← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

6. Enam · Ajeti 31 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:30–6:45

Njerëzit janë të atillë që iu përgjigjen udhëzimeve të pejgamberit dhe shpalljes së Zotit dhe të atillë që nuk duan të dëgjojnë, prandaj t'i këshillosh ata, ishte si t'i këshillosh të të vdekurit. Zoti do t'i ringjallë të dy palët dhe do t'u japë shpërblimin e merituar.

Kërkonin prej Muhammedit t'u sjellë ndonjë mrekulli konkrete siç ishte Devja e Salihut, Shkopi i Musait, Tryeza e Isait etj. Ata nuk e dinin se po t'u sillej diçka e tillë e ata të mos besonin, do t'i kapte menjëherë azabi.

Allahu që krijoi çdo gjallesë në tokë e në qiell, i ndau në grupe të llojllojshme, i furnizoi dhe i përcolli secilen prej tyre, Ai është i plotfuqishëm t'i sjellë Muhammedit çfarëdo mrekullie që dëshiron, por Ai vepron sipas dijes së vet.

Veshi që nuk dëgjon të dobishmen, dhe gjuha që nuk e thotë të vërtetën, mjerisht janë të humbura dhe janë me defekte.

Çdo besim në diçka tjetër pos në Allahun është i rremë, pse në momentet e vështira çdokush i drejtohet Zotit, e jo atij që s'ka fuqi.

Ndonjë masë ndëshkuese nga Zoti kundër njerëzve në këtë jetë ka për qëllim edukimin, por zemërfortët nuk i vënë veshin masës së tillë derisa t'i përfshijë ndonjë katastrofë e përgjithshme.

Zullumqarët do të zhduken, herët a vonë, ashtu sikurse u zhdukën idhujtarët mekas. Çdo popull që bën zullum, ai ka për t'u zhdukur.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:31–6:32

- Të humbur janë vërtet ata që e mohojnë takimin me Allahun. - Allahu i Lartësuar tregon për humbjen e madhe dhe dëshpërimin e atyre që nuk e besojnë ditën e takimit me Të, ditën e ringjalljes dhe të llogarisë me drejtësi. Ai na tregon për dëshpërimin e madh që do t’i pushtojë ata kur të përballen me Orën e Kijametit, për pendimin dhe keqardhjen e thellë të tyre për çdo vepër dhe adhurim që kanë lënë pas dore dhe nuk e kanë kryer, si edhe për çdo vepër të shëmtuar të ndaluar nga Zoti, që ata e kanë kryer. - Kur Ora (e Kijametit) t’u vijë befas, ata do të thonë: “Ah, të mjerët ne, për ato që i shpërfillëm!” - Për shkak të lëshimeve të tyre në këtë jetë dhe për punët e këqija, që e zemërojnë Allahun e Lartësuar. - Dhe në shpinë do të bartin gjynahet e veta. Sa e shëmtuar është ajo barrë që do të bartin! - Ata do të jenë të ngarkuar me këto punë të këqija. Ibn Ebu Hatimi sjell shpjegimin nga Ebu Merzuku, i cili thotë: “Kur mohuesi dhe keqbërësi të dalë nga varri, do të përballet me dikë që ka pamjen më të shëmtuar dhe erën më të keqe. Atëherë, ai do ta pyesë: “Kush je ti?” Ai do t’i thotë: “A nuk më njeh mua?!” - “Jo, për Zotin! Allahu ta ka bërë shumë të shëmtuar fytyrën dhe shumë të keqe erën tënde!” Atëherë, ai do t’i thotë: “Unë jam puna jote e keqe! Ja, kështu ishe ti në dynja, punëkeq! E keqe ishte edhe era e veprave të tua. Gjatë gjithë kohës ke qëndruar mbi shpinën time në dynja. Atëherë, tani unë do të qëndroj

mbi shpinën tënde!” Kjo është pikërisht fjala e Allahut të Lartësuar kur thotë: “Dhe në shpinë do të bartin gjynahet e veta. Sa e shëmtuar është ajo barrë që do të bartin!” Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër veçse lojë e dëfrim. - Domethënë, jeta e kësaj bote është kryesisht e tillë, siç e përshkruan Allahu i Lartësuar, i Cili thotë në vijim. - Nuk ka dyshim se bota tjetër është më e mira për të devotshmit. A nuk logjikoni?

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:31

- Të humbur janë, vërtet, ata që e mohojnë takimin me Allahun. - Kanë humbur, janë dëshpëruar dhe janë privuar nga çdo mirësi ata që mohojnë takimin me Allahun. Ata vajtën në këtë përfundim, pra, në mohimin e ringjalljes dhe të takimit me Allahun, sepse patën guximin dhe paturpësinë të zhyteshin në ato gjynahe që janë shkatërruese të imanit. - “Kur Ora (e Kijametit) t’u vijë befas, ata do të thonë: “Ah, të mjerët ne, për ato që i shpërfillëm!” - Dita e Gjykimit do t’i gjejë ata në gjendjen më të shëmtuar. Atë ditë, ata do të shfaqin dëshpërimin dhe pendimin për krimet e tyre, duke thënë: “Të mjerët ne, për atë që neglizhuam!” Porse tashmë ka përfunduar koha kur mund të pendohen. Ata do të jenë të ngarkuar me peshën e gjynaheve të tyre, siç thotë i Madhëruari: - “Dhe në shpinë do të bartin gjynahet e veta. Sa e shëmtuar është ajo barrë që do të bartin!” - Pesha e rëndë e veprave dhe e mosbesimit të tyre i rëndon dhe nuk i lë të lëvizin. Ata do të jenë përjetësisht në zjarrin e Xhehenemit, duke merituar zemërimin e Krenarit të Madhërishëm.

← Enam 6:31