7. Araf · Ajeti 189 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:187–7:198
Çështja e përfundimit të jetës së kësaj ekzistence, është enigmë për të gjitha krijesat, duke përfshirë edhe pejgamberët e edhe melaiket. Ai do të vijë befas, andaj çdo parashikim është vetëm supozim.
Pejgamberi, me urdhërin e Zotit e shpreh qartë aftësinë e njeriut për sendet e fshehta, pra është çudi se si disa njerëz ende mashtrohen e shpresojnë se fati i tyre është në dorë të ndonjë tjetri pos Zotit.
Në kaptinën En Nisaë është theksuar krijimi i Ademit, i shoqës së tij dhe i pasardhësve. Këtu përmendet se si në ditët e para të shtatzënësisë barra është aq e lehtë sa nuk hetohet, por gradualisht rëndohet dhe atëherë prindërit fillojnë të interesohen për pasardhësin e tyre, e veçanërisht për shëndetin e tij pa të meta. E udhës është që njerëzit të falënderojnë Allahun për dhuratën e tillë. Mirëpo, shumë njerëz e harrojnë të mirën dhe nuk respektojnë udhëzimet e Krijuesit të tyre, e madje edhe i falënderohen dikujt tjetër.
Disa mufesirinë shkuan kah ajo se me burr e grua në këtë ajet është fjala për Ademin e Havën, madje sollën edhe disa hadithe, por jo aq të besueshme.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:189–7:190
- Është Allahu Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm (Ademi), prej të cilit krijoi edhe bashkëshorten e tij (Havanë), për të gjetur qetësinë tek ajo. - Allahu i Lartësuar vë në dukje faktin që Ai i krijoi të gjithë njerëzit nga një njeri i vetëm, nga Ademi (a.s). Allahu i Lartësuar krijoi nga Ademi (a.s) gruan e tij, Hava, pastaj nga ata të dy u shtuan të gjithë njerëzit e tjerë dhe u përhapën nëpër Tokë. Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, që të njiheni mes jush. ...” [Huxhurat 13]. Ose: “O njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, ndërsa prej tij krijoi bashkëshorten, e prej atyre të dyve përhapi shumë burra e gra. ...” [Nisa 1]. Në ajet thuhet: “...ju krijoi nga një njeri i vetëm (Ademi), prej të cilit krijoi edhe bashkëshorten e tij (Havanë), për të gjetur qetësinë tek ajo.” Domethënë, që të afrohet dhe qetësohet me të, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Një nga argumentet e Tij është edhe ky që Ai krijoi për ju bashkëshorte nga lloji juaj, që të gjeni prehje tek ato dhe bëri që mes jush të ketë dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë. ” [Rum 21]. Kështu, nuk ekziston afërsi dhe lidhje më e fortë mes shpirtrave sesa lidhja mes dy bashkëshortëve. Për shembull, për të treguar se sa i fortë është ndikimi i magjisë, Allahu i Lartësuar ka treguar se magjistari mund të shkojë deri atje sa të shkaktojë ndarjen e burrit nga gruaja. - Kur njeriu e mbulon (kontakton me) gruan e tij, ajo ngarkohet me një barrë të lehtë dhe ashtu vazhdon me të (pa e ndier). - Domethënë, pasi ata kryejnë marrëdhënie intime, ndodh ngjizja dhe shtatzënia, e cila në fillim nuk dallohet. Gruaja nuk ndien dhimbje në fazat e para të saj, të cilat Allahu i ka përshkruar si nutfe pikë (fare), el alaka droçkë gjaku dhe mudga copë mishi (fetus). Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: “...dhe ashtu vazhdon me të (pa e ndier) ”, që Muxhahidi e shpjegon: “Domethënë, vazhdon me fazat e shtatzënisë”. - Por kur ajo (barrë) rëndohet, ata të dy e lusin Allahun, Zotin e tyre: “Nëse na jep fëmijë të mirë, do të të jemi vërtet mirënjohës!”. - Kur rëndohet barra, atëherë prindërit luten duke thënë: “Nëse na jep fëmijë të mirë, do të të jemi vërtet mirënjohës!” Domethënë, ata luten që Allahu t’u dhurojë një fëmijë të saktë, të shëndetshëm dhe të rregullt, nga frika se mos nuk vjen i tillë. Hasen el Basriu e shpjegon kështu ajetin: “Nëse na jep një djalë të mirë, ne do të jemi mirënjohës!” - Por pasi Ai u dhuron atyre fëmijë të mirë, ata i përshkruajnë Atij ortakë në atë që u dhuroi. - Për këtë ajet, mufesirët kanë përmendur rrëfime që vijnë prej ithtarëve të Librit. Të gjitha ato sillen rreth pohimit se ata të cilët i bënë shirk Allahut ishin Ademi dhe Havaja! Në një nga këto hadithe, që Ibn Ebu Hatimi e përcjell nga Ubej Ibn Keabi, thuhet: “Kur Havaja mbeti shtatzënë, asaj i shko i shejtani dhe i tha: “Nëse do që fëmija yt të shpëtojë, duhet të më bindesh mua dhe ta quash Abdul Harith!” Por ajo nuk veproi kështu, dhe fëmija vdiq menjëherë pasi lindi. Pasi mbeti përsëri shtatzënë, ai i tha asaj të njëjtat fjalë, por ajo përsëri nuk iu bind. Kur mbeti shtatzënë për herë të tretë, ai shkoi tek ajo
dhe i tha: “Duhet të më bindesh mua që fëmija të lindë i rregullt, ose në të kundërt ai do të lindë si kafshë!” Në këtë mënyrë, ai arriti që t’i trembte, prandaj ata iu bindën.” Megjithatë, ne jemi të bindur se në këtë ajet nuk flitet për Ademin dhe Havanë, 75 por qëllimi është për të tjerët, që do të vinin pas tyre dhe që i bëjnë shirk Allahut, 76 i Cili prandaj thotë më pas: - Por Allahu është i Dëlirë dhe i Lartësuar nga ortakët që ata i përshkruajnë. - Kështu ka thënë Hasen el Basriu, të cilin edhe ne e mbështesim në këtë mendim. Vërtet në fillim përmendet Ademi dhe Havaja, por ai ishte thjesht për një përshkrim se si do të ishte procesi i shumimit për të gjithë ata që do të vinin pas tyre. Një shpjegim i ngjashëm vjen për ajetin, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Qiellin e dynjasë, Ne e kemi zbukuruar me kandilë (yje), që i kemi bërë gjuajtës kundër shejtanëve, ...” [Mulk 5]. Dihet mirë se yjet me të cilat Allahu ka zbukuruar qiellin nuk janë ato me të cilat Allahu gjuan shejtanët, sepse Ai i gjuan me diçka që është prej llojit të tyre, pra, prej llojit të yjeve. Në Kur'an ka edhe raste të tjera të ngjashme me këtë shpjegim.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:189–7:195
- “Është Allahu Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm (Ademi), ...’’ - Allahu ju krijoi ju të gjithëve, o njerëz, burra e gra, sado të shumtë, të ndryshëm dhe të shpërndarë të jeni në tokë. Allahu ju krijoi të gjithëve nga një njeri i vetëm, i cili ishte Ademi, babai i njerëzimit. - “...prej të cilit krijoi edhe bashkëshorten e tij (Havanë), për të gjetur qetësinë tek ajo.” - Allahu i Madhëruar krijoi nga Ademi (a.s) gruan e tij, Havanë, me qëllim që burri të gjente prehjen dhe qetësinë e nevojshme. Gruaja u krijua nga burri, që mes tyre të ketë gjithmonë afrimitet, tërheqje dhe dashuri, duke gjetur secili prehjen tek tjetri. - “Kur njeriu e mbulon (kontakton me) gruan e tij, ajo ngarkohet me një barrë të lehtë dhe ashtu vazhdon me të (pa e ndier).” - Allahu i Lartësuar ka përcaktuar që, kur burri dhe gruaja bashkohen në marrëdhënie intime, nga ky bashkim i ethshëm të sigurohet vazhdimësia e llojit njerëzor. Kështu, gruaja bart një barrë të lehtë nga burri, e cila nuk ndihet dhe vihet re nga gruaja në fillimet e saj. - “Por kur ajo (barrë) rëndohet, ata të dy e lusin Allahun, Zotin e tyre: “Nëse na jep fëmijë të mirë, do të të jemi vërtet mirënjohës.”” - Por pas njëfarë kohe, barra në trupin e saj nis të rëndohet, të duket dhe të ndihet. Në këtë moment, zemra e nënës dhe babait fillon të ndiejë dhembshuri prindërore për foshnjën që pritet. Ata luten dhe shpresojnë që ai të dalë i gjallë dhe i shëndetshëm, i pastër dhe i sigurt nga çdo lloj mangësie. Ata lusin Allahun e Lartësuar: “O Zot, nëse na jep pasardhës të mirë, do të jemi vërtet mirënjohës ndaj Teje. Nëse na fal një fëmijë të shëndetshëm e pa defekte, ne kemi për të qenë mirënjohës dhe falënderues për dhuratën Tënde.”. - “Por pasi Ai u dhuron atyre fëmijë të mirë, ata i përshkruajnë Atij ortakë në atë që u dhuroi.” - Por, kur Allahun e Lartësuar ua dhuron fëmijën ashtu si ata e kërkonin, domethënë, të plotë e të shëndetshëm, ata, në vend që ta njësojnë të Madhëruarin duke i shprehur vetëm Atij mirënjohjen e plotë për peshqeshin që u bëri, shkojnë dhe falënderojnë e i janë mirënjohës edhe dikujt tjetër, bashkë me Allahun. Ky fenomen i mosmirënjohjes
ndaj Allahut shfaqet me mënyra dhe forma të ndryshme, si më poshtë: 1. Këta prindër e mësojnë dhe edukojnë fëmijën, - që Allahu i Lartësuar ua fali ashtu si ata ia kërkuan, - që të adhurojë dikë tjetër veç Tij. 2. Këta prindër i vënë fëmijës emra që tregojnë robëri dhe adhurim ndaj dikujt tjetër veç Allahut, si për shembull, Abdul Kabe (Adhuruesi i Qabes), Abdul Husejn (Adhuruesi i Husejnit) etj. 3. Duke adhuruar e duke lavdëruar dikë tjetër, krahas Allahut të Lartësuar, për këtë mirësi, edhe pse Allahu është i vetmi që dhuron mirësi etj. Në këto ajete ka zhvendosje nga një rrëfim në tjetrin. Në fillim flitet për Ademin (a.s) dhe Havanë, pastaj flitet në përgjithësi për llojin njerëzor. Kështu, nuk duhet assesi të mendohet se çifti i parë i njerëzimit, Ademi dhe Havaja, bënë shirk në adhurim, por ishin pasardhësit e mëvonshëm që e bënë këtë. Allahu i Lartësuar i ka këshilluar gjithmonë robërit e Tij për t’u larguar nga shirku. Ai gjithmonë ka treguar kotësinë e çdo lloj idhujtarie, madje ka shpallur se shirku, me çdo lloj forme që shfaqet, është padrejtësia më e madhe që mund të kryejë dikush. - “Por Allahu është i Dëlirë dhe i Lartësuar nga ortakët që ata i përshkruajnë.” - Në ajetet e mësipërme, Allahu i Lartësuar solli argumente madhështore, që tregonin se Ai është i vetmi Krijues, Sundues dhe Mbretërues, që përkujdeset për krijesat e Tij. Për shembull, Ai përmendi se si i krijoi njerëzit nga një person i vetëm, që ishte Ademi (a.s). Së pari, Allahu krijoi prej Ademit bashkëshorten e tij dhe pastaj, me radhë, të gjithë pasardhësit e tyre. I Madhëruari ka vendosur dashuri dhe dhembshuri mes burrit dhe gruas, që ata të gjejnë prehje e kënaqësi te njëri tjetri. Ai ka bërë që, burri dhe gruaja, duke kënaqur epshin e tyre, të ruajnë vazhdimësinë e jetës. Është Allahu i Gjithëditur që krijon embrionin në barkun e nënës, ku kalon një kohë të përcaktuar deri në krijimin e plotë të tij. Gjatë kësaj kohe, prindërit përmallohen dhe e presin këtë fëmijë plot dashuri. Ata e lusin Allahun e Lartësuar që ky fëmijë të dalë në jetë i saktë dhe i shëndetshëm, pa asnjë mangësi, dhe Zoti i tyre ua plotëson këtë dëshirë. Atëherë, a nuk e meriton Allahu i Lartësuar, me të gjitha këto mrekulli që bën e dhuron, që të adhurohet si Një, i Vetëm dhe i Pashoq nga krijesat e Tij?! Por ja që nuk ndodh gjithmonë kështu, sepse disa nga robërit e Tij adhurojnë e falënderojnë idhuj, e jo Atë, Zotin e tyre. - “Mos vallë, po i përshkruajnë Atij si ortakë sende që nuk mund të krijojnë asgjë, por, vetë janë të krijuara?! Ata nuk mund t’u japin atyre ndonjë ndihmë e as veten e vet nuk mund ta ndihmojnë.” - Idhujt e tyre nuk kanë krijuar asgjë, madje ata janë vetë të krijuar. Ata janë të pafuqishëm dhe nuk mund të ndihmojnë adhuruesit e tyre. Pse nuk po mendoni, o njerëz?! Nëse idhujt nuk mund të krijojnë as një thërmijë të vogël, sepse edhe vetë janë të krijuar, nëse nuk kanë mundësi që të largojnë të keqen nga adhuruesit e as nga vetja e tyre, atëherë si mund të konsiderohen të barabartë me Zotin dhe të adhurohen si Ai?! Pa dyshim që kjo është padrejtësia dhe mendjelehtësia më e madhe. - “Edhe nëse i ftoni për t’i udhëzuar, ata nuk ju përgjigjen. Për ju është njëlloj, i thirrët ata apo nuk i thirrët.” - O idhujtarë, nëse ju i ftoni idhujt tuaj të kthehen në rrugën e drejtë, ata nuk ju përgjigjen. Si t’i ftoni, si të mos i ftoni, ata nuk kanë për t’ju dëgjuar. Kështu, njeriu qëndron më lart se idhujt, sepse idhujt nuk dëgjojnë, nuk shikojnë, nuk udhëzojnë, nuk udhëzohen dhe nuk dallojnë dot të mirën nga e keqja. Mjafton të meditosh pak në këto fakte dhe e kupton se adhurimi i idhujve është i padobishëm, madje i dëmshëm dhe i dënueshëm. Çdo njeri i mençur e kupton se idhujtarët janë mendjelehtë dhe të padrejtë me adhurimet e tyre të kota.
- “Nuk ka dyshim se ata që ju po i adhuroni veç Allahut, janë të krijuar, sikurse edhe ju.” - Nuk ka asnjë dallim mes jush dhe atyre: të gjithë jeni rob të Allahut të Lartësuar, jeni pronë dhe krijesa të Tij. Nëse ju vërtet besoni se ata e meritojnë që të adhurohen, atëherë: - “Lutjuni atëherë atyre dhe le t’ju përgjigjen, nëse e thoni të vërtetën!” - Nëse ata ju përgjigjen dhe jua plotësojnë kërkesat, atëherë ju keni të drejtë, ose në të kundërt, vërtetohet se ju e keni gabim dhe se po thoni për Allahun e Lartësuar shpifjen më të rëndë dhe më të ndëshkueshme. Në fakt, rezultati dihet: mjafton t’u hedhësh një shikim të shpejtë idhujve tuaj, dhe vetëm pamja e tyre tregon se ata nuk kanë asnjë lloj mundësie për të bërë mirë ose keq. - “A kanë ata këmbë për të ecur? A kanë duar për të kapur? A kanë sy për të parë? A kanë veshë për të dëgjuar?” - Idhujt nuk kanë këmbë që të ecin, as duar që të veprojnë me to, as sy që të shikojnë e as veshë që të dëgjojnë. Ata nuk kanë asnjë lloj mundësie, aftësie dhe force, që gjendet te njeriu. Kështu, njeriu që i adhuron ata, në realitet qëndron më lart se idhujt e tij, për sa i përket aftësive dhe fuqisë. Idhujt nuk mund t’u përgjigjen lutjeve të krijesave, sepse edhe vetë idhujt janë krijesa të nënshtruara përpara Allahut të Lartësuar. Atëherë, përse i adhurojnë? Pastaj i Madhëruari e urdhëron Profetin e tij që t’u thotë idhujtarëve: - “Thuaj: “I thërrisni idhujt tuaj, thurni plane kundër meje dhe mos pritni aspak!”” - Mblidhuni të gjithë ju, bashku me aleatët dhe idhujt tuaj, për të më dëmtuar mua! Bashkohuni të gjithë dhe mos më lini kohë për t’u mbrojtur, por ta dini se kurrë nuk keni për të arritur të më bëni ndonjë të keqe, sepse: