6. Enam · Ajeti 139 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:138–6:145
Mushrikët, përveç të tjerash klasifikonin bagëtinë si të lejuara posaçërisht për meshkuj apo për femra, mbytnin fëmijët e tyre e veçanërisht vajzat, të cilat i varrosnin të gjalla, madje shpifën si të ndaluara disa kafshë dhe disa drithëra.
Zoti xh. sh. ju numëron, begatitë që ua ka dhuruar, si vreshtat e llojllojshme, si kafshët për hipje, për qumësht, për lesh, për mish etj., për llojet më kryesore të kafshëve siç janë: devet, lopët, delet e dhitë, të cilat, meshkuj e femra janë tetë llojesh.
Të gjitha trillimet e tyre rreth ndalimit të ngrënies së disa kafshëve, i sqaron ajeti i fundit, sipas të cilit është e ndaluar të hahen: kafsha e ngordhur, gjaku, mishi i derrit dhe kafsha që është therrur në emër të ndonjë idhulli e jo në emër të Allahut.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:139
- Ata thoshin: “Ajo që gjendet në barkun e këtyre bagëtive, u përket vetëm meshkujve tanë, kurse për gratë tona janë të ndaluara.” Por, nëse lindnin të ngordhura, ata të gjithë (burra e gra) kishin pjesë në të”. - Ibn Abasi interpreton fjalët e tyre: “Qumështi i këtyre bagëtive është haram për femrat dhe hallall për
meshkujt. Gjithashtu, nëse delja lindte një qengj mashkull, ata e thernin, dhe kjo (mishi i qengjit) lejohej vetëm për meshkujt, jo për femrat. Nëse ishte femër, atëherë nuk therej. Ndërsa nëse lindte i ngordhur, atëherë lejohej të hahej edhe nga femrat, edhe nga meshkujt. Allahu i Lartësuar i ndaloi këto kotësira.” - Ai do t’i ndëshkojë ata për këtë lloj gjykimi. - Ai do t’i ndëshkojë për mashtrimet e trillimet e tyre të pabaza. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Mos thoni me gjuhët tuaja mashtruese “Kjo është hallall e kjo është haram” e të shpifni gënjeshtra kundër Allahut! Vërtet, ata që shpifin gënjeshtra kundër Allahut, nuk kanë shpëtim! Ata do të kenë një përjetim të vogël (në këtë jetë), por do të kenë një dënim të dhembshëm.” [Nahl 116, 117]. - Ai është i Urtë e i Gjithëditur. - Allahu është Hakim - i Urtë në fjalët, në veprat, në Sheriatin dhe në kaderin e Tij. Ai është Alim - i Gjithëditur rreth veprave të robërve të Tij, të mira apo të këqija qofshin. Ai do t’i shpërblejë ata me më të plotin dhe më të drejtin shpërblim.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:136–6:139
Allahu i Madhëruar përshkruan mendje - lehtësinë e idhujtarëve, të cilët refuzojnë Shpalljen e Tij. Ai i përshkruan ashtu siç janë në të vërtetë: injorantë dhe të palogjikshëm. Ai përmend disa nga trillimet e tyre pa mend, për të treguar humbjen e tyre të thellë dhe që ne të jemi të kujdesshëm e të ruhemi prej tyre. Kundërshtimi i të vërtetës së Zotit nga këta mendjelehtë nuk e cenon aspak madhështinë e kësaj të vërtete. Në fakt, ata nuk meritojnë të konsiderohen as si kundërshtarë, përballë të vërtetës madhështore dhe të shndritshme. Ja disa nga kotësitë e besimeve të tyre: - “Nga të lashtat e nga kafshët shtëpiake që Ai ka krijuar, ata e ndanin një pjesë për Allahun dhe thoshin: “Kjo është për Allahun, ndërsa kjo është për idhujt tanë.”. - Prej mirësive që u dhuron Allahu i Lartësuar, ata veçojnë një pjesë për Allahun dhe një pjesë për idhujt e tyre. Në këtë mënyrë, ata bëjnë disa gabime: Së pari, është pretendimi i tyre i gënjeshtërt dhe i paturpshëm se janë duke i bërë pjesë Allahut të Lartësuar, a thua se Ai ka nevojë për bamirësinë e tyre. Së dyti, ata u bëjnë pjesë idhujve, ndërkohë që nuk janë ata që i furnizojnë dhe u sjellin mirësi, por është Allahu i Madhëruar Ai që përkujdeset dhe u dhuron çdo mirësi që ata zotërojnë. Së treti, ata nuk i japin rëndësi pjesës që ia kushtojnë Allahut të Lartësuar, ndërkohë që kur bëhet fjalë për blatimet ndaj idhujve, janë tejet të kujdesshëm me to. Kur një pjesë e përkushtimeve të caktuara për Zotin kalon nga pjesa e idhujve, ata nuk i japin rëndësi, por kur një pjesë e idhujve kalon nga “pjesa” e Zotit, ata menjëherë e kthejnë në vendin “e saj”. Kur Allahu i Lartësuar i begaton këta mosmirënjohës me prodhime bujqësore e bagëti, ata i ndajnë në dy pjesë: njërën pjesë për Allahun, por kjo është vepër pa vlerë, sepse Allahu i Lartësuar nuk i pranon veprat dhe përkushtimet që ndahen edhe për dikë tjetër veç Tij. Ndërsa pjesën tjetër e përcaktojnë për idhujt e tyre. Nëse nga “pjesa” e Allahut kalon diçka te pjesët e idhujve, ata nuk shqetësohen, por thonë: “Allahu është i pasur dhe s’ka nevojë për këtë”. E nëse ndodh e kundërta, ata nxitojnë ta kthejnë te pjesa e idhujve, duke thënë: “Ata janë të varfër dhe kanë nevojë, prandaj duhet t’ua kthejmë pjesën atyre”. Subĥânallâh! A ka gjykim më të poshtër dhe më të padrejtë se ky?!
- Por, ajo që ishte për idhujt, nuk duhet të shkonte për Allahun, ndërsa ajo që veçohej për Allahun, mund të shkonte për idhujt e tyre! Sa i shëmtuar ishte gjykimi i tyre!” - Ata i trajtojnë blatimet ndaj idhujve si të rëndësishme, madje më të rëndësishme sesa kushtimet ndaj Allahut. Por ka mundësi që kuptimi i ajetit të jetë ai që tregohet në një hadith të saktë, ku Profeti ﷺ ka përcjellë nga Zoti i tij që ka thënë: “Unë jam më i Pasuri dhe më Jonevojtari për përkushtimet e idhujtarëve. Atë që përfshin dikë tjetër në përkushtimet dedikuar ndaj Meje, Unë e lë atë dhe idhujtarinë e tij .” Duke parë nën dritën e këtij hadithi, kuptimi i ajetit do të ishte: Përkushtimet që ata u bëjnë idhujve të tyre shkojnë tërësisht për idhujt, ndërsa tek Allahu nuk shkon asgjë prej tyre. Edhe përkushtimet që ata, - sikurse pretendojnë, - ia bëjnë Allahut, edhe ato nuk shkojnë tek Ai, - sepse Allahu nuk e pranon idhujtarinë, - por shkojnë përsëri tek idhujt e tyre, që ata i adhurojnë veç Allahut. Allahu i Lartësuar është i Pasur dhe nuk i duhen përkushtimet e tyre të përziera me shirk. - Shumicës së idhujtarëve, idhujt ua hijeshuan vrasjen e fëmijëve të tyre, për t’i devijuar (nga e vërteta) dhe për t’ua ngatërruar besimin (e drejtë) . Po të dëshironte A llahu, ata nuk do ta bënin atë…” - Mendjelehtësi tjetër e idhujtarëve ishte edhe fakti që ata iu bindeshin shejtanëve, udhëheqësve të tyre, edhe për një krim të paimagjinueshëm: vrasjen e fëmijëve dhe varrosjen e tyre të gjallë. Fëmijët meshkuj i varrosnin të gjallë nga frika e varfërisë, ndërsa femrat i vrisnin nga turpi. Të gjitha këto ishin pasojë e kurtheve dhe mashtrimeve të shejtanëve, të cilët punojnë pa reshtur për t’i çuar njerëzit në shkatërrim. Ata ua tjetërsojnë njerëzve fenë dhe besimin, duke u zbukuruar veprat e shëmtuara. Ata vazhdojnë t’ua zbukurojnë punët e pështira njerëzve, derisa ata i shohin ato si të mira. Po të dëshironte Allahu i Lartësuar, do t’i pengonte ata nga kryerja e këtyre veprave dhe do t’i mbronte ata fëmijë nga vrasja. Por urtësia e Allahut diktoi që ata të ishin të lirë të zgjidhnin në veprimet e tyre. Ky ishte edhe një lloj ndëshkimi për ta, për t’i çuar gradualisht drejt ndëshkimit më të ashpër. Për shkak të krimeve të tyre, Allahu i Lartësuar e gjykoi si të drejtë që t’i braktiste dhe t’i linte të harroheshin, prandaj thotë: - “…prandaj lëri ata dhe trillimet e tyre!” - Lëri, shpërfilli dhe braktisi ata, me gjithë mashtrimet, mosbesimin dhe veprat e tyre të shëmtuara. Të mos të të vijë aspak keq për ta dhe dije se ata kurrë nuk mund ta dëmtojnë Allahun. Një ndër veprat e shumta që tregonin mendjelehtësinë e tyre ishte edhe ajo që bënin me gjërat që Allahu i Lartësuar ua kishte dhuruar si furnizim dhe mëshirë për ta. Ata i privonin vetes disa bagëti e bimë, me llojlloj arsyetimesh të sajuara. Ata i trajtonin si të shenjta disa lloj kafshësh dhe prodhimesh, duke u vënë edhe emra të ndryshëm: - Ata thoshin: “Këto e këto kafshë dhe këto e këto bimë janë të ndaluara, e nuk
mund të ushqehemi me to, përveçse ata të cilëve ne ua lejojmë; këto janë kafshë të ndaluara për ngarkesë; këto janë kafshë që nuk theren me emrin e Allahut’.” - “Këto bagëti dhe këto prodhime të tokës - thoshin ata - janë të paprekshme, prandaj me to duhet të ushqehen veçse kategori të caktuara njerëzish.” Disa kafshë të tjera i ndalonin të përdoreshin për bartje, dhe ato i quanin “el ĥâm”. Ndërsa me disa bagëti, ata nuk e përmendnin emrin e Allahut gjatë therjes së tyre, por përmendnin emrat e idhujve të tyre. Për të gjitha këto gjykime, ata nuk kishin asnjë bazë e argument tjetër, përveç logjikës së tyre të prishur. Gjëja më e shëmtuar e tyre ishte se këto vepra ata ia atribuonin Allahut, duke mashtruar se ishte Ai që i urdhëronte për diçka të tillë. Por, sigurisht, këto ishin shpifje dhe padrejtësi e madhe nga ana e tyre. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: - “Të gjitha këto ishin shpifje ndaj Tij, prandaj Ai do t’i ndëshkojë për shpifjet e tyre. - Allahu i Lartësuar do t’i ndëshkojë ata për këto shpifje. Pretendimi se Allahu i kishte urdhëruar për idhujtari dhe ua kishte bërë haram ato gjëra të lejuara ishte një krim i tmerrshëm, që do t’i zhysë në ndëshkim të rëndë. Një kotësi tjetër e tyre ishte se, për disa deve të caktuara, ata gjykonin që pjellat e tyre ishin haram për gratë dhe të lejuara për burrat. Ata thoshin: - Ata thoshin: "Ajo që gjendet në barkun e këtyre e këtyre bagëtive, u përket vetëm meshkujve tanë, kurse për gratë tona janë të ndaluara”. Por, nëse lindnin të ngordhura, ata të gjithë (burra e gra) kishin pjesë në të. - Konsumimi i pjellave të deveve të përcaktuara ishte hallall për meshkujt, por i ndaluar për gratë. Kështu veprohej nëse ato lindnin të gjalla. Por nëse lindnin të ngordhura, atëherë ishin të lejuara për të gjithë, për meshkujt e për femrat. - Ai do t’i ndëshkojë ata për këtë lloj gjykimi. Ai është i Urtë e i Gjithëditur. - Për këto trillime, që të lejuarat nga Allahu i bënin haram dhe haramet i bënin të lejuara, - duke kundërshtuar në këtë mënyrë ligjet e Allahut të Lartësuar, e aq më keq, duke pretenduar se ishte Allahu i Lartësuar që i kishte udhëzuar ashtu, - Ai ka për t’i ndëshkuar ashtu si e meritojnë ata që trillojnë në lidhje me Allahun dhe ligjet e Tij. Allahu është Hakim - i Urtë në çdo përcaktim të Tij. Me urtësinë e Tij, Ai i lë të lirë gjynahqarët të zgjedhin dhe të bëjnë vepra të shëmtuara. Ai është Alim - i Gjithëditur rreth tyre. Atij nuk i fshihet asgjë prej fjalëve dhe veprave të tyre. Allahu i di shumë mirë trillimet dhe shpifjet e tyre të shëmtuara, por megjithatë vazhdon t’i furnizojë dhe të kujdeset për ta. I Lartësuar qoftë Allahu, i Gjithëdituri dhe i Urti!