← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

6. Enam · Ajeti 84 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:84–6:88

Në këto ajete përshkruhet qëndrimi jo korrekt i disa njerëzve. Kur kanë vështirësi ose kanë ndonjë frikë të madhe, i luten Zotit, i luten Atij që është për t'iu lutur, por kur çlirohen, harrojnë, bile edhe e mohojnë.

Zoti ka fuqi të ndëshkojë më lloj-lloj ndëshkimesh: me fatkeqësi natyrore si nga qielli me ndonjë stuhi, vërshim etj., ashtu edhe nga toka me ndonjë tërmet, shëmbje etj., por edhe t'i përçajë njerëzit që ta luftojnë njëri-tjetrin. Këto janë masa për ata që nuk respektojnë mësimet e Zotit, Kur'anin, e as këshillat e Pejgamberit, andaj besimtari nuk duhet pajtuar me talljet që bëhen në llogari të fesë, e nëse s'ka tjetër mundësi, duhet të largohet nga ai mes. Megjithatë, duhet përkujtuar ata që i ka mashtruar kjo jetë dhe kanë lënë pas dore jetën e vërtetë e të amshueshme se gabimet e bëra nuk kanë me çka t'i shpaguajnë.

Nëse njeriu lë pas dore udhëzimet e Zotit, ai i përngjan një të humburi në një shkretëtirë që ka mbetur hajran-i hutuar dhe s'ka kush që mund ta shpëtojë, pos Zotit, por Ai nuk i shpëton kriminelët.

Në këto ajete janë të përmendur me emra tetëmbëdhjetë pejgamberë bashkë me Ibrahimin. Derisa Ibrahimi ishte i shtyrë në moshë kur i dhuroi Zoti djalin Is-hak, e gëzoi edhe më shumë kur e arriti edhe djalin e djalit Jakubin pejgamber. Përmendet Nuhu si paraardhës i Ibrahimit dhe si babai i dytë i njerëzimit. Davudi dhe Sulejmani ishin edhe pejgamberë edhe mbretër. Ejubi dhe Jusufi ishin që të dy të sprovuar me shumë vuajtje, andaj përmendet ndaj njëri-tjetrit, kurse Musai e Haruni ishin vëllezër. Zekerijai, Jahjai, Isai dhe Iljasi ishin të veçuar në modesti ndaj përjetimeve të kësaj jete. Ismaili ishte bir i Ibrahimit, por nga tjetër nënë, e Luti djali i vëllait të Ibrahimit. Pejgamberët e përmendur këtu nuk janë radhitur sipas datës historike, por sipas cilësive të tyre të posaçme., Edhe pejgamberëve do t'u shkonte huq mundimi nëse do të gabonin rreth besimit në Zotin një, pra kuptohet se sa rrezik është t'i mendohet ndonjë shok Atij.

Pejgamberi ynë, Muhammedi a.s. është më i lavdishmi ngase është i urdhëruar t'i marrë shembull virtytet e pejgamberëve të tjerë dhe të grumbullojë cilësi të tëra që për pejgamberët e tjerë ishin të posaçme.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:84–6:90

Allahu i Madhëruar na njofton se ai i dhuroi Ibrahimit Is’hakun, edhe pse ai tashmë ishte në moshë shumë të thyer, ashtu si edhe gruaja e tij Sara. Ata nuk prisnin të kishin fëmijë. Melekët e Zotit, gjatë rrugëtimit të tyre për në popullin e Lutit, fillimisht shkuan vizitë tek ata (Ibrahimi dhe Sara) dhe i përgëzuan se Allahu do t’u dhuronte Is’hakun. Sara u habit nga një sihariq i tillë dhe e çuditur tha: “E mjera unë! E si mund të lind fëmijë, kur unë jam moshë e madhe e burri im është plak?! Kjo vërtet, do të ishte shumë çudi! Ata i thanë: “Mos po çuditesh me caktimin e Allahut?!” Mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin për ju, o familja e kësaj shtëpie! Vërtet, Ai është i Lavdëruar dhe i Madhërishëm.”.” [Hud 72, 73]. Ndërsa në këtë ajet, Allahu i Madhëruar thotë: - Ne i falëm atij Is’hakun dhe Jakubin dhe secilin prej tyre e udhëzuam. - Ky ishte një përgëzim se Is’haku do të kishte pasardhës të mirë dhe të udhëzuar në rrugën e drejtë. I Madhëruari thotë në një ajet tjetër: “Ne i dhamë atij lajmin e mirë për lindjen e Is'hakut - profet e një prej njerëzve punëmirë.” [Safat 112]. Ky ishte një sihariq më i madh, për mirësinë që do t’u dhurohej nga Allahu i Madhëruar. Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “E shoqja, që rrinte në këmbë, qeshi. Ne e përgëzuam atë me Is’hakun, e pas Is’hakut, me Jakubin.” [Hud 71]. Ky ajet jep edhe një përgëzim tjetër: Is’hakut do t’i lindë një djalë, që do të quhej Jakub dhe që do të lindte gjatë kohës kur ata (Ibrahimi dhe Sara) të ishin ende gjallë, dhe kështu, sytë dhe zemrat e tyre do të gjenin kënaqësi dhe prehje me të, ashtu siç do të gjenin më atin e tij Is’hakun. Dhe ashtu ndodhi. Lajmi i mirë u përmbush: atij iu dha Is’haku, dhe pas tij Jakubi. Ky ishte shpërblimi i Allahut për Ibrahimin, i cili sakrifikoi kur u distancua nga populli i vet dhe idhujtaria e tyre. Ai emigroi nga ai vend për hir të Allahut që të mund ta adhuronte Atë si një e të vetëm. Ai u largua për të jetuar i vetmuar nga populli e fisi i vet dhe Allahu ia zëvendësoi me fëmijë e pasardhës të mirë, që ta pasonin në fenë dhe besimin e tij të pastër, sikurse ka thënë i Madhëruari: “Unë po largohem prej jush dhe prej asaj që ju adhuroni përveç Allahut dhe shpresoj se me lutjet drejtuar Zotit tim nuk do të jem i humbur.” Pasi u largua prej tyre dhe prej asaj që ata adhuronin përveç Allahut, Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe që të dy i bëmë profetë. Dhe të gjithë atyre u dhamë (të mira) nga Mëshira

Jonë dhe i bëmë që të kujtohen gjithmonë për mirë (ndër njerëz).” [Merjem 49]. - Para tij patëm udhëzuar edhe Nuhun. - Të dy këta profetë kanë një veçori shumë të rëndësishme. Për sa i përket Nuhut, kur Allahu i Madhëruar përmbyti banorët e Tokës dhe shpëtoi vetëm ata që besuan së bashku me Nuhun, bëri që të gjithë banorët e mëvonshëm të vinin nga p asardhësit e Nuhut. Kështu, të gjithë njerëzit pas Nuhut janë nga pasardhësit e tij. Ndërsa për Ibrahimin, mund të themi se të gjithë profetët që u dërguan më pas janë nga pasardhësit e tij, sikurse ka thënë i Madhëruari: “ Ne i dhuruam Ibrahimit Is’hakun dhe Jakubin dhe ndër pasardhësit e tij i zgjodhëm profetët dhe shpallëm Librat e Shenjtë. ...” [Ankebut 27]. Gjithashtu: “Ne i zgjodhëm Nuhun dhe Ibrahimin si të dërguar dhe mes pasardhësve të tyre vendosëm profetësinë dhe Librin ...” [Hadid 26]. Më pas i Lartësuari tha: - Edhe nga pasardhësit e tij udhëzuam Daudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë bamirësit. Edhe Zekerijan, Jahjanë, Isanë dhe Ilijasin. Të gjithë ishin prej të mirëve (të devotshëm). Edhe Ismailin, Eljesanë, Junusin dhe Lutin. Të gjithë këta i veçuam mbi njerëzit e tjerë. - Kush është pasur për qëllim me fjalën e tij: “... nga pasardhësit e tij ...”. Pra për kë bën fjalë përemri “e tij”? A bën fjalë për Ibrahimin apo për Nuhun? Disa janë të mendimit se bën fjalë për Nuhun, sepse ai është përmendur më afër në këtë kontekst dhe kjo kuptohet dukshëm nga ajeti. Ky është mendimi i Ibn Xheririt. Por edhe mendimi se bën fjalë për Ibrahimin është i mirë, sepse konteksti i këtyre ajeteve flet për Ibrahimin dhe mirësitë që Allahu i dhuroi atij. Megjithatë, ky mendim mund të kontestohet me faktin se mes pasardhësve të Ibrahimit në ajet është përmendur Luti, i cili nuk është nga pasardhësit e tij të drejtpërdrejtë, por ishte djali i vëllait të tij, Harun Ibn Azerit. Këtij kontestimi mund t’i përgjigjemi duke thënë se ai është përmendur në formë përafruese (tagliben) mes pasardhësve, sepse edhe ai ishte nga të afërmit dhe nga fisi i Ibrahimit. Po kështu është përmendur edhe në fjalën e Allahut të Madhëruar: “A ishit ju të pranishëm, kur Jakubi, para se të vdiste, u tha bijve të vet: “Çfarë do të adhuroni pas meje?” Ata thanë: “Do të adhurojmë Zotin tënd dhe Zotin e etërve të tu - të Ibrahimit, të Ismailit dhe të Is’hakut - që është Një Zot i Vetëm. Vetëm Atij i nënshtrohemi.” [Bekare 133]. Ismaili ishte xhaxhai i Jakubit e jo babai i tij, e megjithatë, ai e quajti dhe e numëroi atë prej etërve të tij (âbâihi), sepse edhe ai ishte prej të afërmve të tij. Nëse shohim në ajet dhe të mendojmë me kujdes pse Isai, biri i Merjemes, është përmendur si një prej pasardhësve të Ibrahimit ose Nuhut, do të përftojmë një dobi tjetër. Kështu, edhe pasardhësit e femrës konsiderohen si pasardhës të të parëve të kësaj femre, sepse përkatësia e Isait si pasardhës i Ibrahimit, vjen nga ana e nënës së tij, pasi ai nuk kishte baba biologjik. Në Sahih-un e Buhariut vjen hadithi i saktë se Profeti i Allahut, duke folur për Hasan Ibn Ibn Aliun, tha: 1123 . “Ky biri im është një zotëri i vërtetë. Allahu ka për të pajtuar nëpërmjet tij mes dy grupeve të mëdha muslimanësh.” Kështu, Profeti ﷺ e quajti djalin e vajzës së tij, Fatimes: “biri im”, gjë që tregon se pasardhës konsiderohen jo vetëm bijtë e lindur nga fëmijët meshkujt, por edhe nga vajzat. - Edhe shumë prej prindërve, pasardhësve dhe vëllezërve të tyre i zgjodhëm dhe i udhëzuam në Rrugën e Drejtë. - Allahu i Madhëruar përmend rrënjët, degët e tyre dhe ata që erdhën pas tyre. Domethënë, zgjedhja dhe udhëzimi i përfshiu të gjithë ata. Në fund, Allahu i Madhëruar e përforcon këtë mesazh: “... i zgjodhëm dhe i udhëzuam në rrugën e dejtë.”. - Ky është Udhëzimi i Allahut. Ai udhëzon kë të dojë nga robërit e Tij. - E gjitha kjo iu dha dhe iu mundësua atyre me

suksesin dhe udhëzimin e Allahut. Ishte Ai që ua priu mbarë për të fituar këtë mirësi. - Nëse do të bënin idhujtari, atëherë do të asgjësohej çdo vepër e tyre. - Ky është një kërcënim i fortë për rrezikshmërinë e idhujtarisë, për dëmin e saj të madh dhe dënimin e saj të ashpër. Sikurse ka thënë i lartësuari: “Ty, dhe atyre (që u dërguan) para teje, të është shpallur se: “Nëse do t'i bëje shok Allahut, veprat e tua do të asgjësoheshin dhe ti do të ishe prej të humburve. Prandaj, vetëm Allahun adhuroje dhe ji mirënjohës!”” [Zumer 65, 66]. Nuk ka dyshim se profetët e Zotit kurrë nuk do të binin në idhujtari. Kjo është sjellë thjesht si supozim. Të supozuarit e diçkaje nuk do të thotë se ajo egziston apo ndodh në të vërtetë. 8 Kjo është thënë për të treguar për rrezikshmërinë e idhujtarisë dhe kërcënimin e sigurt në lidhje me të. - Këta janë ata të cilëve Ne u dhamë Librin, urtësinë e Profetësinë. - Kjo ishte një mirësi, që Allahu i Madhëruar ua dhuroi me bujarinë e Tij, që të shërbente si mëshirë për robërit dhe si tregues i kujdesit dhe i butësisë së pashembullt të Allahut për krijesat e Tij. - E nëse këta (populli yt) refuzojnë, Ne e kemi siguruar atë me një popull që nuk e refuzon. - Nëse banorët e Mekës e refuzojnë Librin, urtësinë e profetësinë, e po kështu edhe banorët e tjerë të Tokës, - qofshin arabë, të huaj, popuj që kanë pasur libër hyjonor e ata që janë jo të tillë, - Ne e kemi siguruar atë me një popull tjetër, që nuk e refuzon. Këta janë muhaxhirët, ensarët dhe ata që pasuan rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit. Ata kurrë nuk e refuzojnë Shpalljen dhe urtësitë që Zoti solli përmes profetëve, por besojnë çdo gërmë e ligj. Ata nuk hedhin poshtë asnjë gërmë të Shpalljes. Allahu na bëftë prej tyre me bujarinë e mirësinë e Tij! Në vijim, Allahu i Lavdëruar i drejtohet adhuruesit e Profetit të Tij të dashur, Muhamedit: - Këta ishin ata të cilët Allahu i udhëzoi në rrugë të drejtë, prandaj me udhëzimin e tyre udhëhiqu. - Kështu, profetët e përmendur dhe ata që i pasuan, qofshin paraardhësit ose pasardhësit e vëllezërit e tyre, pikërisht ata dhe vetëm ata janë të udhëzuarit në rrugën e drejtë. Rrugën e tyre ndiq! Ky është një urdhër që i drejtohet Profetit të Zotit, por konsiderohet edhe si urdhër për umetin e tij. Kështu, umeti duhet t’i bindet dhe ta pasojë Profetin në çdo urdhër të Zotit dhe në Sheriatin e Tij. - Thuaj: “Unë nuk kërkoj për këtë asnjë shpërblim prej jush. - pra në lidhje me kumtimin e këtij Kur 'ani ndër ju unë nuk ju kërkoj asnjë shpërblim e nder. Unë nuk pres dhe nuk dua agjë prej jush. - Ky është veçse një mesazh për mbarë njerëzimin.” - Nëpërmjet këtij Kur 'ani ata kujtohen e nxiten për çdo punë e udhëzim të mirë. Përmes tij ata gjejnë rrugën e dritës që i shpëton nga verbëria, i drejton nga shfrenimi e mosbindja në rrugën e maturise e bindjes ndaj Allahut, nga mohimi i Zotit në imanin e pastër, të sinqertë e korrekt.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:84–6:90

Pasi përmendi robin, të dashurin dhe të zgjedhurin e Tij, Ibrahimin ﷺ ,me mirësitë e mëdha që e begatoi atë, si: dituria e madhe, përkushtimi në thirrjen e drejtë dhe durimi në përhapjen e të vërtetës, Allahu i Madhëruar tregon një tjetër mirësi të madhe me të cilën e nderoi të dashurin e Tij - pasardhës të mirë dhe të udhëzuar. Pasardhës të Ibrahimit ﷺ ishin profetët, më të mirët e krijesave. Kjo qe një mirësi e jashtëzakonshme, me të cilën Allahu i Madhëruar e dalloi Ibrahimin ﷺ nga profetët e tjerë. - “Ne i falëm atij Is’hakun dhe Jakubin...” - Jakubi ishte djali i Is’hakut, pra, nipi i Ibrahimit. Është Jakubi ai që u quajt Israil, babai i kombit që Zoti e dalloi mbi popujt e tjerë të asaj kohe.

- “...dhe secilin prej tyre e udhëzuam.” - Të dy ata, Is’hakun dhe Jakubin, Zoti i udhëzoi në rrugë të drejtë. Edhe Nuhun ﷺ , Allahu i Madhëruar e pati udhëzuar më parë. Madje, udhëzimi i tij ishte i një lloji të veçantë, që Zoti ua dha vetëm profetëve më të zgjedhur të Tij. Nuhu ﷺ ishte prej ‘ulû el azmi’, ndër më të vendosurit e profetëve. 4 - Para tij patëm udhëzuar edhe Nuhun. Edhe nga pasardhësit e tij udhëzuam Davudin, Sulejmanin, Ejjubin, Jusufin, Musanë dhe Harunin. - Përemri pronor “e tij” ka mundësi t’i referohet Nuhut ﷺ ,sepse mes të përmendurve është edhe Luti, i cili ishte pasardhës i Nuhut, por nuk mund të thuhet se ishte pasardhës i Ibrahimit pasi Luti ishte djali i vëllait të tij. Gjithashtu, është rregull në gjuhën arabe që një përemër i referohet emrit që është më pranë tij në kontekst. Por ka mundësi që këtu të bëhet fjalë edhe për Ibrahimin, pasi jemi ende në një kontekst lavdërimi për këtë profet. Edhe pse Luti nuk ishte pasardhës prej gjaku i Ibrahimit ﷺ ,ai ishte ndër ata që pasuan në besim Ibrahimin. Madje për Lutin, rëndësia e Ibrahimit si paraardhës në besim do të ishte më e madhe sesa si paraardhës prej gjaku. Kështu, pasardhës të Ibrahimit ﷺ ishin edhe Daudi, Sulejmani i biri i Daudit, Ejubi, Jusufi i biri i Jakubit, Musai dhe Haruni, dy bijtë e Imranit. - “Kështu i shpërblejmë Ne bamirësit.” - Ashtu sikurse i rregulluam dhe begatuam pasardhësit e Ibrahimit, për shkak se ai e përkreu adhurimin ndaj Zotit të tij dhe bamirësinë ndaj krijesave, po kështu i shpërblejmë të gjithë bamirësit. Në varësi të ihsanit (bamirësisë) të tyre, do të jetë edhe shkalla e famës së mirë ndër njerëz. - Edhe Zekerijan, Jahjanë, Isanë dhe Ilijasin. Të gjithë ishin prej të mirëve (të devotshëm). - Të gjithë këta ishin salihin, domethënë, të mirë në moralin, punët dhe diturinë e tyre. Madje, ata ishin krerët dhe më të dalluarit e të mirëve. - Edhe Ismailin, Eljesanë, Junusin dhe Lutin. Të gjithë këta i veçuam mbi njerëzit e tjerë. - Ismaili, i biri i Ibrahimit, është babai i më të mirit të popujve, babai i popullit arab, dhe babai i më të mirit të njerëzve, Muhamedit ﷺ. Junusi ishte i biri i Metait dhe Luti ishte i biri i Hârânit, vëllait të Ibrahimit. Të gjithë këta profetë dhe të dërguar të Allahut u dalluan mbi të gjithë botën. Katër janë gradat e të mirëve, dhe ato i ka përmendur Allahu i Madhëruar në suren Nisa: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata, të cilëve Allahu u ka dhuruar mirësi të shumta - me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me vepërmirët. Sa shokë të mirë janë ata! ” [En-nisa 69] E këta janë profetë, që qëndrojnë në gradën më të lartë si të tillë, aq më tepër që janë ndër më të zgjedhurit e të gjithë profetëve të dërguar nga Allahu i Madhëruar. Nuk ka dyshim se profetët për të cilët Zoti na ka treguar në Librin e Tij janë më të mirë e të dalluar se ata që nuk i ka përmendur. - Edhe shumë prej prindërve, pasardhësve dhe vëllezërve të tyre i zgjodhëm dhe i udhëzuam në Rrugën e Drejtë. - Po kështu u veprua edhe me prindërit, pasardhësit dhe vëllezërit e këtyre të zgjedhurve. Zoti i dalloi të gjithë ata, duke u dhuruar mirësi të shumta dhe duke i udhëzuar në rrugën e drejtë. - Ky është Udhëzimi i Allahut. Ai udhëzon kë të dojë nga robërit e Tij. - Ky udhëzim është prej Allahut, i vetmi udhëzim i drejtë që ekziston. Është Ai që udhëzon në rrugën e drejtë atë që Ai dëshiron prej robve të Vet. Atëherë, vetëm tek Ai kërkojeni udhëzimin, sepse nëse Allahu nuk ju udhëzon në rrugën e drejtë, ju nuk mund të gjeni udhëzues tjetër veç Tij! Ndër ata që Allahu dëshiroi t’i udhëzonte ishin edhe këta që u përmendën më lart. - Nëse do të bënin idhujtari, atëherë do të asgjësohej çdo vepër e tyre. - Pa dyshim, idhujtaria asgjëson çdo lloj vepre të mirë dhe e bën të padiskutueshme përjetësinë në zjarrin e Xhehenemit. Kështu, nëse edhe këta të zgjedhur do të ndëshkoheshin në këtë mënyrë, po të bënin idhujtari, atëherë çfarë mendohet se do të ndodhte me të

tjerët? Ky është përfundimi i shirkut - shkatërrim e asgjësim i punëve dhe përjetësi në zjarr. - “Këta janë ata të cilëve Ne u dhamë Librin, urtësinë e Profetësinë. E nëse këta (populli yt) refuzojnë, Ne e kemi siguruar atë me një popull që nuk e refuzon. Këta ishin ata të cilët Allahu i udhëzoi në rrugë të drejtë, prandaj me udhëzimin e tyre udhëhiqu! - Zoti i udhëzoi ata në rrugën e drejtë, prandaj në të njëjtën rrugë vijo edhe ti, o Profet i nderuar! Dhe, me të vërtetë, Profeti ﷺ e zbatoi me përpikmëri këtë detyrë. Ai ndoqi rrugën e tyre, madje duke mbledhur tek vetja çdo cilësi të lartë që gjendej tek ata. Kështu, ai u bë më i madhi i të gjithë profetëve dhe imami i të devotshmëve. Paqja, mëshira, bekimet dhe mirësitë e Allahut qofshin me të dhe me të gjithë të dërguarit e Allahut! Me këtë mënyrë argumentoheshin sahabët, për të thënë se Muhamedi ﷺ ishte më i miri dhe më i zgjedhuri i profetëve. - Thuaj: “Unë nuk kërkoj për këtë asnjë shpërblim prej jush.” - Thuaju atyre që i kthejnë shpinën ftesës tënde: “Unë nuk po ju kërkoj ndonjë shpërblim për transmetimin e të vërtetës dhe për ftesën që ju bëj. Kështu, ju nuk keni si të thoni se e refuzoni ftesën time sepse jeni rënduar nga kërkesat dhe shpenzimet. Shpërblimi im është veçse nga Allahu i Madhëruar dhe vetëm Atij ia kërkoj dhe e shpresoj."! - “Ky është veçse një mesazh për mbarë njerëzimin.” - Kjo është një këshillë për njerëzimin, që ata të ndërgjegjësohen për çdo gjë të dobishme e të inkurajohen për ta kryer atë, të ndërgjegjësohen për atë që u bën dëm dhe të nxiten për t’iu larguar asaj. Kjo shërben gjithashtu që njerëzit të njohin Zotin e tyre, me emrat, cilësitë dhe veprat e Tij të mrekullueshme, të kujtojnë e mësojnë se cilat janë virtytet më të larta njerëzore dhe rrugët për t’i arritur ato, si edhe të kuptojnë se cilat janë veset dhe rrugët që të shpien në to. Duke qenë një përkujtim për gjithë botën, ajo është mirësia më e madhe që Zoti ka falur ndonjëherë, mirësi të cilën ata duhet ta pranojnë me përunjësi dhe t’i shprehin mirënjohjen e plotë Atij që ua dhuroi.

← Enam 6:84