7. Araf · Ajeti 127 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:127–7:137
Pasi që u vërtetua se Musai ishte i dërguari i Zotit dhe mrekullitë e tij asgjësuan trillimet e magjistarëve të faraonit, dhe pasi që magjistarët pranuan besimin e drejtë, parisë së popullit të faraonit i hyri frika, andaj e ngacmuan faraonin që të marrë masa të ashpra kundër beni israilve. Faraoni pat thënë se të gjithë meshkujt e tyre do t'i mbyste e gratë do t'i përdorte si shërbetore. Musai i kuptoi qëllimet e ndyra të faraonit andaj e porositi popullin e vet të jetë i qëndrueshëm, se ndihma e Zotit është me ta.
Faraonin dhe popullin e tij e dënoi Zoti me pesë lloj dënimesh, dhe gjithnjë fajin për ato dënime që i përjetonin, ia mveshnin Musait dhe besimtarëve. Më në fund, të lodhur prej skamjes, ata e lutën Musain të lutet te Zoti i madhërishëm që t'ua largojë ato masa dënimi. Zoti ua largoi dënimin, por ata nuk e mbajtën besën dhe për atë shkak i fundosi në det, ndërsa beni israilët trashëguan begatitë e asaj toke.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:127–7:129
Allahu i Lavdëruar na tregon për armiqësinë dhe mundimet që i dhanë Musait Faraoni dhe paria rreth tij. Ai thotë: - Paria e popullit të Faraonit tha: “A do t'i lejosh Musain dhe njerëzit e tij që të sjellin shkatërrim në tokë dhe të të
braktisin ty e zotat e tu?” - A do t’i lejosh, o Faraon, që ata të prishin dhe vënë kundër teje popullin e masën e gjerë? A do t’i lejosh që ai t’i ftojë ata që të adhurojnë Allahun e të braktisin adhurimin tënd? Ata thanë: “... A do t'i lejosh… të të braktisin ty e zotat e tu?” El Suddiju ka thënë që: “ zotat e tij”, - sipas Ibn Abasit - ishin lopët. Nëse shihnin ndonjë lopë të bukur, ai i urdhëronte që ta adhuronin. Kjo qe arsyeja që edhe Samiriju u solli atyre një viç që nxirrte zë, për ta adhuruar si zot. Kështu, kuptimi i ajetit është: A do ta lejosh atë dhe pasuesit e tij, që të shkatërrojnë popullin tënd dhe t’i nxjerrin ata kundra teje, duke braktisur adhurimin tënd dhe të zotave të tu? Atëherë, Faraoni iu dha përgjigjen: - Ai tha: “Do t’ua mbysim djemtë, ndërsa femrat do t’i lëmë të gjalla. Kështu do të vazhdojmë të jemi sundues të tyre”. - “Do t’ua vrasim fëmijët meshkuj dhe do të lëmë gjallë femrat!” Dhe kështu veproi ai me popullin e Musait, që përpara se të lindte Musai, nga frika e Shpëtimtarit, që bijtë e Izraelit prisnin prej kohësh. Por Allahu kishte vendosur të kundërtën e asaj që synonte Faraoni. Po kështu, edhe kur u dënua Faraoni, ndodhi e kundërta e asaj që ai synonte me bijtë e Izraelit. Ai kishte qëllim poshtërimin e shtypjen e tyre, ndërsa Allahu i Lartësuar solli të kundërtën, duke nderuar bijtë e Izraelit dhe duke e poshtëruar Faraonin, bashkë me ushtrinë e tij. Kur Faraoni vendosi që të ndëshkonte bijtë e Izraelit, Musai këshilloi popullin e vet. - Musai i tha popullit të vet: “Kërkojini ndihmë Allahut dhe bëni durim! - Pastaj i përgëzoi se ato vende do t’u jepeshin një ditë atyre. Ai tha: - S’ka dyshim se toka është e Allahut, që ua lë në trashëgim atyre robërve të Vet, që Ai dëshiron. Përfundimi i lumtur u takon të devotshmëve.”. - Por populli i Musait, duke u ankuar për vuajtjet e tyre, thanë: - Ata thanë: “Ne kemi qenë të shtypur edhe para se të na vije ti edhe pasi erdhe ti”. - Ne kemi vuajtur dhe hequr të tilla tortura, para se të vije ti, o Musa, dhe pasi erdhe ti. Por Musai u tha se gjendja mund të ndryshonte: - Ai tha: “Mundet që Allahu ta shkatërrojë armikun tuaj dhe t’ju bëjë ta zëvendësoni në këtë vend e pastaj do t’ju vështrojë se si do të veproni”. - Kështu, Musai po i parapërgatiste që, kur të vinte mirësia nga Zoti e të shpëtonin nga fatkeqësia e vuajtjet, ata të ishin mirënjohës.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:127–7:129
- “Paria e popullit të Faraonit tha: “A do t'i lejosh Musanë dhe njerëzit e tij që të sjellin shkatërrim në tokë dhe të të braktisin ty e zotat e tu?”.” - Sipas tyre, Musai po shkaktonte trazira, duke i ftuar njerëzit në fenë e vërtetë të Zotit. Në sytë e tyre, morali i lartë dhe veprat e mrekullueshme që mësonte Musai ishin shkatërrim, prapambetje e destabilizim. Nuk e shihnin ata të mjerë se e gjithë mirësia ishte në mesazhin e Musait, ndërsa ata dhe ajo që ata mbronin ishte vetë shkatërrimi ? Zullumqarët nuk pyesin për të zbuluar të vërtetën dhe as i japin rëndësi asaj që thonë. Ata mbrojnë me fanatizëm të verbër vetëm atë që u zbukuron epshi, prandaj edhe mbështetësit e Faraonit i thanë udhëheqësit të tyre: Si i lejon ata të të braktisin ty dhe idhujt e tu?! Si i lejon që të rebelohen dhe të mos i nënshtrohen madhërisë suaj?! Duke iu përgjigjur çmendurisë së tyre, Faraoni tha: - “Ai tha: “Do t’ua mbysim djemtë, ndërsa femrat do t’i lëmë të gjalla. Kështu do të vazhdojmë të jemi sundues të tyre”.” - Në këtë mënyrë, Faraoni besonte se do ta linte popullin e Musait në një gjendje të mjerë, që të mos shumoheshin dhe të mos përbënin rrezik për ta. Duke u vrarë meshkujt, ata nuk do të kishin fuqi t’i
luftonin, ndërsa gratë do të bëheshin shërbyeset e tyre. - “Musai i tha popullit të vet: “Kërkojini ndihmë Allahut dhe bëni durim!” - Në një gjendje të tillë, kur ishin tepër të dobët për të arritur ndonjë gjë, Musai këshillon njerëzit e tij, duke u thënë: “Kërkojini ndihmë Allahut! Mbështetjuni Allahut për të arritur suksesin dhe për të shpëtuar nga fatkeqësitë! Pastaj jini të sigurt se ndihma e Tij do të vijë dhe ju do të fitoni. Porosia tjetër ishte: "…dhe bëni durim!", domethënë, bëni durim kundrejt gjithçkaje që do të ndodhë me ju, duke pritur çlirimin e shpëtimin! - “S’ka dyshim se toka është e Allahut, që ua lë në trashëgim atyre robve të Vet, që Ai dëshiron. Përfundimi i lumtur u takon të devotshmëve.”. - Toka është e Allahut, jo e Faraonit dhe as e palës së tij, ku ata mund të veprojnë si të duan. Allahu ua lë në trashëgim tokën atyre robve të Tij që Ai dëshiron. Në bazë të dëshirës dhe urtësisë së Tij, Ai e lë tokën në sundimin e popujve të ndryshëm. Megjithatë, përfundimi i mirë dhe fitorja do të jenë gjithmonë për të devotshmit. Edhe nëse sprovohen kur Allahu i Madhëruar, me urtësinë e Tij, dëshiron t’i vërë në provë, ata vazhdojnë të jenë të qëndrueshëm dhe, në mënyrë të pasmangshme, fitorja do t’u takojë atyre. Përfundimi i mirë do t’u takojë atyre, mes popujve ku jetojnë. Kjo është detyra e njeriut: të përpiqet me çdo rrugë të lejuar, që të ruhet nga dëmi që mund t’i shkaktojnë të tjerët. Por, nëse nuk ka mundësi, atëherë duhet të bëjë durim dhe t’i mbështetet Allahut të Madhëruar, duke e lutur për shpëtim nga e keqja. - “Ata thanë: “Ne kemi qenë të shtypur edhe para se të na vije ti edhe pasi erdhe ti”.” - Duke shprehur padurimin dhe pakënaqësinë e tyre nga koha e gjatë e vuajtjeve dhe persekutimit nga ana e Faraonit, ata i thanë Musait a.s. “Ne ishim të shtypur para se të na vije ti, sepse ata janë të pashpirt. Ata na kanë shkaktuar vuajtje nga më të dhimbshmet. Ata kanë vrarë djemtë dhe na merrnin vajzat. Kështu ka ndodhur si para ardhjes tënde, ashtu edhe pas ardhjes tënde. - “Ai tha: “Mundet që Allahu ta shkatërrojë armikun tuaj dhe t’ju bëjë ta zëvendësoni në këtë vend e pastaj do t’ju vështrojë se si do të veproni”.” - Duke shpresuar shpëtimin nga e keqja e Faraonit, Musai tha: “Pritet që Allahu ta shkatërrojë armikun tuaj e t’ju bëjë ta zëvendësoni në këtë vend. Megjithatë, mos harroni se çështja nuk mbaron me këtë. Allahu i Madhëruar thotë: “...pastaj do t’ju vështrojë se si do të veproni ju”. Ai do të shohë a do të jeni mirënjohës apo mosmirënjohës për mirësitë e Tij. Ky premtim u realizua nga Allahu i Madhëruar kur erdhi koha e përcaktuar nga Ai.