7. Araf · Ajeti 187 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:187–7:198
Çështja e përfundimit të jetës së kësaj ekzistence, është enigmë për të gjitha krijesat, duke përfshirë edhe pejgamberët e edhe melaiket. Ai do të vijë befas, andaj çdo parashikim është vetëm supozim.
Pejgamberi, me urdhërin e Zotit e shpreh qartë aftësinë e njeriut për sendet e fshehta, pra është çudi se si disa njerëz ende mashtrohen e shpresojnë se fati i tyre është në dorë të ndonjë tjetri pos Zotit.
Në kaptinën En Nisaë është theksuar krijimi i Ademit, i shoqës së tij dhe i pasardhësve. Këtu përmendet se si në ditët e para të shtatzënësisë barra është aq e lehtë sa nuk hetohet, por gradualisht rëndohet dhe atëherë prindërit fillojnë të interesohen për pasardhësin e tyre, e veçanërisht për shëndetin e tij pa të meta. E udhës është që njerëzit të falënderojnë Allahun për dhuratën e tillë. Mirëpo, shumë njerëz e harrojnë të mirën dhe nuk respektojnë udhëzimet e Krijuesit të tyre, e madje edhe i falënderohen dikujt tjetër.
Disa mufesirinë shkuan kah ajo se me burr e grua në këtë ajet është fjala për Ademin e Havën, madje sollën edhe disa hadithe, por jo aq të besueshme.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:187
- Të pyesin ty rreth Orës (së Kijametit) : kur do të ndodhë? - Ky ajet ka zbritur dhe flet për kurejshët, të cilët pyesnin për kohën e Kijametit, duke shprehur kështu mosbesimin e tyre dhe duke treguar se e shihnin si diçka të largët dhe të pamundur. Ata e mohonin kategorikisht atë, siç tregon Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “Ata thonë: “Kur do të përmbushet ky premtim, nëse flisni të vërtetën?” Thuaj: “Atë e di vetëm Allahu, ndërsa unë jam veçse një paralajmërues, që ju qartësoj të vërtetën!” [Mulk 25, 26]. Dhe thotë: “Ata që nuk e besojnë atë (Kiametin), kërkojnë që ai të vijë sa më shpejt, ndërsa ata që i besojnë, i druhen atij çasti dhe janë të bindur se ai është i vërtetë. Ta dini se ata që bëjnë polemika, duke vënë në dyshim Ditën e Kiametit, janë në një humbje të thellë.” [Shura 18]. Ndërsa në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na tregon pyetjen e tyre, që thonë: “Kur do të ndodhë? Kur është koha e Kijametit?” - Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im. Askush, veç Tij nuk mund ta zbulojë kur do të ndodhë. - Dituria për kohën e tij është tek Allahu: Ai është i vetmi që e di se kur do të ndodhë. Askush tjetër veç Tij nuk e di këtë çështje, qoftë ai melek i afërt i Zotit apo profet i dërguar prej Tij. Allahu i Lartësuar thotë: - Kjo barrë është shumë e rëndë për gjithçka në qiej dhe në tokë. - Dituria rreth kohës së saj është peshë shumë e rëndë për të gjithë krijesat. Ajo është një e fshehtë, që nuk e di askush prej tyre. - Ajo ka për të ardhur veçse befas. - Ajo ditë do të vijë befasisht, kur secili do të jetë i angazhuar me punën e vet. Muslimi sjell në Sahih-un e tij hadithin nga Ebu Hurejra, i cili ka thënë: 1244. “Kur të ndodhë Kijameti, një burrë do të jetë duke mjelë qumështin. Ai nuk do të arrijë ta vendosë enën në buzët e veta, pasi do të ndodhë Kijameti. Po kështu, dy burra do të jenë duke bërë tregti për një rrobë, por nuk do të arrijnë ta përfundojnë shitblerjen, sepse do të ndodhë Kijameti.” - Ata të pyesin ty, sikur ti të kishe zbuluar dijen rreth saj. - Ata të pyesin ty, sikur ti ke dijeni për këtë çështje, ndërkohë që Allahu i Lartësuar ua ka fshehur këtë dituri krijesave. Ai thotë: - Thuaj: “Për të di vetëm Allahu”, por shumica e njerëzve nuk e dinë. - Kur Xhibrili (a.s) i shkoi Profetit ﷺ në formë njeriu dhe e pyeti se kur do të ndodhë Kijameti, ai iu përgjigj: 1245. “I pyeturi për këtë nuk është më i ditur se pyetësi.” Domethënë, ai nuk kishte dijeni më shumë sesa meleku rreth kësaj çështjeje. Asnjë krijesë nuk ka dijeni se kur do të ndodhë Kijameti. Pastaj Profeti lexoi fjalën e Allahut: “Vetëm Allahu e di se kur do të ndodhë Kijameti dhe është Ai që e zbret shiun. Ai e di se ç’ka në mitra (të nënave). Askush nuk e di se çfarë do të fitojë nesër dhe askush nuk e di se në ç’vend do të vdesë. Allahu është i Gjithëdituri, që di mirë çdo fshehtësi.” [Lukman 34]. Kështu, edhe ky Profet umij, që është zotëria dhe vula e të gjithë profetëve, vetë Muhamedi, i cili është përshkruar si Profeti i mëshirës, Profeti i pendimit, Profeti i luftërave të mëdha,
Profeti i fundit, El Mukaffi dhe El Hâshir , domethënë, ai nën këmbët e të cilit do të ringjallen njerëzit, edhe ai nuk e di kur do të jetë dita e Kijametit. Është transmetuar në hadith të saktë nga Enesi dhe Sehël Ibn Sadi se Profeti i Allahut ka thënë: 1246. “Dërgimi im dhe Kijameti janë afër si këta të dy - dhe tregoi me dy gishtat e tij, atë treguesin dhe tjetrin që vjen pas tij.” Megjithatë, Allahu i Lartësuar e urdhëroi këtë Profet që, nëse pyetet për kohën se kur do të ndodhë Kijameti, t’u thotë njerëzve se atë e di vetëm Allahu: “Thuaj: “Për të di vetëm Allahu”, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:187–7:188
Allahu i Lartësuar i drejtohet profetit të Tij, Muhamedit ﷺ ,dhe i thotë: - “Të pyesin ty rreth Orës (së Kjametit) - kur do të ndodhë?” - Këtu bëhet fjalë për ata që e mohonin Muhamedin ﷺ , duke e konsideruar atë si mashtrues. Ata pyesnin për Kijametin, se kur do të jetë ora e tij, kur do të jetë dita e fundit e kësaj bote. Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që t’u përgjigjet duke thënë: - “Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im.” - Allahu i Lartësuar e mban këtë dituri vetëm për Veten e Tij, pa ia treguar askujt prej krijesave të Tij. - “Askush, veç Tij nuk mund ta zbulojë kur do të ndodhë.” - Asnjë nuk ka për ta mësuar çastin e Kijametit para se ai të ndodhë. Këtë sekret e di veçse Allahu i Lartësuar. - “Kjo barrë është shumë e rëndë për gjithçka në qiej dhe në tokë.” - Njohja e Ditës së Fundit është bërë e pamundur për banorët e qiejve dhe të tokës, prandaj edhe çështja e saj është shumë e rëndë dhe e frikshme për ta. - “Ajo ka për të ardhur veçse befas. ” – Krijesat nuk do ta kuptojnë momentin kur të vijë ajo ditë, e cila do t’i kapë në befasi. Ata nuk do të kenë mundësi të përgatiten për të, që të përballojnë vështirësitë dhe tmerret e saj. - “Ata të pyesin ty, sikur ti të kishe zbuluar dijen rreth saj.” - Për ata ka shumë rëndësi të dinë se kur do të ndodhë Kijameti, madje iu dukesh tejet mospërfillës për pyetjen që të bëjnë. Por nuk e dinë ata të shkretë se ti ke dituri të plotë rreth Zotit tënd dhe e di shumë mirë se çfarë pyetjesh janë të dobishme dhe çfarë jo. Për këtë
arsye, ti nuk i jep shumë rëndësi çështjes se kur do të ndodhë Kijameti. Atëherë, pse ata nuk të marrin ty si shembull?! Përse nuk mësojnë nga sjellja, dituria dhe maturia jote?! Përse nuk heqin dorë nga kjo pyetje e padobishme?! Aq më tepër që këtë njohuri nuk e ka patur dhe nuk e ka asnjë profet apo melek afër Zotit të Lartësuar. Kjo thjesht është një nga çështjet që Allahu i Lartësuar, me urtësinë e Tij, e mban në sekret të plotë nga krijesat. - “Thuaj: “Për të di vetëm Allahu”, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” - Për shkak të paditurisë së tyre, ata u japin rëndësi çështjeve që nuk kanë dobi për ta. Nga ana tjetër, ata nuk pyesin për ato gjëra që vërtet e kanë detyrë të pyesin dhe të informohen, sepse do të mbajnë përgjegjësi për to. - “Thuaj: “Unë nuk kam në dorë t’i bëj as mirë e as keq vetes sime, përveçse ashtu siç do Allahu.” - Unë jam një rob i Zotit, i nënshtruar plotësisht para Tij. Nëse më vjen ndonjë mirësi, më vjen veç prej Allahut të Lartësuar. Gjithashtu, askush nuk largon prej meje të këqijat, përveç Allahut të Lartësuar. Edhe këtë dituri që kam, e kam prej Allahut të Lartësuar. - “Sikur ta dija të fshehtën, do t’i shumoja për vete të mirat e nuk do të më prekte asgjë e keqe.” - Nëse unë do t’i dija gjërat para se ato të ekzistonin, nëse do të dija ku të çojnë ato dhe se cili është përfundimi i tyre, atëherë unë do të ndërmerrja të gjitha masat që të grumbulloja për veten time çdo të mirë të dynjasë dhe ahiretit, nga njëra anë, dhe do të isha i kujdesshëm që të shpëtoja prej çdo gjëje që më dëmton, nga ana tjetër. Por duke qenë se unë kam dituri veçse aq sa Zoti më ka mësuar, edhe mua mund të më godasë ndonjë gjë që më dëmton ose mund të më shpëtojë ndonjë e mirë, që më bën dobi. Atëherë, ky është argumenti më i qartë se unë nuk kam dituri rreth gajb-it, domethënë, të fshehtave të Zotit. - “Unë jam veçse një qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë.” - Unë thjesht ju tërheq vërejtjen që të ruheni nga ndëshkimet që mund t’ju godasin në fenë, dynjanë dhe ahiretin tuaj. Unë ju qartësoj gjithçka që ju çon në këtë përfundim të keq dhe ju këshilloj që të ruheni prej tyre. Gjithashtu, unë jam përgëzues për shpërblimet që jepen që në këtë dynja, por edhe për shpërblimet e përjetshme në ahiret, për këdo që i bindet dhe i nënshtrohet Allahut të Lartësuar. Unë i kam bërë të qarta të gjitha veprat e mënyrat që sjellin kënaqësinë e Zotit të Lartësuar dhe lumturinë tuaj në të dyja jetët. Megjithatë, këshillat e mia nuk vlejnë për të gjithë. Ato u bëjnë dobi veçse besimtarëve, të cilët i pranojnë ato dhe i trajtojnë me respektin e duhur. Këto ajete të mrekullueshme tregojnë qartë injorancën e thellë të të gjithë atyre njerëzve që i drejtohen Profetit ﷺdhe i luten atij për ndonjë mirësi ose për të shpëtuar nga ndonjë e keqe. Le ta dinë ata se Muhamedi ﷺ nuk ka asgjë në dorë, për këtë botë apo për tjetrën. Ai nuk mund të ndihmojë asnjë që Allahu i Lartësuar nuk e ndihmon dhe as nuk mund të largojë ndonjë të keqe që Allahu i Lartësuar nuk dëshiron ta largojë. Profeti dinte veçse aq sa e kishte mësuar Allahu i Lartësuar. Dobia e vetme prej Muhamedit është Shpallja që ai përcolli. Mënyra e përfitimit prej tij është vetëm pasimi me besnikëri dhe sinqeritet i udhëzimeve që ai solli prej Allahut të Lartësuar. Kjo mirësi prej Profetit është më e madhe se çdo lloj mirësie tjetër që mund të vijë prej dikujt në këtë botë, qofshin ata edhe prindërit, të cilët janë bërë shkak që të vish në këtë jetë. Mirësitë e këtij Profeti të bekuar ia kalojnë dobisë së miqve dhe vëllezërve më të ngushtë, më të dashur dhe më të butë me ty. Mirësia e Muhamedit ﷺ nuk krahasohet me atë të askujt tjetër, sepse ai i nxiti njerëzit për të vepruar çdo të mirë dhe i këshilloi qartë për t’u larguar nga çdo e keqe. Ai tregoi rrugën e mbarë drejt Allahut të Lartësuar, sqaroi veprat e mira dhe mënyrat me të cilat ato arrihen. Ai tregoi, gjithashtu, shtigjet dhe veprat e këqija, që shkaktojnë zemërimin dhe
ndëshkimin e Allahut të Lartësuar, dhe udhëzoi njerëzimin se si të ruhen dhe të largohen prej tyre.