← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

6. Enam · Ajeti 74 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:63–6:83

Lati i Ibrahimit dhe populli i tij besonin në shumë zota. Në asi zotash që i kishin gdhendur nga guri, nga druri, nga meiali e trajtësuar si statuja, por edhe në trupa qiellorë si në yje, diell e hënë. Paraqitja e Ibrahimit sikurse e beson njëherë një yll e pastaj hënën dhe diellin, ka pasur për qëllim dialogun me anën e të cilit do ta bindte kundërshtarin për besimin e tij të gabuar. Për ndryshe Ibrahimi asnjëherë nuk ka pasur dyshim në Zotin e vërtetë Krijues. Të këtij mendimi janë mufessirët më eminentë si: Kurtubi, Zamahsheri, Ebisuud, Ibni Kethir, Bahrul muhit, Rrazi, Sabuni etj.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:74–6:79

Rreth emrit të babait të Ibrahimit janë dhënë mendime të ndryshme, a është Azer apo Târih? Ibn Xheriri është i mendimit se emri i tij ishte Azer, pastaj për të justif ikuar edhe mendimin tjetër, ka thënë se ka mundësi që ai të jetë thirrur me dy emra, e njëri prej tyre mund të ketë qenë llagap, siç ndodh me shumë njerëz. Ky mendim i sjellë nga Ibn Xheriri është i fortë dhe i pranueshëm si arsyetim, por Allahu e di më mirë. Në këtë ajet tregohet këshilla që Ibrahimi i drejton të atit për t’u larguar nga adhurimi i idhujve e putave. Ai e këshilloi dhe paralajmëroi të atin që të hiqte dorë nga idhujtaria, por ai e refuzoi këtë këshillë. Allahu i Madhëruar thotë: - Kujtoni kur Ibrahimi i tha babait të vet, Azerit: “Vallë, statujat po adhuron si zota?! Unë po shoh që ti dhe populli yt jeni në humbje të sigurt.” - Adhurimi i këtyre idhujve si zot, që bën ti dhe ata që

ndjekin rrugën tënde, është një padrejtësi e madhe dhe humbje e sigurt. Ata që bëjnë të tilla padrejtësi janë të humbur dhe nuk e dinë ku ecin e çfarë rruge janë duke ndjekur. Ata janë të çoroditur e të zhytur në pasiguri e padituri të thellë. I Madhëruari thotë: “(Kujto ) Kur ai i tha të atit: “O babai im! Përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh dhe nga i cili nuk ke asnjë dobi?! O babai im! Mua më është dhënë një dituri, që nuk të është dhënë ty. Prandaj më ndiq se unë të udhëzoj në rrugë të drejtë! O babai im! Mos adhuro shejtanin, sepse shejtani është kundër të Gjithëmëshirshmit! O babai im! Unë kam frikë se do të të godasë ndonjë dënim prej të Gjithëmëshirshmit e kështu do të bëhesh mik me shejtanin.” Ai (babai) tha: “Ti po urren zotat e mi, o Ibrahim? Nëse nuk ndalesh do të të vras me gurë. Tani largohu prej meje për një kohë të gjatë!” Ai (Ibrahimi) tha: “Paqja qoftë mbi ty! Unë do t'i lutem Zotit tim të të falë ty. Ai (Allahu) kujdeset gjithmonë për mua. Unë po largohem prej jush dhe prej asaj që ju adhuroni përveç Allahut dhe shpresoj se me lutjet drejtuar Zotit tim nuk do të jem i humbur.” [Merjem 42 - 48]. Kështu, Ibrahimi vazhdoi të lutej për të atin, sa ishte gjallë. Megjithatë, kur ai vdiq në shirk dhe Ibrahimi u sigurua për diçka të tillë, atëherë ai hoqi dorë nga kërkimi i faljes për të dhe u distancua prej tij, sikurse thotë Allahu i Madhëruar: “Edhe lutja e Ibrahimit për babain e vet u bë veçse për shkak të një premtimi, që ai kishte bërë më parë. Por kur iu bë e qartë se ai ishte armik i Allahut, ai u largua prej tij. Me të vërtetë, Ibrahimi ishte shumë i ndjeshëm dhe i butë.” [Teube 114]. Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Ditën e Ringjalljes Ibrahimi do të takojë babain e tij, Azerin, fytyra e të cilit do të jetë e nxirë dhe e mbuluar me pluhur. Profeti Ibrahim do t'i thotë atij: “A nuk të thashë që të mos më kundërshtoje (e të më dëgjoje mua)?” Babai do t'i përgjigjet: “Sot nuk do të të kundërshtoj (e do të të bindem).” Ibrahimi do të thotë: “O Zot! Më ke premtuar se nuk do të më turpërosh (e nuk do të më hidhërosh) në Ditën e Ringjalljes, por çfarë turpi do të jetë më i madh për mua sesa të mallkosh e të ma poshtërosh babanë?!” Atëherë Allahu i Lartësuar do t'i thotë: “Unë e kam bërë haram (të ndaluar) Xhenetin për femohuesit.” Pastaj Ibrahimit do t'i thuhet: “O Ibrahim! Çfarë ke nën këmbë?” Ai do të ulë kokën dhe do të shohë një si hienë të përgjakur, e cila do të tërhiqet për këmbësh e do të hidhet në Zjarr." Transmeton Buhariu. Në vijim, Allahu i Lartësuar tha: - Kështu i mundësuam Ibrahimit të shihte mbretëritë e qiejve e të Tokës, për t’u bërë edhe më i bindur. - Duke i mundësuar të shihte krijimin madhështor të Allahut, Ibrahimit do t’i bëhej tërësisht i qartë fakti se Allahu është një dhe i vetëm në krijimin dhe sundimin e gjithësisë, si dhe në meritën e adhurimit. Përmes këtij krijimi madhështor, ai do të shihte qartë argumentin që tregon se Allahu është i vetmi Krijues, Sundues e Mbretërues në këtë gjithësi dhe është i vetmi që meriton adhurimin e krijesave. Allahu i Lartësuar thotë: “... për t’u bërë edhe më i bindur.” Kuptimi: Ne ia mundësuam të shihte me sytë e vet këto prova madhështore, në mënyrë që ai të ishte tërësisht i sigurt në diturinë dhe në imanin e tij. Siguria dhe bindja shtohen në varësi të fakteve të vëzhguara. Allahu i lartësuar thotë: “Asnjë njeri nuk mund të besojë, përveçse me lejen e Allahut. Ndërsa ligësia (e mohimit të Zotit) do të godasë ata që nuk mendojnë. Thuaj: “Vështroni me vëmendje atë që ndodhet në qiej dhe në Tokë! Por, as argumentet dhe as qortimet nuk u bëjnë dobi atyre që nuk besojnë.” [Junus 101], dhe thotë: “A nuk shohin ata në mbretërinë e qiejve dhe të tokës dhe në gjithçka që ka krijuar Allahu? Afati i tyre mundet tashmë të jetë drejt fundit. Atëherë, cilit Mesazh pas këtij, do t’i besojnë?” [El ea’raf 185], e thotë gjithashtu: “A nuk shohin ata çfarë ka para dhe pas tyre në qiell dhe në tokë? Nëse do të dëshironim, Ne do t’ua shembnim tokën nën këmbë ose do të bënim që të

binin copa (dënimi) nga qielli mbi ta. Me të vërtetë, në këtë ka argument për çdo rob që kthehet (tek Allahu) i penduar e i bindur. ” [Sebe’ 9]. Në vijim, i Lartësuari thotë: - Kur atë e mbuloi nata, ai pa një yll dhe tha: “Ky është Zoti im.”. Por, kur ai u zhduk, tha: “Unë nuk i dua ata që humbin.”.” - Katade shpjegon: “Ai e dinte se Zoti i Vërtetë është i përjetshëm e kurrë nuk zhduket. - Kur e pa Hënën duke dalë tha: “Ky është Zoti im! Por, kur ajo perëndoi, tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon, unë do të jem prej njerëzve të humbur.” Kur e pa Diellin duke dalë, tha: “Ky është Zoti im. Ky është më i madh!” Por kur ai perëndoi, tha: “O populli im, unë distancohem nga idhujtaria juaj." - Unë i përkushtohem me adhurime vetëm Atij që i krijoi dhe shpiku qiejt e tokën, pa asnjë shembull të mëparshëm. Unë jam besimdrejtë ( hanifen), i distancuar nga idhujtaria e i përkushtuar vetëm në njësimin e Zotit. Dijetarët e tefsirit kanë dhënë opinione të ndryshme për çështjen se a ishte Ibrahimi vërtet në dyshim dhe i pasigurt gjatë kësaj polemike me popullin e vet apo ai thjesht po diskutonte me ta duke përdorur mënyrën e tyre të të arsyetuarit dhe logjikuarit? E vërteta është se Ibrahimi ishte duke folur me ta sipas logjikës së tyre, për t’ua bërë sa më të qartë gabimin dhe kotësinë e adhurimeve të tyre kushtuar idhujve e trupave qiellorë. Që në fillim të polemikave të tij me ta, ai i shpjegoi të atit kotësinë e idhujtarisë dhe gabimin e tyre të madh në këtë drejtim, pra, në adhurimin e idhujve tokësorë, që u kishin dhënë forma të melekëve të qiellit, siç pretendonin, që të ndërmjetësonin për ta tek Zoti për shtimin e rizkut, mbështetjen e fitoren kundër armiqve etj. Ndërsa në këto ajete ai u shpjegon atyre kotësinë e adhurimit të kostilacioneve, të yjeve, hënës e planeteve. Ata adhuronin 7 planetet, 6 Diellin dhe Hënën. Sigurisht që, më i zgjedhuri mes trupave qiellorë që ata adhuronin ishte Dielli, si më i shndritshmi dhe i dobishmi, dhe pastaj vinte Hëna dhe Afërdita ( Zuhra). Në fillim, Ibrahimi u shpjegoi se Afërdita nuk meriton të bëhet si zot e të adhurohet, sepse edhe ajo vetë është e urdhëruar dhe e nënshtruar të lëvizë sipas një rregulli, që është vendosur nga dikush tjetër dhe nga i cili ai nuk mund të devijojë as majtas e as djathtas. Ajo nuk e ka në dorë as veten e vet. Ajo është thjesht një trup i shndritshëm, që e ka krijuar Zoti, për urtësi të shumta e madhështore, që Ai i di. Po kështu janë edhe Dielli edhe Hëna. Kështu, Ibrahimi po kalonte nga një trup qiellor, - të cilin ata e adhuronin, - në një trup tjetër, për t’i bërë të mendonin për kotësinë e adhurimit të tyre. Pasi u vërtetua kotësia e adhurimit të këtyre trupave, që janë më të shndritshëm e të dukshëm se të tjerët, - nga ato që sheh syri i njeriut, - atëherë ai do të dëshmonte me bindje e siguri të plotë: “O populli im, unë distancohem nga idhujtaria juaj!” Pra, unë kurrë nuk kam për t’i adhuruar ata dhe t’u përulem atyre. Nëse vërtet mendoni se ata janë zota, atëherë mblidhuni së bashku me ta, të gjithë kundra meje, dhe mos më lini afat aspak. - Unë i përkushtohem vetëm Atij që krijoi qiejt e Tokën, me besim të drejtë. Unë nuk jam prej idhujtarëve.” - Unë adhuroj veçse Krijuesin dhe Shpikësin e të gjitha këtyre gjërave, i Cili kujdeset për to, administron çdo çështje të tyre dhe ka përcaktuar gjithçka që ndodh në to, me pushtetin e Tij. Në dorën e Tij është pushteti, sundimi e mbretërimi mbi gjithçka. Ai është Krijuesi, Zotëruesi e Pronari i gjithçkaje dhe i vetmi që meriton adhurimin, sikurse thuhet në Kur 'an: “Vërtet, Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj qëndroi mbi Fron. Ai e mbulon ditën me natën, që me të shpejtë e kërkon atë sërish. Edhe Dielli, Hëna dhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Vetëm Atij i takon Krijimi dhe Sundimi. I Madhëruar qoftë Allahu, Zoti i botëve!” [ El ea’raf 54]. E si mund të mendohet që Ibrahimi ka qenë në këtë bisedë i pasigurt dhe i pavendosur në

besimin e tij, kur Allahu ka thënë për të: “Ne ia dhamë Ibrahimit udhëzimin e tij më herët dhe dinim gjithçka për të . Kur ai i tha babait dhe popullit të vet: “Ç’janë këto statuja që adhuroni?”Ata i thanë: “Kështu pamë të parët tanë, që i adhuronin ato .”. Atëherë, ai u tha: “Ju dhe të parët tuaj keni qenë të humbur... .” [Enbija 51]. Gjithashtu: “Vërtet, Ibrahimi ishte shembull i së mirës, adhurues i Allahut, besimtar i drejtë (monoteist) dhe nuk ka qenë kurrë nga idhujtarët. Ai ishte mirënjohës për të mirat e Tij (e Allahut). Allahu e dalloi atë (si profet) dhe e udhëzoi në Rrugën e Drejtë. Ne e bekuam atë me shumë të mira në këtë botë dhe në Botën Tjetër ai është me më të mirët. Prandaj, Ne të shpallëm ty “Ndiqe fenë e drejtë të Ibrahimit! Ai nuk ka qenë kurrë prej idhujtarëve.” [Nahl 120 - 123]. Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Ebu Hurejra se Profeti ka thënë: 1117. “Çdo njeri lind në natyrshmëri të pastër (islame).” Ndërsa në Sahih-un e Muslimit vjen hadithi nga Ijad Ibn Hamadi, se Profeti ka thënë: 1 118. “Allahu ka thënë: “Unë i krijova robërit e Mi hunefâe (besimdrejtë e larg nga idhujtaria). ...” Nëse krijesat janë të tilla, atëherë si mund të mendohet për Ibrahimin (të dashurin e afërt të Allahut) diçka e tillë, kur vetë Allahu na njofton se e bëri atë të përkushtuar ndaj Tij dhe e përshkroi si hanifen, duke pohuar se ai nuk ka qenë kurrë idhujtar?! Ibrahimi ishte njeriu më i dëlirë dhe më afër natyrshmërisë së pastër e logjikës së drejtë, pas Profetit tonë, dhe për këtë nuk ka asnjë mëdyshje. Ndër argumentet që tregojnë se ai thjesht ishte duke polemizuar me popullin e vet për të hedhur poshtë arsyetimin e tyre, e jo se ishte në dyshim në vetetn e vet, është edhe ajeti vijues, ku Allahu i Madhëruar thotë:

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:74–6:83

- Kujtoni kur Ibrahimi i tha babait të vet, Azerit: “Vallë, statujat po adhuron si zota?! - Allahu i Madhëruar na urdhëron që të kujtojmë historinë e Ibrahimit ﷺ . Këtu përshkruhet vlera e lartë e Ibrahimit, kur ai ftonte popullin e tij në teuhid dhe e ndalonte nga shirk-u. Ibrahimi i thoshte babait të tij, Azerit: “Ti preferon të adhurosh puta e idhuj, që nuk sjellin e as zotërojnë dobi apo dëm?! Ata nuk zotërojnë gjë, për asnjë çështje.” - Unë po shoh që ti dhe populli yt jeni në humbje të sigurt.” - Ju jeni në humbje të thellë, sepse adhuroni gjëra që nuk meritojnë asnjë lloj adhurimi dhe keni braktisur adhurimin e Krijuesit tuaj, Furnizuesit, i Cili përkujdeset e rregullon të gjitha çështjet tuaja. - Kështu i mundësuam Ibrahimit të shihte mbretëritë e qiejve e të Tokës, për t’u bërë edhe më i bindur. - Kështu, duke i dhënë sukses në teuĥîd dhe në thirrjen për teuĥîd, Ne i mundësuam Ibrahimit që të shihte mbretëritë e qiejve dhe të Tokës. Ne i mundësuam të shihte me sytë e vet prova të forta, në mënyrë që ai të ishte absolutisht i sigurt në diturinë e tij. Siguria dhe bindja e plotë varet nga argumentet dhe faktet e vëzhguara. Kështu arrihet dituria e plotë dhe e sigurt në të gjitha çështjet. - Kur atë e mbuloi nata, ai pa një yll dhe tha:....” - Kur ra nata, Ibrahimi ﷺ pa një yll. Mbase këtu është fjala për ndonjë yll më të shndritshëm se të tjerët, meqë është përmendur veçmas të tjerëve. Për këtë arsye, - dhe Allahu është më i ditur - kanë thënë që ai ishte ylli El Zehra. - “Ky është Zoti im.”. - Duke folur me logjikën e kundërshtarëve, Ibrahimi ﷺ iu drejtua atyre dhe u tha: “O ju që adhuroni yjet, ejani të shikojmë dhe ta mendojmë mirë këtë çështje! Le të supozojmë se ky yll, që ju adhuroni, është vetë Zoti. Por, vallë, a e meriton ai që ta trajtosh si Zot e Krijues të gjithçkaje? A ka ndonjë provë të konsiderueshme për këtë? Le ta mendojmë mirë këtë çështje, sepse nuk i shkon një të mençuri që të konsiderojë si Zot pasionin e vet, pa patur asnjë fakt apo arsyetim. - Por, kur ai u zhduk, tha: “Unë nuk i dua ata që humbin.” - Kur ylli u zhduk, atëherë Ibrahimi ﷺ , për t’i bërë njerëzit të arsyetonin, tha: “Nuk e dua atë që ikën e zhduket nga adhuruesit e vet. I adhuruari duhet që të kujdeset pandërprerë për adhuruesit të tij, për rregullimin dhe administrimin e të gjitha çështjeve të tyre. Si mund të konsiderohet si Zot dikush a diçka që zhduket për një kohë të gjatë, kohë kur nuk i ndihet aspak përkujdesi? Të tillë nuk meritojnë aspak të adhurohen. Madje, adhurimi i tyre konsiderohet si mendjelehtësia më e madhe.” - Kur e pa Hënën duke dalë tha: “Ky është Zoti im. - Kur pa Hënën, që kishte dalë më e ndritshme se yjet, Ibrahimi ﷺ tha: “Ky është Zoti im.” - me të njëjtën strategji si herën e parë. - Por, kur ajo perëndoi, tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon, unë do të jem prej njerëzve të humbur.” – Në këtë moment, Ibrahimi ﷺ tregoi me përulje nevojën për Zotin e vërtetë. Ai tha qartë se, nëse Allahu nuk të udhëzon në rrugë të drejtë, askush tjetër nuk mund të të udhëzojë. Nëse vetë Allahu nuk të ndihmon që t’i bindesh Atij, askush tjetër nuk mund të të ndihmojë për ta arritur këtë. - Kur e pa Diellin duke dalë, tha: “Ky është Zoti im. Ky është më i madh.” – Domethënë, Dielli është më i madh se Hëna

dhe se yjet. Por pasi Dielli perëndoi, atëherë u dëshmua qartë e vërteta dhe u shemb e kota. - Por kur ai perëndoi, tha: “O populli im, unë distancohem nga idhujtaria juaj."” - Me këto argumente të qarta, të dukshme dhe shumë të kuptueshme, unë distancohem nga idhujtaria dhe ju ftoj të pranoni besimin e drejtë. Çdokush që e shqyrton këtë çështje me seriozitet do të largohej nga e kota, do të distancohej nga çdo adhurim i padrejtë dhe do të përkushtohej në adhurimin e Allahut, të Vetmit që e meriton adhurimin: - Unë i përkushtohem vetëm Atij që krijoi qiejt e Tokën, me besim të drejtë. ” - Unë i jam dorëzuar vetëm Allahut, duke u distancuar nga çdo lloj adhurimi tjetër. Ky është kuptimi i fjalës “ĥanîfâ” - me besim të drejtë. - “Unë nuk jam prej idhujtarëve.” – Kështu, Ibrahimi ﷺ u distancua nga idhujtaria. Ai u përqendrua në teuĥîd, duke i paraqitur popullit të tij plot fakte për këtë. Ky është shpjegimi i saktë i këtyre ajeteve. Ato ishin fjalët e Ibrahimit drejtuar popullit të tij, për t’i bërë ata të logjikonin. Kuptimi i tyre ishte: “Le të themi sikur ky është Zot, por kjo nuk mund të pranohet, për këtë dhe për atë arsye.” Atëherë, kjo ishte thjesht një mënyrë që Ibrahimi ﷺ zgjodhi për t’u vërtetuar atyre kotësinë e adhurimeve kushtuar idhujve e çdo gjëje tjetër veç Allahut. Për këtë arsye, shpjegimi se këto ajete përshkruajnë disa meditime të Ibrahimit ﷺ kur ishte i vogël, është thjesht i pabazë. - “Kur populli i tij polemizoi me të, ai tha: “Polemizoni me mua rreth Allahut, pasi Ai më udhëzoi?! ” - Çfarë dobie ka polemika e atyre që nuk e kanë të qartë të vërtetën dhe nuk e kanë gjetur udhën e drejtë?! Përkundrazi, vetëm ai që është i udhëzuar nga Allahu, madje i ngritur në gradën e jaķîn-it, duhet t’i ftojë të tjerët tek e vërteta. - Unë nuk u frikësohem idhujve tuaj, por vetëm Zotit tim, nëse ai dëshiron diçka. - Idhujt tuaj nuk mund të më dëmtojnë mua apo të më privojnë nga ndonjë mirësi. Këto mund të ndodhin vetëm nëse Allahu i dëshiron të ndodhin. - Zoti im ka përfshirë me dijen e Tij çdo gjë. A nuk mendoni?” - Duke medituar kështu, ndoshta do ta kuptoni dhe besoni se Allahu është i vetmi që meriton adhurimin. - “E si t’u frikësohem unë idhujve tuaj,...” - E si të kem fikë nga ata që janë të pafuqishëm dhe nuk mund të më privojnë apo të më sjellin ndonjë të mirë?! - “...kur ju nuk frikësoheni për atë që adhuroni veç Allahut, pa pasur kurrfarë argumenti?! - Ju thjesht ndiqni pasionin dhe egon tuaj. - Cilës palë i takon të jetë e sigurt, nëse vërtet e dini?” - Duke gjykuar veçmas të dyja palët, Allahu i Madhëruar thotë: - “Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me padrejtësi - atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë. - Ata janë të sigurt dhe të ruajtur nga çdo frikë, nga ndëshkimi dhe dëshpërimi. Ata janë të sigurt dhe të qetë, sepse janë të udhëzuar në rrugën e drejtë. Nëse ata e kanë ruajtur imanin të pacenuar nga shirk-u dhe gjynahet, atëherë u takon ‘el emnu’ - siguria e plotë nga çdo e keqe. Gjithashtu, nëse e kanë ruajtur imanin e tyre të pacenuar nga shirku, por, nga ana tjetër, kanë vazhduar me gjynahe e punë të këqija, atëherë themi se ata e kanë bazën e besimit dhe të sigurisë, por jo si ata të parët, që e kanë të plotë. Ajeti, i kuptuar nga ana e kundërt, tregon se ata që e cenojnë imanin e tyre me shirk dhe poshtërsi, ata nuk kanë as udhëzimin bazë dhe nuk u takon të jenë të sigurt e të shpëtuar. Përkundrazi, atyre u takon humbja dhe ndëshkimi. Allahu i Lartësuar, pasi i dha Ibrahimit ﷺ argumente dhe fakte të pakundërshtueshme për të vërtetën, tha: - Këto janë Shenjat Tona, të cilat ia dhamë Ibrahimit (si argument) kundër popullit të tij. - Me argumentet e padiskutueshme që i mundësuam Ibrahimit ﷺ ,Ne e lartësuam dhe e bëmë atë triumfues mbi idhujtarët.

- Ne ngremë në gradë të lartë atë që duam. - Ashtu sikurse ngriti gradën e Ibrahimit në dynja dhe në ahiret, pa dyshim nëpërmjet diturisë, Allahu i Madhëruar i ngre disa njerëz mbi të tjerët, në grada të larta. Në mënyrë të veçantë ngrihen ata dijetarë që e jetësojnë diturinë e tyre dhe ua mësojnë atë të tjerëve. Në varësi të gjendjes dhe sinqeritetit të këtyre dijetarëve, Allahu i bën ata udhëheqës të njerëzve, të cilët i ndjekin dhe i respektojnë veprat e tyre. Njerëzit ndriçohen me dritën e këtyre dijetarëve, përmes errësirës së rrugëtimit. I Madhëruari thotë: “ Allahu i lartëson ata që besojnë, ndërsa të begatuarit me dituri i ngre në grada të larta. Allahu e di hollësisht çfarë veproni ju.” [Muxhadele 11]. - Pa dyshim, Zoti yt është i Urtë e i Gjithëditur. - Allahu ua jep diturinë dhe urtësinë atyre që e meritojnë. Ai e di shumë mirë se cilët janë ata që e meritojnë diturinë e urtësinë.

← Enam 6:74