7. Araf · Ajeti 40 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:31–7:41
Njerëzit përveç faktit se janë të lejuar, janë edhe të porositur t'i përjetojnë begatitë e kësaj bote, qofshin në veshmbathje, qofshin në ushqime të mira, posaçërisht në vendtubime publike, kur është fjala për petka. Por nuk duhet tepruar, e veçanërisht në ushqim.
Të mirat e kësaj bote, në themel, janë krijuar për njerëzit që zbatojnë udhëzimet e Zotit, mirëpo në këtë botë në shfrytëzimin e tyre marrin pjesë edhe ata që kundërshtojnë, por në botën tjetër të mirat kanë për t'i përjetuar vetëm besimtarët.
Zoti i ka ndaluar vetëm sendet dhe punët e këqia e të shëmtuara, për to na mësojnë pejgamberët, andaj duhet ndjekur mësimet e tyre, pse kush nuk dëgjon, e mban veten lartë, atë e kap zjarri i xhehenemit.
I Plotfuqishmi nuk ngutet, i lejon t'i shfrytëzojnë të mirat e kësaj bote edhe ata që kundërshtojnë, por në çastin e vdekjes do ta kuptojnë të zezën e vet, pse ata zota që i besonin, nuk u vijnë në ndihmë, ata as që ekzistuan. Kur do të futen në xhehenem, përpiqen t'ia hedhin fajin njëri-tjetrit, duke thënë që këta na mashtruan e nuk ditëm, të tjerët ju thonë se vetë keni faj, pse vinit pas I nesh, por të gjitha ato arsyetime janë të kota, të gjithë kanë për t'u grumbulluar në zjarr që i përfshin nga të gjitha anët.
Kur vdes njeriu, shpirti i tij ngrihet lartë, poqese është besimtar, e nëse jo, shpirtit të tij nuk i hapet dera e mëshirës, ndaj, poqese devja mund të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, shpirti i tillë aq mund ta shijojë kënaqësinë e xhennetit.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:40–7:41
- Nuk ka dyshim se atyre që mohojnë argumentet Tona dhe tregohen kryeneçë ndaj tyre, nuk u hapen dyert e qiellit - Thuhet se kuptimi është që atyre nuk u pranohet asnjë punë e mirë, që t’u ngrihet tek Allahu, ashtu si nuk u shkon lart asnjë dua. Po ashtu, thuhet që kuptimi është se shpirtrave të tyre nuk u hapen dyert e qiellit, për t’u ngjitur lart. Këtë mendim e mbështet hadithi që Ibn Xheri ri e sjell nga Bera Ibn Azibi ku Profeti përmendi momentin kur keqbërësit i merret shpirti dhe ngrihet në qiell. Në të ndër të tjera thuhet: 1191. “Kur atë e ngrenë në qiell, sa herë që kalon pranë ndonjë grupi melekësh, ata thonë: “Çfarë është ky shpirt i keq?!” Thuhet: “Është filani...”, duke e quajtur me emrat më të shëmtuar me të cilët thirrej në dynja, derisa mbërrijnë në portat e qiellit (të parë). Ata kërkojnë që t’u hapen portat, që ai të kalojë, por nuk i hapen.” Pastaj Profeti lexoi: “Nuk ka dyshim se atyre që mohojnë argumentet Tona dhe tregohen kryeneçë ndaj tyre, nuk u hapen dyert e qiellit.” Në këtë formë e ka sjellë Ibn Xheriri. Kjo është një pjesë nga hadithi i gjatë, të cilin e sjellin Ebu Daudi, Nesaiu dhe Ibn Maxhe, përmes rrugës së Minhal Ibn Amrit. Ndërsa Ibn Xhurejxhi, duke folur për kuptimin e ajetit, ka thënë: “Nuk u hapen dyert e qiellit as punëve të tyre dhe as shpirtrave të tyre”, duke bashkuar kështu dy mendimet e sjella për këtë ajet. Megjithatë, Allahu është më i ditur. - dhe nuk do të hyjnë në Xhenet derisa deveja të futet në vrimën e gjilpërës. Kështu i shpërblejmë Ne keqbërësit.” - Shumica e kanë lexuar kështu fjalën “ el xhemelu” (deveja), duke shpjeguar se bëhet fjalë për devenë mashkull. Ibn Mesudi ka thënë që el xhemelu është mashkulli i devesë. Po kështu kanë thënë Eb u Alije, Hasan el Basriu, Da haku etj. Kanë thënë, gjithashtu, që fjala lexohet: “ el xhummelu”, që do të thotë: “litar ose konop i trashë”. - Për ata është përgatitur Xhehenemi, si shtrat nga poshtë dhe si mbulesë nga lart. Kështu i shpërblejmë Ne të padrejtët. - Zjarri ka për të qenë shtrojë nga poshtë dhe mbulesë nga sipër për ta. Kështu e ka shpjeguar Muhamed Ibn Keab el Kuradhi e të tjerë.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:40–7:41
- Nuk ka dyshim se atyre që mohojnë Argumentet Tona dhe tregohen kryeneçë ndaj tyre, nuk u hapen dyert e qiellit...” - Allahu i Lartësuar na tregon rreth ndëshkimit të atyre që mohojnë shpalljet e Tij, duke i konsideruar ato si gënjeshtra. Ata nuk i besojnë shpalljet e Zotit, edhe pse ato janë të mbushura me argumente të qarta dhe bindëse. Ata refuzojnë me arrogancë që të nënshtrohen dhe të punojnë sipas ligjeve dhe porosive të Zotit. Rrjedhimisht, tek ata nuk ka më shpresa se kanë për të arritur ndonjë të mirë. Kur të vdesin, shpirtrave të tyre nuk do t’u hapen portat e qiellit. Ata do të kërkojnë leje për t’u ngjitur lart tek Allahu, por nuk do të lejohen. Ashtu sikurse në këtë botë shpirtrat e tyre nuk ngrihen lart nëpërmjet besimit të pastër, nuk u pastrohen me njohjen dhe dashurinë për Allahun, ashtu atyre nuk do t’u lejohet që, pas vdekjes, të ngrihen lart në qiell për të shkuar tek Allahu i Lartësuar. Shpërblimi jepet sipas llojit të punës që ke bërë. Nga ajeti kuptohet se shpirtrat e besimtarëve që iu binden urdhrave dhe porosive të Allahut do të lejohen të ngjiten lart. Kur ata të vdesin, do të ngjiten në qiell, deri atje ku dëshiron Allahu i Lartësuar. Ata do të lumturohen nga afërsia me Zotin e tyre. Allahu i Lartësuar thotë për banorët e Zjarrit: - “...dhe nuk do të hyjnë në Xhenet derisa deveja të futet në vrimën e gjilpërës. - Aq sa mund të futet një deve në vrimën e gjilpërës, po aq mund të futen në Xhenet mohuesit e shpalljeve të Zotit. Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “Bëjnë kufër ata që thonë: “Allah është Mesihu, biri i Merjemes”. Por Mesihu ka thënë: “O bijtë e Israilit! Adhurojeni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj! Kushdo që adhuron zota të tjerë përveç Allahut, Allahu do t'ia ndalojë Xhenetin dhe Zjarri do të jetë vendbanimi i tij. Për zullumqarët nuk ka asnjë ndihmëtar.” [Maide 72]. Kurse në këtë ajet i Lartësuari thotë: - Kështu i shpërblejmë Ne keqbërësit. - Ky është shpërblimi i merituar për ata që e teprojnë me krimet dhe shfrenimin e tyre. - Për ata është përgatitur Xhehenemi, si shtrat nga poshtë dhe si mbulesë nga lart. - Shtratin poshtë do ta kenë prej zjarri dhe mbulesën lart gjithashtu prej zjarri. Kështu, ata do të jenë të rrethuar tërësisht nga zjarri. - Kështu i shpërblejmë Ne të padrejtët. - Ky është ndëshkimi për ata që janë ‘dhâlimin’ - të padrejtë, që shkatërrojnë vetveten, sepse Allahu nuk i bën padrejtësi askujt.