← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

6. Enam · Ajeti 4 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:1–6:10

E I IIDOG OO Në vend që adhurimi, madhërimi dhe lavdërimi t'i bëhet vetëm Allahut, që krijoi tërë ekzistencën me të gjitha qeniet dhe komandon me të gjitha ngjarjet e ndodhitë, Atij që është i adhuruar prej gjallesave të qiejve e të tokës, idhujtarët mekas i përshkruanin shok dhe i njihnin për zota idhujt e tyre të gëdhendur me duart e tyre dhe nuk kuptonin se do t'i shkatërrojë Allahu sikurse i shkatërroi ata para tyre, të cilët ishin edhe më të fuqishëm.

Nga kokëfortësia dhe inati, idhujtarët nuk deshën ta pranojnë Muhammedin si pejgamber, as Kur'anin si shpallje të Zotit. Kërkuan t'u vijë ndonjë melek e të vërtetojë për Muhammedin etj. Zoti e ngushëllon Muhammedin për talljet që bënin, duke i thënë se edhe me pejgamberët para teje bëheshin këso talljesh dhe se Zoti do t'u japë atyre dënimin e merituar.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:4–6:6

- Sa herë që u vjen ndonjë nga shenjat e Zotit të tyre, ata i kthejnë shpinën. - Allahu i Lartësuar na tregon për idhujtarët, të cilët, me inat, armiqësi dhe mendjemadhësi, mohojnë shpalljet dhe besimin e vërtetë. Sa herë që atyre u paraqiten mrekulli nga Zoti dhe fakte të pakundështueshme, që tregojnë për njëshmërinë e Allahut, për vërtetësinë e shpalljeve dhe besnikërinë e profetëve, ata i kthejnë shpinën, madje i shpërfillin dhe nuk u kushtojnë asnjë lloj rëndësie.

Allahu i Lartësuar thotë: - Ata e mohojnë të vërtetën kur u vjen, por shpejt do ta shohin atë që e përqeshnin. - Ky është një kërcënim dhe paralajmërim i frikshëm për mohimin e së vërtetës nga ana e tyre, i cili tregon se ai ndëshkim do t’u vijë patjetër. Ata, pa asnjë dyshim, do ta përjetojnë ndëshkimin që meritojnë, për shkak të këtij mohimi. Ata kanë për ta shijuar dhimbjen dhe dënimin e Allahut për këtë refuzim të besimit të vërtetë. Më pas, Allahu i Lartësuar i paralajmëron, i këshillon dhe u tërheq vëmendjen se edhe ata do t’i kapë ndëshkimi në dynja, ashtu sikurse u ndëshkuan brezat e mëparshëm. Ai u kujton edhe faktin se ata ishin popuj me të fortë, më të pasur, me më shumë pasardhës dhe me sundim më të gjerë në tokë: - A nuk shohin ata se sa breza para tyre i shkatërruam, atyre që Ne u mundësuam në Tokë çfarë nuk ju kemi mundësuar juve? - Allahu i Lartësuar thotë më pas: - Ne u lëshonim atyre shi të bollshëm nga qielli dhe patëm bërë që ndër ta të rridhnin lumenj, - Ne u dhamë shi nga qielli me mbushulli, madje i hapëm edhe burimet e tokës, që ata të merrnin dhe të shijonin të mirat e kësaj bote. Por të gjitha këto ishin një afrim gradualisht drejt ndëshkimit për ta, pa e hetuar dhe pa e kuptuar, prandaj thotë i Madhëruari më pas: - “... për shkak të gjynaheve të tyre, i shkatërruam dhe sollëm popuj të tjerë. - Sollëm një brez tjetër, për t’i vënë në provë në këtë jetë. Megjithatë, edhe ata vepruan njëlloj si punët e brezave të shkuar, prandaj ata u ndëshkuan ashtu si të mëparshmit. Prandaj, bëni kujdes, që të mos ndëshkoheni dhe ju si ata që ishin para jush, dhe dijeni se ju nuk jeni më të vlefshëm dhe më të rëndësishëm tek Allahu, sesa popujt e tjerë. Gjithashtu, kuptojeni se Profeti që u dërgua ndër ju është më i dashuri, më i vyeri e më i zgjedhuri tek Zoti, prandaj ju e meritoni edhe më shumë ndëshkimin, nëse e refuzoni dhe e mohoni atë. Kështu, ju do të meritoni ndëshkimin e Allahut, dhe jo butësinë dhe bamirësinë e Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:4–6:6

Allahu i Lartësuar na tregon për idhujtarët, për mohimin dhe armiqësinë e tyre të ashpër ndaj së vërtetës. Ata i kthejnë shpinën të vërtetës me këmbëngulje dhe kokëfortësi. Atyre nuk u bëjnë dobi këshillat dhe shenjat e Allahut, madje kurrë nuk kanë për t’i besuar ato, derisa të shohin dhe përjetojnë ndëshkimin e të Drejtit. I Madhëruari thotë: - “Sa herë që u vjen ndonjë nga shenjat e Zotit të tyre, ata i kthejnë shpinën. ” - Sa herë që atyre u vijnë shenja të qarta nga Zoti, që tregojnë për saktësinë dhe vërtetësinë e Shpalljes së Zotit, madje të bëjnë që të nënshtrohesh dhe të punosh sipas tyre, ata nuk i kushtojnë rëndësi, madje as denjojnë që ta dëgjojnë ftesën. Zemrat e tyre të shpërqendruara nga kjo ftesë janë përqendruar tërësisht diku tjetër. Kështu i kthejnë ata shpinën ftesës së Zotit dhe kështu i trajtojnë shenjat e Tij. - “Ata e mohojnë të vërtetën kur u vjen,...” - Përgjegjësia ndaj të vërtetës është që, së pari, të pasohet, së dyti, të falënderohet Allahu i Lartësuar për lehtësimin e arritjes së saj tek ti dhe, së treti, ajo të zbatohet e të përhapet. Por ata, në vend të kësaj, veprojnë të kundërtën, prandaj meritojnë ndëshkimin e të Drejtit, që thotë: - “...por shpejt do ta shohin atë që e përqeshnin.” - Atë që e tallnin dhe e konsideronin si gënjeshtër, do ta shohin qartë dhe do të binden që është e vërtetë.

Atë ditë do të dalë në shesh gënjeshtra dhe mosbesimi i padrejtë i jobesimtarëve. Ata tallen me ringjalljen, me Xhenetin dhe me Zjarrin, por kur të vijë Dita e Gjykimit, mohuesve do t’u thuhet: “Ky është zjarri, që ju e mohonit. Mos është kjo ndonjë magji, apo ju nuk shihni?! Digjuni në të! E duroni apo nuk e duroni, njësoj është për ju! Ky është i vetmi “shpërblim” për atë që e merituat me veprat tuaja! ” [Tur 1 4 - 16]. Gjithashtu, i Lartësuari thotë: “Ata u betuan në Allahun, me betimin e tyre më të fortë se Allahu nuk ka për ta ringjallur atë që vdes. Përkundrazi, (Ringjallja) është premtimi i Tij i prerë, por shumica e njerëzve nuk e dinë. Ai do t’i ringjallë ata për t’ua bërë të qartë të vërtetën e asaj, për të cilën ranë në kundërshti dhe për t’a ditur mirë jobesimtarët se ishin gënjeshtarë.” [Nahl 38, 39]. Më pas, Allahu i Madhëruar i porosit që të marrin mësim nga ngjarjet e popujve të shkuar, duke thënë: - “A nuk shohin ata se sa breza para tyre i shkatërruam, atyre që Ne u mundësuam në Tokë çfarë nuk ju kemi mundësuar juve?” - Janë të shumtë popujt që Allahu i Madhëruar ka shkatërruar në të shkuarën. Ai u dha afat dhe u mundësoi plot mirësi e begati, si fëmijë, pasuri, luks, pushtet e famë të madhe. Allahu i Madhëruar thotë: - “Ne u lëshonim atyre shi të bollshëm nga qielli dhe patëm bërë që ndër ta të rridhnin lumenj,...” - Nëpërmjet këtij shiu të bollshëm Allahu i Madhëruar u mundësoi atyre popujve të shkuar të kultivonin larmi bimësh e frytesh, të kënaqeshin dhe të shijonin çfarë të dëshironin. Por ata nuk e falënderuan Allahun për begatitë e dhuruara dhe as nuk u treguan mirënjohës nëpërmjet adhurimit që Ai kërkoi prej tyre. Përkundrazi, ata u harruan në shfrenim dhe në përmbushjen e dëshirave të tyre. Ata shijuan gjithë ato mirësi dhe nuk e adhuruan Allahun. Edhe kur profetët e Allahut iu përcollën argumente të qarta dhe të sigurta, ata nuk pranuan t’i besonin, por padrejtësisht i hodhën poshtë duke i konsideruar si të pavërteta. Atëherë, Allahu i Madhëruar i ndëshkoi për shkak të këtyre gjynaheve dhe pas tyre solli popuj të tjerë: - “...por për shkak të gjynaheve të tyre, i shkatërruam dhe sollëm popuj të tjerë.” - Ky është rregulli i Allahut me popujt e shkuar dhe me ata të mëvonshmit, prandaj merrni mësim prej atyre, që e mësuat si përfunduan!

← Enam 6:4