7. Araf · Ajeti 138 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:138–7:149
Pasi që Zoti i shpëtoi beni israilët prej torturave të faraonit, ua mundësoi kalimin përtej detit, ata hasën një popull që adhuronte statuja - idhuj, e duke mos ditur për pasojat e një adhurimi të tillë, menduan se do të ishte mirë që edhe ata ta kenë ndonjë idhull përmes të cilit do t'i luteshin Zotit. Musai që ishte sikurse edhe pejgamberët e tjerë kundër idhujtarisë, i qortoi ashpër.
Musai i kishte premtuar popullit të vet, duke qenë ende në Egjipt, se nëse Allahu e shkatërron faraonin, do t'u sillte një libër prej Zotit, sipas të cilit do të orientoheshin. Kur u shkatërrua faraoni, Musai e luti Zotin për atë libër. Ai i tha të përgatitet tridhjetë ditë (të agjërojë) e ia shtoi edhe dhjetë, ashtu që pas katërdhjetë ditësh Musai shkoi në vendin e caktuar për të pranuar shpalljen.
Kur i foli Zoti Musait pa kurrfarë ndërmjetësimi, Musai u kënaq, e kur e rrëmbeu dashuria për ta parë drejtpërsëdrejti Zotin, u mashtrua dhe e kërkoi atë. Zoti i tha se konstrukti i përbërjes së njeriut në këtë botë, s'ka fuqi ta përjetojë shikimin ndaj Madhërisë së Tij, mandej i tha: Unë po paraqitem me një pjesë të dritës Sime, një qenieje më të fuqishme se ti - kodrës, e nëse ajo përjeton dritën Time, edhe ti do të më shohësh. Kur Zoti lëshoi një pjesë të vogël të dritës së Vet ndaj kodrës, ajo u copëtua dhe u rrafshua e Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete kërkoi falje prej Zotit për kërkesën e pakuptimtë. Zotin do ta shohin besimtarët në xhennet.
Derisa Musai ishte në Mikat duke pranuar shpalljen, Tevratin, një farë Samirij e konstruktoi nga ari dhe argjendi një figurë si viç dhe popullit i dukej se po pallte si viçi dhe fillun ta adhurojnë atë. Kur e kuptuan gabimin e bërë, kërkuan falje prej Zotit.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:138–7:139
Allahu i Lartësuar na tregon se çfarë thanë disa injorantë nga bijtë e Izraelit, pasi Ai i kishte shpëtuar ata nga Faraoni, dhe pikërisht pasi dolën nga deti dhe panë një prej shenjave madhështore të pushtetit të Allahut. I Lartësuari thotë: - Bijtë e Izraelit i kaluam përtej detit. Atje hasën në një popull, që ishte i përkushtuar në adhurimin e idhujve. - Disa mufesirë kanë thënë se ai ishte popull i Kenanasve. Ibn Xheriri shpjegon: Ata adhuronin puta në formën e lopës, gjë e cila ndikoi tek ata më pas, duke shkuar deri në adhurimin e viçit. Kështu, ata thanë: - Ata i thanë: “O Musa! Na bëj edhe neve një zot, si zotat që kanë ata!”. Ai u tha: “Ju qenkeni, vërtet njerëz të paditur !”. - Jeni të paditur për madhështinë e Allahut, lartësinë e Tij dhe për faktin se Ai është i dëlirë dhe i pastër nga çdo mangësi. Është detyrë adhurimi i Tij si një i vetëm, largimi nga çdo lloj idhujtarie e përgjasimi i Tij me krijesat. - Ky popull po shkatërrohet me atë (idhujtarinë) që po bën dhe veprat e tyre
janë të kota (pa vlerë) .” - Për tefsirin e këtij ajeti, Ibn Xheriri sjell një hadith: 58 1216. “Musimanët dolën së bashku me Profetin e Allahut nga Meka, në drejtim të Hunejnit. Idhujtarët kishin një pemë sidri, ku ata qëndronin, - siç thoshin, - “për të marrë bekime”, dhe varnin në të armët e tyre. Ata e quanin “ Dhatu Enuât” atë pemë. Kështu, kur ne kaluam pranë një peme sidri të madhe e të gjelbër, i thamë Profetit: “O i Dërguari i Allahut! Na bëj edhe neve një “Dhatu Enuât”, ashtu siç kanë ata!” Profeti tha: “Betohem për Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im! Ju thatë të njëjtën gjë që i thanë Musait populli i tij: “Na bëj edhe neve një zot, si zotat që kanë ata!”. Pastaj Profeti citoi: “Ai u tha: “Ju qenkeni, vërtet njerëz të paditur. Ky popull po shkatërrohet me atë (idhujtarinë) që po bën dhe veprat e tyre janë të kota (pa vlerë).” ... .
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:138–7:141
- “Bijtë e Izraelit i kaluam përtej detit. Atje hasën në një popull që ishte i përkushtuar në adhurimin e idhujve.” - Allahu i Lartësuar na tregon se ç’ndodhi me bijtë e Izraelit pasi shpëtuan nga Faraoni, që u shkatërrua bashkë me ushtrinë e tij mu para syve të tyre. Kështu, ata kaluan pranë një populli, që adhuronin me përkushtim disa statuja. Ata u luteshin dhe u bënin blatime të shumta, duke shpresuar mirësi e mbarësi prej tyre. Por çuditërisht, njerëzit e Musait, edhe pas gjithë atyre shenjave madhështore që Allahu i Lartësuar u shfaqi, me injorancën dhe mendjelehtësinë e tyre, i thonë Musait: - “Ata i thanë: “O Musa! Na bëj edhe neve një zot, si zotat që kanë ata!”.”. - O Musa, na lejo që edhe ne të kemi idhuj, siç kanë këta, që të na eci mbarë. Por Musai u thotë: - “Ai u tha: “Ju qenkeni, vërtet njerëz të paditur."” - E ku ka injorancë më të madhe se ajo e atij që nuk njeh e nuk respekton Zotin e vërtetë, Krijuesin e gjithësisë? Pikërisht prej kësaj injorance të thellë, ata dëshironin të adhuronin idhuj, të cilët nuk kanë në dorë as dëm dhe as dobi, nuk kanë pushtet që të japin jetë dhe as ta marrin atë, nuk kanë pushtet që të ringjallin, të marrin në përgjegjësi dhe të shpërblejnë, ashtu siç bën Allahu i Lartësuar, Krijuesi madhështor, i Vetmi që i ka këto atribute. - “Ky popull po shkatërrohet me atë (i dhujtarinë) që po bën dhe veprat e tyre janë të kota (pa vlerë).”” - Adhurimi që i kushtojnë idhujve është i pavlefshëm, madje i dëmshëm, poshtërues dhe i ndëshkueshëm nga Allahu i Madhëruar. Lutjet që u drejtohen idhujve janë gjithashtu pa rezultat. Duke i bërë ata të reflektojnë për këtë gabim kaq të rëndë, Musai u tha: - “Pastaj Musai tha: “Mos doni t’ju gjej një zot tjetër për ta adhuruar përveç Allahut? Është Allahu Ai që ju dalloi mbi të tjerët.” - Si është e mundur të më kërkoni që t’jua zëvendësoj Allahun e Lartësuar me ata idhuj?! E si mund të konsideroj si zot dikë tjetër veç Allahut, i Cili është i vetmi i Adhuruar me meritë dhe që është absolut në të gjitha aspektet? Ai është absolut si në Qenien e Tij, ashtu edhe në emrat, cilësitë dhe veprat e Tij. Si është e mundur që ju të kërkoni të adhuruar tjetër veç Allahut të Lartësuar, i Cili është i plotë dhe madhështor në të gjitha këto aspekte? Ky është krim shumë i rëndë. Për t’ua bërë edhe më të kuptueshëm fajin e tyre të rëndë, Musai u tha: Si kështu, kur është pikërisht Ai që ju ngriti mbi të tjerët?! Kjo duhet t’ju bëjë që ju ta adhuroni Atë me përkushtim, të tregoheni mirënjohës ndaj Tij dhe të mohoni gjithçka tjetër që adhurohet veç Tij. Musai vijon dhe u kujton atyre mirësitë e shumta, që Allahu i Madhëruar u kishte dhuruar: - “Kujtoni kur Ne ju shpëtuam prej njerëzve të Faraonit, të cilët ju mundonin me ndëshkimin më të kobshëm! Ata jua vrisnin djemtë dhe jua linin gjallë vajzat..” - Allahu i Lartësuar ju shpëtoi prej Faraonit dhe shpurës së tij, që ju torturonin, ju vrisnin fëmijët meshkuj dhe ju linin gjallë femrat. - “Kjo ishte një sprovë e madhe nga (e cila ju shpëtoi) Zoti juaj.”” - Shpëtimi nga këta njerëz të pamëshirshëm qe një shenjë e madhe prej Allahut, si mirësi mbi ju. Edhe vuajtjet tuaja ishin sprovë e madhe e përcaktuar nga Allahu i Lartësuar. Ju duhet të reflektoni për të gjitha këto që kanë ndodhur me ju. Kur Musai u kujtoi këto mirësi, ata u penduan për gabimin e tyre.