← Kthehu te rezultatet për „deveja ne vrimen e gjilperes“

7. Araf · Ajeti 31 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:31–7:41

Njerëzit përveç faktit se janë të lejuar, janë edhe të porositur t'i përjetojnë begatitë e kësaj bote, qofshin në veshmbathje, qofshin në ushqime të mira, posaçërisht në vendtubime publike, kur është fjala për petka. Por nuk duhet tepruar, e veçanërisht në ushqim.

Të mirat e kësaj bote, në themel, janë krijuar për njerëzit që zbatojnë udhëzimet e Zotit, mirëpo në këtë botë në shfrytëzimin e tyre marrin pjesë edhe ata që kundërshtojnë, por në botën tjetër të mirat kanë për t'i përjetuar vetëm besimtarët.

Zoti i ka ndaluar vetëm sendet dhe punët e këqia e të shëmtuara, për to na mësojnë pejgamberët, andaj duhet ndjekur mësimet e tyre, pse kush nuk dëgjon, e mban veten lartë, atë e kap zjarri i xhehenemit.

I Plotfuqishmi nuk ngutet, i lejon t'i shfrytëzojnë të mirat e kësaj bote edhe ata që kundërshtojnë, por në çastin e vdekjes do ta kuptojnë të zezën e vet, pse ata zota që i besonin, nuk u vijnë në ndihmë, ata as që ekzistuan. Kur do të futen në xhehenem, përpiqen t'ia hedhin fajin njëri-tjetrit, duke thënë që këta na mashtruan e nuk ditëm, të tjerët ju thonë se vetë keni faj, pse vinit pas I nesh, por të gjitha ato arsyetime janë të kota, të gjithë kanë për t'u grumbulluar në zjarr që i përfshin nga të gjitha anët.

Kur vdes njeriu, shpirti i tij ngrihet lartë, poqese është besimtar, e nëse jo, shpirtit të tij nuk i hapet dera e mëshirës, ndaj, poqese devja mund të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, shpirti i tillë aq mund ta shijojë kënaqësinë e xhennetit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:31

Ky ajet i nderuar është një ndalim për atë që bënin idhujtarët, të cilët bënin tavaf lakuriq, burrat ditën e gratë natën. Allahu i Lartësuar thotë: - O bijtë e Ademit! Vishuni bukur për çdo namaz - El zinetu është el-libås, pra, rroba që mbulon auretin. Çdo rrobë tjetër mbi këtë është zbukurim. Kështu, Allahu urdhëron na porosit që të vishemi bukur për çdo namaz. Nga ky ajet dhe hadithet që vijnë në të njëjtin kontekst, tregojnë se është e pëlqyeshme zbukurimi e veshja bukur për çdo namaz, e sidomos për namazin e xhumasë dhe të Bajramit. Parfumosja dhe përdorimi i misvakut për pastrimin e dhëmbëve është, gjithashtu, pjesë e zbukurimit të porositur. Ndër rrobat më të mira janë ato me ngjyrë të bardhë, sikurse tregon hadithi merfu, që Imam Ahmedi sjell nga Ibn Abasi, i cili tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 1187. “Vishni rroba të bardha, se ato janë më të mirat! Me to qefinosini edhe të vdekurit tuaj.” Gjithashtu: “ Kuhl-i më i mirë për ju është ithmid-i, sepse ai mpreh shikimin dhe ndihmon në rritjen e qerpikëve.”. Ky hadith është me isnad të mirë, sipas kushteve të Muslimit. Ai gjendet tek Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe. Tirmidhiu ka thënë se ky është një hadith hasen sahih. - hani e pini dhe mos e teproni, sepse Allahu nuk i do ata që e teprojnë! - Imam Ahmedi sjell hadithin nga Umer Ibn Shuajbi, i cili transmeton nga babai, e ky nga gjyshi i vet, se Profeti i Allahut ka thënë: 1188. “Hani, pini, vishni e jepni sadaka, pa lëvdata e pa e tepruar. Allahu dëshiron të shohë te robi i Tij frytet e mirësive që i ka dhënë.” Sërish Imam Ahmedi sjell hadithin nga Mikdam Ibn

Mead Jekrib el Kindi, i cili tregon: “E kam dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: 1189. “Njeriu nuk mbush enë më të keqe sesa barku i tij. I mjaftojnë birit të Ademit disa kafshata për të mbajtur veten. Nëse patjetër duhet të hajë (më shumë), le të lërë një të tretën e barkut për ushqimin, një të tretën për pijen dhe një të tretën për frymëmarrjen.” 49 Hadithi vjen nga Nesaiu dhe Tirmidhiu, i cili thotë se ky është një hadith hasen sahih. Ata të cilët bënin tavaf rreth Qabes lakuriq, ia bënin haram vetes dhjamin përgjatë gjithë sezonit të vizitës së Qabes. Atëherë, Allahu shpalli: “hani e pini dhe mos e teproni...”. Pra, mos e teproni duke i bërë haram vetes ato që nuk janë të tilla. Kështu e ka shpjeguar El Suddiju. Pastaj i Lartësuari thotë: “... Allahu nuk i do ata që e teprojnë!”. Allahu ka thënë gjithashtu: “ ... dhe mos i kaloni kufijtë, se Allahu nuk i do ata që i kalojnë kufijtë. ”. [El maide 87]. Kështu, Allahu na urdhëron të ruajmë kufijtë e Tij, qoftë në drejtim të hallallit, qoftë në drejtim të haramit. Kjo do të thotë që nuk duhet të bëjmë hallall atë që Ai e ka bërë haram dhe nuk duhet të bëjmë haram atë që Ai e ka bërë hallall. Allahu kënaqet që ne ta konsiderojmë hallallin hallall dhe haramin ta konsiderojmë haram. Pikërisht kjo është drejtësia, për të cilën na ka urdhëruar.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:31

- O bijtë e Ademit! Vishuni bukur për çdo namaz,...” - Mbuloni auretin në të gjitha namazet farze dhe nafile. Mbulimi i auretit e zbukuron njeriun, ashtu sikundër zbulimi i tij e shëmton atë. Ka mundësi që ajeti të flasë për më tepër sesa mbulimin e auretit, duke na nxitur që të përzgjedhim rrobat më të bukura dhe më të pastra për të falur namazin. Ajeti është njëkohësisht urdhër për mbulimin e auretit gjatë namazit, si dhe një porosi për t’u veshur bukur për faljen e namazit. Ai urdhëron për pastërti dhe për t’u larguar nga çdo gjë e ulët dhe e pisët. Pastaj i Lartësuari thotë: - “...hani e pini dhe mos e teproni,...” - Hani dhe pini nga mirësitë me të cilat Allahu i Lartësuar ju ka furnizuar! Por mos e teproni në këtë drejtim! Teprimi mund të bëhet në disa aspekte: ose në masë, pra, duke ngrënë e pirë tej masës së nevojshme, gjë e cila e dëmton trupin; ose në drejtim të cilësisë, në lidhje me përzgjedhjen e ushqimeve, pijes apo veshjeve; ose në drejtim të kalimit nga hallalli në haram, pra, duke i kaluar kufijtë e hallallit e duke përdorur ushqime, pije dhe veshje haram. - “...sepse Allahu nuk i do ata që e teprojnë.” - Allahu i Lartësuar e urren të tepruarit. Teprimi e dëmton trupin e njeriut dhe jetesën e tij. Ndonjëherë, të tepruarit në shpenzime mund të pengojë plotësimin e detyrimeve dhe respektimin e të drejtave. Ky ajet na urdhëron për t’u ushqyer me masë. Urdhërimi për të ngrënë me masë të mjaftueshme duhet kuptuar njëkohësisht edhe si ndalim nga të ngrënit e tepërt, deri në atë masë sa të na dëmtojë.

← Araf 7:31