← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

6. Enam · Ajeti 33 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:30–6:45

Njerëzit janë të atillë që iu përgjigjen udhëzimeve të pejgamberit dhe shpalljes së Zotit dhe të atillë që nuk duan të dëgjojnë, prandaj t'i këshillosh ata, ishte si t'i këshillosh të të vdekurit. Zoti do t'i ringjallë të dy palët dhe do t'u japë shpërblimin e merituar.

Kërkonin prej Muhammedit t'u sjellë ndonjë mrekulli konkrete siç ishte Devja e Salihut, Shkopi i Musait, Tryeza e Isait etj. Ata nuk e dinin se po t'u sillej diçka e tillë e ata të mos besonin, do t'i kapte menjëherë azabi.

Allahu që krijoi çdo gjallesë në tokë e në qiell, i ndau në grupe të llojllojshme, i furnizoi dhe i përcolli secilen prej tyre, Ai është i plotfuqishëm t'i sjellë Muhammedit çfarëdo mrekullie që dëshiron, por Ai vepron sipas dijes së vet.

Veshi që nuk dëgjon të dobishmen, dhe gjuha që nuk e thotë të vërtetën, mjerisht janë të humbura dhe janë me defekte.

Çdo besim në diçka tjetër pos në Allahun është i rremë, pse në momentet e vështira çdokush i drejtohet Zotit, e jo atij që s'ka fuqi.

Ndonjë masë ndëshkuese nga Zoti kundër njerëzve në këtë jetë ka për qëllim edukimin, por zemërfortët nuk i vënë veshin masës së tillë derisa t'i përfshijë ndonjë katastrofë e përgjithshme.

Zullumqarët do të zhduken, herët a vonë, ashtu sikurse u zhdukën idhujtarët mekas. Çdo popull që bën zullum, ai ka për t'u zhdukur.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:33–6:36

Allahu i Lartësuar në këto ajete e ngushëllon Profetin e Tij të dashur për faktin që populli i tij e kundërshtoi me forcë, madje e konsideroi dhe si gënjeshtar. Ai i thotë: - Ne dimë se ty të brengos ajo që ata të thonë. - Ne e dimë shumë mirë se ata të quajtën gënjeshtar, e dimë shumë mirë trishtimin që të ka pushtuar zemrën dhe keqardhjen e madhe që ndien për ta dhe mosbesimin e tyre. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar, kur thotë: “Allahu e lë në humbje atë që dëshiron dhe e udhëzon atë që dëshiron, prandaj ti mos u dëshpëro për ta! Allahu e di mirë atë që bëjnë ata.” [Fatir 8]. Ose kur thotë: “Mos vallë do ta shkatërrosh veten (o Muhamed) pse ata nuk bëhen besimtarë?” [Shuara 3], ose: “Mos vallë do të shkatërrosh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kur’an)?” [El kehf 6]. - Ata, në të vërtetë, nuk të mohojnë ty, por ata keqbërës mohojnë me forcë argumentet e Allahut. - Ata nuk është se të akuzojnë ty për mashtrim dhe besojnë se ti je mashtrues, por ata thjesht tregojnë kokëfortësi dhe e refuzojnë me forcë të vërtetën, duke mos e pranuar në zemrat e tyre. Sufjan el Theuriu përcjell nga Aliu se Ebu Xhehli i tha njëherë Profetit ﷺ“ :Ne e dimë që nuk je gënjeshtar, por ne e quajmë gënjeshtër (e rrefuzojmë ta pranojmë) atë që ti sjell nga Zoti.” Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Ata, në të vërtetë, nuk të mohojnë ty, por ata keqbërës mohojnë me forcë argumentet e Allahut.” Ibn Xheriri transmeton përmes rrugës së Esbatit nga Sediu, i cili tregon dhe thotë: “Kur ndodhi ngjarja e Bedrit, në një moment, El Ahnesu u veçua me Ebu Xhehlin dhe i tha: “O Ebu Hakem, më fol për Muhamedin: a është i sinqertë në ato që thotë apo është mashtrues? Këtu nuk ka asnjë kurejsh, përveç meje dhe teje, që të dëgjojë bisedën tonë.” - “I mjeri ti! - tha Ebu Xhehli - Për Zotin, Muhamedi është i sinqertë në fjalë dhe nuk është mbajtur mend ndonjëherë që Muhamedi të ketë gënjyer, kurrën e kurrës! Nëse fisi i Kusajit (fisi i Profetit) merr në dorë flamurin, dhënien e ujit haxhinjve, përkujdesjen për Qaben dhe profetësinë, atëherë çfarë u mbetet fiseve të tjera kurejshe?!” Ja, për këtë flet ajeti i Allahut: “Ata, në të vërtetë, nuk të mohojnë ty, por ata keqbërës mohojnë me forcë argumentet e Allahut.” - Edhe para teje janë mohuar shumë të dërguar, por ata duruan mohimin dhe mundimet, derisa u erdhi ndihma Jonë. - Edhe ky ajet është një ngushëllim për Profetin, që ai të qetësohet dhe të gjejë prehje me shembullin e profetëve të shkuar,

që të kuptojë dhe të bëjë durim ndaj mohimit që populli i tij po i bënte Shpalljes së Zotit. Gjithashtu, ky është një urdhër nga Allahu i Lartësuar, që Profeti të jetë i durueshëm, ashtu sikurse ishin profetët më të zgjedhur të Zotit. Ky ishte edhe një premtim, që Allahu i Lartësuar i jepte Profetit të Tij, se Ai do ta ndihmonte, do t’i dhuronte fitoren, edhe pse ata e konsideronin mashtrues dhe e mundonin. Allahu u dhuroi profetëve fitoren që në këtë jetë, ashtu sikurse do t’u japë shpëtimin, mirësinë dhe lartësimin edhe në ahiret. Allahu i Lartësuar thotë: - Askush nuk mund t’i ndryshojë fjalët e Allahut. - Nuk ka ndryshues dhe tjetërsues të fjalëve të Allahut dhe vendimit të Tij, në lidhje me triumfin e besimtarëve të Tij të sinqertë në dynja dhe në ahiret, sikurse thuhet në ajetin tjetër: “Tashmë, Fjala Jonë u është dhënë më parë robërve tanë të dërguar, se ata, pa dyshim do të ndihmohen (nga Ne) dhe se Forcat Tona - ato me siguri do të jenë ngadhënjimtare.” [Safat 171 - 173]. Ose: “Allahu e ka shkruar: “Unë dhe të dërguarit e Mi patjetër do të ngadhënjejmë.” Allahu është i Fuqishëm e Ngadhënjimtar.” [Muxhadele 21]. - Tashmë, ty të kanë ardhur disa nga ngjarjet e të dërguarve. - Ty të kanë ardhur rrëfime për të dërguarit, se si ata u ndihmuan nga Allahu i Lartësuar, edhe pse popujt e tyre i konsideruan mashtrues dhe trillues. Ata janë shembulli më i mirë për t’u ndjekur. - Nëse refuzimi i tyre të është bërë brengë e madhe, kërko atëherë, nëse ke mundësi, ndonjë tunel në tokë ose shkallë në qiell, që t’u sjellësh atyre ndonjë argument. - Nëse ndien trishtim për kundërshtimin e tyre, atëherë: “... kërko, nëse ke mundësi, ndonjë tunel në tokë ose shkallë në qiell, që t’u sjellësh atyre ndonjë argument.” Ibn Abasi shpjegon: “Kërko en-nefek - e cila është një rrugë (ose tunel), - përmes së cilës mund të sjellësh ndonjë shenjë dhe mrekulli nga thellësitë e tokës. Ose vendos ndonjë shkallë në qiell, që të ngjitesh lart dhe t’u sjellësh ndonjë shenjë e argument. Pra, nëse mundesh, bëje këtë punë.” Kuptimi është: “Ti nuk mund t’u sjellësh atyre ndonjë argument më të mirë sesa ai që Allahu i Lartësuar solli për ta. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Po të kishte dashur Allahu, do t’i kishte bashkuar në rrugë të drejtë. Prandaj, mos u bëj si injorantët! - Sikurse thotë i lartësuari: “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do të besonin ata që janë në Tokë që të gjithë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit që të bëhen besimtarë? Asnjë njeri nuk mund të besojë, përveçse me lejen e Allahut. Ndërsa ligësia (e mohimit të Zotit) do të godasë ata që nuk mendojnë.” [Junus 99, 100]. Ali ibn Ebi Talhate transmeton shpjegimin e ibn Abasit për këtë ajet, i cili thotë: “Profeti i Allahut përpiqej shumë që të gjithë njerëzit të besonin dhe ta pasonin rrugën e tij dhe në udhëzimin që ai solli prej Zotit. Por Allahu i madhëruar e njoftoi se n uk ka për të të besuar askush, përveç atyre që Allahu i Lartësuar e di për imanin e tyre, ndaj i përgjedh dhe i udhëzon e shpëton nga mohimi dhe refuzimi i të vërtetës. Këtyre u vjen kjo mirësi nga Allahu i Lartësuar dhe u ka paraprirë lumturia në atë që quhet “ EdhDhikrul Euel ”, pra, libri ku Allahu i Lartësuar shkroi të gjitha gjërat, pra, Libri Mëmë.” - Vetëm ata që dëgjojnë, i përgjigjen ftesës. - Domethënë, ata që i përgjigjen ftesës, o Muhamed, janë ata që e dëgjojnë fjalën tënde me kujdes, meditojnë dhe e kuptojnë mirë atë. Ata dëgjojnë me kujdes, duke dashur të gjejnë dritën dhe udhëzimin. Allahu i Lartësuar thotë: “… Ky (Libër) është veçse një Mesazh dhe një Kur 'an i qartë. Për të paralajmëruar këdo që është i gjallë dhe që të përmbushet fjala e Tij për jobesimtarët.” [Ja Sin 70]. - Allahu do t’i ringjallë të vdekurit dhe të gjithë do të kthehen tek Ai. - Me këtë ka për qëllim mohuesit, të cilët e mbulojnë dhe e fshehin të vërtetën, sepse ata kanë zemra të vdekura. Kjo është arsyeja që ata përgjasohen me të vdekurit. Ky është një

qortim i rëndë për ta, poshtërim dhe përçmim i tyre nga Allahu i Lartësuar.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:33–6:35

- “Ne e dimë se ty të brengos ajo që ata thonë.” - Kuptimi: Allahu i Madhëruar i di shumë mirë fjalët që mohuesit thonë dhe për mohimin e tyre. Por Ai të urdhëron që të tregosh durim ndaj fyerjeve dhe mosbesimit të tyre. Mos mendo se jobesimtarët dyshojnë në besnikërinë dhe profetësinë tënde. - “Ata, në të vërtetë, nuk të mohojnë ty...” - Ata nuk e mohojnë vërtetësinë tënde si profet i Zotit, sepse ata e dinë shumë mirë sinqeritetin, pastërtinë dhe dëlirësinë tënde. Ata e njohin mirë të kaluarën tënde dhe po ata të quanin Emin (Besniku) para Shpalljes. - “...por ata keqbërës mohojnë me forcë Argumentet e Allahut.” - Ata thjesht duan që, padrejtësisht, të mohojnë Shpalljen e Zotit, që t’u dhurua ty. Por ti vazhdo me durim në përcjelljen e Shpalljes dhe kujto gjithmonë se: - Edhe para teje janë mohuar shumë të dërguar, por ata duruan mohimin dhe mundimet, derisa u erdhi ndihma Jonë. Askush nuk mund t’i ndryshojë fjalët e Allahut.” - Duro edhe ti sikurse edhe ata, që, ashtu si ata, të lartësohesh dhe të fitosh mirësi të mëdha te Zoti yt! - “Tashmë, ty të kanë ardhur disa nga ngjarjet e të dërguarve.” - Me rrëfimin e këtyre ngjarjeve, le të forcohet dhe qetësohet zemra jote, me ndihmën e Zotit dhe suksesin e premtuar prej Tij. - “Nëse refuzimi i tyre të është bërë brengë e madhe...” - Profeti ﷺ ishte shumë i përkushtuar në ftesën e njerëzve për ta adhuruar Allahun. Ai e dëshironte me

ngulm udhëzimin e tyre. Kur ata refuzonin, ai ndihej keq dhe ngushtohej në shpirt. Por Allahu i Madhëruar i kujton Profetit të Tij diçka shumë të rëndësishme për ta zbutur shqetësimin e tij. Ai i thotë: Nuk është brenda mundësive të tua, që ti të udhëzosh ata që Zoti nuk dëshiroi t’i udhëzojë: - “...kërkoje atëherë, nëse ke mundësi, ndonjë vrimë në tokë ose shkallë në qiell e t’u sjellësh atyre ndonjë argument.” - Edhe sikur ta bëjë diçka të tillë, atyre nuk do t’u vlente fare. Kjo duhet ta presë shpresën se ata kryeneçë mund të udhëzohen në rrugën e drejtë. I vetmi që ka në dorë udhëzimin e tyre është Allahu i Madhëruar, i Cili është i Gjithëditur, i Drejtë dhe i Urtë. Ai thotë: - Po të kishte dashur Allahu, do t’i kishte bashkuar në rrugë të drejtë. Prandaj, mos u bëj si injorantët!” - Urtësia e Tij vendosi që ata të mbesin në humbje, prandaj mos u bëj si injorantët, të cilët nuk e njohin realitetin e gjërave dhe nuk i trajtojnë ato ashtu si duhet.

← Enam 6:33