67. Mulk · Ajeti 12 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 67:1–67:14
Të mirat e Zotit, që ka në dorë tërë pushtetin, janë të pakufishme.
Ai është që sajoi vdekjen dhe jetën. Vdekja përmendet para jetës për arsye se është më e trishtueshme dhe prej saj mbledhin mend të tjerët. Përmendet edhe për arsye se etapat e krijimit të njeriut derisa të vijë jeta, që plotësohet me hyrjen e shpirtit në trup, janë më të paqarta për njerëz. Vdekja është më konkrete dhe fillon me daljen e shpirtit dhe etapat që zhvillohen në trupin e njeriut derisa të shndërrohet plotësisht në dhë, janë si ato të jetës, por tash në anën apo drejtimin e kundërt.
Derisa njerëzit janë të krijuar për t'u provuar se kush është vepërmirë e kush keqbërës, vetvetiu kuptohet se veprat do të shqyrtohen dhe si rezultat, do të shpërblehen ose do të ndëshkohen.
Vdekja nuk është shkatërrim i plotë: ajo është shkatërrim i përbërjes trup-shpirt, e shpirti e vazhdon jetën, pra kalon prej një jete në një tjetër. Pejgamberi ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush varroset e përcjellësit fillojnë të kthehen, ai e dëgjon krismën e këpucëve". (Buhariu, Muslimi).
Krijimi i shtatë palë qiejve është vepër e Zotit e vepra e Tij nuk mund të ketë ndonjë të metë. Qeniet dhe sendet, që u nënshtrohen ligjeve të Zotit pa vullnetin e tyre, nuk mund të ndodhë që t'i thyejnë ligjet, nuk ndodh të shkaktohet ndeshje, vetëm njeriu që pjesërisht është i lirë në punën e vet, mund të vijë në kundërshti me ligjet e Zotit, andaj, shfaqet ndonjë e metë.
Yjet që zbukurojnë qiellin, janë edhe trupa që nxjerrin shkëndija të zjarrit me të cilat i godasin shejtanët dhe mësimet e falltorëve.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 67:12–67:15
- “Pa dyshim, për ata që i frikësohen Zotit të vet pa e parë Atë, do të ketë falje dhe shpërblim të madh. ” - Allahu i Madhëruar na tregon rreth atyre, të cilët i frikësohen qëndrimit para Tij, jo vetëm faqe njerëzve, por edhe atëherë kur janë të veçuar dhe asnjë krijesë nuk i sheh. Ata përkushtohen në punë të mira, në bindje ndaj Allahut të Madhëruar edhe kur askush nuk i shikon, përveç Allahut të Madhëruar. Allahu i Madhëruar premton për këtë kategori njerëzish të zgjedhur falje të madhe dhe shpërblim të pamatë. Kështu, Allahu i Madhëruar do t’ua fshijë gjynahet, do t’ua mbulojë të metat dhe gabimet dhe ka për t’u dhënë shpërblimin më të madh dhe bujar, siç vjen hadithi në dy Sahih-ët: 2722. “Janë shtatë grupe që Allahu do t’i fusë në Hijen e Arshit të Tij në Ditën e Gjykimit, ditë në të cilën nuk do të ketë hije tjetër veç Hijes së Tij: udhëheqësi i drejtë; i riu që është rritur duke adhuruar Allahun e Plotfuqishëm; njeriu që e ka lidhur zemrën me xhamitë; dy
njerëz, të cilët duhen për hir të Allahut, edhe kur takohen, edhe kur ndahen (kur janë larg); ai burrë, i cili, kur joshet nga një grua e bukur dhe me pozitë (për të kryer imoralitet me të), i thotë: “Unë i frikësohem Allahut”; një person, i cili, kur jep për bamirësi, e fsheh, saqë dora e tij e majtë nuk e di se çfarë jep e djathta dhe, një person i cili e kujton Allahun në vetmi dhe sytë e tij lotojnë nga frika për Zotin”. Siç shihet, ndër këta të përzgjedhur janë tre persona me cilësinë e frikës nga Allahu fshehtazi, kur nuk i sheh askush, veç Zotit: “... ai burrë, i cili, kur joshet nga një grua e bukur dhe me pozitë (për të kryer imoralitet me të), i thotë: “Unë i frikësohem Allahut”, një person i cili kur jep për bamirësi, e fsheh, saqë dora e tij e majtë nuk e di se çfarë jep e djathta dhe, një person, i cili e kujton Allahun në vetmi dhe sytë e tij lotojnë nga frika për Zotin”. Më pas, duke na bërë me dije se Ai shikon dhe di imtësisht edhe atë që fshihet në ndërgjegjen dhe gjoksin tonë, Allahu i Lartësuar thotë: - “I fshihni ose i thoni fjalët tuaja haptas, nuk ka dyshim se Ai e di çfarë fshihni në zemrat tuaja. ” - Allahu i Madhëruar di edhe për ato shkëndija mendimesh, që vetëtijnë nëpër zemra, mendje e shpirtra. - “A nuk e di Ai që ka krijuar, kur Ai di në imtësi çdo sekret. ” - E si mund të mos jetë i gjithëdijshëm Krijuesi?! Krijuesi di në imtësi çdo sekret. Më pas, i Lartësuari përmend mirësitë e shumta mbi krijesat e Tij dhe faktin se Ai u ka lehtësuar atyre gjithçka në këtë tokë. Ai ua ka nënshtruar tokën, duke e bërë atë të shtrirë, të qetë, të palëvizshme, duke vendosur male dhe duke e çarë e nxjerrë prej saj lumenj, përrenj dhe burime uji e duke i bërë që ato të përhapen në tokën e Tij. Për njerëzit, i Madhëruari ka mundësuar në këtë tokë mirësi të shumta, thesare, vende dhe toka të begatshme, hapësira pjellore, për të mbjellë të lashtat, çdo bimësi të dobishme dhe pemë frutore: - “Është Ai që e bëri Tokën të përshtat - shme për ju.” - Udhëtoni ku të dëshironi në tokë, për të fituar mirësi e begati, por dijeni se të gjitha përpjekjet tuaja nuk kanë për t’u sjellë asnjë dobi më shumë, përveçse aq sa Allahu i Madhëruar dhe Bujar ju mundëson, me bujarinë dhe mëshirën e Tij për ju. - “Ecni nëpër të dhe shfrytëzoni mirësitë e Tij.” - Pa dyshim që përpjekja për të bërë sebepet e mjaftueshme në jetën e kësaj dynjaje është diçka e domosdoshme, e urdhëruar nga Zoti dhe nuk bie ndesh aspak me mbështetjen e plotë në mëshirën dhe përkujdesin e Zotit dhe besimin e plotë, që duhet të kemi në përkujdesin e Tij për krijesat. Nga Umer Ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) vjen një hadith, në të cilin ai thotë se e ka dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: 2723. “Nëse ju do t’i mbështeteshit Allahut të Lartësuar me një formë korrekte dhe të vërtetë, Ai do t’ju furnizonte dhe begatonte me mirësi, ashtu sikurse furnizon zogun, i cili del herët në mëngjes bosh dhe kthehet në mbrëmje plot, me rizkun e Zotit.” Kështu e kanë sjellë Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh prej Ibn Ubejras. Tirmidhiu e ka gjykuar si hadith hasen sahih . Kështu, Profeti ﷺ thotë që zogu del në kërkim të rizkut dhe kthehet. Pra, ai kërkon rizkun, përpiqet dhe jep atë që ka mundësi, edhe pse i mbështetet Allahut Krenar dhe të Lartësuar. Pa dyshim, është Allahu i Madhëruar Ai që ia nënshtron dhe lehtëson çështjet robërve dhe është Ai, i Vetmi, që sjell dhe përmbush çdo sebep. I Lartësuari thotë: - “Vetëm tek Ai është e ardhmja. ” - Tek Ai do të jetë kthimi i të gjitha krijesave në Ditën e Kijametit.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 67:12
Pasi foli për gjendjen e të dëshpëruarve, Allahu i Lartësuar vijon me gjendjen e vepërmirëve të lumtur.
- “Pa dyshim se, për ata që i frikësohen Zotit të vet pa e parë Atë...” - Ata i ruhen shikimit të Zotit të tyre në të gjitha gjendjet, madje edhe atëherë kur nuk i vështron askush tjetër përveç Atij. Ata nuk ia lejojnë kurrë vetes të hedhin qoftë edhe një hap për të kryer gjynahe ndaj Allahut. Ata, gjithashtu, nuk tërhiqen dhe nuk ia lejojnë vetes të lënë mangët ndonjë urdhër të Tij. - “...do të ketë falje dhe shpërblim të madh!” - Atyre u takon falja dhe mbulimi i gjynaheve. Nëse Allahu t’i mbulon gjynahet, kjo tregon se do të jesh i sigurt dhe i shpëtuar nga të këqijat që ato sjellin në këtë jetë dhe në jetën tjetër, si edhe nga ndëshkimi i Xhehenemit. Por jo vetëm kaq: “dhe shpërblim të madh”. Ky është premtim për atë që Allahu i Lartësuar ka përgatitur për ta në Xhenet, siç janë mirësitë dhe kënaqësitë e mrekullueshme dhe të përjetshme, pasuritë madhështore, kënaqësitë trupore dhe shpirtërore të pandërprera e të pakrahasueshme, kështjellat dhe ndërtesat e larta, hyritë me bukuri të papërshkrueshme, shërbëtoret dhe djelmoshat. Por mbi të gjitha këto qëndron kënaqësia e Rrahmanit ndaj banorëve të Xhenetit, që kurrë nuk do të largohet.