën nuk ka dyshim. - Allahu i Lartësuar betohet në Veten e Tij të dëlirë, se ka për t’i tubuar robërit e Tij Ditën e Kijametit, e cila është dita për të cilën besimtarët nuk dyshojnë aspak. Ndërsa ata të cilët refuzojnë të besojnë, ata janë vazhdimisht në dyshim dhe të pasigurt për këtë ditë. Në Xhamiu-n e Tirmidhiut vjen hadithi: 1097. “Çdo profeti i është dhënë ĥaudi i tij, dhe unë shpresoj që të jem profeti me më shumë ndjekës dhe vizitorë në ĥaudin e tij.” - Ata që e kanë humbur vetveten, kurrë nuk kanë për besuar. - Ata nuk kanë për të besuar për vërtetësinë e Ditës së Kijametit. Ata nuk e pranojnë si të vërtetë Ditën e Premtuar dhe nuk i druhen tmerrit të asaj dite. - Vetëm e Tij është gjithçka që pushon, natën e ditën. - Çdo gjë në gjithësi është krijesë dhe rob i Tij. Gjithçka është e nënshtruar dhe nën pushtetin, administrimin dhe sundimin e Tij. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. - Ai dëgjon dhe di gjithçka. - Allahu është dëgjuesi i të gjitha fjalëve të robërve të Tij. Ai është edhe i Gjithëdituri. Ai di gjithçka për lëvizjet e tyre, madje edhe për ato që mbahen të fshehta dhe ata nuk i shfaqin. Më pas, Allahu i Lartësuar i drejtohet robit dhe adhuruesit të Tij të dashur, profetit Muhamed ﷺ , të cilin Ai e dërgoi me teuhidin madhështor dhe me Sheriatin e drejtë dhe të mrekullueshëm. Ai u urdhërua që t’i ftonte njerëzit në rrugën e Allahut, e cila është e vetmja rrugë e drejtë. Allahu i Lavdëruar i drejtohet atij dhe i thotë: - Thuaj: “A të pranoj mbrojtës tjetër veç Allahut, Krijuesit të qiejve dhe të Tokës ... - Kjo i ngjan fjalës së Allahut kur thotë: “Thuaj: “O ju të paditur! Mos vallë po më

ftoni të adhuroj dikë tjetër veç Allahut?”” [Zumer 64]. Kurrë nuk kam për të bërë mik të dashur dhe kujdestar, të cilit t'ia besoj çështjet e mia, përveçse Allahut, i Cili është i vetëm dhe i pashoq. Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, është Shpikësi i tyre pa asnjë shembull të mëparshëm. - i Cili ushqen të tjerët dhe Vetë nuk ushqehet?” - Allahu i Madhëruar nuk ha dhe nuk ka nevojë që të hajë. Ai kujdeset për furnizimin e të gjitha krijesave dhe nuk ka nevojë për asgjë prej tyre. Sikurse thotë i lavdëruari: “Unë nuk i krijova xhindët dhe njerëzit për gjë tjetër, por veç që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as kërkoj që të më ushqejnë. Allahu, Ai është Furnizuesi i madh e Fuqiploti.” [El dharijat 56 - 58]. - Thuaj: “Jo. Unë jam i urdhëruar të jem i pari që i dorëzohet (dhe i bindet) Allahut. Pra mos u bëni kurrsesi nga idhujtarët!” - Unë jam i pari i këtij umeti që jam urdhëruar t’i dorëzohem Allahut tërësisht me adhurim dhe që të jetoj sipas ligjit të Tij. - Thuaj: “Vërtet, unë i frikësohem Dënimit të Ditës së Madhe, nëse nuk i bindem Zotit tim.” - Këtu flitet për Ditën e Kijametit. Ai i cili ruhet nga ndëshkimi i Allahut atë ditë, ai është i shpëtuari dhe atë Allahu e ka mëshiruar. - Atë që shpëtohet nga dënimi i asaj Dite, vërtet Allahu e ka mëshiruar. Ky është shpëtimi i vërtetë. - El feuzu quhet arritja e çdo gjëje që ke dëshiruar dhe shpëtimi nga çdo humbje, ndaj së cilës je ruajtur. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen. Pastaj, shpërblimet tuaja do t’ju jepen të plota veçse Ditën e Kijametit. Kush i shpëton Zjarrit e futet në Xhenet, ai vërtet (fâze feuzen) ka fituar. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër, veçse një përjetim mashtrues.” [Al Imran 185].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:13–6:20

Mësoje se kjo sure e mrekullueshme flet për teuhidin, duke e argumentuar atë me fakte logjike e fetare. Ajo është si kundërpërgjigje ndaj idhujtarëve, që adhurojnë zota të tjerë dhe mohojnë profetët e Allahut. Në këto ajete përmenden fakte të mjaftueshme të udhëzimit të drejtë dhe të njëshmërisë së Zotit në çdo aspekt, si dhe hidhet poshtë idhujtaria. Allahu i Lartësuar thotë: - “Vetëm e Tij është gjithçka që pushon, natën e ditën. - Pronë dhe krijim i Allahut janë të gjitha krijesat: melekët, njerëzit, xhindët, kafshët, sendet. Të gjitha janë krijesa të nënshtruara, të urdhëruara dhe të përulura ndaj Zotit të tyre të Madhërishëm e të Plotpushtetshëm. Ai është Mbretërues dhe Sundues i gjithçkaje. Atëherë, pyetja që çdokush duhet t’i drejtojë vetes është: A është e mundur që të meritojë adhurimin ndonjë i krijuar, që nuk mund të ofrojë asnjë dobi apo të largojë ndonjë dëm? A mund të lihet mënjanë dhe të shpërfillet adhurimi dhe sinqeriteti ndaj Krijuesit, Kujdestarit, Sunduesit, Mbretëruesit, Atij që ka në dorën e Tij dobinë dhe dëmin?! A nuk urdhëron mendja e shëndoshë dhe natyra e pastër për adhurimin e një Zoti të vetëm, për sinqeritet ndaj Tij, dashuri për Të, drojë ndaj Tij, madhërim të Tij dhe shpresë për shpërblimin e Tij?! - “Ai Dëgjon dhe Di gjithçka. ” - Allahu i dëgjon të gjitha zërat, me larminë e gjuhëve dhe të lutjeve që drejtojnë. Allahu është gjithashtu El Alim - i Gjithëditur rreth asaj që ishte, rreth asaj që është dhe rreth asaj që do të jetë. Ai është i Gjithëditur edhe rreth asaj që nuk ka ekzistuar, në mënyrë të tillë që, nëse do të ekzistonte, si do të ishte? Ai sheh dhe di me imtësi ato që shfaqen haptazi dhe ato që mbahen të fshehta.

- Thuaj: “A të pranoj mbrojtës tjetër veç Allahut, Krijuesit të qiejve dhe të Tokës, i Cili ushqen të tjerët dhe Vetë nuk ushqehet?” - Kuptimi: Thuaju idhujtarëve, që adhurojnë zota të tjerë veç Allahut: Vallë, veç Allahut, të adhuroj unë si zota të tjerë këto krijesa të dobëta dhe të pafuqishme, duke kërkuar prej tyre që të përkujdesen për mua dhe të më ndihmojnë?! Jo, veç Allahut, kurrë nuk kam për të zgjedhur ndonjë mik të dashur, që të përkujdeset për mua dhe unë t’ia lë çështjet e mia në dorën e tij. Allahu është Shpikësi dhe Krijuesi i qiejve dhe i Tokës dhe Ai përkujdeset për to. Allahu ushqen dhe nuk ushqehet. Ai është Furnizuesi i të gjitha krijesave dhe nuk ka nevojë për asnjë prej tyre. Atëherë, si mund të ketë logjikë përzgjedhja e një zoti tjetër për ta adhuruar, në vend të Allahut, i Cili është Krijuesi, Furnizuesi, i Pasuri dhe i Lavdëruari?! - “Thuaj: “Jo. Unë jam i urdhëruar të jem i pari që i dorëzohet (dhe i bindet) Allahut. Pra mos u bëni kurrsesi nga idhujtarët!” - Kuptimi: Unë jam i pari që do t’i dorëzohet tërësisht dhe vetëm Allahut të Madhërishëm, duke e njësuar në çdo drejtim dhe duke iu nënshtruar me bindje e madhërim, sepse unë duhet më parë se çdokush tjetër që ta zbatoj këtë urdhër të drejtë të Zotit tim. Unë jam ndaluar që të bëhem si idhujtarët. Unë duhet të jem ndryshe nga ata në besimin rreth Zotit dhe praktikimin e fesë. Unë as nuk do të rri apo të pleksem me ta, qoftë edhe sa për t’u treguar atyre se unë nuk jam si ata. Dorëzimi vetëm ndaj Allahut të madhëruar dhe distancimi nga idhujtarët përbën detyrën më të rëndësishme që më është ngarkuar. Pa dyshim, poshtërsia ndaj Zotit duke adhuruar dikë tjetër veç Tij, e bën të detyrueshme përjetësinë në zjarrin e Xhehenemit dhe zemërimin e të Plotpushtetshmit. - Thuaj: “Vërtet, unë i frikësohem Dënimit të Ditës së Madhe, nëse nuk i bindem Zotit tim.” Atë që shpëtohet nga Dënimi i asaj Dite, vërtet Allahu e ka mëshiruar. Ky është shpëtimi i vërtetë. - Kjo është dita, prej ndëshkimit të së cilës duhet pasur frikë dhe t’i ruhesh. Ai që do të shpëtojë nga ndëshkimi i kësaj dite është i shpëtuari i vërtetë. Ndërsa ai që nuk shpëton atë ditë, ai do të jetë i dëshpëruari dhe i shkatërruari. Ndër argumentet treguese të njëshmërisë së Allahut është edhe fakti se Ai është i vetmi që ka në dorë largimin e fatkeqësive dhe sjelljen e të mirave. I Lartësuari thotë: - “Nëse Allahu të godet me ndonjë të keqe, askush veç Tij nuk mund ta largojë, e nëse Ai të dhuron ndonjë të mirë, pa dyshim që Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka." - Nëse Allahu e lejon të të prekë ndonjë e keqe, si: varfëri, sëmundje, ngushti, trishtim, dëshpërim, frikë etj., askush nuk mund ta largojë atë, veç Atij. Dhe anasjelltas, nëse Allahu të dhuron ndonjë të mirë, askush nuk mund të të privojë prej saj. Atëherë, duke qenë se Ai është i vetmi që ka në dorë të mirën dhe të keqen, Ai është i vetmi që meriton të

besohet si Një i vetëm dhe të adhurohet me meritë. - “Ai është Sunduesi sipër robve të Tij.” - Askush nuk mund të veprojë, nuk mund të lëvizë e nuk mund të qëndrojë në prehje ndryshe, por veçse me dëshirën dhe lejen e Allahut. Mbretërit dhe gjithçka poshtë tyre nuk mund të dalin jashtë sundimit të Allahut. Të gjithë janë të nënshtruar, të përulur dhe të varur prej të Madhërishmit. Duke qenë se Allahu është Sunduesi dhe Mbretëruesi i gjithçkaje dhe të gjithë janë të nënshtruar e të sunduar prej Tij, atëherë vetëm Ai e meriton adhurimin. - “Ai është i Urti, i Gjithëdituri.” - Allahu është El Hakim - i Urti në gjithçka që ka urdhëruar dhe në gjithçka që ka ndaluar. Ai është i Urti për shpërblimet dhe ndëshkimet që jep, për gjithçka që ka krijuar, që ka përcaktuar të ndodhë dhe që ka lejuar të jetë. Allahu është gjithashtu El Habir - i Gjithëdituri, Gjithëvështruesi dhe vëzhgues i të fshehtave brenda në kraharorë dhe i çështjeve më sekrete. Të gjitha këto janë fakte për njëshmërinë e Zotit në çdo aspekt. - “Thuaj: “Kush është Ai që e ka dëshminë më të fortë?” - Thuaju atyre: Pas qartësimit të gjithë këtyre argumenteve dhe pas qartësimit të udhës së drejtë ku duhet të ecni, a ka ndonjë që mund të sjellë fakte dhe dëshmi më të forta se Allahu i Madhëruar? A ka ndonjë dëshmitar më të vërtetë dhe më të besueshëm se Allahu, për të vërtetuar këtë themel të fesë: njëshmërinë e Tij në meritën e adhurimit?! - Thuaj: “Allahu është dëshmues mes meje dhe jush. " - Thuaju: Allahu është Ai që ka dëshminë më të fuqishme. Ai është dëshmitari mes meje dhe jush. Nuk ka dëshmitar më të madh dhe më të drejtë se Allahu. Ai dëshmon për besnikërinë time dhe urtësinë e Shpalljes së sjellë prej meje. Kjo dëshmi shprehet nëpërmjet miratimit të Allahut, si edhe në ndihmën konkrete për mua dhe rrugën time. Ai i miraton ato që unë ju kam thënë e porositur. 1 Po kështu thotë i Madhëruari në një ajet tjetër kuranor: “Unë betohem në atë që e shihni. Edhe në atë që nuk e shihni. Se, me të vërtetë ai (Kur'ani) është Fjalë që e kumton i Dërguari i ndershëm. Ai nuk është fjalë e ndonjë poeti; por ju nuk besoni. Nuk është as fjalë e ndonjë falltari; por ju nuk kujtoni. Ai është shpallje prej Zotit të botëve. Sikur ai të trillonte për Ne ndonjë fjalë, Ne do ta kapnim atë me fuqinë Tonë, E pastaj do t’ia këputnim arterien e zemrës. E askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij. Ai (Kur'ani) është këshillë për të devotshmit. S’ka dyshim se Ne dimë që ndër ju ka edhe mohues. Ai (Kur'ani) pa dyshim do të jetë dëshpërim për jobesimtarët. Ai (Kur'ani) është e vërteta e sigurt! Prandaj, ti lartësoje nga të metat Zotin tënd të Madhëruar! ” [Haka 38 -52.] Allahu i Madhërishëm është Hakim - i Urtë dhe Kadir - i Plotpushtetshëm. Nuk është e mundur që, me urtësinë dhe pushtetin e Tij absolut, Allahu të lejojë që dikush të gënjejë në emër të Tij, duke pretenduar se Allahu e ka dërguar si profet, ndërkohë që kjo nuk është e vërtetë ; duke thënë se Allahu e ka urdhëruar që t’i ftojë krijesat në fenë e Tij, kur një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Si mund ta lejonte Allahu atë të luftonte kundër atyre që e kundërshtonin dhe t’ia bënte hallall pasuritë dhe robërit e tyre?! Dhe pas gjithë këtyre ndodhive, si mund ta miratonte atë Allahu me veprat e Tij, madje ta mbështeste me mrekulli të mëdha dhe fakte të pamohueshme?! Jo vetëm kaq, por Allahu i Madhëruar i ka poshtëruar dhe ndëshkuar ata që e kundërshtonin dhe e pengonin të Dërguarin e Tij. Atëherë, a ka dëshmi më të madhe sesa kjo?! - “Mua më është shpallur ky Kur'an, që me të t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet. - Kuptimi: Allahu i Madhëruar ma shpalli këtë Kur 'an për dobinë dhe të mirën tuaj, që unë t’ju këshilloj dhe t’ju tregoj udhëzimin e drejtë, i cili ju shpëton nga ndëshkimi i dhembshëm. Qortimi bëhet me inkurajim dhe kërcënim, duke bërë të qarta ato vepra e fjalë, të shfaqura a të fshehta qofshin, të cilat, kush i zbaton, mund të thuhet se ka

përfituar prej qortimit. Kur’ani ishte këshillë për ata të cilëve iu drejtua drejtpërdrejt dhe për këdo tek i cili ai mbërrin, deri në Ditën e Kijametit. Në Kur'an ndodhet çdo lloj udhëzimi i nevojshëm për rrugën e drejtë. Pasi deklaroi se dëshmia e Tij është më e madhja dëshmi për njëshmërinë e Tij, Allahu i Madhëruar thotë: - Vallë, ju po dëshmoni se veç Allahut, ka edhe zota të tjerë?!” Thuaj: “Jo. Unë nuk dëshmoj.”! - Thuaju atyre që mohojnë profetët dhe shpalljet e Allahut: “Vallë, ju po dëshmoni se, veç Allahut, ka edhe zota të tjerë?!” Por edhe sikur ata të dëshmojnë, ti mos dëshmo! Gjykoji vetë këto dy dëshmi: njëra për vërtetësinë e njëshmërisë së Zotit dhe tjetra për mohimin e saj. Nga njëra anë qëndron dëshmia e më fjalëdrejtit, dëshmia e Allahut të Madhëruar, bashkë me dëshminë e më të sinqertit të krijesave të Allahut, dëshmia e Muhamedit ﷺ , e mbështetur gjithashtu me argumente të prera dhe fakte të pakundërshtueshme, që nuk lënë dyshim rreth njëshmërisë së Allahut në meritën e adhurimit si Një, i Vetëm dhe i Pashoq. Ndërsa nga ana tjetër është dëshmia e idhujtarëve, mendja e të cilëve është e prirur drejt dyshimeve dhe paqartësive, ndërsa morali i tyre është i prishur. Aq të mjerë janë, saqë çdo njeri i logjikshëm do të qeshte me logjikën e tyre të dobët dhe të ulët. Mund të thuhet me bindje se, me dëshminë e tyre, ata bien ndesh edhe me natyrshmërinë e pastër. Argumentet që ata paraqesin për të vërtetuar hyjninë e idhujve të tyre janë kontradiktore, të dobëta dhe të papranueshme. Zgjidh, atëherë, për veten tënde njërën prej dy dëshmive për të besuar, nëse vërtet ke logjikë! Ne do zgjedhim dëshminë e Allahut të Madhëruar, që ia dhuroi Profetit të Tij dhe na urdhëroi ta pranojmë. I Madhëruari thotë: - “Ai është vetëm Një Zot, (që meriton adhurimin)” - Allahu është i Vetëm, i Pashoq, i Pashembullt e Unik në meritën e adhurimit. Askush tjetër, veç Tij, nuk meriton dhe nuk duhet adhuruar. Allahu është i vetëm në këtë aspekt, ashtu sikurse është i vetëm në statusin e Tij si Krijues dhe Kujdestar i çështjeve të krijesave. - “...dhe unë distancohem nga gjithçka që ju adhuroni (përveç Tij)” – Kuptimi: Unë distancohem nga çdo idhull dhe i adhuruar tjetër, që ju i përkushtoheni. Ky është thelbi i njësimit të Zotit: pohimi se vetëm Ai meriton të adhurohet dhe mohimi i adhurimit të çdo gjëje tjetër veç Tij. Pasi tregoi për dëshminë e Tij dhe të Profetit mbi vërtetësinë dhe detyrimin e njësimit të Tij në adhurim; pasi foli, gjithashtu, edhe për dëshminë e idhujtarëve, të cilët nuk kanë dituri dhe fakte për të kundërtën, Allahu i Madhëruar përshkruan gjendjen e ithtarëve të Librit, jehudë e të krishterë bashkë. Ai thotë: - “Ata të cilëve Ne u dhamë Librin, e njohin atë (Muhammedin) siç njohin bijtë e tyre. - Domethënë, ata e njohin vërtetësinë e teuhidit ashtu sikurse njohin djemtë e tyre. Ashtu sikundër nuk kanë dyshime në njohjen e anëtarëve të familjes së tyre, në mënyrë të veçantë të djemve, që gjithmonë i kanë pranë, ashtu janë të sigurt edhe për faktin se i vetmi që meriton adhurimin është Zoti një dhe i pashoq. Ka shumë mundësi që këtu të flitet për sigurinë e tyre rreth vërtetësisë së Muhamedit ﷺ si Profet i Zotit dhe të Shpalljes që ai solli. Ata kanë siguri të plotë për këtë fakt, ashtu sikurse kanë siguri për njohjen e fëmijëve të tyre. Gjithsesi, të dyja kuptimet përmbajnë njëra-tjetrën dhe janë të pranueshme. - "Këta janë ata të cilët kanë shkatërruar vetveten, prandaj nuk besojnë.” - Ata e kanë privuar veten nga qëllimi për të cilin janë krijuar, pra, për njësimin e Allahut me adhurim, nënshtrim e madhërim dhe, në këtë mënyrë, u privuan nga shpërblimi dhe bujaria e Mbretit të Madhërishëm dhe Bamirës. Ata nuk besojnë, prandaj kur kjo është cilësia e tyre, atëherë mos pyet se sa e madhe është humbja, dëshpërimi dhe ndëshkimi që do t’i kaplojë.

← Enam 6:13